“Gjyqtari më i mirë në botë” ndërron jetë në moshën 88-vjeçare
Gjyqtari amerikan dhe ylli i mediave sociale, Frank Caprio, ka vdekur në moshën 88-vjeçare, kanë bërë të ditur familjarët e tij, raporton BBC.
Vdekja e tij, pas një diagnoze me kancer në pankreas, u njoftua në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku ai u përkujtua për “ngrohtësinë” dhe “besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve”.
David Caprio, djali i tij, falënderoi fansat për dashurinë dhe përkrahjen dhe i nxiti njerëzit të “përhapin pak mirësi” në kujtim të babait të tij.
I dashur për dhembshurinë dhe humorin në sallën e gjyqit, videot e gjyqtarit Caprio duke kryesuar rastet në emisionin e tij të suksesshëm Caught in Providence kanë pasur miliarda shikime në rrjete sociale, duke i fituar atij titullin “gjyqtari më i mirë në botë”.
Në një deklaratë në Instagram për 3.4 milionë ndjekësit e tij, gjyqtari Caprio u përkujtua për “veprat pafund të mirësisë që ai frymëzoi”.
“Ngrohtësia, humori dhe mirësia e tij lanë një gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njohën”- thuhej në deklaratë.
Gjyqtari Caprio kishte kryesuar mijëra raste në qytetin e tij të lindjes, Providence, Rhode Island, përpara se të niste një karrierë televizive.
Kompania pas Caught in Providence, Debmar-Mercury, i bëri homazh gjyqtarit Caprio për “markën e tij unike të dhembshurisë dhe qasjes me sens të shëndoshë”.
“Do të na mungojë shumë”- thanë në një deklaratë bashkë-presidentët Mort Marcus dhe Ira Bernstein.
Gjatë transmetimit të tij, Caught in Providence u nominua për tre çmime Daytime Emmy, me gjyqtarin Caprio që fitoi dy nominime personale vitin e kaluar.
Stili i tij karakteristik në gjykatë prodhoi klipe virale që varionin nga ftesat e fëmijëve për të qëndruar me të pas bankës së gjykatës, deri te shpallja e një lodre “mini-gjyqtar” në formën e tij.
Një video në TikTok që tregonte rutinën e tij të mëngjesit, larja e dhëmbëve, nënshkrimi i librit të tij dhe shikimi i videove të emisionit të tij, ka pasur mbi 5 milionë shikime.
Në një intervistë të vitit 2019, gjyqtari Caprio tha se seancat e tij gjyqësore “tregojnë një copëz të jetës në Rhode Island që është shumë interesante dhe pasqyron të njëjtat çështje që njerëzit po përjetojnë në mbarë vendin”.
Pas diagnostikimit me kancer në pankreas në vitin 2023, gjyqtari Caprio tha se ishte “plotësisht i përgatitur të luftojë sa më shumë që mundet” dhe falënderoi ndjekësit për mbështetjen.
Në njërin nga postimet e tij të fundit në rrjete sociale, gjyqtari Caprio njoftoi se ishte rikthyer në spital pas një “pengese” në trajtimin e tij dhe kërkoi lutjet e ndjekësve.
Gjyqtari Caprio lë pas bashkëshorten, Joyce Caprio, me të cilën ishte i martuar për gati 60 vjet, pesë fëmijët e tyre, shtatë nipër e mbesa dhe dy stërnipër.