Sadik Bejko: Poezia që vjen nga Valbona, Bujana Malaj
Kam lexuar krijimet e shumë poetëve nga kjo trevë e Valbonës. Vijnë me vitalitetin e plotë të një romantike që ka mbetur e gjallë në kujtesë, në një kujtesë që si në pus të çon, të zbret te porositë që vijnë nga baladat, legjendat, nga nina-nanat, nga një jetë baritore ku trimat janë si kreshnikët, vajzat si zanat e burrat si kuvendarët e moteve të shkuara.
Me të vërtet, mund të bësh pyetjet, pse vijnë dhe poezi të ngjashme me traditën orale, krahas poezisë së poetëve të gjuhës poetike bashkëkohore që janë të shumtë për një trevë kaq të ngushtë tokash, bjeshkësh, ujërash Tropoje… hapësirë sa një grusht vend do të thoshe…?
Më poshtë do të them një përgjigje që mbase nuk shteret me atë që malësori krenar i këtyre anëve nuk do të jetë anonim. As me atë që ne një a dy breza na ndajnë nga traditat patriarkale të bjeshkëve rurale. Një traditë e oralitetit, ose me mjetet e oralitetit, një oralitet që rend të kthehet, por tashmë i shndërruar në libra.
Po të mbetej në arealin e saj, si dikur, po të këndohej me çifteli a sharki, do të kërkonte dhe oden që të mblidhej përqark. Ndryshe kënga nuk bëhet për t’u kënduar e dëgjuar vetëm.
Kjo, që të këndosh vetëm, është traditë tjetër, e shkrimit, e atyre që e varrosin poezinë e tyre në libër dhe e hedhin në treg, të humbasë si gjilpëra në kashtë.
Prandaj librat e autorëve nga territoret e oralitetit duan dhe festën e librit. Pastaj librin e dhurojnë ndër miq. Kjo të jetë arsyeja e festave të bukura të librit që bëhen nga autorët që vijnë nga poezia e sotme e shkruar si vazhdim i kulturës së oralitetit?
Arsyet mund të jenë dhe më të gjera, dikur bërja e një libri ishte gati monopol shtetëror.
Shteti jepte lejën, shteti në entet e tij botuese e botonte e publikonte, gati e përvetësonte librin tënd.
Libri ishte fuqi, pushtet jashtë teje. Tani pushtetin të bësh libra, t’i publikosh, e kemi në dorë dhe unë e ke edhe ti, të gjithë. Tani libri dhe në mos u bëftë i të tjerëve, e zotëron ti, është i yti.
Kam shkuar në Tropojë, jam gdhirë në ajrin e saj, jam ngrysur nën hënën që shpejt e marrin dhe e fshehin në shpatullat e tyre majat e Shkëlzenit, kam pirë kafen me Hamit Aliajn, me Hasan Selimin, me Zenunin, kemi sjellë në mendje poezinë e kaq shumë emrave, të trevës.
Në një udhëtim me traget përmes liqenit të Fierzës pashë një vajzë Tropoje të veshur nuse, me kokën mes dy duarve. Ishte kaq e trishtuar… Kur pyeta pse?… Dikush me egërsi shprehjeje më tha: ajo duhet të gëzojë që po largohet nga varfëria, nga puna pa asnjë fitim në tokat e fshatit. Asaj i është hapur dera e fatit dhe, kudo që të shkojë, ka për të qenë më mirë sesa deri më tani.
Por mund të pyesësh: a nuk është dramatik një largim prej urisë nga vendi yt? Një largim i dhunshëm.
Çikat e çunat e Tropojës, të Kukësit, të Tepelenës janë larguar nga ato vende që dikur i përkundën, u kënduan nina-nanën, ua rritën shtatin me lëngun e tokës e të ujit që rrit lajthitë, thanat, gështenjat.
Largimi nga kjo trashëgimi, kthyerja e shpinës ndaj saj e kërkon një shpagë. Ky është malli i kthimit. I kthimit te zanafillat, te e pamundura.
Këtë mund ta bëjë vetëm poezia. Ky është çelësi magjik që ka në duar Bujana Malaj. Në këngët e Bujana Malajt që tani jeton në Londër, ka ndodhur ky process, përtëritja nëpërmjet poezisë e vendlindjes, e traditave, e një jete që ka perënduar.
Bujana Malaj nuk ka shkruar poezi më parë. Por tashmë ajo i ka provuar vetes dhe të tjerëve se e paska të lindur aftësinë për të “kënduar” si rapsode gjithë temat që poezia orale e trevës së saj i ka trajtuar ndër mote. Ajo i këndon vendlindjes, bjeshkëve, Valbonës, kullave, gurëve e drurëve, ajo i këndon mallit që të tretet, u këndon virtyteve shqiptare, malësore që të krenojnë e të çojnë peshë.
Poezia e saj ka rrjedhën monokolonë të baladës dhe të epiko-lirikës së traditës orale. Ajo sjell me befasi situata të së shkuarës që zgjohen e marrin jetë nga mungesa.
Mërgimi i bën më të gjalla e më të bukura këto motive të së shkuarës.
Në tërësinë e saj, kjo është një poezi e shëndetshme, e shtjelluar lirshëm në një gjuhë që është në të folmen e krahinës nga ajo vjen. Gjuhë plot me përthyerje tingujsh dhe idiomash të gegërishtes, të fjalës ashtu siç ia ka thënë nëna e si është folur në odën e burrave e në lojërat me çikat te bjeshka e te vërrija.
Në këtë trikëndësh: tokat, çikat, etërit, (të parët) endet tezgjahu i vjershërimit, dredhen tingujt, ngjyrat, haretë e mallet. Mërgimi, siç e vumë re, bën atë që me distancën e vet, e rindez më fort të shkuarën, e bën më të ndritshme vendlindjen, e zgjon nga gjumi atë lëndë, atë pajë që mund të ishte e fjetur dhe e pazgjuar kurrë në muzën e Bujanës sikur ajo të mos kishte mërguar nga vendlindja e vet.
E dehur nga zbulimi i një mrekullie të tillë siç është të kënduarit, të vjershëruarit Bujana Malaj ka sjellë disa libra me këto ritme e tinguj, me këtë lëndë e me këtë mall.
Është një rrugëtim i bukur, të ndjehesh njëherësh në Londër dhe në Shqipëri, të ndjehesh në traditën e valles së Tropojës dhe me vargje poetikë që derdhen në faqe librash, që mëtojnë të lexohen si poezi.