Ekskluzive/Ylli Molla: Miq në shtëpinë e Al Banos

Prej shumë kohësh, ndoshta që nga viti 1989, kur u shfaqën koncertet e bujshme në Tiranë, më ishte ngulitur në mendje se Al Bano Carrisi duhet të kishte patjetër një lidhje gjaku me Shqipërinë. Jo thjesht prej emrit, që iu vendos prej të atit në një rreth jugor të Shqipërisë, por, së pari, prej fjalëve të ngrohta dhe emocionuese që ai ka përcjellë vazhdimisht për shqiptarët. Këta, i ati i tij, don Carmelo Carrisi, i njohu në ditët më të vështira të jetës, kur u rreshtua me detyrim në repartet e Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kësaj ndjesie më pas i mbivendoset jehona e këngëve të famshme “Saranda- Okinava”, “Liberta” e të tjerave, përmbajtja e të cilave, afër fundit të dimrit komunist për të gjithë ne banorët e izoluar brenda rrethimit të telit me gjemba, tingëllonte më shumë se shpresë. Kjo përshtypje m’u shfaq krejt e zakonshme gjatë takimit me këngëtarin e famshëm në banesën e tij, dy javë më parë.
***
Jemi nisur drejt Vilës Carrisi, duke risjellë në mendje ditët e paharruara të nëntorit të 12 viteve më parë. Vendbanimi i Al Bano-s ndodhet në Cellino San Marco, një provincë rreth 14 kilometra në afërsi të Brindizit. Rrugës telefoni i Gianfranco Liuzzi-t, administrator i “Nesër TV” në Tiranë dhe mik i veçantë i këngëtarit, bie herë pas herë për të na kujtuar se darka në rezidencë pritet të fillojë nga çasti në çast, ndaj duhet të nxitojmë. Pasi lëmë pas qytezën, futemi në një rrugë të ngushtë dhe pa kaluar tre minuta kthehemi majtas. Brenda një rrethimi me mur të lartë shfaqet një vilë dy-katëshe me pamje antike mesdhetare, oborri i të cilës është i mbushur me ullinj, qiparisa dhe lule. Mes pemëve shquhen dhe ndërtime të tjera, që të krijojnë përshtypjen e një qendre turistike. Pamjet e mrekullueshme të oborrit, ndriçimi i zbehtë, guvat e improvizuara, gurët e një minikështjelle, kaktuset dhe zbukurimet e tjera tregojnë se ndodhesh brenda një rezidence çlodhëse dhe intime.
Grupi i miqve të ftuar të kësaj nate është vendosur në restorant, një tjetër mjedis argëtues me pamje mesjetare: abazhurët me mermer, kabllot e veshur me litarë, reliket e vjetra të varura në mur, ku nuk mungojnë veglat muzikore, pikturat dhe fotot, ngjallin kureshtjen e klientëve.
Bashkë me tre miq italianë të Al Bano-s kamarieri na drejton për te tavolina kryesore. Në restorant ndodhen dhjetra klientë, të ardhur për motive të ndryshme, por që të gjitha kanë lidhje me Al Bano-n. Disa janë fansa dhe kanë dëshirë të darkojnë në restorantin e tij, disa janë adhurues të mjedisit dhe atmosferës së veçantë që sundon aty, ndërsa të tjerët, ku bëjmë pjesë edhe ne, janë miq të këngëtarit dhe të ftuarit e tij.
Al Bano vjen në tavolinë rreth orës 22.00, i veshur me një xhup lëkure bojë kafe të çelët, xhinse dhe sandale fare të zakonshme. Në pamje të parë duket si një pronar ferme, që porsa ka mbyllur ditën e ngjeshur me punët e vjeshtës. Takon të gjithë pjestarët e tavolinës me radhë, njëlloj si në traditën shqiptare. Pastaj, sapo ulet, drejtohet nga ne: Ç’thotë Shqipëria?
Kamerieri sjell disa lloje verërash, prodhime të kantinës së Al Bano-s, për të zgjedhur. Teksa i servir pronarit “don Carmelo” (një lloj vere e prodhuar me emrin e të atit) Al Bano e pyet me “seriozitet”: Është e mirë kjo verë? Në sytë e këngëtarit duket qartë kënaqësia për prodhimet cilësore të kantinës, të cilat, siç pohon vetë, “nuk tregtohen nëse nuk janë më të mira se këngët e albumeve”.
Për afro dy orë, edhe pse të ftuarit janë njerëz të afërt të këngëtarit dhe bashkëpunëtorë në bizneset e tij, biseda vërtitet rreth Shqipërisë. Por nuk bëhet fjalë për të inkriminuarit në trafikët e prostitutave, drogës dhe armëve, siç ndodh rëndom në kronikat e televizioneve dhe gazetave italiane, që i gjejnë me lehtësi akuzat ndaj “shqiptarëve mafiozë”.
Al Bano pyet me radhë për miqtë e tij në vendin e shqipeve. Një shishe konjak “Skënderbeu” nga Tirana e kthen bisedën te lidhjet historike midis shqiptarëve dhe italianëve. Carrisi kujton udhëtimet e tij nga Kakavija në Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë dhe Tiranë, duke risjellë në tavolinë emocionet e babait të tij, ish-ushtar në këto zona gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Pastaj biseda përqëndrohet te ngjarja më e madhe e ditëve të fundit, akti terrorist kundër SHBA. “Vendi më i sigurtë për t’u mbrojtur nga Bin Laden është Shqipëria”, thotë një nga miqtë dhe të gjithë qeshin.
Para se të largohet për t’u gjendur pranë bashkëshortes Loredana dhe vajzës, na përshëndet duke fiksuar orarin për të nesërmen: Mjaftojnë dy orë për intervistën? – pyet dhe largohet sapo merr miratimin tonë për orën 11.00.
Nata kalon mes aromës që përhap mushti i rrushit në kantinën e verës, 20 metra larg, dhe erës së pyllit me pisha, në katin e dytë të një apartamenti të çuditshëm, arkitektura e të cilit është një kombinim i rrallë i traditës pugliese me kohën moderne.
***
Jemi çuar herët për të fiksuar sa më shumë pamje nga Vila Carrisi. Brenda një rrethimi prej 100 hektarë tokë, gjatë më shumë se 32 viteve punë, Al Bano ka ngritur një fshat turistik krejt të veçantë. Kudo mbizotëron thjeshtësia dhe nostalgjia për origjinën e familjes. Sapo përballesh me fasadën e ndërtesës kryesore vëren se në një tarracë, sipër emërtimit “LA CANTINA DI AL BANO”, shkruar me gurë dhe copëra tullash në faqen kryesore të ndërtesës, janë vendosur disa fuçi vere prej druri, ku bien në sy emrat e përzgjedhur të këngëtarit: Felicita, Taras, Nostalgia, Mediterraneo, don Carmelo etj. Disa metra pranë kantinës gjendet edhe një linjë grirjeje për ushqimin e kafshëve. Ndërsa në oborrin para restorantit është improvizuar një kështjellë e vogël me gurë të mëdhenj dhe bedena, ku mund të jepen shfaqje dhe të pranishmit ushqehen me mish të pjekur në një furrë natyrore. Gjithçka duket në funksion të prehjes pranë vendlindjes, një zgjedhje origjinale e artistit të madh.
“Buon giorno!”- përshëndet Al Bano në orën 09.10, sapo zbret nga “Mitsubishi”. Pasi i hedh një sy kantinës, ku zetorët e vegjël me rimorkio sjellin çdo 15 minuta ngarkesa me rrush të zi nga vreshtat pranë shtëpisë, hipën sërish në timon, duke na ftuar për kafen e mëngjesit. Al Bano nuk përdor shofer, “Mitsubishin” e nget vetë. Timonin e rrotullon me dorën e majtë, ndërsa celularin Nokia nuk e heq nga dora e djathtë, edhe pse i duhet të ndërrojë marshet. Fuoristradën e nget me lehtësi, duke fërshëllyer ndonjë prej melodive të preferuara. Rrugës për në qendër të Cellino San Marco-s njerëz të thjeshtë të hipur në biçikleta ose makina e përshëndesin me dorë ose buzëqeshje. Një grua rreth 45 vjeç, ndoshta fanse e vjetër e këngëtarit, i ngul sytë drejt “shoferit” tonë, ngrin një cast, sa për t’u bindur se nuk ka gabuar me njeriun që është shfaqur para saj, dhe thërret me zë të lartë: Ciao, Al Bano!
Rrugët e qytezës janë të ngushta, por “shoferi” ynë nuk gabon asnjëherë. Shkojmë në një pasticeri pranë qendrës. Al Bano na sugjeron kruasan dhe kapuçino. Në lokalin e vogël parapëlqen të qëndrojë në këmbë. Kalimthi i hedh një sy shtypit të ditës. Pothuajse të gjitha gazetat e Puglia-s kanë shkruar diçka rreth debateve për pagëzimin e vajzës 3-muajshe, Yasmina, për konfliktet me Rominën pas ndarjes dy vite më parë dhe probleme të tjera të familjes Carrisi. Por Al Bano është mësuar me ngacmimet e shtypit prej 33 vitesh, ndaj i kalon titujt e gazetave pa u kushtuar ndonjë vëmendje të veçantë. Para se të largohemi nga lokali këngëtari merr me vete një gotë plastike me kapuçino për Loredanën, e cila në këtë orë është duke u marrë me fëmijën e saj të parë, që u dhuron lumturi të dy bashkëshortëve.
Rrugës në kthim ai interesohet për ecurinë e punimeve restauruese te shtëpia e nënës, në një nga lagjet e Cellino-s. Është një banesë e vjetër, e ndërtuar me gurë shkëmborë të bardhë. Gjatë restaurimit ai ka ruajtur gjithçka, siç ka qenë dikur, vetëm se në mure ka futur rrjetin e ri elektrik dhe të ujësjellësit. Një sobë me dru, një oxhak i vjetër dhe gjithçka tjetër të sjellin para syve traditën e fillimshekullit. “Muret me gurë sigurojnë freski në verë dhe ngrohtësi në dimër”, sqaron një nga punëtorët.
Duke shkuar për në rezidencë ndeshemi sërish me përshëndetjet e banorëve të provincës.
Pasi jemi kthyer në shtëpi, Al Bano shkëputet për t’i çuar Loredanës kapuçinon, duke na kujtuar se do të jetë gati për intervistën në orën 11.00, siç e kemi fiksuar në mbrëmje.
Teksa ngjitemi për në zyrën e këngëtarit-biznesmen, në katin e dytë përballemi me një tabelë ku shkruhet: “Fondacioni Albano e Ylenia Carrisi”, i ngritur në kujtim të vajzës së zhdukur 7 vite më parë. Lidhjet shpirtërore me vajzën fatkeqe dhe fëmijët e tjerë, që sot jetojnë në Milano me Rominën, duken qartësisht brenda zyrës në katin e dytë. Muret janë mbushur me foto, riprodhime letrash e kartolinash, urime dhe dhurata të fëmijëve për babi Al Bano-n dhe mami Rominën në vite të ndryshme të jetës së tyre. Ndonëse mjedis pune, ku këngëtari përgatit plane biznesi dhe kryen takimet ditore me personelin, zyra ngjason me një muze, ku karriera dhe suksesi i këngëtarit janë ndërthurur me kënaqësitë që i ka falur jeta familjare. Al Bano nuk i ka hequr nga muret as publikimet e albumeve të prodhuara vite më parë me ish-bashkëshorten, Romina, as fotot ku kanë dalë bashkë gjatë turneve dhe takimeve me personalitete të artit dhe kulturës botërore ose me fëmijët. Të gjitha reliket dhe dëshmitë e këtij mjedisi zyrtar e intim thonë se jeta vazhdon, me të gjitha ngjyrat që i vesh koha.
Ndërsa bëhemi gati për të inçizuar, këngëtari i famshëm na drejtohet me thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij unikale, duke thyer heshtjen: Prima domanda!
Ylli Molla, Cellino San Marco, 18 shtator 2001
Intervista
Al Bano: Fati im i lidhur me Shqipërinë
“Për një periudhë të gjatë nuk kisha aspak kohë të lexoja dhe as të shihja ndonjë gjë tjetër, edhe kur kisha kuriozitet. Tani do të doja ta jetoja jetën ndryshe. Kam jetuar jetën time me një shpejtësi 2 000 milje në orë dhe tani më lindi dëshira të ndalem dhe të shijoj atë që kam jetuar. Është e drejtë të ndalesh dhe të thuash: Do të shijoj këto momente, të bëhet ç’të bëhet. Në fakt, për çdo njeri që ka jetuar me ritëm të shpejtë, herët a vonë, arrin një moment që thua: dua të ndalem, nuk kam shijuar asgjë. Kam patur momente që nuk doja të nisesha për diku, ndoshta sepse në ajër ndihej një erë e çuditshme, sepse ishte një diell që më tërhiqte. Por pastaj sforcohesha dhe thoja: Duhet të nisem! Tani ndihem krejt ndryshe. Ndoshta mund të nisem përsëri, por jo tani, ndoshta pas dhjetë vitesh”.
Këto fjalë të thëna nxitimithi, teksa po bëheshim gati për të rregjistruar intervistën, mund të përmbledhin më qartë se çdo përkufizim tjetër jetën e vrullshme dhe të jashtëzakonshme të artistit dhe njeriut të madh, Al Bano Carrisi. Për herë të parë kantautori i mirënjohur tregon për lidhjet me Shqipërinë, punën, biznesin dhe jetën familjare në një intervistë ekskluzive për revistën “Spektër”.
SHQIPËRIA
Në letrat që i dërgonte nënës sime për luftën në Shqipëri, babai shkruante: “Nëse do të dal i gjallë nga ky ferr dua që im bir të quhet Al Bano, dhe një ditë ky fëmijë do të na sjellë fat”. Pra, jam i lidhur me Shqipërinë, jo vetëm nga historia e tim eti, por edhe nga emri që mbaj.
Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?
Fjalën Shqipëri, siç mund ta dini, e kam dëgjuar për herë të parë nga im atë, i cili ka luftuar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. I dhanë dhe atij një armë në dorë dhe u nis. Por, kur e kuptoi dhunën e pakuptimtë të luftës, ai u bë paksa devijator, një ushtar që nuk do të vrasë asnjë, sepse e vetmja pyetje që i lindi në kokë, kur i dhanë një pushkë në dorë ishte: Po çfarë më kanë bërë këta mua? Pse duhet të vras njerëz? Dhe kështu më tregonte për sëmundjet që shpikte. Mund të them se më shumë se një luftë, për të ajo ishte një skenë për t’u bërë aktor. Pra, shtirej sikur kishte temperaturë 40 gradë dhe më tregonte se si i sajonte këto gjëra, si e luante rolin, duke u bërë si i sëmurë. Luftën, im atë e ka jetuar por nuk e ka bërë, i është nënshtruar, por nuk e ka bërë. Ai nuk do të qëllonte, jo vetëm kundër shqiptarëve, po kundër askujt. Kur i thoshin “Ushtar Carrisi, qëllo!” ai ngrinte pushkën dhe qëllonte në ajër, sepse nuk donte të rëndonte ndërgjegjen me gjakun e njerëzve të pafajshëm. Musolini thoshte: Kush vdes për atdheun nuk vdes kurrë! Dhe ai me një dialekt të Puglia-s, i përgjigjej: Kush vdes për atdheun është vetëm një kryq më shumë dhe asgjë më shumë. Në letrat që i dërgonte nënës sime për luftën në Shqipëri, shkruante: “Nëse do të dal i gjallë nga ky ferr dua që im bir të quhet Al Bano, dhe një ditë ky fëmijë do të na sjellë fat”. Pra, jam i lidhur me Shqipërinë, jo vetëm nga historia e tim eti, por edhe nga emri që mbaj.
Ju e keni vizituar Shqipërinë tre herë? Cila nga këto vizita ju ka bërë më shumë përshtypje?
Mund të them se përshtypjet kanë qenë të dimensioneve të ndryshme. E para të mbetet në mendje, për faktin se është e para. Im atë atëherë pësoi një infarkt dhe më tha se përpara se të vdiste donte të shkonte edhe njëherë në Shqipëri. I telefonova ambasadorit të atëhershëm shqiptar në Romë, Bashkim Dino, dhe ai ma lehtësoi ardhjen time në Shqipëri. Tek shihja tim atë, që hap pas hapi dukej sikur merrte energji, sikur ngjallej nga ky vend, më linte një shije të mirë. Pra u nis si gjysmë njeriu, i rrënuar nga infarkti dhe u kthye me një energji të re. Më tregoi se ku ishte burgosur, ku hante, ku lante ndërresat, qytetet ku kishte luftuar, malet ku ishte fshehur pas gurëve për t’u shpëtuar plumbave, vendin ku e kishte takuar Musolinin për herë të parë. Më tregonte se një javë më përpara se të vinte Musolini kishin patur rroba të lagura, këpucë të vjetra dhe ishin të uritur. Ndërsa sapo u morr vesh që do të vinte ai, u dhanë uniforma të reja, këpucë të reja dhe, më në fund, edhe për të ngrënë. Kështu më ka dhënë një panoramë të plotë të asaj që mund të prodhojë një luftë. Pra, hera e parë ka qenë në vitin 1985, kur ish-gruaja ime ishte shtatzanë me vajzën Cristel, aty nga mesi i tetorit. Dhe kështu u gjenda pak i lirë, mora babanë, një kushëri dhe një mik tjetër të familjes dhe u nisëm të katër. Kemi kaluar në Kakavijë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet dhe pastaj në Tiranë.
Herën e dytë kam qenë në vitin 1987. Romina priste vajzën tonë të vogël, fëmijën e katërt, dhe këtë herë mora me vete edhe nënën time. Pra, të gjitha ato që më kishte treguar im atë netëve të dimrit ose pushimeve të verës, ajo po i shihte tani të materializuara. Pra, gjithë ato që kishim përfytyruar na shfaqeshin tani si në një ekran të madh. Dhe ajo që më gëzonte më shumë ishin raportet e nënës me babain në ato momente. Është ai gëzim që ndihet kur nëna e babai shkojnë mirë, pra me përkëdhelje, kapje për dore…Dhe unë, si ai ëngjëlli mbrojtës, i gëzohesha gjithë kësaj skene dashurie.
Hera e tretë ka qenë në 18 shtator të vitit 1989. Kam kënduar në Pallatin e Kongreseve dhe pastaj në stadiumin e Tiranës. Më kujtohet që kur këndova në stadium, njerëz që nuk kishin mundur të hynin më thoshin se u dukej sikur aty po zhvillohej ndeshja kombëtare e futbollit. Dhe sa herë dëgjonin ulërimat dukej sikur skuadra kombëtare shënonte gol. Ishin dhe punonjësit e sigurimit, të cilët ishin shumë të shqetësuar nga entuziazmi i madh dhe nga situata. Dhe sa herë që më afroheshin, më thoshin: “Shiko se po ndodhi gjë, përgjegjës je ti”. Dhe unë ua ktheja: po unë çfarë të bëj, të lë këngën dhe të iki?!
Jo, më thoshin ata. E kuptove mirë se ku e kishim fjalën. Dhe në të vërtetë e kisha kuptuar, por unë nuk kam dashur kurrë të instrumentalizoj masat. M’u krijua bindja që të mos përfitoj kurrë nga pushteti që mund të më jepet dhe të krijoj konfuzion dhe situata të rrezikshme në një vend të huaj. Dhe këtë premtim ia bëra vetes sidomos pas një koncerti të “Rolling Stones”, në të cilin mora pjesë. “Rolling Stones” erdhën në Itali për herë të parë në vitin 1967. Kemi kënduar së bashku në katër koncerte, por në koncertin e Milanos nuk e di nëse kishin pirë shumë drogë apo ndonjë gjë tjetër dhe dolën në publik, duke e intrigruar në atë pikë sa që shkatërruan plotësisht brenda një ore pallatin e sportit të Milanos. Në ato çaste i thashë vetes: nëse ndonjë ditë do të kem sukses, nuk do t’i bëj kurrë gjëra të tilla. Sepse kur publiku është nga ana jote, është e lehtë ta instrumentalizosh dhe të bësh ç’të duash me të. Pra, duhet gjithnjë të arsyetosh.
Si e kishit imagjinuar publikun shqiptar dhe si e përjetuat suksesin në Tiranë?
Ishte gjë e bukur. Më kujtohet që mbrëmjen e parë të koncertit në Pallatin e Kongreseve ishte një publik i vëmendshëm, por paksa i ngrirë, i ftohtë. Pra, një atmosferë sinqerisht e çuditshme. Nuk e di, po kishte diçka që nuk më pëlqeu në atë publik. Duartrokisnin, dukeshin të kënaqur, por kishte tension. Ndoshta për faktin se ishte hera e parë, për faktin që dhunohej pak a shumë një hapësirë “e shenjtë”, ku më parë bëheshin vetëm mbledhje politike dhe tani kishte muzikë. Pra ndoshta kishte pak çshenjtërim të Pallatit të Kongreseve. Ndërsa në stadium doli në pah gjithë shpirti i popullit shqiptar, ajo dëshirë për një ulërimë të thellë shpirtërore, që i thoshte po muzikës, po këngëtarëve, por, ndoshta, edhe për një erë të re që po i afrohej vendit. Ishte dëshira e thyerjes së kordonëve të kufijve, një dëshirë për t’u ndjerë qytetarë të botës. Pra, jo vetëm të shihnin nëpërmjet televizionit se cila ishte bota tjetër, por ta preknin me dorë. Dhe unë në ato momente jam ndjerë si një urë midis Shqipërisë dhe Italisë apo vendeve të tjera. Nuk e di se sa është e vërtetë, por kjo ishte ajo që ndjeja në ato momente.
Ndoshta sepse për herë të parë shqiptarët dëgjonin lirisht këngët italiane, që i kishin dashur aq shumë, por që i kishin dëgjuar vetëm në fshehtësi?
Po, po e di. Mund të them se kur këndova këngën “Liberta”, ajo është shoqëruar me ulërima nga fillimi në fund. Po kështu edhe “Saranda- Okinava” dhe “Ci sara”, që bën fjalë për një botë më të mirë, si dhe këngë të tjera. I njëjti entuziazëm ka qenë edhe në Rumani e Bullgari. Në Rumani, kur vranë Çausheskun, kënga simbol ishte “Liberta”.
Te kompozimi i këngës “Saranda-Okinava” ka ndikuar babai juaj me rrëfimet e tij për shqiptarët?
Duke parë qytetin e Sarandës m’u duk e drejtë që t’i kushtoja një këngë Shqipërisë. Dhe sidomos kur krahasoja luftën që bënte im atë në Shqipëri me luftën që babai i ish-gruas sime bënte në Japoni. Si fëmijë të këtyre dy eksperiencave të ndryshme, por, sidomos, si fëmijë të një ideje të re, të asaj që ishim kundër çdo lloj dhune, sepse lufta është nëna e të gjitha violencave, mendova se kjo ishte një këngë më shumë kundër luftës, kundër regjimeve, kundër shfrytëzimit, kundër njeriut prepotent, kundër njeriut arrogant. Pra, ishte si mesazh për qiejt e kaltër në të gjitha kuptimet.
Le t’i rikthehemi koncertit në Tiranë. Duket disi e çuditshme si u bë e mundur që, në një kohë kur nuk ishte shembur ende “Muri i Berlinit” në Shqipëri, ju, një këngëtar perëndimor, të lejoheshit të jepnit koncerte në një shtet komunist?
Sipas meje, kur dihet që një mesazh është për paqen dhe nuk është politikë, ose mund të ketë politikë, por është politikë paqeje, nuk mund ta ndalojnë. Pastaj më duket se në ajër ndjehej një erë ndryshimi, ndoshta i mbështetur edhe nga sferat e larta të regjimit të atëhershëm. Pra ndoshta edhe nga miqësia ime me shqiptarët në vitet e fundit ose dhe nga siguria që nuk do të kisha bërë kurrë asgjë për të instrumentalizuar asnjë dhe për asgjë. Besoj se kjo më ka hapur portat për të bërë këtë koncert në Tiranë.
A u censurua programit juaj nga autoritet e Tiranës para se të shfaqej?
Kujtoj që kam dhënë një koncert në Romë dhe të gjithë shqiptarët që jetonin në ambasadën e Romës erdhën ta shohin spektaklin tim. Dhe kjo, sipas meje, ka qenë çelësi për të hyrë dhe për të bërë koncert në Shqipëri.
Ndoshta ju ka ndihmuar dhe imazhi juaj, pamja serioze?
Po edhe kjo. Unë kam kënduar për Shahun e Persisë, për perandorin Iroito në Japoni edhe për Pinoçetin në Kili. Kam kënduar nëse do të përmendja kontaktet e rëndësishme edhe më më pas për Kofi Anan. Kur ke brenda një mesazh paqeje një mesazh të mirë për të gjithë, është interesante të zhvillosh energji pozitive, është bukur si për të majtën dhe për të djathtën dhe për qendrën. Ndërsa nëse ti do të instrumentalizosh diçka dhe dikë në favorin tënd, aty fillon e keqja dhe krijon ngatërresa. Dhe unë nuk dua të bezdis askënd. Kjo nuk do të thotë që unë nuk kam bindjet e mia politike, që unë nuk di si të lëviz dhe në cilin drejtim. Kam kënduar shumë dhe mjafton t’i vëzhgosh pak këngët e mia dhe kuptohet cila është trajektorja ime.
Keni pasur kontakte me kreun e atëhershëm të shtetit shqiptar, Ramiz Alia, apo drejtues të tjerë?
Jo, nuk e kam njohur Ramiz Alinë. Nuk kam njohur asnjë politikan të atëhershëm. Por kam njohur djalin e Enver Hoxhës. Më tha: Jam djali i Enver Hoxhës, pikturoj. Pra, ishte artist. Pastaj të tjerët nuk i mbaj mend, ka kaluar dhe shumë kohë. Kam njohur Kadarenë. Dhe biseda me të ka qenë e mrekullueshme. Kam lexuar të gjithë librat e tij. Kam parë edhe ndonjë film me Michele Piccoli. Të lexoje librat e Kadaresë, ishte pak a shumë si të jetoje historinë e tim eti. “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” kishte shumë skena të ngjashme me ato që më ka treguar im atë. Kadareja është gjenial në tërësinë e tij, i madh. Por kam njohur edhe shqiptarë të tjerë.
Cilët janë miqtë shqiptarë të Al Banos?
Sa janë apo cilët?
Cilët?
Kam shumë; Luftar Maliaj, Bashkim Dino, Kadare dhe familja e tij, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Dervishi. Më kujtohet dhe një djalë me emrin Teo, që më shoqëronte atëherë në Shqipëri, kur erdha për herë të parë. Por mikja ime më e madhe ka qenë Nënë Tereza e Kalkutës.
A keni njohje me artistë shqiptarë që jetojnë në Itali?
Po, njëra prej tyre është Nevila Matja, e cila jeton këtu në një provincë të Leçes dhe që ka kënduar me mua edhe në televizion në RAI 3. Është soprano dhe ka një zë të mrekullueshëm. Kam njohur Aksinja Xhoja, një pianiste e shkëlqyer, që është martuar në Brindisi dhe ka jetuar këtu dy vjet, si dhe England Hasa, solist i parë.
Si i vlerësoni raportet kulturore dhe miqësore midis Shqipërisë dhe Italisë dhe a janë në përputhje me raportet politike?
Janë dy plane krejt të ndryshme. Nuk mund të pretendosh që një popull që ka qenë i mbyllur për shumë vite në një ambjent që e njihni më mirë se unë, të mund të fillojë të jetojë sa hap e mbyll sytë me kulturë të njëjtë me një popull tjetër. Duhet pak a shumë një proces natyral e njerëzor rritjeje dhe herët e vonë, meqënëse na ndan vetëm një kanal, kanali i famshëm i Otrantos, do të jetë përherë e më afër, përherë e më i vogël. Unë mezi pres që midis dy popujve të bëhet më e fortë lidhja e miqësisë, respektit shkrirjes. Në fund të fundit jetojmë pranë të njëjtit det, në të njëjtën gjatësi dhe gjerësi gjeografike, kemi të njëjtën klimë. Kështu edhe niveli kulturor do të vijë. Kjo nuk do të thotë që populli shqiptar duhet të bëhet më shumë italian apo e kundërta. Duhet thjesht të respektohet ky ndryshim normal dhe njerëzor.
Mendoni se Italia ka bërë gjithçka si vend fqinj për të ndihmuar vendin tonë në këtë fazë tranzicioni?
Kjo pyetje është më mirë t’u bëhet shqiptarëve. Sipas jush, ka bërë? Është e qartë se do të ketë gjithmonë nga ata njerëz që instrumentalizojnë veprimtaritë humane, raportet midis vendeve. Dimë për skandalet që ndodhën në Vlorë. Por nuk duhet që për një grup individësh të shkatërrohet një popull apo një kulturë? Pastaj më thoni një popull që është perfekt? Kjo është pyetja që ia vlen të bëhet.
Çfarë mund të bëjë Al Bano si ambasador apo si mik i Shqipërisë për të ndikuar në qeverinë e Berluskonit për projekte konkrete në favor të Shqipërisë?
Kjo është një pyetje e bukur. Do bëj gjithçka që mundem, nëpërmjet muzikës, takimeve. Nga ana tjetër them se Berluskoni është kaq i ndjeshëm ndaj problemeve të fqinjve, apo dhe atyre më të largët. Sa pa ndërhyrje, e di se cila është rruga e duhur. Berluskonin e kam njohur jo si politikan por si njeri dhe ka një humanizëm prej 360 gradësh. Jam i bindur se nuk ka nevojë për ndonjë Al Bano apo për asnjë tjetër, sepse është kaq i ndjeshëm dhe i vëmendshën ndaj një bashkëpunimi të madh dhe të gjerë që do të bëjë vetë gjithçka.
Kemi dëgjuar se i keni dërguar një mesazh kryeministrit Meta, ku i shprehni gatishmërinë për një koncert tjetër falas në Shqipëri. Do të ktheheni përsëri në Pallatin e Kongresve?
Nuk kam bërë asgjë të jashtëzakonshme. Ndoshta ngaqë kanë kaluar vite që kur isha në Shqipëri për herë të fundit dhe më mungon, mendoj se mund të jetë momenti i përshtatshëm për të shijuar kalimin nga një klimë politike e vjetër në një të re.
Shpesh në median italiane shfaqen tendenca racizmi kundër shqiptarëve. Duke u nisur nga njohjet tuaja personale me shqiptarë, mendoni se është e justifikueshme kjo sjellje?
Italianët kanë reaguar ashpër edhe ndaj mafias apo ndaj politikës së G 8-ës. Pra, kudo ku ka dhunë, pavarësisht nëse zhvillohet nga një njeri apo një grup shqiptarësh, ka një reagim. Por ky reagim nuk duhet të drejtohet kundër të gjithë shqiptarëve. E njëjta klimë është dhe ndaj disa italianëve, që nuk respektojnë rregullat e një vendi. Pra, një reagim negativ kundër Shqipërisë është kundër disa individëve, ose fraksioneve që kryejnë veprime ose bëjnë një jetë që nuk mund të pranohet nga të tjerët. Jam i sigurt që të njëjtin qëndrim do të mbanin edhe vetë shqiptarët ndaj këtyre individëve. Pra njeriu i dhunshëm, pavarësisht nga kombësia që ka, kur është i dhunshëm, është i tillë dhe kaq. Dhe çfarë luftohet në këtë rast? Vetëm njeriu i dhunshëm.
Ka pasur italianë, të cilët, të ndikuar nga media ose opinioni negativ për shqiptarët, kanë patur frikë të vinin në Shqipëri, ndërsa kur kanë ardhur janë shprehur krejt ndryshe. Si e shpjegoni këtë?
Të themi të vërtetën, Shqipëria nuk gëzon emër të mirë në Itali. Por, kur ka një proces social të një natyre të caktuar, duhet të presim që ky proces të konkretizohet. Që vendi juaj të formohet ka ende nevojë për kohë, për kulturë, për zhvillime të reja. Duhet thënë se populli italian historikisht ka qenë popull me njerëz të mirë. Është e qartë se kur ka çfarëdo tipi pushtimi, jo pushtim terreni, por çfarëdo tipi, populli italian nuk mund të mos reagojë. Kështu ka ndodhur edhe me italianët, kur shkuan në Amerikë apo Gjermani. Ka njëlloj diference racash, e cila ka nevojë për proces kolaudimi, derisa rrota të fillojë të shkojë në drejtimin e duhur.
FAMILJA
Ëndrrat e mia janë realizuar pothuaj të gjitha ose dhe më shumë, përtej imagjinatës sime. Sepse në fund të fundit isha një fëmijë fshati, kisha ide të rëndësishme dhe ëndrra, por nuk e imagjinoja kurrë që mund të zhvilloheshin në këtë mënyrë.
Le të kalojmë tani te familja juaj. Sot jeni 58 vjeç…
Në gjendjen civile kam 58 vjet, të jetuara 150 vjet, ndërsa në shpirt ndjehem 25 ose 28 vjeç.
Dhe çfarë nuk është realizuar nga ëndrrat tuaja?
Ju keni mbetur një nga personazhet më të kërkuar nga media, edhe pse në botën e artit apo muzikës italiane janë shtuar emra të rinj. Këtë vëmendje ia dedikoni suksesit dhe vazhdueshmërisë së famës suaj?
Mund të them se më kanë bezdisur, por edhe dashur. Nuk duhet harruar që edhe në media ekzistojnë rrymat editoriale. Unë jam besnik dhe punoj me një rryme të shtypit, sepse kam miq që e kuptojnë mendimin tim. Nuk them se e çmojnë mendimin tim, por ndonjëherë janë edhe kritikë. Edhe kjo ka të mirën e saj, sepse kështu njeriu rritet. Urrej, ndonjëherë bezdisjen e ndonjë rryme, por nuk dorëzohem dhe nuk shitem. Dhe kështu gjej artikuj kundër meje, por unë e kam ndërgjegjen e pastër. I takoj ata njerëz aty ku dua unë dhe kështu bëj. Sepse në këto 58 vite të tilla gjëra kam parë plot, saqë mund të shkruaj libra mbi këtë argument. Pra edhe në kampin e botimeve unë mbetem besnik. Jap intervista të rëndësishme për njerëzit që kuptojnë mendimin tim, gëzimin, vuajtjen, për njerëzit që u japin kornizën e duhur asaj që thua dhe asaj që bën. Dhe asnjëherë atyre që shpifin.
Na duket disi e çuditshme që shumë revista italiane, edhe numrat e fundit, publikojnë vazhdimisht jetën e Al Banos, Rominën me vajzat, Loredanën me motrën binjake…
Është çmenduri. Janë gati 33 vjet që javë pas jave shoh fytyrën time në revista. Ua them ndershmërisht, nuk e kuptoj përse. Një miku im më pyeste: po ti, kë ke për lidhjet me publikun? Sepse prezantohesh kaq mirë.
Asnjë i thashë. Ndoshta Zotin. Nuk kam patur kurrë një person për marrëdhëniet me publikun. Dhe nuk prezantohem mirë. Jam kështu dhe pikë. Me të mirat dhe defektet e mia eci drejt rrugës sime. Është evidente që kur ka një artikull në gazetë, që përmend të “nënshkruarin”, në redaksi është zgjedhur sepse ka patur më shumë bujë një javë më parë. Në fund të fundit, për ta bëhet biznes.
Sa e ndjeni konkurrencën në muzikën italiane apo atë botërore?
Unë jam anormal në këtë pikë. Nuk e shoh kurrë konkurrencën. Propozoj atë që më lind në shpirt në çdo çast, pa u shqetësuar nëse Morandi shet më shumë, nëse Çelentano shet më pak. Ndjej që kam një mesazh special njerëzor për të përcjellë dhe atë kompozoj. Gjëja më e çuditshme, më karakteristike, më e bukur, më e pazakontë ka qenë kur zbulova se një këngëtar si Majkëll Xhekson kishte një këngë të njëjtë me timen, me ndryshimin që imja ishte kompozuar në 1987 ndërsa e tija në vitin 1992. Dhe atëherë në të gjitha gazetat u shkruajt se Xhekson ka kopjuar Al Banon, flitet për këngën “Will you be there”. Ishte krejt njësoj, kori dhe melodia. Pra, nuk është e nevojshme të kesh një person që kujdeset për marrëdhëniet me publikun. Jeto me dinjitet jetën tënde dhe herë a vonë do të mbërrijnë dhe gjërat e bukura.
Po në fakt kjo ishte në dëmin tuaj, sepse dëgjuesit, sidomos të rinjtë, njohin këngën e Xheksonit dhe jo tuajën?
Fansat e mi kanë dëgjuar këngën time dhe shumë kohë më përpara këngës së tij. Dhe fansat e Majkëll Xheksonit kanë dëgjuar këngën e tij. Me këtë nuk dua të them se unë jam më i mirë se ai. Jemi dy botë të ndryshme, dy sisteme mendore të ndryshme dhe dy trajektore humane dhe artistike të ndryshme. Është rasti që nëpërmjet një melodie jemi takuar dhe ndoshta përplasur.
Tani ju keni një familje të re. Ndjeheni i lumtur brenda saj?
Jam njeri normal. Nuk dua të entuziazmohem dhe nuk lë që të më mbysë trishtimi. Nuk entuziazmohem nga gjërat e bukura, pra i mbaj nën kontroll dhe nuk e lëshoj veten kur më ndodhin gjëra të shëmtuara. Dhe momentet e këqija vijnë. E rëndësishme është që anija të mos devijojë nga njëra anë apo tjetra, pra të mbajë drejtimin.
Një nga këngët tuaja më të njohura është “Felicita”. A e keni provuar me të vërtetë këtë ndjenjë?
Nëse e dëgjon me vëmendje atë këngë, kuptimi është që lumturia gjendet në shtrëngimin e dorës nga një mik, në një gotë vere të mirë, në gjëra të vogla. Mjaftojnë gjëra të vogla për ta shijuar. Në fakt mund të mos e quaj “Felicita”, mund ta quaj “Serenita”.
Ju dhe Romina keni qenë një çift ideal dhe simbol i lumturisë. Edhe midis shqipëtarëve keni fituar një admirim të veçantë si çift. Mendoni se njeriu e gjen dashurinë vetëm njëherë në jetë, por e humb dhe e rigjen?
Në familjen time nëpër breza nuk ka patur kurrë divorc. Në familjen e Rominës divorci ishte i pranishëm në çdo përbërës të familjes, si nga familja e së ëmës dhe e të atit. Unë isha shumë i ri kur u martova, por nuk mendoja se kjo dashuri do të zgjaste përgjithmonë. Jetonim me këtë bindje. Pastaj, vijnë ndryshimet, ndoshta hormonale, ndoshta kulturore dhe fati, që shfaq atë pjesën e tij të dhunshme dhe që sot jemi të ndarë. Nuk është i këndshëm për mua ky realitet, por mendoj se në jetë ke dhe detyrimin t’ia demonstrosh, së pari, vetes dhe pastaj të tjerëve që ke pranë, se duhet të reagosh. Që nuk duhet të mbyllesh me dhembjen, sepse nuk je vetëm ti ai që vuan, por të gjithë ata që të duan. Dhe në rastin tim them se kam shumë që më duan. Pra, ishte gati urdhëruese për mua të dilja nga kjo situatë. T’i tregoja vetes se jeta duhet sfiduar, duhen pranuar rrugë të reja dhe nuk duhet t’i bëhesh barrë askujt në jetë. Nëse ka dashuri, jetoje, haje, pije, shijoje, ofroje. Nëse nuk ka dashuri, reago. Ky është rezultati i një kërkimi të ri. Kjo dhe gjithçka po bëj tani ishte dëshira ime e re.
Duke iu referuar shtypit vëmë re se ish-gruaja juaj ka folur shumë, ka dhënë intervista pas divorcit, ndërsa ju nuk keni reaguar asnjëherë. Si e komentoni heshtjen tuaj?
Ajo që nuk kuptoj nga ish-gruaja ime, edhe pse mendoj se është e lirë të bëjë ç’të dojë, është se si mundi të kalojë nga fjala “No comment”, kur e pyesnin për mua dhe tani flet vetëm për mua. Nuk ka argumente të tjerë? Respektoj zgjedhjet e saj, edhe pse nuk i ndaj me të. I uroj gjithë të mirat, gjithë sukseset që do, sepse në fund të fundit nuk është më gruaja ime, por mbetet përgjithmonë nëna e fëmijëve të mi. Mendoj se kam thënë gjithçka mbi argumentin dhe nuk kam shumë dëshirë të flas për të.
Ju jeni bërë baba pesë herë. Si e keni përjetuar secilin nga këto raste?
Më ka ardhur një letër shumë e bukur nga një miku im, kur më lindi vajza a vogël, Yasmine. Më shkruante se jeta mua më ofron dhe më kënaq gjithmonë me mrekullitë e saj. Dhe kjo vajzë e vogël e përmbush këtë plotësisht. Sapo e marr në krahë Yasminën, ajo që më bën të ndjej, si me të qarën dhe me buzëqeshjen, më duket sikur është hera e parë që jam baba dhe i harroj katër herët e tjera. Pra ky kontakt me një jetë që lind të jep energji, dhe nuk të bën të ndjesh moshën që ke. Është një proces shumë i bukur, një ndjenjë shumë e bukur. Nëse shoh pasaportën kujtohem për moshën që kam, kur shoh këtë jetë që po bëj, ndihem një djalosh, falë kësaj foshnje të re që kam pranë.
Për vajzën thonë se është e bukur, sepse është portreti i të atit?
Eh, (qesh) ka marrë edhe nga nëna.
Po si hyri Loredana në jetën tuaj, momentet e para?
Nëse dikush do të më thoshte në fillim “kjo do të bëhet gruaja juaj”, nuk do ta kisha besuar. Ndoshta nga diferenca në moshë, ndoshta edhe nga eksperiencat e ndryshme. Por, me kalimin e ditëve, duke zbuluar brendinë e saj, kjo ndryshoi. Sepse pikat e referimit për të ndërtuar një avenir mund t‘i krijosh nëse njeh rrënjët e një subjekti që ke pranë. Kështu zbulova që gjyshi i saj kishte patur për grua një vajzë 30 vjet më të vogël. Kur zbulova entuziazmin e saj të vërtetë, kur zbulova që nuk ishte një grua që…sepse, kur je i famshëm, është e thjeshtë të kesh një mijë gra edhe brenda ditës, nëse mundesh, nuk donte vetëm të shfaqej por të më rrinte me të vërtetë pranë, në të gjitha kuptimet. Mund të them se jo gjithçka është trëndafilë dhe lule midis nesh. Është normale të ketë kontraste, ato shërbejnë për t’u njohur më mirë, për të zbuluar thellësinë e mendimit dhe për të shtruar një rrugë të drejtë për jetën në çift. Pra, kur kuptova që kjo grua kishte diçka që më stimulonte të jetoja me të, zgjodha jo vetëm këtë por edhe të krijoja një familje të re.
Kur vajzat e mia shkuan të studiojnë në Milano, e ëma nuk mund t’i shoqëronte sepse ndiehej e vetmuar, jetova i vetëm në shtëpinë time dhe i thashë vetes. Nuk kam lindur për të patur si shoqe vetminë, kjo shtëpi ka nevojë për jetë, për jetë të re. Dhe ishte një reaksion, një sinjal që këtë jetë doja t’ia dhuroja në fillim vetes dhe pastaj të tjerëve. Loredana më thoshte gjithnjë: “Bëjmë një fëmi, bëjmë një fëmi”! Dhe unë i thoja: “Ti je e çmendur, karriera ime prej babai ka mbaruar”. Por më lindi spontanisht dëshira për të patur një vajzë dhe sot mund të them se ndjehem mirë.
Kanë ndryshuar raportet e tua me fëmijët, pas lindje së Yasminës?
Vajzat e mia çmenden për Yasminën. Janë dashuruar ato në fillim dhe më pas unë. Pra, ka një shkrirje të mrekullueshme dhe e quaj një dhuratë të zotit këtë harmoni të familjes. Vajzat pyesin gjithnjë si është motra e vogël, mezi presin të vijnë ta shohin. Kjo familje e madhe është një kënaqësi, jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi.
PASIONET
Kalojmë në një plan tjetër. Ç’mund të na thoni për biznesin dhe aktivitetet e tjera, përveç artit?
Unë e dua shumë natyrën dhe dua të jetoj gjithmonë mes saj, sepse aty marr frymëzimet e mia më të mira. Pra, nuk mund të flas për bizneset, por për pasionet. Gjithë paratë që kam fituar si artist i kam investuar në gjithçka që shihni. Nuk ndjehem si njeri biznesi, por më pëlqen të kultivoj pasionet. Jam i bindur që herët a vonë pasionet, siç më kanë dhuruar fëmijë në kampin sentimental, edhe në kampin material do t’i japin frutet e tyre.
Ju keni një kantinë vere që mban emrin tuaj. Është kjo një traditë familjare apo vetëm pasion i yti?
Është traditë. Në fillim ishim një familje e varfër dhe rrushin që prodhonim ua shisnim zotërinjve të veriut me një çmim shumë të lirë dhe ata bënin verë për ta shitur. Një ditë, kur e lashë fshatin, i thashë tim eti: Unë po largohem nga kjo tokë, por do të kthehem dhe do të bëj verë me emrin tënd. Dhe sot njëra prej verërave quhet Don Carmelo.
Si ju shkon shitja e verës? Blerësit e marrin për emrin tuaj apo për cilësinë?
E kam thënë gjithnjë. Vë emrin mbi atë shishe, sepse i korrespondon cilësisë së këngëtarit. Kjo është e padiskutueshme, sepse nuk do të firmosja kurrë një produkt që nuk është i mirë. Përkundrazi, dua të jetë e shkëlqyer. Dua të nënvizoj këtu një fakt. Pretendoj nga ata që e bëjnë verën këtu, që ajo të jetë më e mirë se këngët që bëj.
Keni menduar ndonjëherë t’i shisni produktet tuaja dhe në Shqipëri, sepse aty keni shumë fansa dhe mund ta blinin në fillim për emrin tuaj dhe më pas sepse do t’u pëlqejë?
Do të doja, por nuk e di nëse ka treg në Shqipëri për verën time.
Si ju lindi ideja për të ndërtuar fshatin turistik, ku jetoni tani?
Për herë të parë erdhëm këtu bashkë me Rominën në 1969. Ishim të fejuar, fëmijë. Ajo u dashurua me këtë pyll dhe me këtë tokë, sepse mendonte që ky vend, Puglia i kujtonte dhe mund të bëhej si Kalifornia. Unë nuk e kisha parë Kaliforninë, pra nuk e dija ndryshimin. Në mendjen time nuk kishte asnjë dëshirë të rrija këtu, sepse Puglia është e mirë për diellin, për detin, për ndjenjat. E kisha lënë këtë vend në vitin 1961 dhe isha ende i urritur për ta konsoliduar emrin tim në muzikën e lehtë. Por përballë dashurisë të gjitha rezistencat bien dhe rashë edhe unë. Bleva këtë pyll, bleva dhe një terren tjetër. Këtu nuk kishte asnjë ndërtim, as rrugë, as dritë, as ujë. Duke ngjallur edhe njëherë Robinson Kruzonë ndërtova atë shtëpi. Kështu ndërtova gjithçka që më rrethon dhe përpiqem t’i përmirësoj, si në fushën e muzikës, si në ndërtim edhe në prodhimin e verës. Jam një përcjellës i energjive pozitive. E di, e ndjej dhe është zgjedhja ime. Jetoj një jetë që ka nevojë për pozitivitet, për diell. I vetmi element i rëndësishëm në jetën time është dielli. Kështu ndërtova shtëpinë dhe ja ku është, ka shijen dhe strukturën mesdhetare, më kënaq syrin dhe shpresoj që t’i bëjë të njëjtin efekt edhe fëmijëve të mi. Dhe jam i bindur që kështu do të jetë. Dhe si kompleks, në tërësinë e vetë, përfshi edhe spitalin dhe gjithçka tjetër, shpresoj që ky të bëhet edhe një simbol kulture.
Kemi vënë re që keni gërshetuar mjaft mirë të renë dhe traditën. Këtu mund të lexohet edhe historia e Italisë…
Nëse dëgjon këngët e mia, mundë të vëresh se si tradita gërshetohet me modernizmin. Nga ana tjetër nuk mund të jetosh jashtë zhvillimeve të një vendi, jashtë zhvillimeve të arkitekturës, por pa humbur kurrë rrënjët. Dhe unë nuk i kam humbur të miat. E dua gurin e tokës time, gjërat e bukura që më jep dhe dua t’i japë vlerë në mënyrë që të mbijetojë. Shëtis nëpër botë, por jo me sy të mbyllur, sepse më pëlqen të vëzhgoj, të marr gjjithnjë e më shumë dhe të rritem mendërisht. Në muzikë, nëpërmjet muzikantëve të tjerë dhe në fushën e arkitekturës apo në prodhimin e verërave nga elementët që ndihmojnë të realizoj dhe konkretizoj idetë e mia.
Dhe sa ju kanë kushtuar të gjitha këto?
Shumë djersë dhe 33 vite punë të palodhur në fushën e muzikës së lehtë. Mjafton?
Ju keni shumë pasione. Cili ju kënaq më shumë?
Më shumë kënaqësi më jep agrikultura dhe ndërtimi. Edhe gurët për ndërtim i zgjedh vetë. Gjithçka e kam zgjedhur vetë, nuk më pëlqen të them merrni paratë dhe punoni. Përkundrazi, si artist dua që gjithçka të jetë fëmija im. Edhe këto gjërat e vogla.
Cila është kënga juaj e fundit dhe projekti juaj i ardhshëm?
Fjala “i fundit” nuk më pëlqen. Kënga e fundit është shumë e bukur, madje është një CD me titull “Canto al sole”. Prezantimi do të jetë në 10 tetor, do të mbërrijnë gazetarë austriakë dhe gjermanë këtu në shtëpinë time dhe do të bëhet një prezantim ndërkombëtar.
Dhe në fund një mesazh për të gjithë lexuesit shqiptarë të revistës “Spektër”?
Mesazhi është ky: Jeta, sipas meje, është shumë e shkurtër dhe nuk ia vlen të rrimë njëri kundër tjetrit, por krah për krah. Nëpërmjet muzikës, nëpërmjet një gote vere, një shtrëngim dore, nëpërmjet gjithë energjive pozitive që çdonjëri nga ne ka brenda vetes, mjafton që t’i nxjerrim në pah. Dhe duhet që gjithnjë e më shumë distancat kulturore njerëzore midis popujve, miqve, madje edhe në gjirin e familjes, të bëhen gjithnjë e më të shkurtra. Dhe kjo arrihet, duke pretenduar më të mirën përherë e më shumë, duke lexuar më mirë dhe më shumë, duke marrë shtysë edhe nga natyra që çdo ditë na tregon se pavarësisht se kafsha-njeri prej vitesh po e shkatërron këtë mrekulli, dielli vazhdon të lindë dhe të jep sensacionin, që jeta mund të rifillojë përsëri në një mënyrë diellore, të përsosur, duke pritur natën, jo për të bërë dëme por për t’u çlodhur.
Cellino San Marco, 18 shtator 2001.