Cikël poetik nga Ruzhdi Gole
GJETH’
Hyri tetori, s’ndjeva asgjë…
një tjetër
antenë
kori
Jeta e të gjorëve mrrol gjethëzë.
Shkëmbi ku ngrihet, ku prehet
e lusin t’ulet a për njerëz lutet,
shkurret e reve bien honeve
buzagazi plot degë
blatohet lundrave.
Fari… sy në kodër
retinë e gjelbër
asnjëherë
plogët.
Hyri tetori…
ndjeva paksa
tutje çdo kori.
MBRËMËSORE
Ora 23.49′ –
Uji nxiton të shplajë peshqit, rrjetat dhe grepat
tek syri i gjakut
të shplajë të treturin
tej nga tiset
nga grafullimat e thukëta.
Lulishtja pi ujë të freskët,
suita mbretërore
përplas shputat
buzë saj
rruga mbrëmësore
luan orkestër.
Plot qëndisma
dritat në libra,
vezullojnë shpirtrat.
Shoh akrepat
rropama të shpejta.
Fle, zgjohem vëmendshëm,
me botën dhe peshqit
me brambullimet
gënjeshtrën.
Gjer shtegut tjetër
mos më lëntë
jetëurta,
do ta ndjej të treturin
krahë freskët
do t’i gjej
fluturat?!
TEJ FANTAZIA
Jetëgjatë taksat
të hollat të vyshkura,
e varfëra në rrashtë të therr
mjerimi funebër, fsheh gunga.
Lypja
shumë e hidhur
mendjelehtë
edhe në gjumë zgjat dorën, të tret.
Varfëria vesh zharkat e thëllimit
mbufatur duart e saj pis pastra,
lëndohet e lëngon frikshëm
hutim i prangosur, qeli
e prangosur
pa pranga.
Fantazia më duhet për të shkruar?
Uria u afrohet të vetëve urtëbutë
me mjekër të mpleksur mundi
gjen njeriun e vdekur
në gjumin hajdut.
Ç’më duhet fantazia me ngrica?…
KOLLË DHE RROTË
Shpresojmë të dukemi fytyrë plot
ligësia të na ik’ nga sytë këmbët,
të rrojmë jo shputë e rrotë
por ujëvarë
ujëvrarë
ëmbëlt.
Të rrojmë paksa kapit shplodhur,
me gishtat që nuk shkruajnë
vjersha për hanxhiun
për festivalin
pa melodi e shtrojë
as për manikyrin
as për kollën.
Shpresojmë të rrojmë
më pak gënjeshtra që qeshin
më pak të qeshura që gënjejnë
për hir të bustit, medaljes, trollit,
vetëm t’vdekurit janë të sinqertë
kur u afrohemi ata na ndjejnë
shplodhen, na shplodhin.
Shpresojmë që shpresa
mos na gjejë thatanikë,
shpresojmë të rrojmë
mbi tehe të ngrohtë,
ende na duhet rrota
për botën që ecën
thatime e pashme
me pa kozmetikë,
tullace me flokë.
PRAPTHI, PARA
Vishemi
për t’u xhveshur shpejti,
pëshpërima flladi
gjithçkaje
deshëm
jo zëra bore
rrethuar
nga thileja e tjetrit.
Po tjetri askundi
nuk duket
s’pikon
heje,
shohim qartë kur shohim turbullti
cipën e lëkurës
fe tej feje.
Përshpirtje flladi në të terrët
biem butë prapthi para
për gjithçka deshëm.
Lulëzojmë nga gjembi
të tjerët pa i përgjak’,
Ne nga dega e re
e verëvjeshtës
mbarëprapthi
jo mbrapsht.
MOJ… ME PENG
Ooo,
nxito, nxito, nxito…
të mos mbash peng
arkivolin e natës përdore…
shkëmbi ikën nga kjo llohë.
Llohë fluturon e ngrata
gishta dorakëmbësh,
ngjethjet aq të reja
aq të mpakura
në pëllëmbën time
kjo hënëz.
Moj e bukura e natës
nxito, nxito, nxito …
mos të të venë
stërkëmbësh
mos të të
përmbys
kjo llohë.
GRACKA
Shpresoj të rroj vreshtazi vjeç,
s’i dihet kur shterr pikë athët,
në motin tjetër më thatim
veç brisk e pa krehër
hidhërimi mundet
diku t’më shtjerr
tragjiko-komik
ngadalshëm.
Mesnata sonte
do ta kapërcej
grackën?!