Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: Kryepleqtë e Fushëbardhës në dy shekuj, 1825 – 2025

Fushëbardha njihet si fshat me vendbanim shumë herët (gojëdhëna flet për më shumë se dhjetë shekuj). Fshati i Fushëbardhës ka qenë dhe është pjesë përbërëse e zonës së Kardhiqit, Fushëbardhë e Zhulat, pjesë e Labërisë, në lashtësi kjo zonë varej nga Sanxhaku e më vonë prefektura e Delvinës dhe më tej nënprefekturë. Fakt është se Delvina ka qenë mjaft e njohur, pasi Pashallëku i Janinës përfshinte 7 sanxhakët e Tërhallës, Lepantit, Janinës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit, Ohrit, dhe 14 kaza të sanxhakut të Manastirit, 3 kaza të sanxhakut të Selanikut. Ndërkohë që në Sanxhakun e Delvinës kanë qenë Asllanpashallitë dhe Kokajt. Nga Delvina varej administrativisht edhe Fushëbardha. Kryepleqtë e fshatit Fushëbardhë në një shekull e një çerek, nga viti 1900 deri më sot (2025) kanë qenë njerëz të dashur, seriozë dhe të gjendur për bashkëfshatarët, që kanë punuar me ndershmëri e maturi, që gëzonin veti e vyrtyte, por që vetë fshati i kishte zgjedhur. Marrja e miratimit të shumicës demokratike për të drejtuar një komunitet nuk ka qenë e lehtë, nuk ka qenë privilegj, por përgjegjësi dhe përgjegjshmëri. Ata kanë vepruar për një shekull e çerek me zakone e drejtësi duke u dhënë hakun dhe duke ofruar maturi e zgjidhje të drejta kanë qenë të shumtë, sikurse një pjesë e tyre kanë ngelur në kujtesën mbarëpopullore fshatçe sipas mënyrës së tyre të drejtimit. Kryepleq në Fushëbardhë kanë qenë: Jaho Deçka, Bektash Kondi, Sabri Isufi, Çenko Kondi, Bajo Kazo, Bako Çarçani, Fejzo Meçe, Manxhar Shalari, Nishat Çarçani, Zenel Bello, Dino Meçani, Sadedin Bineri, Teki Onjea (sekretar), Selfo Xhuvani që në vitet ’70-80-të të shek XX, Mersin Peçi, Besnik Bineri, Perlat Shehu, Migjen Muho, Bashkim Nora, Maksi Veliu, Hosho Onjea (për herë të parë 1996-1999), Laze Nora (1999-2005), Sheqer Onjea (2005-2009), Shkëlqim Onjea (2009- 2010), Qani Shalari (2010-2012), Hosho Onjea (për herë të dytë), Timoshenko (Boshek) Golemi (2015-2019), Hektor Mullai (2019-2023), Hosho Onjea (për herë të tretë), që prej vitit 2023 e në vijimësi. Kryepleqtë dhe pleqësitë e Fushëbardhës kanë ekzistuar edhe si “Zhulati i këtejmë” që nxirrnin vazhdimisht çeta e detashmente luftëtarësh bashkë me Zhulatin e fshatrat e tjerë të dy krahinave të Kardhiqit dhe Rrëzomës. Nga drejtuesit e fshatit Fushëbardhë në 75 vite (1825-1900) edhe pse duhen risaktësuar plotësisht sjellim në vëmëndje Idriz Ymer Alidhima, Bajo Arif Kazo i parë, Sadik Hazbi Memushi kordhëtari, Hito Muhamet Kongoci, Muhamet Shahin Veliu, Shazivan Jaho Deçka i parë, Islmail Nora, Lulo Nora të parë, Osmën Kuci (fushëbardhasi që i këndohet kënga “..në krye Osmën Zhulati (Kuci)”, më vonë Jonuz Kuci etj. Përmendim këtu pjesëmarrësit në luftrat e 1828, 1847 (antitanzimat), 1852 në Mal të Zi, më 1854 në luftën e parë për mbrojtjen e ish-vilajetit të janinës ku Fushëbardha ka dy dëshmorë shpallur më 11.4.2025 (Bajo Kazo i parë dhe Habil Shuko Xhuvani), pjesëmarrës në luftrat e 1852-1858 bashkë me bilbilenjtë, në 1878 në Palavli, Bradhomë, Qafë Gjashtë, Lëkurës, Janinë, në luftën e tretë për Janinën më 1897, në luftën për janinën më 1912-1913, në Luftën e Skërficës më 1914 dhe në të gjitha luftrat e shekullit të XX-të. Figura të pushtetit qendror e vendor nga Fushëbardha ka pasur mjaftë si: Adil Çarçani- dhjetë vite kryeministër i Shqipërisë, Dilaver Habil Poçi-gjeneral madhor, Spartak Dilaver Poçi-Ministër, disa deputetë, Pajtim Bello, Bedo Resuli, Kasëm Mullai, Hakten Veliu, Shamet Lagji, Banush Nora me përgjegji të larta vendore, Flamur Sejdi Golemi-kryetari aktual i Bashkisë së Gjirokastrës e dhjetra të tjerë (që do të jenë objekt i një shkrimi më të detajuar). Nga ana tjetër përtej qafës së Skërficës në Vërri Fushëbardhasit kishin tokat e tyre. Edhe pse kishin haurët e tyre që pështeteshin për të punuar tokat dhe merrnin bereqetin nuk ishte themeluar ende fshati. Fakt është se nga fshati i Fushëbardhës dhe Zhulatit janë krijuar edhe shumë fshatra të Rrëzomës siç janë: Senica, Vergoi, Kalasa, Tatzati, Kopaçes e Palavli deri në Bajkaj dhe Isarai. Prej Fushëbardhës u larguan në vitin 1951 deri më 1955 dhe krijuan fshat të ri në Fushëvërri. Ndërsa në Fushëvëri që e kishim si fshatin tonë (si Fushëbardhën) kryepleqtë që kanë operuar kanë qenë: Nazif Kongoci, Fejzo Meçe (ka qenë kryeplak edhe në Fushëbardhë), Shyqyri Braho Këndezi, Sherif Proda, Nekip Lagji, Enver (Vero) Liço Xhuvani, Abaz Xhafer Nora, Kujtim Ali Proda, Muho Godo Cama (1994-2006), Mero Veliu (në pleqësi), Qëndrim Maze Zani (2006-2008), Gëzim Sulo Basho (2008 e në vijimësi), është aktualisht kryeplaku i Fushëvërrisë. Afron Babuden Proda dhe Halil Hasaf Proda kanë qenë kryetar komune, ndërsa Nezir Kazo, Sherif Bello, Petrit Këndezi kuadro kryesorë të Kooperativës “Vergo”. Djali i Fushëbardhës Besmir Nexhip Veliu, kryetar i bashkisë së Delvinës. Ndërsa Petrit Shyqyri Këndëzi ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkuar Vergo, por dhe mjaft personalitete të tjera nga Fushëvërria fshat i dalë nga Fushëbardha. . Nuk është e rastit kur më 4.4.2004 u diskutuar të themelohej SHKA “Fushëbardha-Fushëvërria”, fushëvërriasit thanë “ne jemi fushëbardhas” dhe shoqata mori emrin e përbashkët “SHKA Fushëbardha”. Në lidhje me kryepleqtë e Fushëbardhës dhe Fushëvërrisë të dhënat e reja që mund të dalin në dritë nga arkivat mund ta plotësojnë këtë skicim modest. Kryeplaku në të gjitha kohët ka qenë drejtues, simbol i unitetit të fshatit apo fisit. Pozita e kryeplakut dikur bazohej në të drejtën zakonore labe e në kanun, ndërsa me ngritjen e shtetit (1912) veprimtaria e kryeplakut para së gjithash bazohet në ligje, por mbi të gjitha pozita shpesh është e varur nga sjelljet, qëndrimet dhe karakteri burrëror. Në periudha të pasigurta politike dhe situata kërcënuese lufte, pozitën ose funksionin e drejtuesit në fshat, zakonisht e merrte më trimi ose prijësi i luftës, por që kishte mbështetje të gjerë. Por kryeplaku dikur ishte funksioni më i rëndësishëm, vëzhguesi, i drejti, i urti që nuk kishte konkurencë në logjikë drejtësie e në sidomos në “kandar” drejtësie si kadi i fshatit. Kryeplaku ishte zgjidhësi i parë i konflikteve e mosmarrëveshjeve. Fakt është se kryeplaku dikur ka qenë shpesh pasardhës i të rënëve të luftra, që trashëgonin besim të plotë dhe gëzonin popullaritet të madh. Legjislacioni shqiptar i ka dhënë të drejta e kompetenca ligjore, ndërkohë që fshati e njeh si përbashkuesin, mirëkuptuesin e parë, por edhe zgjidhësin e halleve në mënyrë të drejtpërdrejtë si dhe negociuesin e parë për zgjidhje të mirëkuptueshme.

Kryeati, kryeplaku dhe marrëveshja e në Shpellën e Zhulit në Fushëbardhë

Ndërkohë nga historia, gojëdhënat, revistat e gazetat, prijësit, drejtuesit e kuvendeve, kryepleqtë kanë një histori në këto troje mbi dhjetë shekullore. Eqerem Vlora shpjegon në revistën e përkohshme albanologjike “Shejzat”(botuar në Romë më 1957 nga Ernest Koliqi dhe që vijoi të publikohej për 21 vite deri më 1978) se “para kohës së Kaurit rronte në Labëri një prijës i shquar që quhej Papa Zhuli, nga mosha pak i thinjur, por nga mendja dhe nga krahu ishte djalë i ri… ishte sunduesi, udhëheqësi i vendit të vet. Në kohën e tij erdhi nga deti një ushtri e madhe, me njerëz të çuditshëm… që i udhëhiqte një vigan veshur me hekura… Ushtarët e tij erdhën deri në Fushën e Bardhë që shtrihet ndën Zhulat: I dërguan Papa Zhulit lajmëtarë se nuk kanë ardhur për të pushtuar vendin: Kanë ardhur të kërkojnë rrugë kalimi; Prijësi i trevës labe u kërkoi tre ditë afat pa e prekur njeri-tjetrin: Ai mblodhi kuvendin e maleve e derë më derë kërkoi ndonjë burrë të vërtetë për t’i shoqëruar deri në Durrës ku ishte nipi i Robert Guiskardit. Ushtritë e përtej detit kërkuan besë duke bërë marrëveshje miqësore me popullatën luftëtare kaone (labe) pasi nëpër luginën e Drinopulit ishte e okupuar nga trupa të shumta të ushtrisë Bizantine. Sipas Eqerem Vlorës, “ushtria e flotës së Robert Guiskardit; përshkruhet edhe në këngën e Ronaldit (La cancionne la Ronald). Gojëdhëna thotë se marrëveshja e vitit 1081 ndërmjet kryeatit Papa Zhuli, pleqësisë dhe trupave të Robert Guiskardit njihet si ndër të parat marrëveshje në Labëri e zhvilluar në Shpellën e Zhulat në një vend strategjikisht të mbrojtur nga malet dhe burra-male të kohës. Gojëdhëna flet se kjo marrëveshje ka qenë dokumentuar edhe në disa manastire e kryesisht Manastirin e Cepos në fillim të shekullit të XV-të. Marrëveshjet ishin ligji zakonor që edhe pse nuk ka qenë i shkruar, ka qenë një rregullator i jetës dhe veprimtarisë së malësisë kaonike në Labëri me një shtrirje prej rreth 500 fshatrash. Tradita labe u vijua në Senicë me Idriz Sullin, Kostë Prifti, Demir Dosti nga Kardhiqi e shumë të tjerë me kuvendet e Senicës (1770), Rrepeve të Agait në Taroninë (1773) e dhjetra kuvende të tjerë. Legjislatorët, kanunllinjtë, drejtuesit e fshatrave, kur nuk kishte shtet kishte zot vatani. Kështu kryeplaku i Fushëbardhës më 1914 Halil Sullo ishte njëherësh edhe kryetar i çetës luftëtare që i priti andartët me pushkë. Besa ishte lidhur midis kryetrimave, kapedanëve e kryepleqve më 10 prill 1914 në Shtëpëz. Besën për të mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo sakrificë në radhë të parë përgjegjshmëria binte mbi kryeplakun dhe pleqësinë, që ishin njëherazi edhe mençuria, besa dhe burrëria e fshatrave të Labërisë. Prandaj me këtë rast Selia e marrëveshjes së parë të Labërisë, shpella e Zhulit duhet shpallur monument kulture dhe të ruhet nga shteti. Nuk është e rastit që populli jetën, luftën dhe punën, trimërinë dhe lavdinë e gdhentëte në arkivën popullore dhe e transmetonte në këngë: “Mali malit seç i foli,/poshtë pellgut as vështroni,/në Finiq në ato anë,/mizëria bën hatanë,/duke britur, duke vrarë,/na shfarosi gjënë e gjallë,/i tha Stravoi Pilloit,/pa foli atij dragoit,/të marrë gurë në dorë,/poshtë pellgut të qëllojë,/t’i vrasë e t’i copëtojë,/dhe dragoi kur dëgjoi,/ gurin sa mali lëshoi,/ gropë të madhe vithoi,/nisën poshtë në ato shkrepa,/vret me harqe me shigjeta,/e cekurë e jataganë,/përtej detit ikën e vanë,/se luftojnë bijtë tanë”. Emërtimet e Maleve Pylloit, Stravoit, Gropa e Zhulit janë të gjitha në hapësirën administrative të Zhulatit të këtejmë (Fushëbardha) që Eqerem Vlora e quan “Fushë e Bardhë”. Edhe fisi “Lekgjoni” (lagjia fushëbardhase Lekgjoni, ku sot shtrihen shtëpitë e fisit Golemi dhe të tjerë, por dhe nikaçi e nikaçari formuan fushëbardhën. Uniteti fshaçe dhe fisnor nuk kishte dhe nuk ka dallime edhe pse kështu është folur gjithmonë: “Zhulat i tejmë” dhe “Zhulat i këtejmë”, edhe pse dimensionet gjeografike zhulatase janë tejet të gjera dhe shtrihen në dy krahina në ndarjen e sotme administrative në krahinën e Kardhiqit dhe krahinën e Rrëzomës. Një ndër më të vjetrat krijime janë: “Dhimqurk e Llakaturë,/kërcet briri gur mbi gur,/për mbi gur e breg më breg,/ziri shtigjet e Tepetë(kodrat),/ se vjen i ligu përpjetë,/ mizë lisi porsi bletë,/të na rrjep e të na djegë,/ në lugje përtej në urë,/ bam me hark e bam me gurë,/armikut s’ju përulë kurrë..

Kryeplaku i ditëve tona

Shqipëria ka 61 bashki, nisur me bashkia e Tiranë me 144 kryepleq, Gjirokastra me 76 kryepleq që shërbejnë si urë lidhëse midis komunitetit dhe njësisë administrative e Bashkisë. Sfida e përditshme e tyre është monitorimi i vendit dhe moslejimi i konsumimit të veprave të paligjshme nga banorët, mos lidhja e ujit të pijshëm në mënyrë abuzive etj. Kryeplaku dhe kryepleqtë duhet të jenë lehtësues në zinxhirin e gjatë të burokracive institucionale. Kryeplaku është me reformën Administrative, bashkëjetues me fshatin, komunitetin administratorët apo krerët e njësive administrative të Bashkisë. Kryepleqtë, me ligj quhen “kryetarët e fshatrave”, që veprojnë edhe aty ku fshati është kthyer në një zonë urbane. Kryepleqtë, kjo hallkë e hallkë pushtetit vendor janë një grup njerëzish, që shprehin e mbrojnë komunitetet ku jetojnë, zgjidhen në rokada të ndryshme të pushtetit, përfaqësojnë fise me ndikim në komunitet. Kryepleqtë përfaqësojnë zona autoktone kryesisht me shtëpi private, që ndodhen aty gati prej dekadash e shekujsh, që kanë jetuar dhjetra e qindar breza. Kryepleqtë jo rrallë herë e kanë zyrën në “oborrin e shtëpisë”, shihen ashtu sikurse janë burrë zamani, që mbajnë halle të shumta, nevojë për dokumentacion, vërtetime, janë kontrolluesit metër për metër të territorit për ndërtime të paligjshme, lidhje uji të parregullta, linjë energjie, kanale, por edhe për mbjellje me bimë të palejueshme. Sipas nenit 71 të Ligjit 139/2015 datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, kryetari ose kryesia e fshatit kryen edhe detyra të tjera përveç vulosjes së dokumenteve, siç janë mbikëqyrja për ndërtime të paligjshme apo funksionimi i linjave të ujësjellësit, por edhe mbjellja e fushave me kanabis. Edhe kur urbanizimi është “ngjitur kodrave dhe maleve”, kryeplaku është është “kryefshatari” është e duhet të jetë zot që mbart një barrë me halle. Kryeplaku është “Porta e halleve vendore”, që zyrtarisht quhet kryetar/e fshati ndërsa për zonat urbane quhet ndërlidhës me komunitetin. Bazuar në ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, kryetari i fshatit duhet të shpërblehet për punën e tij, sipas kritereve të vendosura nga këshilli bashkiak, por shpesh pagesa për ta nuk justifikohet. Ligjërisht, neni 70 ka të sanksionuar “Struktura komunitare në fshat” ku, “1. Fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Kryesia është organ këshillimor i kryetarit. Anëtarët e kryesisë së fshatit zgjidhen në mbledhje të fshatit, ku marrin pjesë jo më pak se gjysma e banorëve me të drejtë vote. Përbërja e kryesisë së fshatit duhet të respektojë ligjin për barazinë gjinore. Mënyrat dhe rregullat e votimit përcaktohen nga këshilli bashkiak përkatës. 2. Numri i anëtarëve të kryesisë së fshatit përcaktohet nga këshilli bashkiak në bazë të numrit të banorëve të fshatit dhe lagjeve përbërëse të tij. 3. Kryetari i fshatit zgjidhet nga kryesia e fshatit nga radhët e anëtarëve të kryesisë së fshatit. 4. Zgjedhjet e kryesisë së fshatit bëhen një herë në katër vjet, pas zgjedhjeve për këshillin bashkiak dhe jo më vonë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve. Në rast mosrespektimi të këtij afati, deri në zgjedhjen e kryesisë së fshatit, kryetari i bashkisë emëron përkohësisht kryetarin e fshatit. Në rastet e krijimit të vendit vakant për anëtar të kryesisë zhvillohen procedurat e sipërpërmendura të zgjedhjes për vendin vakant. Mandati i të zgjedhurit të ri vazhdon deri në përfundim të periudhës së mbetur të afatit katërvjeçar. 5. Procesi i zgjedhjes dhe veprimtaria e kryesisë së fshatit mbikëqyren nga këshilli bashkiak”. Në Labëri, Fushëbardhë, dhe fshatrat e tjerë në vendin tonë është koha për t’i vënë pikat mbi “i”, koha për t’i dhënë vlerë kryeplakut (kryetarit të fshatit) dhe kryepleqësisë. Shtatë pikat e nenit 71 të ligjit “Detyrat dhe të drejtat e kryetarit dhe të kryesisë së fshatit” duhe reale, të prekshme që ofrojnë zgjidhje. Përgjegjshmëria duhet të shoqërohet me kompetencë dhe me shpërblim monetar. Kryeplaku ndoshta nuk mund ta kenë pushtetin e Idriz Sullit, Demir Dostit, Atërve e Kapedanëve të veshur me madhështi, mençuri, urtësi. Dakord kohë tjetër ajo, por kthimi i dinjitetit, kompetencës, veçanërisht pagesa mund dhe duhet të mirëfunksionojë fshati në këtë situatë komplekse kritike dhe që meriton vëmendjen e shtetit dhe të shoqërisë.

(Të dhënat janë marrë: Revista e përkohshme albanologjike “Shejzat”, që publikohej në Romë më 1957 nga Ernest Koliqi dhe që vijoi publikimin për 21 vite deri më 1978; Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” neni 70 dhe 71; si dhe Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015, në pjesën “1.9. Kryepleqtë e fshatit Fushëbardhë në një shekull”, faqe 44 dhe 45; Dhimitër Shuteriqi “Mbi disa çështje të Arbërit dhe mbi emrin Shqipëri në Buletinin e Universitetin Shtetëror, Seria “Shkencat shoqërore”; nr.3/1956; nga periodiku i gazetës Fushëbardha (21 numra të saj nga viti 2004 deri në vitin 2014), nga Arkivi i luftës në Kalanë e Gjirokastrës si dhe të dhëna nga Kryepleqtë dhe antarësia e pleqësisë së fshatrave Fushëbardhë dhe Fushëvërri). -&-