Bledar Koçi: Gërmadha ime
Dikur gjalloje plot freski
Si një parajsë me vezullime,
Sikur ke qenë s’je përsëri
I ëmbli prag, gërmadha ime.
*
U ktheva etur këtij trualli
Rrëmoj në mure nëpër gurë,
Më nxit një dhembje shtyrë prej malli,
Që nga ky shpirt s’më ikën kurrë.
*
Një lëmsh në grykë ngadalë më mblidhet
E më shtrëngon sikur më mbyt
Oxhakut, zjarri ku më s’ndizet
Me tym kërcunjsh, që digjte sytë.
*
Më tej, e shqyer një kamare
Një drapër varur dhe një shportë,
Sepete e vjetër nën dritare
Dhe gozhdë e ndryshkur, më ndjell lotë…
*
Ah, mëni i lashtë avllisë së shkretë,
Si një statujë më flet pa fjalë.
Çfarë qeshëm, qamë, aty u tret
Kjo baltë-mjaltë i ruan të gjallë.
*
Dhe dashuritë, ikur, më vijnë
Ashtu si zogj në ëndërrime,
Me krahë shpalosur rrinë një grimë
Me mua bashkë… gërmadhës sime.