Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Libri “Gjethi i memories” i shkrimtarit Eqerem H. Canaj
Libri dhuratë në ditën e festës
Në ditën e festimit të 105-vjetorit të përfundimit të Luftës së Vlorës, në një Akademi Historike të organizuar nga Bashkia e Selenicës, shkrimtari Eqerem H. Canaj që ishte i ftuar, më dhuroi librin “Gjethi i memories”.
Shkrimtari Eqerem H. Canaj ka lindur në shkurt të vitit 1944 në fshatin Mesaplik, Vlorë. Mësimet e para i mori në vendlindje, shtatëvjeçaren e kreu në Vlorë-Skelë. Më tej ka mbaruar shkollën pedagogjike dyvjeçare në Tiranë, si dhe pedagogjiken “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi në Tiranë në vitin 1975. Ka shërbyer në arsim për 46 vjet, mësues, drejtor shkolle në fshatin Mesaplik, si dhe mësues në qytetin e Vlorës. Është marrë me krijimtari letrare që prej vitit 1976 e në vazhdim. Nga Federata e Paqes Universale i është akorduar titulli “Ambasador” i Paqes Universale.
Libri “Gjethi i memories” është një prozë e shkurtër shqiptare, ku autori shtjellon këndshëm ngjarje historike, ndodhi të ndodhura në luftë dhe në punë në jetën e përditshme të çdo shqiptari. Është një libër që nëpërmjet një eseje dhe 49 tregimeve të shkurtër jepet një histori e tërë e ngulitur në breza. Libri është shkruar me një gjuhë të pastër shqipe, me një fjali të thjeshtë e të qartë, si dhe me një përdorim të gjerë të togfjalëshit e të tabanit popullor.
Fytyra e autorit ngelet në Smokthinë
Në esenë e vetme “Fytyra ime”, autori i ka bërë një përshkrim historik dhe të këngës që vjen nga zemrat smokthinjote në shekuj “Pesëqind shtëpi, Smokthinë”… kënga thekson autori është më e lashtë se vet ajo. Por ajo ngrihet si mali Tartar në historinë dhe kulturën e lashtë të këtij populli, brenda një trevë malore. Bashkësia e katër fshatrave (Ramicë, Matogjin, Bashaj dhe Shalëz-Mesaplik) me ndërlidhje fisnore, gjinië e kulturë të njëjtë, krenare e kapedane…të nxisin diçka më tej përtej kufijeve të njohjes.
Gazetari që do shkruante për këtë krahinë të stërralltë, kishte studiuar në bibliotekën e tij ato libra dhe shënime që bënin fjalë për vendlindjen. Me këto dije kishte mbritur në portat e Ramicës dhe kishte dalë në majë tek përralli dhe po sodiste këtë grumbull shtëpish si çerdhe thëllëzash ishte ndalur para portës së Zoto Mahmutit (sot pa frymorë), por të dëgjuar për histori, autokton, të lënë gjurmë lashtësie në krahinë…
Autori bën përshkrimin e emrit “Smokthinë”, në pikën e vrojtimit në Ramicë, ku dikur ishte një xhami, si dhe solli vargjet e këngëve “Moj teqeja në Smokthinë, më març hakën o Alla… dhe një këngë tjetër “Pleqtë ç’e lidhën tertimnë, në xhami atje te rrinë, të mbrojmë Mesaplignë”.
Autori bën një përshkim të burrave kapedenë si Cane Miftari, Dule Zoto e Haxhi Hoxha, flet për kalatë Cerje, Markovicë dhe Boder, për mozaik e kisha, për këngëtarin Qazim Ademi dhe shkrimtarin Shefqet Musaraj.
Shkruan për histori të luftërave, për njerëz historike si Gilo Lame, Hasan Abedini, Velo Malaj, Novruz Dervishi, Agim Ruka, Pirro Hodo, Prof. Eshref Ymeri, Kujtim Meçe, etj. Përshkruan lagjen Hysaj, përrallin e Verbasit, Matogjinin e Këngës, Bashaj e Qeriba Derrit dhe Mesaplikun e Zigur Lelos, por dhe të trimërisë, të luleve dhe të begatisë… autori largohet nga krahina me këngën e zogjve, me dashurinë dhe krenarinë e vendlindjes, shkurt siç thekson ai “fytyra ime”.
Dukuritë kryesore që shfaqen në libër
Dukuria kryesore e këtij libri specifik është se ndodhitë dhe ngjarjet historike i përshkruan deri në thellësi të mendimit, por dhe të një përshkrimi mjaft të detajuar që nuk të mërzit, por të fut në detaje dhe lexuesi e zhvillon vetë mendimin…
Janë katër tregime që flasin për njerëz historik të cilët autori i ka prurë dhe vendosur në kontekstin e kohës. Tek tregimi “shtëpia e Mandelës” autori ndodhin e zhvillon në qytetin e Ullirit, karakteristikë e tregimeve të tij, pasi qyteteve u vendos emra si qyteti i Ullirit, qyteti i Portokalleve, qyteti i Palmave, qyteti i Luleve, qyteti i Vdektarëve, etj. Tregimi siç shprehet autori ja kushton Petrit Velaj, i burgosuri politik, ku “Mandela” kishte dalë në luftë për çlirimin e Tiranës. Në tregimin “Një natë me Arapin”, fjala për poetin vlonjat Fatos Arapi, ku mbi të vdekurin u derdhën një stok librash… ndërsa në tregimin “Bardët” shkrimtarit iu kujtuan miqtë e Tiranës: Kris dhe Sh, çiftin e pleqve, të cilët i mbante për bardet e Kryeqytetit. Kristianth dhe Shaqo, ishin prindrit e kompozitorit Kastrit Gjini, vdekur para kohe. Në tregimin “Poeti i Shushicës” ka bërë kushtrim për poetin lirik Hiqmet Mehmeti, i thirrur në publik me pseudonimin e farëkotit “Poeti i rrushkuqeve”.
Dukuria e dytë dhe më madhështore është se në të gjitha tregimet kemi mjaft fjalë dhe togë fjalësh, që është një tipar i dallueshëm i tregimeve, por dhe i romaneve të këtij shkrimtari disi të “egër” dhe ngulmues pas fjalës së gjatë. Vetëm në një tregim si në tregimin “Një natë me Arapin” gjejmë bashkime fjalësh si: gjysmëvdekjen, rrugëmbarën, kokështëllungu, bashkëhallexhinj, shpirtmirë, truprrumbull, fijekashte, majëmalet, etj.
Dukuria e tretë është se autori mjaft tregime i ka me problematika të kohës dhe të tranzicionit, por dhe historike dhe ngjarje reale të ndodhura sidomos në qytetin e Vlorës, por dhe në Lumin e Vlorës e më tej. Një trajtim i problemeve të ndryshimit të sistemit dhe të trazicionit është tregimi “Belita”, e cila pësoi një fat tragjik…në tregimin “Kuitesenca”, na shpie tek rrepet e Mesapit, kanë mbetur rrapi i Kuvendeve, ku është vendosur për fatet e krahinës dhe të vendit. Ndërsa në tregimin “Zemër nëne” autori shtjellon gjëmimin e topave në kuotën 64, ku luhej finalja, marrja e garnizonit të Kotës, rënien e Zigur Lelos dhe vargu i përmotshëm, seriozë, pa qarje e lebetitje, me lotë, i mori pas. Në tregimin “Plus një” na çon në Greshicë të Mallakastrës, ku te varret e labëve u hap një grope e re, ku një të panjohuri, mbi pllakën e qivurit ju shkrua “plus një”. Në tregimin “Nëna e Vranit” autori bie në kujtesë një ngjarje të ndodhur në shkurtin e vitit 1944, ku një nënë merr të birin të vrarë, e ngarkon druvaçe dhe çon në shtëpinë e tij. Ndërsa në tregimin “Babai”, sjell një ngjarje, ku një nënë mban në një valixhe dokumentat e burrit të dënuar. Këtë ngjarje e kam hasur në valixhen e një veteran nga Ramica i cili kishte ruajtur si gjënë më të shtrenjtë dokumenta nga lufta dhe pasçlirimit të vendit. Tregimi “Erveheja” sjell në vëmendje një partizane e cila për të mos rënë në dorë të gjermanëve hidhet nga shkëmbi, për të ruajtur mesazhin që kishte për në komandë… ngjarje të luftës ndeshim në tregimet “Shqiponja e Këndervicës”, ndërsa në tregimin “Këngëvaji i mësuesit” jepet një ngjarje nga vajtimi i një mësuesi i cili për këngëzezën ngeli i vetmuar, kështu vazhdohet dhe në tregimet e tjerë të këtij vëllimi. Autori nëpërmjet tregimeve ka arritur të realizojë një vepër të kohës dhe të denjë nga ana artistike, por dhe me një tematikë të gjerë dhe të prurë në kohë.
Një përshkrim i thellë dhe me detaje në tregimin “Gjethi i memories”
Në tregimin e 49-të të librit autori bën një përmbledhje të ngjarjeve të zhvilluara dhe i përcakton ato si gjethe të memories. Ai futet në detaje dhe përshkruan me imtësi çdo ngjarje dhe e zbërthen atë nga ana artistike dhe të dukurive rreth ngjarjes. Po sjellim një fragment nga ky tregim…
…Që çështja e asaj dore të gjelbër mbi portë: dora cung me gishta drejtim dheut. Porta ngjyrë bizhdollani, gërvimat e menteshave të ndryshkura, dhe lodërtimi marramendës i atyre gishtave të gjelbër brenda kafkës trurore, gjithë sikleti e mania përhumbëse, gjithçka. Ndërsa përshkonte radhën ngatërrimtare të dyqaneve kah të dyja anët e rrugës, e vetmja gjë, po aq ngatërri, përthithja e vështrimit në çkangjasinë e zakontë e të beftë, po ashtu nga përbrenda qelqurinave, teksa po e rrufisnin hera-herës, madje gjer në bezdi, moria e kukullave, sikur të vetmet po sundonin në atë qytet heshtak e vjeshtak. Kukulla brenda qelqurinave, njëra më e bukur se tjetra e të shpifura po aq: të zeza, të bardha, të verdha, lakuriq, gjysmëlakurią, me lulkëmorinë e veshjeve, nga më të thjeshtat deri në ato më ekstravagantet.
Vuri re se para tij po ecte një vajzë, ndër thëllezat e Qytetit të Portokallive. Ajo duhej të ishte, ndoshta asish nga lloji i kukullave, që e thërritnin që nga brenda qelqurinave e që shitësit i quanin “Manekinë”. Kështu, vajza në fjalë, ia vrau veshët atij, me trokun e këpucëve, disi ritmik, si një lodërtim gazthi e bezdisës njëkohësisht. Dhe, po aq, ia përndezi sërish lodërtimin e atyre gishtave të gjelbër, që kërcenin marrëzi. Ndërkaq, e ngadalësoi hapin vetjak ta shihte më mirë atë dhe të zhbënte trushë lulkëmorinë e kukullave Brenda qelqurinave, ndaj së cilave po bëhej gati t’u niste një dorë sharje me lyrim fjalësh.
Libri mbi bazën e tematikës së gjerë që trajton lexohet rrjedhshëm dhe të fut në një botë që të mendosh dhe të zhvillosh ndodhinë e ngjarjes…libri është shkruar me fantazi dhe çdo tregim paraqet një ngjarje që autori i ka kushtuar shumë vëmendje në përshkrimin e saj…