Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Luftëtari nga Karbunari që ra në Qafën e Koçiut

(Në kuadrin e 105-vjetorit të Luftës së Vlorës 1920)

Karbunari shtrihet në disa kodra të mbjella me ullinj dhe pemë frutore. Në histori Karbunari është i shquar për pjesëmarrje në luftëra, por dhe në ndodhi të zhvilluara në fshat, si me Bimbash Arapin, apo dhe me marshallin e Italisë që luftoi me dy “firarë” në vitin 1915.

Kurdoherë pjesëmarrja e këtij populli në luftëra ka qenë masive. Në kryengritjet e Tanzimatit, luftëtarët e Karbunarit me në krye Zeqir Xhafaj morën pjesë në kryengritjet antiturke 1834 dhe 1847 në zonën e Mallakastrës dhe Beratit. Firma e Zeqo Xhafos është edhe në letrën e prijsave popullorë dërguar mbretit Otton të Greqisë ku kërkohej ndihmë për kryengritjen. Zeqiri dhe i biri, Dyrmishi ishin luftëtarë në vitet 1840-1850 në kryengritjen e Tafil Buzit, në Kuvendin e Sinjës, në luftimet e çetës së Karbunarit në përbërje të forcave kryengritës të Rrapo Hekalit më 24 korrik deri më 1 gusht 1847, në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare më 15 gusht 1847, etj.

Karbunarasit e përkrahën Pavarësinë e Shqipërisë më 1912, ku dukshëm u shfaq figura atdhetare e Ahmet Durmishit. Ky ishte i arsimura në Stamboll dhe mori pjesë dhe organizoi takime e kuvende në Karbunarë dhe krahinë. Ai ka shoqëruar Plakun e Vlorës brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në qeverinë e Vlorës kreu detyrën e zëvendësprefektit dhe të prefektit të parë të Vlorës deri në gusht 1913. Mori pjesë aktive në mbrojtjen e shtetit të sapo krijuar nga synimet greke dhe të armiqëve të brendshëm.

Gjatë zhvillimit të Luftës së Parë Botërore në Karbunar dhe rrethinat e tij u bënë punime fortifikuese të një rëndësie strategjike si fortifikime të shumta fushore, tunele, rrugë, etj. Komanda italiane ishte e pranishme aty me reparte të tëra ushtarake. Italianët dhe pse bënë arrestime e internime në Itali, nuk e përkulën shpirtin patriotik të këtij populli luftarak.

Një nga luftëtarët e çetës së Karbunarit ishte dhe Shefit Brahim Xhafaj. Ai kishte lindur në vitin 1888 në Karbunarë të Vlorës në një familje me tardita atdhetare. Babai, Brahimi ishte patriot dhe i dëgjohej fjala, pasi kishte marrë pjesë në luftërat dhe kuvendet e zhvilluara të kohës. Në këtë ambient dhe mjedis luftarak u rrit dhe u edukuar dhe Shefit Xhafaj. Ai ndoqi shkollën plotore në Berat, ndërsa në vitet 1907-1911 ishte ushtar në Manastir dhe në vitin 1912 u rreshtua në kryengritjen antiturke në Vlorë e Mallakastër. Ai e priti me indinjatë të thellë pushtimin Italian dhe si mjaft bashkëfshatarë të Karbunarit, ju përgjigj thirrjes së Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, mori armën dhe u rreshtua në radhët e luftëtarëve kundër pushtuesëve italianë në Luftën e Vlorës 1920.

Lufta e Parë Botërore edhe pse kishte përfunduar më 1918, ushtria italiane nuk ishte larguar nga Vlora dhe rrethinat e saj. Italia kishte synime afatgjata. Ajo donte të mbante me çdo kusht Sazanin, Vlorën me rrethinat deri në Tepelenë e Himarë. Në këto krahina kishte vendosur trupa nëpër garnizone të avancuara ushtarake si në Selenicë, Treblovë, Rexhepaj, Kotë, Drashovicë, Llogora, Zvërnec, Qafa e Koçiut, Matohasanaj, Risili etj.

Në këtë situatë, për të ngritur popullin në luftë dhe për të çliruar Vlorën, u bënë përpjekje të jashtëzakonshme nga patriotë të krahinës, midis të cilëve Ahmet Durmish Xhafaj, së bashku me atdhetarë të tjerë. Në Karbunarë, si një qendër e rëndësishme dhe me influencë shkoi dhe patrioti Osman Haxhiu për të organizuar e vënë në lëvizje energjitë njerëzore e materiale të këtij komuniteti në interes të luftës. Në saj të ndikimit, të punës dhe të kontributit të Ahmet Durmishit u gjet mirëkuptim dhe mbështetje e plotë.

Brenda një kohe të shkurtër u organizua çeta e fshatit me mbi 40 burra e djem. Në radhët e kësaj çete bënte pjesë dhe luftëtari Shefit Brahim Xhafaj. Komandant i saj u zgjodh Sherif Cenaj, njëri nga burrat e rrallë të fshatit, njeri me temperament e logjikë të hekurt, që gëzonte respekt dhe i zinte vend fjala, trim dhe me përvojë luftarake. Ai mori pjesë në Kuvendin e Barçallasë më 29 maj 1920, ku u zgjodh Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” dhe në Beun Këshilli i Luftës, si dhe u muarr vendimi të zhvillohej sulmi i përgjithshëm për çlirimin e Vlorës.

Luftëtarët i nxorën armët e fshehura, të tjerë u armatosën me çfarë mundën, sipas rrethanave dhe kushteve. Përveç këtyre janë edhe mjaft karbunaras të tjerë që kanë ndihmuar luftëtarët në llogoret e para, duke i furnizuar me ushqime, armatim, veshmbathje etj., që i siguronin si nga fshati e zona, edhe nga Berati e Mallakastra, prej nga i sillnin me karvane, popullata dhe prefekturat e këtyre krahinave. Me marrjen e sinjalit të caktuar, çeta u dërgua për të sulmuar postat italiane në Matohasanaj e Sinanaj, pastaj, bazuar në planin e shtabit të luftës iu dha detyra të veprojë në zonën e Risilisë. Për ditë të tëra u sulmuan postat dhe pikëmbeshtetjet e fortifikuara italiane.

Çeta e Karbunarit në luftë për marrjen e Qafës së Koçiut bërë “bytym mitraloza me topa”, u gjend në sulm para portave të garnizonit italian në Risili. Qafa e Koçiut ishte tepër e fortifikuar dhe e blinduar. Në sulmin e 11 qershorit çeta e Karbunarit tregoi trimëri, duke qenë të ballë të luftimeve. Ndërsa në Majë Vreshtave të Mëdha më 16 qershor 1920, me sulme e kundërsulme, nuk u tërhoq nga pozicioni i parë. Në ballin e luftës, luftëtarëve ju gjendën pranë Osman Haxhiu dhe mjaft anëtarë të Komitetit, të cilët u jepnin kurajo luftëtarëve mes predhave të artilerisë së pushtuesit italianë. Pushtuesi po rezistonte për vdekje.

Shefit Xhafaj, Muhamet Cenaj e Brahim Zotaj kishin avancuar aq pranë vijës së mbrojtjes italiane në Gropën e Derrit, sa që nga llogoret armike dëgjoheshin edhe sharjet e mallkimet italisht. Luftëtarët nuk shihnin nga vinin plumbat, por me atë vendosmërinë e trimave që u hipën gjaku në kokë, ia hidhnin njera pas tjetrës granatat armikut, disa prej të cilave ata ua kthenin prapë. Kjo “lojë” vazhdoi minuta të tëra. Në një moment, njëra prej tyre plasi në dorën e Shefit Xhafaj. Në këtë moment u plagosën edhe Muhamet Cenaj e Sabri Veizaj, bashkëluftëtarë të çetës së Karbunarit.

Kënga popullore thotë: “Pa pyesni Telo Haxhinë:/ Ku e pa Shefit Brahimnë?/ Bombë e shkret i mori shpirtnë,/ Në Gropë të Derrit u vërvinë,/ nëpër flakë e nëpër tym”. Në këtë luftë të ashpër u vranë shumë, e midis tyre nga Karbunari ranë dhe luftëtarët Shefit Xhafaj dhe Ismail Serjan Dervishaj.

Shefit Xhafaj kishte një vit i martuar dhe në mars 1920 i lindi një vajzë. Me rënien në luftë, vajza Sibja ishte vetëm 3 muajshe. Atë e rriti dhe e edukoi xhaxhai, Bexho i cili gjatë gjithë jetës u interesua në maksimum, duke e martuar me Hiqmet Zotaj në vitin 1940 në Ramicë të Vlorës.

Shefit Brahim Xhafaj është shpallur dëshmor i atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Vlorës, nr. 33, datë 27.06.1974. Emri i tij gjendet i gdhendur në lapidarin e Karbunarit të ngritur në kujtim të Dëshmorëve të fshatit, të Luftës së Vlorës 1920 dhe të LANÇ-it. Varri i tij gjendet në varrezat e Dëshorëve të Atdheut në Vlorë. Ai është i nderuar dhe i pavdekshëm në kujtesën e popullit të vet, shembull i burrërisë, përkushtimit dhe sakrificës në shërbim të lirisë kombëtare.