Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Metamorfoza e Fjalës – Përse një deontologji për shtypin

Pas botimit dje të një letre adresuar kryeministrit të Republikës greke, zotit Micotaqis ku i kërkoja se mjaft e keni mohuar tragjedinë çame dhe spastrimin e Camërisë nga shqiptarët atje në vitet 1944-1945 përmes dhunës e zjarrit (pa folur këtu për masakrat e fillimit të shekullit në jugun shqiptar) shumë njerëz më përshëndesnin për guximin që kisha ndërmarrë, ndërkohë që unë mendoj se kjo nuk është habi ti kërkosh të drejtën e popullit dhe të vërtetën historike atij lideri politik apo shteti tjetër që ta mohon atë. Këtë ka të drejtë ta bëjë kushdo. Letra ime duhet parë në një optikë tjetër, në atë që ky pardon i palës greke do ti çojë marrëdhëniet tona të fqinjësisë e të miqësisë në një stad të ri.

Në vitin 1997 botova librin “Metamorfoza e Fjalës – Përse një deontologji për shtypin”, me një parathënie të presidentit të shoqatës “Reporterët pa kufij” Robert Menard. Në këtë libër shkruaj për korifejtë e fjalës së lirë e midis të tjerash dhe një shënim me titullin “Brehti – Pesë vëshirësitë për të thënë të vërtetën” nxitur nga mendimet e Bertold Breht. Ndoshta ky artikull mund ti shërbejë dhe kohës së sotme.

—–

E vërteta sipas Brehtit

——-

” E vërteta është militante, luftarake; ajo jo vetëm lufton gënjeshtrën por edhe disa nga ata që e përhapin atë”. Breht

Dikujt mund t’ i duket e çuditëshme që i referohemi Brehtit mbi të vêrtetën, pasi për të verteten kanë shkruar shume filozofë gjatë shume shekujve, të kohës antike e të mesjetës, të Rilindjes apo të fillimit tē këtij shekulli, e gjer me sot. Shumë flitet rreth kësaj kategorie filozofike, të cilën e mbrojti aq tepër i pari demokrat i kësaj bote, Sokrati. Ai iu përkushtua asaj gjer në vdekje dhe e mbrojti atë me çmimin e jetës së tij.

Apologjia e Sokratit, apo apologjia e se vërtetës…

Platoni na flet shumçka për të, ashtu si dhe nxënësi i tij Aristoti. Kjo e vërtetë, herë jetësore dhe e thjeshtë, herë e hyjnizuar dhe e pakapshme, iu paraqit njerēzimit nëpër shekuj si virtuti më i lartë i njeriut dhe themel i ndërtimit të një jete të çliruar. Pa të vërtetën, edhe gazetaria nuk do të mbijetonte e të zhvillohej. Mbi të ndërtohet dhe raporti i komunikimit midis saj dhe publikut të gjerë, popujve. Eshtë e vërteta ajo që e bën lexuesin të ndjekë një informacion që të emocionohet e frymëzohet prej tij. Ajo është bazë e gjithë shtysave dhe interesave të publikut. E për gazetarin e rendësishme është si ta kuptojë këtë të vertetë, si ta gjejë, si ta shkruajë dhe si ta transmetojë.

Në gazetarinë tonë të sotme, e vërteta duhet shkruar me germa të mëdha. Shumë gjera ndodhin, shumë gjera pëshpëriten në popull, pak gjëra zbulohen e thuhen. Kështu, e vërteta mbi shoqërinë shqiptare është ende e mbytur, ende e fshehur. Të arrish gjer në kryet e shtetit, të hetosh për problemet e mëdha, është e vështirë dhe e pamundur. Shteti ka ndërtuar një sërë barrierash, shteti ka aleancë kundër gazetarëve që do të mund të depërtojnë gjer në tavolinat e tyre. “Gazetarët nuk duhet të kontrollojnë – ndryshe ky është fundi yne”. Pikërisht atje, gazetari mund të njohë se ç’bëhet me ndihmën e huaj ndërkombçtare, s’bëhet me buxhetin e shtetit, si shlyhen borxhet e jashtme, ç’ bëhet me liçencat ndaj biznesmenëve të huaj, deri ku shkon rushfeti dhe kontrabanda, sa është i implikuar shteti në të gjitha këto…

Brehti përjetoi kohën e dhunës naziste, kohën e propagandës që Gebelsit ge kërkonte të manipulonte mendjet e miliona gjermanëve me ideologjinë e genjeshtrës dhe të pabarazisë së racave. “Pesë veshtirësi për të shkruar të vërtetën” u shkrua ne vitin 1935, kur Brehti që drejtonte teatrin e Berlinit, kishte botuar shumë vepra te tij. Siç thotë dhe Brehti, në hyrje e kësaj eseje ajo u shkrua për “ata që angazhohen në luftën kundër gënjeshtrës dhe injorancës”

Brehti ishte një nga figurat e mëdha të inteligjencës gjermane, që si shumë të tjerë besonte në utopinë marksiste dhe që iu kundërvu me kurajo ideologjisë naziste. Kjo ese përmban në vetvete vetë eksperiencën krijuese e artistike të Brehtit si dhe refleksionin e tij mbi realitetin dhe të vërtetën, mbi objektiven dhe gënjeshtrën, mbi demagogjinë dhe manipulimin.

E vërteta për Brehtin përmban pesë vështirësi që duhen kapërcyer, dhe këto janë: të kesh kurajon për ta shkruar të vërtetën; të kesh inteligjencën për ta njohur atë; te kesh artin ge ta besh ate një armë të përdorshme; të zbulosh se në duart e kujt kjo e vërtetë bëhet efikase; të kesh dinakërinë për ta shpërndarë atë në një numur sa më të madh njerëzish.

Kurajo për të shkruar të vërtetën

Brehti i përjetoi të pesë kēto vështirësi dhe u përpoq që e vërteta të triumfonte megjithë vështirësitë që kishte ajo. Së pari atij iu desh kurajo, që ta shkruante atë në kohën kur nazizmi po hypte në fuqi dhe kur para intelektualëve gjermanë ngriheshin muret e frikës. Të thoje të vërtetën, do të thoshte ti vije pikëpyetje ekzistencës tënde. Ja pse shumë intelektuale gjermane, midis të cilëve, T. Man, H. Hesler, Fritz Lang, B. Breht, etj, u detyruan të mërgojnë drejt Amerikës.

« Shkrimtari nuk duhet të bëje që e vërteta të heshtë e as ta mbysë atë, as të shkruajë diçka të gënjeshtërt. Ai nuk duhet të përkulet para të fuqishmëve dhe as ta gabojë të dobëtin. Por sigurisht është tepër e vështirë të mos u përkulesh të fuqishmëve si dhe ke shumë avantazhe kur i bën të gabojë të dobëtit… Kur në radio thërrasin ngado se një njeri i paditur dhe pa kulturë ia vlen më shumë se një njeri i ditur, duhet kurajo për të thënë : Për kë atëherë është më mirë?

Kurajo për të cilën shkruan Brehti, ishte një nga tiparet më spikatëse të gazetarisë shqiptare në ditët e para të përmbysjes së diktaturës. Apoteozë e kurajos për të thënë të vërtetën. E pastaj?… Pastaj shteti “demokratik” nuk dukej më i shqetësuar që të thuhej kjo e vërtetë, që ajo të shpallej ngado e për këdo… Dhe kjo proklamohej në emër të mbrojtjes së Demokracisë. Jo të gjithë kanë kurajo, sepse shteti vigjëlon për ta fshehur e maskuar të vërtetën e oborrit të Princit. Megjithatë ka disa që kanë kurajon ta thonë të vërtetën: të vërtetën që ky pushtet është autoritar dhe i korruptuar, që ky pushtet është i ndërtuar sipas mendësisë së vjetër totalitare; se mekanizmi i hakmarrjes politike ka rinisur të funksionojë sërish, se institucioni i votës së lirë u shkatërrua më 26 maj 1996, se Princi kërkon të komandojë dhe partinë, dhe ushtrinë, dhe gjykatat, dhe policinë, dhe mediat…

« Nuk është kurajo, – shkruan Brehti, – vetëm kur të vërtetën e deklaron me terma të përgjithëshme mbi ligësinë e kësaj bote. Shumë prej tyre tregohen trimosha sikur mbi ta të jenë ngrehur tyta topash, ndërkohë që ato topa janë veçse dylbi teatri. Deklaratat e tyre të përgjithëshme ata i lëshojnë përpara njerëzve inofensive. Ata kërkojnë një drejtësi universale për të marrë pjesën e tyre tē ëmbëlsirës, të cilën kane kohë që u a kanë lënë ta ndajnë mes tyre. Ata njohin si të vërtetë veç atë që tingëllon mirë. Nëse kjo e vërtetë është me shifra dhe të dhëna të sakta, dhe nëse ajo kërkon mundim për ta njohur, atëherë ata nuk e njohin këtë të vërtetë. »

Inteligjencë për të kërkuar të vërtetën

Brehti na kujton se veç kurajos duhet dhe inteligjencë për ta kërkuar të vërtetën. Në propagandën zyrtare ka shumë fishekzjarre dhe deklarata pompoze, prej të cilave u gabuan në fillim dhe perëndimorët. E pra, për gazetarin e sotëm shqiptar kërkohet dhe inteligjencë për të spikatur të vërtetën. Sepse nëse shqiptari sot ha më mirë se në krizēn e viteve 80-të, kjo nuk është meritë e qeverisë por në sajë të ndihmave të huaja ndërkombëtare, në sajë të parave që vijnë nga qindra mijra refugjatë nëpër Evropë, në sajë të parave të zeza që qarkollojnë me shuma marramendëse në Shqipëri. E pra këto nuk janë meritë e qeverisë, ndërkohë kur dihet se prodhimi industrial është në 20% në krahasim me atë tē para 7 vjetëve. Këtë e thonë analistët ekonomike perëndimorë. Ja pse Shqipëria konsiderohet ende vendi më i varfër i Evropës, edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga shembja e diktaturës, Brehti na mëson shumçka rreth të vërtetës…

« Shumë besojnë se për të shkruar të vërtëten duhet vetëm kurajo. Por ata harrojnë vështirësinë për ta gjetur të vërtetën. Duhet përcaktuar se cila e vertetë ia vlen të thuhet. Shumë të vërteta ekzistojnë në këtë botë. Nuk është e gënjeshtërt të thuash p.sh. se karriget kanë një pjesë të tyre që sherben për t’u ulur, apo se shiu bije nga lart poshtë. Ka shumë nga ata që thonë të vërteta të tilla. Por ka të tjerë që i preokupojnë detyra më urgjente, ata bëjnë të tremben të fuqishmit dhe vetë nuk kanë frikë nga varfëria. Megjithatë ata nuk arrijnë t’a gjejnë atë. Nuk mjafton vetëm drejtësi por dhe dije e metodë.”

Arti për t’a bërë atë një armë të përdorshme

Mund të kesh kurajo për të thënë të vërtetën, mund të kesh inteligjencë për ta kërkuar atë. Por gazetari duhet të ketë njëkohēsisht dhe artin për ta bërë atë një armë të përdorshme.”Kur duam të përshkruajmë fashizmin dhe luftën, këto katastrofa të mëdha, – shkruan Brehti, – duhet të nxjerrim nga to një të vërtetë që të na shërbejë. Duhet treguar se pikërisht në to janë katastrofat e medha që i rezervohen masave të mëdha puntore, të cilat nuk kanë asgjë në duart e tyre, as mjetet e prodhimit. Në se duhet të shkruajmë diçka efikase për problemet e rënda, duhet shkruar në atë mënyrë që të mund të njihen shkaqet e tyre si të evitueshme. Nëse ato njihen si të tilla, e keqia atëherë mund të luftohet.”

E pra që të themi se ky regjim pseudo-demokrat është një regjim policor, duhet të dimë ta përshkruajmë këtë të vërtetë me fakte dhe argumente dhe jo me parulla, si dhe të tregojmë se përse regjimi ka nevojë t’i zgjidhë problemet e saj jo me institucionet demokratike dhe shtetin ligjor por me policinë, të tregojmë se përse policia shpesh herë del edhe mbi drejtësinë, dhe mbi shtetin.

Le të flasim një çast për kanunin shqiptar, mekanizmi i të cilit u vu në lēvizje menjeherë pas shembjes së diktaturës. Për gazetarin shqiptar nuk ishte e rëndësishme trajtimi sensacional i vrasjeve dhe i ngujimeve nēpër kullat e ngujimit, por shkaqet e tyre. Përse vallë mekanizmi i gjakut rinisi funksionimin e tij shumëshekullor, sikur të ishim ende në vite të mesjetës? Përse vallë shteti mban pozitën e sehirxhiut kur dhjetra mijra njerëz mbyllen nëpër kullat, madje dhe fëmijë që nuk mund të vazhdojnë më shkollat e tyre? Këtë të vërtetë pushteti i sotëm nuk e pëlqen.

Brehti tregon se e rëndësishme është se kujt ia thua këtë të vërtetë. T’ia thuash një zyrtari të lartë, një mizantropi apo një frikacaku, kjo nuk ka vlerë, por t’ia thuash fshatarit, puntorit apo atij që dhunohet dhe i preken të drejtat dhe liria e tij, kjo është detyra e parë e një gazetari të pavarur.

« Të njohësh të vërtetën, – thotë Brehti, – është një proces i njëjtë për shkrimtarët dhe për lexuesit. Për të thënë gjëra të mira, duhet të dëgjosh shumë, dhe sigurisht gjëra të mira. E vërteta duhet peshuar dhe kalkuluar nga ai që e thote dhe nga ai që e degjon. Kjo ka rëndësi të madhe për ne, që të dimë se kujt ia themi dhe kush e thotë. Ne duhet tu themi të vërtetën për gjërat jo të mira atyre për të cilat këto gjëra janë të këqija. Nuk i duhet adresuar vetëm njerēzve të të njëjtit opinion por edhe atyre që do t’u vinte mirë të kishin këtë opinion, për vetë situatën në të cilën ata ndodhen. E pastaj, kështu, auditoret tuaja nuk rreshtin së transformuari. Madje edhe me xhelatët mund të bisedojmë, nëse nuk do të shpërblehen më për çdo të varur, apo nëse profesioni i tvre bëhet shumë i rrezikshēm. Për shkrimtarët ka shumë rëndësi të gjejnë theksin, domethënien e së vërtetës.”

Në duart e kujt e vërteta bëhet efikase dhe dinakëria për ta shpërndarë atë

Shpesh gazetarit i mbyllen shtigjet jo vetëm për ta njohur të vërtetën por edhe për ta shpëndarë atë. Dhe për ta përhapur atë, atij i duhet jo vetëm kurajo por dhe dinakëri. Kjo metodë është përdorur që në kohët e vjetra, nga Konfuci, Volteri e kronistë të mëpasëm në mënyrë që e vërteta të mbërrijë në publikun e gjerë. Për të thënë të vërtetën ë regjimit, Kadareja shkroi “Pallati i ëndrrave” dhe shumkush e kuptoi këtë të vërtetë.

“Këto pesë vështirësi – shkruan Brehti, – ne duhet t’i zgidhim dhe t’ i kapërcejmë njëherësh, pasi ne nuk mund ta studjojmë të vërtetën mbi një regjim barbarie pa menduar njëkohësisht për ata që vuajnë nga ai; duke flakur çdo ide poshtërsie ne kërkojmë shkaqet, duke menduar për ata që janë gati të bëjnë të nevojshme dijet e tyre. Ne duhet ta paraqisim këtë të vërtetë në atë mënyrë që ajo të bëhet një armë në duart e tyre, në të njëjtën kohë me dinakëri, që t’i shpëtojë vigjilencës dhë goditjës së armikut. »

Dëbati mbi të vërtetën dhe objektivitetin në gazetë ka shekuj që zhvillohet. Ajo vazhdon edhe sot. A mund të përcaktohet ajo si tërësia e ligjeve që të çojnë në njohjen e realitetit?… Ka shumë që thonë se objektiviteti nuk ekziston, pasi çdo vizion është subjektiv, padyshim i anshëm, i pjesshëm dhe se e vërteta ekziston jashtë njeriut. Për filozofin danez Kierkegard, i cili ngrihet kundër “masturbimit të fjalës dhe nënshtrimit të shtypit ndaj momentit, pra aktualitetit”, njeriu ka me shumë frikë nga e vërteta se sa nga vdekja. Pasi, që të zbulosh të vërtetën duhet të veçohesh nga turma. Mirëpo njeriu është i lumtur veçse në turmë. Një kontradiksion që padyshim e gjen tek intelektuali i sotëm i shoqërisë shqiptare.

Ja pra disa fjalë rreth të vërtetës, për të cilēn Brehti ka klithur aq shumë…