Haris Vongli: Sot hëna e andruar më zbriti mbi flokë
Sot hëna e andruar më zbriti mbi flokë
Dhe qau me zë bashkë me mua.
Qau gjer në kthimin tim foshnjë
Dhe deti ynë mbi pemë më tha “të dua”.
Ishte zëri yt, i thellë sa qiejt me ëndrra
Dhe miliona vite lumturi…
Sa ndofta lumturia e mamit me në krah mua
Kur para kohe erdha në jetë dhe prapë jetova.
Lëngje të verbër sysh, mëndafsh që i vishen dritës
Siç duart e tua i vishen aq bukur e dhimbshëm –
në çdo stinë – puthitshëm shpirtit tim.
Se ne kemi detin tonë e në zhytje të tij puthjet me kripë.
Se ne kemi malin tonë e asnjë frikë.
Edhe dhelprat kemi.
Edhe shtratin valë të ngrohtë kur unë kam ftohtë.
Se ne kemi mjaltin tonë
Kur unë si mace të shtriqem mbi faqe,
Si guackat rërës e gurave në përqafim.
Se unë s’ndiej më asgjë veç teje.
Se unë s’ndiej më asnjë tastierë veç teje,
Asnjë humbje, as fitore s’ndiej.
Se unë di të qesh veç me buzëqeshjen tënde.
Veç teje e përbërjes së lëndëve të vrapit me ty,
Në ngjitje të shkallëve kapur përdore të dy,
Unë s’di të ndiej më asnjë dhimbje.
S’kam më asnjë besim e asnjë bindje.
Bebe, unë, sa një gogël,
E dija se ti do të luaje tingujt e zemrës sime,
Në një botë sa të madhe edhe të vogël.
Sot hëna e andruar më zbriti mbi flokë
Dhe qau me zë bashkë me mua.
Qau gjer në kthimin tim foshnjë
Dhe nga deti ynë u dëgjua “shumë të dua”.
29 tetor 2019.