DW: Si i përgjonte Gjermania Lindore qytetarët e saj me STAS?
Jeta e një agjenti në stilin e James Bond-it? Rutina e përditshme e shumicës së punonjësve të Ministrisë së Sigurisë në Gjermaninë Lindore ishte e ndryshme. Punonjësit e saj kishin detyra të ndryshme.
“Shokë, duhet të dimë gjithçka”! Ky ishte mesazhi i qartë që Erich Mielke ua dha punonjësve të tij. Ai ishte kreu i Ministrisë së Sigurisë së Shtetit (STAS) nga viti 1957 deri në vitin 1989 në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Me këtë urdhër, qytetarët e RDGJ-së monitoroheshin sistematikisht. Spiunët e STAS-it mund të fshiheshin kudo – midis kolegëve, midis miqve. Detyra e tyre ishte të gjurmonin “armiqtë e popullit”. Nga perspektiva e regjimit të RDGJ-së, këta ishin njerëzit që e kritikonin sistemin dhe lidheshin me “armikun e klasës”, domethënë me kapitalistët “imperialistë” ose “fashistë” në Perëndim. Për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimi i perceptuar nga Perëndimi, në vitin 1961 u ndërtua Muri i Berlinit, si një “mur mbrojtës antifashist”.
Metodat e STAS-it
Por “armiku” ishte ende i kudondodhur, madje edhe brenda vendit. A kishte bërë dikush shaka për kryetarin e Këshillit të Shtetit apo kishte dëgjuar muzikë të padëshiruar? A kishte marrë dikush letra të dyshimta me pulla nga vendet perëndimore, apo kishte aplikuar dikush për leje vizitori për të hyrë në Republikën Federale? Gjithçka ishte e dyshimtë; gjithçka ishte nën syrin vigjilent të STAS-it, të themeluar në vitin 1950. STAS-i e shihte veten si “mburojën dhe shpatën” e Partisë Socialiste të Unitetit të Gjermanisë (SED), e cila supozohej të neutralizonte të gjithë “armiqtë” dhe kështu të siguronte sundimin e partisë shtetërore në RDGJ. Punonjësit e STAS-it hapnin postën, përgjonin telefonatat dhe kishin akses të paautorizuar në shtëpi. Ata i frikësonin njerëzit, përhapnin thashetheme se dikush ishte alkoolik ose homoseksual ose, veçanërisht në mënyrë të pabesë, se kishte kontakte me STAS-in. Mjaft qytetarë të RDGJ-së kanë përfunduar pas hekurave, sepse e kritikonin regjimin e RDGJ-së.
Arsyet për të punuar për STAS-in
Njerëzit madje e quanin STAS-in “Firma” ose “Horch und Guck” (dëgjo dhe shiko). Rreth 90,000 punonjës me kohë të plotë pune dhe (në varësi të burimit) midis 100,000 dhe 200,000 punonjës “jozyrtarë” – informatorë që, vullnetarisht ose nën presion, zbulonin “sjelljen e keqe” të miqve dhe anëtarëve të familjes – u punësuan nga STAS-i në fund të vitit 1989. Çfarë i motivonte ata të mbështesnin regjimin e padrejtë? “Mund të ketë qenë ndjenja e pushtetit që ata e ushtronin mbi qeniet e tyre njerëzore. Por mund të ketë qenë edhe një traditë familjare, duke filluar nga prindërit e tyre e ndoshta edhe nga gjyshërit e tyre që kishin punuar tashmë”, thotë historiani Philipp Springer për DW. “Dhe pastaj, sigurisht, kishte premtime nga Ministria se do të ishte një punë interesante, se mund të ishit në gjendje të shkonit me detyra jashtë vendit. Në fund të fundit, ishte një punë e sigurt – edhe për njerëz që ndryshe nuk do ta kishin pasur një karrierë të tillë”.
Jeta e përditshme në Ministri
Për librin e tij “Die Hauptamtlichen” (Zyrtarët me kohë të plotë), Springer zbuloi fotografi të rralla nga Arkivi i Regjistrimeve të STAS-it që i paraqesin punonjësit në punë. Si oficerë mbikëqyrjeje, ata zakonisht nuk ishin para kamerës, por pas saj. Por, ideja e zakonshme e një jete emocionuese si agjent nuk përmbushet këtu. “Mund të kishit një jetë rudimentare si të James Bondit nëse do të ishit të vendosur jashtë vendit dhe do të spiunonit në mënyrë të fshehtë, si të thuash”, thotë Springer. “Nëse do të vendoseshit në RDGJ në zona që nuk ishin aq ngushtë të lidhura me spiunazhin e vërtetë, nuk do të ishte aspak emocionuese sa mund ta imagjinoni”, shton ai. Fotografitë në libër duken mjaft banale dhe të krijuara në mënyrë amatoreske. E shihni një burrë te fotokopjuesi, një tjetër te një tavolinë ose një grua që punon në kuzhinë. Ndonjëherë vetëm një dorë që shtrihet te një dollap arkivash ose këmbët e njeriut përpara një kanali të ngrohjes. “Sigurisht, këto janë zona që në shikim të parë duken krejtësisht normale dhe aspak emocionuese, por aq interesante dhe të mërzitshme sikur të punonit në një fabrikë diku”, thotë Springer. “Por, në fund të fundit, të gjithë këta punonjës me kohë të plotë kontribuonin për mbajtjen në punë të makinerisë. Ata, të gjithë, ishin pjesë e këtij sistemi dhe ishin të trajnuar politikisht dhe ideologjikisht për të kuptuar se roli i tyre ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për ruajtjen e socializmit në RDGJ dhe për mbrojtjen e tij nga armiqtë e supozuar të Perëndimit”, thotë ai.
“Kompania” dhe funksionimi
Jo të gjithë personat e paraqitur në fotografi mund të identifikoheshin me emër, nëse do të mundnin. Philipp Springer i ka siguruar biografitë e tyre. Një shembull është Togerja e Parë Elfi-Elke Mertens, babai i së cilës punonte për STAS-in. Edhe burri i saj ishte i punësuar atje. Ajo u lavdërua nga eprorët e saj për “angazhimin e jashtëzakonshëm” dhe “zellin” e saj, ajo ishte “e ndërgjegjshme dhe shumë e gatshme”. Në fakt, ajo ishte aq e gatshme sa premtoi të ndikonte te një e afërme e saj që donte të udhëtonte në Perëndim. “Unë dhe burri im do të flasim përsëri me të. Nëse [ajo] nuk është e gatshme të heqë dorë nga udhëtimi, ne do t’i ndërpresim lidhjet me të”, u premtoi Mertens eprorëve të saj. Mund të shihet edhe eprori Sylke Kindler. Ajo sugjeroi t’I vendosej një aparat fotografik në fund të shportës së pazarit, në mënyrë që të mund të fotografonte përreth pa u vënë re, përmes një vrime. Apo Gjeneralmajori ambicioz Horst Böhm, i cili ishte aq i përkushtuar ndaj regjimit sa që kreu vetëvrasje pas rënies së RDGJ-së. “Është e lejueshme të publikohen fotot dhe emrat e punonjësve të STAS-it me kohë të plotë, madje edhe ata që janë ende gjallë dhe që mund të kenë frikë për reputacionin e tyre”, thotë Springer. “Gjithmonë mendon: ‘Epo, kjo është një nga ato ‘Makineri të mëdha dhe të gjithë janë një ingranazh i vogël’”, thotë ai. “Por, në fund të fundit, këta janë të gjithë njerëz që vendosin pro ose kundër pjesëmarrjes në diçka të tillë dhe investojnë tërë jetën e tyre duke punuar për një aparat kaq të padrejtë. Dhe, sigurisht, ata duhet të përballen edhe me faktin se dosjet rreth tyre janë ruajtur”, thotë Springer.
Mësime nga padrejtësitë e së kaluarës
Fundi përfundimtar i shërbimit sekret të RDGJ-së erdhi në janar të vitit 1990. Mbijetuan më shumë se 111 kilometra dosje, 41 milionë skeda dhe mbi 1.7 milionë fotografi – si edhe gati 15,000 çanta me dosje të shkatërruara. “Shumë qytetarë të RDGJ-së kërkuan të kenë qasje në dosje. Ata donin të dinin se çfarë roli kishin luajtur miqtë ose familjarët e tyre. A ishin viktima apo autorë? Edhe sot ka shumë pyetje nga individë private”, thotë Springer. “Por, sipas mendimit tim, kjo duhet të luajë gjithashtu një rol të madh në nivel politik ose kombëtar, sepse padrejtësia u krye këtu nga një aparat i tërë. Është e rëndësishme ta mbajmë gjallë këtë kujtesë. Dhe, mendoj se edhe të rinjtë duhet të përballen me të në mënyrë që të kuptojnë se, në fund të fundit, kanë përgjegjësi për ta mbrojtur sistemin tonë demokratik”, thekson Springer./(DW)