Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Arratisje në fëmijëri…

Shpesh e më shpesh po shoh në ëndërr veten time fëmijë apo të ri. Janë fanitje gjithfarësoj, po gjithnjë nga mosha e largët dhe e pafajshme. Rrallë, fare rrallë, e shoh veten në moshën e pjekurisë dhe pothuajse kurrë të moshuar.

Kështu më shkruan një i njohur dhe, duke e lexuar u kujtova se afërsisht e njëjta gjë ka ndodhur edhe me ëndërrimet e mia gjatë gjumit. S’di si ta shpjegoj këtë dukuri që, me sa duket nuk është thjesht individuale.

Një mendje më thotë se dëshira për ta parë veten në të djeshmen dhe jo në të nesërmen lidhet me faktin se e ardhmja për të moshuarin përmban edhe pak ndrojë, për të mos thenë frikë.

Po mund të jetë edhe ndryshe. Gjithë ditën rropatemi mes halleve të vërsës e të jetës, natën truri zgjedh të arratiset në fëmijëri e në rini. Mbase kjo vjen si mall për ato kohë paqeje e pafajësie, kur natën flije si qengj dhe ditën lodroje si kec.

Po mbase nuk është punë malli, po halli. Trupi e truri, ashtu të lodhur nga shqetësimet e ditës, largohen në fëmijëri e në rini, përjetojnë disa çaste gëzimi e lumturie për të shtuar pak ‘karburant’ në serbator. Se zbardh drita e duhet sdokudo të jesh i freskët e me sado pak rezerva energjie e optimizmi.

Një tjetër mendje më thotë se e gjithë kjo mund që lidhet me probleme të identitetit. Me dashje apo pa dashje, me vetdijë apo pa vetdijë, njeriu në këtë moshë kërkon të bëjë një farë bilanci, drobitja graduale sikur kompesohet me idenë se ke jetuar goxha gjatë, se ke një vazhdimësi të çmuar, që nis në fëmijërinë e herëshme dhe vjen deri sot. Vetja si duket ka nevojë t’i thotë vetes se, pavarësisht trajtave apo nuancave që ka marrë në periudha të ndryshme, në thelb ka mbetur po ajo. Kjo të bën të ndihesh një, unik dhe sidoqoftë edhe vlerësues për identitetin që ke krijuar, zhvilluar dhe po e ruan. Vepër e një jete të tërë.

Mbase nuk është pa gjë edhe teza e psikanalistëve që thonë se në ëndrra u kthehemi dhe u rikthehemi periudhave të hershme të jetës kur kemi qenë shumë të ndrydhur, gjithë ditën ‘hesht e mos, jo atë po këtë’! Arratisemi në ëndrra kohësh të largëta për t’u çliruar nga dëshira të ndrydhura. Duke çliruar nënvetëdijen qetësojmë në një farë mënyre vetdijen, e bëjmë ditën më të lehtë.

Mund të jenë të gjitha këto dhe të tjera, se jeta është komplekse dhe njeriu ka qenë e mbetet një enigmë, një labirinth që vështirë ta njohësh tërësisht. Shekulli i fundit ka dëshmuar se njeriu zbuloi misteret e hënës, marsit e të planeteve të tjerë, po veten e vet nuk ka arritur ta eksplorojë tërësisht.