Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Zeqir Cama


U DOGJËN RETË

U dogjën retë si stivë me shkarpa,
s’del kush t’i fik; mundohet kot,
vetëshuhen ndezur, vatra-vatra,
në hall të vet, si mall pa zot.

Një vetëtimë i dogji frikshëm,
i shkëndijon nga cep’ i mëngës,
u shtoi nur kuqrrem të hijshëm,
gjuhë zjarrtë si e nepërkës.

Tumba-tumba i tjerr era,
e zjarrta gjuhë djeg çka mbetet,
dhe shtyhen tutje pus si nata,
dhe hapen afër dritë si qelqet!

Një shi i madh që nis paprerë,
rrëshqitaz reve pa i cikë,
s’ka ç’t’u bëjë sado të bjerë,
as t’i lag dhe as t’i mbytë!


NË KOKËRRQEJFIN TIM


Falmani qejfin në kulm,
në magjin’ e shokëve të mi,
kaq s’u çakërrqejfa askund,
pa më dalë hundësh mërzi.

S’ka gjë po m’u terrën sytë,
(le t’i dalë tymi në majë!)
Se s’jam i qejfit për ditë,
ta hajë dreqi, ta hajë!

Përndezur në ind e në dej,
pa guva ankthi, pa stres,
tim Atë ringjallur ta kthej,
s’e lë kokërrqejfin në mes.

Ama, po ta shoh më pisk,
mbytur i tëri në makth;
siç i vë portës një dryn,
kokërrqejfit i them: “Mjaft!”

GJALLESA

Te stoli bosh krahë shkulur
kot, nga marrëzitë pa shkak,
prehet pak si gozhd’ e ngulur,
sa vë këmbët te ky park.

Ca pika rozë si xixa nate,
kanë nisur t’i kthehen njolla,
përposh rrudhash elegante,
vilar – si vetullat e holla.

I shkojnë pranë indiferentët,
çdokush çapit në punë të tij,
për qejf, askush në hall të saj,
ka vite që nuk do të hyjë.

Besoj as vetë s’i ka harruar,
për të sa prisnin rreth e qark,
me qindra sy të përvëluar,
sa vinte këmbët te ky park.

U bënte bisht, ç’mund t’u bënte,
(s’fshihej dot në fund të dheut)
të nesërmen, prapë i zhbënte
si Penelopa e Odiseut.

Te stoli bosh krahë shkulur,
s’ia hedhin sytë; njeri s’i flet,
rrëgjuar vitesh gjysmëkërrusur,
si një gjallesë në epruvetë.

MË VJEN TË QESH


Rashë në hall pa gjetur paqe,
me një indian, koleg turni;
tinëz gjuan gjah me harqe,
pa larë duart nga zullumi.

Ia pohova pa ia dredhur,
besimin me rrënjë islame
ndaj më bëri mik të zgjedhur,
pa më nxjerrë në “istikame”.

Por ky pakt pa nis u prish,
për hiçmosgjë plasi sherri;
tek lagu sytë dhe bëri “ysht”
pa që pija me mish derri.

S’e prisja që të nxihej burri,
më vuri shënjë sa ha harku,
më tha kaur – rrënjë kauri,
dhe për sa tha, më dha hakun!

M’U PLAKËN SHOKËT

M’u plakën shokët;
unë ngjaj më i plakur,
çdo vit që vjen më mpinë sa për dy;
ndenjur shtoj kile si derr i kënaqur,
dhe hahem me paqen e shpirtit tek rri.

S’më joshin veshjet,
përtoj të vesh këmisha,
radhën e komçave harroj pa mbërthyer,
nepset mashkullore që teprica i kisha,
nuk dua ta besoj; më lënë të zhgënjyer.

Dhe i turrem vetes:
“ Kënaqu po deshe…”
Tek ulem e ngrihem në vakte pa shije,
përpiqem e shtirem rinosh dhe s’jepem,
po përball pasqyrës lëviz si një hije.

M’u plakën shokët,
ca e ca me lëngata…
Ç’do vit që vjen më deh qesh e ngjesh;
ata që takoj, ata më të paktët,
firojnë për vit dhe rrallë i marr vesh!

DITË TË FTOHTA KANADEZE

Ç’më kap syri e pushtoi perandoria e dëborës,
me nge dhe përtaci;
me erëra të akullta
dhe dëborëra me shi.

Mjegullnaja shkundet me flutura dëbore,
si lëvozhga fasulesh bien e kalben në tokë,
pemët kallkan nën tekat e motit,
zezojnë të ngrira si kufomat në morg.

Mbretërisë së kamoshit të bardhë,
bor’ e radhës i dha një dorë lustër;
gjurmët e kalimtarve në radhë,
e shëmtuan si skarcitete këpucësh.

Dhe është vetëm nisja, s’i dihet mbarimi,
me gjasa tej pramidës fundore të dimrit!