Sadik Bejko: Toka e baladave ka vdekur
Toka e baladave ka vdekur
Asnjë grosh nuk u jep semafori i tregut.
Baladat ndërruan xhubletën me tanga luksi
Kanë vdekur kuajt… kapërxenin urat e ylberet pas shiut
Trimat mbetur pa kokën për gruan e tokën.
Vdekur nuset e tokës stolisur me nga një baladë në sy, tjetrln në gji e më tej… në zemër
si rozafat ngrirë në gur.
Një rrisk toke ku luanim, nuk ka. Nuk ka as fëmijë.
Kanë vdekur vathat, stanet, puset
Kroi i perrisë, Guri i lugatit, Shpella e nuses së Bardhë.
Tokës-mëmë një grosh s’i hedh semafori i globalizmit.
Lisat e gjatë, lumenjtë e kulluar janë tredhur.
Vdekur.
Naimi pa një burim uji ku t’i bjerë fyellit.
Nuk ka “eni shokë të këndojmë”, nuk ka shokë
Nuk ka as histori.
Nën ferrat te vatrat bëjnë strofull bishat
Toka ka vdekur.
Një grusht dhe që mbeti e kemi në valixhen e emigrantit.
Me mallin për një baladë, bajamen, gjyshen e zogjtë, për strehën e çerdhes me dallandyshen.
Kur kthehemi, presim ferrat mbi pasqyrën e pusit,
Mbi pllakën e varrit të gjyshit.