Albspirit

Media/News/Publishing

25 vjet pas rënies së Millosheviçit, Evropa duhet të mbrojë drejtësinë ndërkombëtare

Nga Steve Crawshaw

 

Si këtë muaj njëzetë e pesë vjet më parë, pata privilegjin të qëndroja mes turmave në qendër të Beogradit, ndërsa udhëheqësi serb Sllobodan Millosheviç më në fund u detyrua të tërhiqej nga vetë populli i tij. Për shumëkënd, sundimi i Millosheviçit dukej i paprekshëm. Por parulla e protestuesve ishte e saktë: Gotov je – “Mori fund”.

Edhe kur u dorëzua përballë protestave mbarëkombëtare kundër pretendimeve të tij të rreme se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar, Millosheviçi këmbënguli se do të rikthehej së shpejti. Në vend të kësaj, tetë muaj pas rënies së tij, një qeveri e re serbe e dërgoi ish-presidentin e vendit me aeroplan në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, në Hagë.

Millosheviçi vdiq pas hekurave, drejt fundit të një gjyqi për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, para se të jepej një vendim. Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti ushtarak Ratko Mlladiç, si edhe të dyshuar të tjerë për krime lufte, u dorëzuan gjithashtu në Hagë; Karaxhiçi dhe Mlladiçi po vuajnë aktualisht dënime me burgim të përjetshëm, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë më 1995.

Vetëm pak vite më herët, asgjë nga kjo nuk do të dukej e mundur. Kur e takova Millosheviçin në 1992, menjëherë pas fillimit të luftës në Bosnje, ai shprehu habi për sugjerimin tim se një ditë mund të përfundonte para një gjykate për krime lufte. Ai më shpjegoi se ishte “për paqe”. Edhe unë, në atë kohë, isha i bindur se një ditë e tillë nuk do të vinte kurrë – pyetjen e bëra vetëm sepse ideja e një gjykate të tillë kishte filluar të diskutohej.

Gati gjysmë shekulli pas ndjekjes penale të udhëheqësve nazistë për krimet e tyre në Nuremberg, ato gjyqe dukeshin si një pikë e vetmuar kulmore në betejën për drejtësi ndërkombëtare.

Konventa për Gjenocidin e vitit 1948 fliste për nevojën për të “parandaluar dhe ndëshkuar” gjenocidin. Në realitet, megjithatë, nuk kishte një forum ku ndëshkimi i premtuar të bëhej real. Në këtë drejtim, llogaridhënia për krimet e kryera nga Millosheviçi dhe të tjerë në ish-Jugosllavinë që po shpërbëhej, shënoi fillimin e një ndryshimi historik.

Ruanda, Darfuri, Siria…

E krijuar në vitin 1993, GJPNJ-ja hapi portat për një varg nismash të reja, të pamendueshme deri atëherë.

Në vitin 1994, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara krijoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ruandën, për të ndjekur penalisht gjenocidin e atij vendi, të cilin vetë Këshilli i Sigurimit, vetëm pak muaj më parë, dukej aq i vendosur për ta injoruar.

Katër vjet më vonë, ish-diktatori kilian, gjenerali Augusto Pinochet, u arrestua gjatë një vizite në Londër. Arrestimi i tij ndodhi menjëherë pasi qeveritë në Romë kishin rënë dakord të krijonin një gjykatë penale ndërkombëtare, të autorizuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet më të rënda kudo në botë.

Disa idealistë të palodhur kishin bërë presion për një gjykatë të tillë që nga Nurembergu. Kërkesat e tyre ishin parë prej kohësh si joreale; personazhe si ish-prokurori i Nurembergut, Ben Ferencz, e përshkruanin veten (dhe përshkruheshin nga të tjerët) si “figura të Don Kishotit”. Tani, gjithçka kishte ndryshuar. Krijimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), në vitin 2002, dukej se jepte arsye për një shpresë të paprecedentë.

Presidenti George W. Bush dhe ekipi i tij bënë gjithçka për ta mbytur gjykatën që në lindje dhe kërcënuan të pushtonin Holandën nëse ndonjë ushtar amerikan arrestohej për krime të dyshuara. Por edhe administrata Bush lejoi që vrasjet masive në Darfur, Sudan, të referoheshin në Hagë në vitin 2005.

Dështimet e drejtësisë dukeshin se vazhdonin në aspekte të tjera, sidomos me vrasjet masive të qindra mijëra civilëve në luftën e Sirisë që filloi në vitin 2011. Për shkak të vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit, presidenti Bashar al-Assad dukej i sigurt. Megjithatë, edhe në kontekstin e Sirisë pati disa lëvizje.

Duke ndjekur parimin e “juridiksionit universal”, i cili kishte mundësuar arrestimin e Pinochet-it dy dekada më parë, një torturues i lartë i regjimit të Assad-it u arrestua dhe u dënua në Gjermani; ka pasur edhe raste të tjera të ngjashme në Evropë dhe në mbarë botën.

Drejtësia duhet mbrojtur

Kur fillova të shkruaj librin tim mbi krimet e luftës dhe drejtësinë tre vjet më parë, pak nga ata me të cilët fola gjatë udhëtimeve të mia në Ukrainë besonin se krimet e Buçës, Mariupolit dhe Iziumit do të sillnin ndonjëherë lëshimin e një urdhër-arresti për presidentin e Rusisë, një vend që është, në fund të fundit, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit.

E megjithatë, në vitin 2023 Vladimir Putin u bë i pandehur ndërkombëtarisht për krime lufte. Ai është detyruar të anulojë planet për të udhëtuar në Afrikën e Jugut dhe, më vonë, në Brazil, për të shmangur rrezikun e arrestimit.

Edhe më e jashtëzakonshme ishte lëshimi i një urdhër-arresti për kryeministrin e aleatit më të ngushtë të Amerikës. Nuk mbaj mend se sa njerëz të mirëinformuar më thanë se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Megjithatë, në vitin 2024, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe atëherë ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant, si edhe për udhëheqësit e Hamasit për mizoritë e 7 tetorit 2023.

Këto urdhër-arreste u kërkuan pasi prokurori mori këshilla nga një panel ekspertësh, përfshirë një ish-ambasador të lartë izraelit. Një panel gjyqtarësh mori gjashtë muaj kohë përpara se të miratonte unanimisht kërkesën.

Duke pasur parasysh përmasat e krimeve që duket se janë kryer haptazi – ato që një Komision Hetimor i OKB-së, organizata izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem dhe shumë të tjerë i kanë përshkruar ndërkohë si gjenocid – ishte e vështirë të sfidohej logjika e gjykatës.

Megjithatë, pak qeveri evropiane kanë qenë të gatshme të mbështesin aktakuzat për krime kundër njerëzimit. Gjermania, Franca dhe të tjera, të cilat lavdëruan urdhër-arrestin e mëparshëm për Putin-in, kanë nxjerrë të gjitha justifikime për të mos e arrestuar Netanyahu-n nëse ai do të vizitonte vendet e tyre.

Ashtu si Netanyahu, edhe Trump nuk e fsheh urrejtjen e tij për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) dhe mundësinë e llogaridhënies për krime lufte. Në shtator, ai madje sanksionoi tre organizata palestineze, “faji” i vetëm i të cilave ishte dokumentimi i krimeve të të tjerëve. Zyrtarët e GJPN-së, ndërkohë, janë përballur me shantazhe dhe kërcënime për vdekje. Policia holandeze i tha avokatit kryesor të gjykatës se duhej të vendoste një derë antiplumb dhe të vendoste hekur në dritaret e çatisë.

Siç ka vënë në dukje presidenti japonez i GJPN-së, ky është një moment ekzistencial, duke pasur parasysh shkallën e kërcënimeve Trump-Netanyahu me të cilat përballet tani gjykata, dhe ndëshkimet e mundshme për ata që guxojnë të bashkëpunojnë me GJPN-në ose ta mbështesin atë financiarisht.

Megjithatë, qeveritë nuk mund të përballojnë të mos ngrihen kundër këtyre kërcënimeve të rënda ndaj vetë sundimit të ligjit. Siç më theksoi avokati izraelit i të drejtave të njeriut, Michael Sfard, kur e takova në Tel Aviv vitin e kaluar: një dështim ose refuzim për t’iu qëndruar besnik vlerave themelore të gjykatës mund vetëm ta dobësojë ose ta shkatërrojë atë.

Prokurorët dhe gjyqtarët e GJPN-së kanë treguar guxim në gatishmërinë e tyre për të ngritur aktakuza edhe kundër liderëve më të fuqishëm, në përputhje me “peshoren e ekuilibruar” të Zonjës Drejtësi.

Por, në një situatë ku një president amerikan duket më i qetë të bëjë biznes me kriminelë lufte sesa me udhëheqës demokratikë, gjykata nuk mund të qëndrojë vetëm.

Qeveritë evropiane që ndihmuan në krijimin e gjykatës duhet gjithashtu ta bëjnë të qartë se drejtësia duhet mbrojtur.

Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare në Nuremberg dhe gjykata e Jugosllavisë në Hagë luajtën të dyja role historike, duke treguar se si ata që kanë kryer krimet më të rënda mund të mbahen tani përgjegjës.

Një çerek shekulli pas rënies së Millosheviçit dhe dorëzimit të tij në Hagë, këto mësime nuk duhet të braktisen.

Steve Crawshaw është autor i Prosecuting the Powerful: War Crimes and the Battle for Justice, i cili këtë muaj do të jetë edhe në gjermanisht dhe në polonisht. Ai është një ish-redaktor për Evropën Lindore në The Independent dhe anëtar i Bordit të BIRN.