Albspirit

Media/News/Publishing

Një ekspozitë dhe një botim interesant në COD, për humanistin, antropologun, diplomatin dhe politikanin zviceran Eugène Pittard

Luan Rama

Një ekspozitë dhe një botim interesant në COD – Qëndra për Dialogun e Hapur në Tiranë për humanistin, antropologun, diplomatin dhe politikanin zviceran Eugène Pittard i cili gjithë jetën e mbajti Shqipërinë në zemër. Fotografi unikale, vetë fytyra e Shqipërisë të vitit 1921 që na vjen pas një shekulli nën kujdesin e ambasadores zvicerane Znj. Ruth Huber.

——

Eugène Pittard ishte jo vetëm një antropolog dhe humanist i shquar që bëri shumë për Shqipërinë por dhe një fotograf i talentuar që na zbulon sot, pas një shekulli, imazhet e rralla të Shqipërisë së asaj kohe, një botë shqiptare që edhe pse në kohë dramatike për fatet e saj mbartëte në vetvete dinjitetin, krenarinë dhe besimin për të nesërmen. Si një kronist i palodhur që i ra kryq e tërthor Shqipërisë, ai ishte njëkohësisht dhe një dëshmitar historik duke na lënë trashëgim imazhe që nuk gjenden në arkivat shqiptare dhe që sot përbëjnë referencë. Atij i interesonte fytyra shqiptare, njeriu, për të deshifruar diçka sociale: përkatësinë e tij dhe marrëdhënien me tokën e për më tepër me dramën që përjetonte një popull. Shumë nga fotografitë kanë një dramacitet të thekshëm në fytyrat e atyre grave malsore dhe burrave të rëndë, pinjollë të një epike homerike. Ky dimension social është diçka e veçantë në fotografinë e viteve ‘20-‘30 të shekullit XX në Shqipëri, një risi që do ta shohim më pas dhe në fotografët italianë që erdhën në fundin e viteve ’30, e po kështu dhe në fotografët shqiptarë të Shkodrës apo Korçës, të cilët nuk u mjaftuan vetëm me fotografitë nëpër, studio por dolën jashtë, në kërkim të fytyrës njerëzore. Në gjithçka që fotografon, ndjehet dashuria e atij që fotografon pas aparatit fotografik. Ai fikson gjithashtu pritjen e jashtëzakonshme që i bëjnë shqiptarët kudo që shkon, në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër e gjetkë nëpër malet shqiptare. Pritja për mikun zviceran është e jashtëzakonshme. Ka një entusiazëm popullor në fytyrat e miqve shqiptarë, në mikpritjen e tyre tradicionale dhe që është një nga virtutet e tyre të veçanta, e cila shfaqet dhe në vallet që hidhen në sheshe për të treguar dashurinë për mikun që vjen nga larg, i cili është solidar dhe tregon dashuri për ta. Janë fytyra të mirësisë që e kanë pranuar jetën në përballje me vështirësitë. Sytë e tyre shkëlqejnë nga një dritë gati mistike. Fotografi të jashtëzakonshme të misionarit humanist zviceran ku imazhi flet shumë për gjendjen e tyre, forcën që kanë për të mbijetuar paqësisht. Pittard nuk harron të fotografojë gidën e tyre, rrugët dhe itineraret shqiptare, vendet historike, vendet e kultit dhe fytyrat e refugjatëve veriorë të zbritur gjer në Tiranë për të shpëtuar nga uria.

Në këtë ekspozitë me shumë dashuri, Eugène Pittard, që nuk harron të na tregojë dhe peizazhet e mrekullueshme të vendit tonë, na ofron bujarisht atë që ai e quante « Shqipëria ime ». Këto fotografi na bëjnë të mendojmë sot për rrugën e përshkuar të popullit tonë gjatë një shekulli si referencë e forcës, identitetit të lashtë kulturor dhe dëshirës së tij për tu integruar në Europën e qytetëruar.