Vladimir Marku: Mbi strategjinë kombëtare për energjinë e rinovueshme
Nuk jam njohës i fushës së energjisë diellore apo ngritjes së impianteve fotovoltaike, por nga mediat – qofshin ato kazan siç shpesh etiketohen – arrin gjithsesi të përçohet ideja e një strategjie kombëtare drejt energjisë së rinovueshme. Dhe megjithëse e vërteta është vetëm një, e paanshme dhe e zhveshur nga propaganda, ajo rrallë del e plotë në sytë e publikut. Flitet për dhjetëra licenca të dhëna për impiante fotovoltaike – deri në 62 apo 64 të tilla – por pak prej tyre kanë marrë jetë reale dhe ende nuk ka një pasqyrë të qartë mbi fizibilitetin ekonomik, ndikimin mjedisor dhe përfitimin real për sistemin elektroenergjetik kombëtar.
Nga njëra anë, qeveria deklaron me vetëbesim se Shqipëria do të bëhet fuqi eksportuese e energjisë së gjelbër brenda pak vitesh. Nga ana tjetër, skepticizmi i qytetarit të zakonshëm rritet, përballë mungesës së transparencës dhe heshtjes së institucioneve për projektet që zhvillohen në terren. Askush nuk flet për impaktin që ka, apo do të ketë, impianti i Karavastasë për komunitetin lokal, ekonominë rajonale apo peizazhin natyror. Askush nuk jep llogari për projektin 70-hektarësh në ish-UPTH-në e Ballshit. Askush nuk ndalet të kuptojë pasojat afatgjata për zonat me vlera të jashtëzakonshme ekologjike dhe potencial zhvillimi.
Po ndalem te një rast konkret: Belshi. Në një kohë kur Shqipëria ka mbi 300 ditë me diell në vit dhe kur energjia e pastër është një nevojë reale, ndërtimi i një impianti fotovoltaik në këtë zonë mund të dukej si një hap i logjikshëm në letër. Por letra s’e tregon gjithçka. Sipas kontratës së miratuar me VKM nr. 510, datë 17 korrik 2024, për një projekt me kapacitet 50 MË, në tokë kodrinore të Belshit, parashikohet një prodhim mesatar vjetor prej 95 GËh. Kjo përfaqëson më pak se 1% të konsumit vjetor të vendit. Dhe për këtë 1%, sakrifikohen rreth 60 hektarë kodra të gjelbra që, për nga pamja dhe struktura, ngjasojnë me ato të Toskanës italiane – me potencial të jashtëzakonshëm për turizëm natyror, agrokulturë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
A kemi menduar çfarë po humbasim? A kemi peshuar se çfarë fitojmë përkundrejt asaj që shkatërrojmë? Kur një zonë e gjelbër, me bukuri natyrore dhe trashëgimi gjeologjike të rrallë, mbulohet nga panele të zinj fotovoltaikë, pa u studiuar ndikimi në biodiversitet, pa u llogaritur mikroklima, pa u konsideruar mundësitë e përdorimit alternativ (si agro-fotovoltaika), atëherë nuk bëhet fjalë për zhvillim, por për rrënim të maskuar si përparim.
Shumë prej këtyre vendimeve, të servirura si histori suksesi, janë në thelb produkte të një modeli që vepron me logjikën “ku ka mundësi për përfitim të shpejtë, ka edhe investim”. Nuk është strategji, por një kombinim interesi të shpejtë me mungesë përgjegjësie. Dhe kur përjashtohet komuniteti nga vendimmarrja – siç ndodhi në rastin e Belshit – atëherë kemi të bëjmë me një padrejtësi të trefishtë: ndaj natyrës, ndaj banorëve dhe ndaj të ardhmes.
A e pyeti ndokush Belshin nëse do të kthehet në eksperiment energjetik apo do të ruajë identitetin e tij kodrinor, liqenet, bukuritë natyrore, mënyrën e jetesës? A pati dëgjesa publike? A u përfshinë qytetarët në diskutim? Apo gjithçka vendoset larg, në zyra të blinduara, ku “energjia e pastër” përdoret si pretekst për të legjitimuar një tjetër shfrytëzim të verbër të tokës?
Po, Shqipëria ka nevojë për energji. Po, duhet të jemi pjesë e tranzicionit global drejt energjive të rinovueshme. Por kjo nuk mund të ndodhë duke shkatërruar atë që është më e çmuara për ne: toka, peizazhi, identiteti, dhe mundësitë e zhvillimit të vërtetë që rritin mirëqenien, jo vetëm xhiron financiare të disa investitorëve.
Belshi – me kodrat e tij, liqenet, klimën dhe vendndodhjen – është një pasuri kombëtare. Nuk meriton të reduktohet në një shtrat panelesh për 1% të energjisë. Meriton të jetë shembull i një modeli ku zhvillimi shkon paralel me ruajtjen, ku komuniteti është pjesë e vendimit, dhe ku energjia që prodhojmë nuk na merr shpirtin e vendit për një flluskë që nesër mund të shpërthejë.
Nuk kam përse ta fsheh keto po me duken si Bankat e Sudes me Rrapushin apo koncensionet e deri tash që punojnë me dekada dhe ekonomia nuk përfiton asgjë në buxhetin e shtetit që e do për shtetarët e vet në rritjen e shërbimeve si dhe për pensionet.
Nuk duhet të kënaqemi që ne investojmë pak financime të koorporatës elektroenegjetike shqiptare, pasi ajo mundet na kthehet kundër.
Qofsha i gabuar, koha ecën dhe ne rrimë e vështrojmë duke trakullitur me mendime konglomeratike.