Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: Standardet e gruas shqiptare në politikë


Nga ngjarjet më të mëdha në historinë kombëtare mbetet nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, për çështjen e Kosovës. Jo pak herë kam pyetur veten nëse do mundësohej kjo pa ndihmën e një gruaje, një zonje të madhe të mendimit botëror diplomatik si Madlene Albright? Dhe po kaq herë kam gjetur përgjigje në fuqinë e asaj gruaje. Dhe fuqia e saj nuk ishte vetëm shtetërore, por prej nëne, gruaje, motre pasi gjatë gjithë përpjekjeve, ajo e trajtoi zotin Hashim Thaçi si birin e saj, jo si politikan dialogu. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se ku fillonin dhe mbaronin kufijtë midis diplomates, sekretares së shtetit amerikan, gruas, nënës, apo motrës në detyrat e saj. Ajo ishte grua e bukur e fisnike pasi të tilla kishte idealet! Prej pranisë së saj në skenën politike kam formuar standardin e gruas në raportin “Gruaja dhe politika”. Por shoh se ky standard i rri ngushtë gruas shqiptare në politikë! Në historinë e botës, me gjithë pengesat gratë kanë mundur të tregojnë fuqinë e tyre në mënyra të ndryshme. Madje, mendoj se ndryshimi pozitiv i botës kryesisht ka ardhur nga politikëbërja e tyre. Shpesh iu ka munguar përfaqësimi, por kjo nuk e ka zbutur forcën e tyre duke rritur ndjeshëm rolin e tyre në rrugë e mjete të tjera. Kujtojmë fuqinë e Eleanore Roosevelt, bashkëshortes së Franklin D Roosevelt, e cila pati ndikim në jetën sociale Amerikane me pozitivizmin, dashurinë për të bukurën dhe dëshirat e saj për të ndryshuar botën. Roli i gruas sot varet deri diku edhe nga vendet ku ajo jeton. Ka vende ku ai është real e jo pak syresh ku është vetëm dukje. Këtu lind pyetja:
— A është Ballkani Perëndimor apo vendet ish-komuniste të lindjes ilustrim i këtij dyzimi? Mjerisht po, pasi fasadat e ndërtuara bukur me gra në poste politike jo pak herë, vetëm idenë të japin të tillë. Shpesh ato janë kukulla që zbatojnë verbërisht vijën politike të partive përkatëse dhe interesat e liderit kryesor, përndryshe si magji “zhduken” nga skena politike. Por në mes të kësaj farse janë edhe ato që tentojnë e ndjekin stilin burrëror në politikëbërje duke fashitur feminilitetin, moralin e gjenerimit të jetës duke harruar modelin që duhet të përcjellin duke lënduar të bukurën, butësinë dhe balancimin e gjakrave të nxehtë në ato fusha ku korrupsioni është shndërruar në religjion. …Dhe në krye të kësaj liste vijnë ato që bëjnë idealisten sa pa i hyrë politikës, madje të japin bindjen e grave që jetojnë vetëm për ideale, madje të ngrenë zemrën peshë e krijojnë pas vetes turma plot shpresë e besim! Kjo deri në çastin që populli i zgjedh me votën e tij dhe politika i shpërblen me post…
Pas këtij çasti një pjesë e konsiderueshme e tyre kthehen në “xhada” të komunikimit, arrogancës politike, paturpësisë pa u ndalur deri te qëllimi final, paratë dhe korrupsioni. Ato nuk do ndiejnë kurrfarë vrarje ndërgjegjeje apo pendesë nëse lind nevoja të ndërrojnë kahun politik e t’ia faturojnë atë veprim vetëmohimit nga dashuria për popullin. Ato nuk do ndiejnë kurrfarë keqardhjeje nëse miliona eurot e tyre të vjedhura do i hiqeshin nga ilaçet apo buka e gojës mijëra pensionistëve, nëse diku jo larg tyre ka familje që flenë pa ngrënë! Në emër të parasë idealet kthehen në propagandë si “rrobat e reja të mbretit”.
Roberto Saviano në librin e tij “Mafia dhe politika” thotë:-”Ndiq paranë, për të gjetur korrupsionin”. Por për shumë zonja në politikën shqiptare mjafton të ndjekësh korrupsionin, për të gjetur paratë e vjedhura nga egoja e pushtetit deri në arrogancë politike. Vetëm në këtë pikë unë mendoj, se kemi barazi gjinore në Shqipëri, madje mund të jemi etalon evropian në drejtim të epërsisë, pasi gratë tek ne kanë aftësi më të mira korruptive. Ka plot shembuj me vajza e gra të cilat nga një agoni ekonomike në fillimpolitikëbërje, sot janë pronare vilash, biznesesh milionadollarëshe vetëm si rrogëtare. Për herë të pas 34 vitesh ndoshta më duhet t’i jap të drejtë Marksit kur thotë: “Para se bësh politikë, më trego ku e fut kokën në mbrëmje dhe ku punon”, sepse kështu ekziston mundësia të mendosh edhe për mua nesër.. A është njëjtë vizioni i politikëbërjes së gruas në Shqipëri nga gruaja në Perëndim? Statistikat e historia flasin ndryshe. Merkel, kjo grua e hekurt më jep versionin absolut të korruptimit zero në politikë. Që nga aparenca deri në mënyrën e jetesës, kjo zonjë do bindte gjithkënd pse duhet ta votojë!
Ka dy lloje korrupsioni thotë gjykatësi mendimtari e filozofi francez Montesquieu në shek.. e 18:
—1 Kur njerëzit shkelin ligjet.
—2 Kur ligji korrupton njerëzit.
A i gjejmë të dyja këto verdikte në 34 vite te gratë e politikës shqiptare?
A janë tjetërsuar nën magmat e sistemit duke e bërë atë, strehën e arrivistëve?
A ka më feminilitet, qytetari, kur si mendim të parë në kokë sapo i afrohen politikës, gratë mendojnë paranë dhe jo Eleonore Rousvelt apo Merkel? Shumë nga ato politikane që ia kanë “parë hajrin” politikëbërjes nuk e lëshojnë më vendin madje edhe e kërkojnë në kahun e kundërt politik, pavarësisht se nga kush janë votuar apo ku janë ushqyer në dekada!
Shumë nga ato që sapo i janë afruar shkallnares ku rrëzohen vlerat e vërteta, shtyhen e zhgërryhen të marrin copat më të mëdha si përkatësi e ligjshme. Morali? E kanë harruar, pasi politika e sotme është më praktike. Bëjnë solidaritet me të keqen, ndërrojnë partitë sapo shohin që iu pakësohen të ardhurat, pra gjithçka interesa, mendjengushtësi e servilizëm monetar.
Edhe pse lëvizjet feministe trumbetojnë arritje të gruas shqiptare, mendoj se ka vend për beteja reale në emancipimin e brendshëm të saj, sidomos kur vijnë periudhat zgjedhore.
Kur them emancipim nuk e kam fjalën për operacionet plastike apo fillerat dhe veshjet firmato. Mungesa e emancipimit është njëjtë si mungesa e nderit mes hajdutëve, por nëse do ekzistonte si gjurmë e fisnikërisë femërore, përfitimet do ishin akoma më të mëdha për gratë e paangazhuara. Në 34 vite prosperiteti i vetëm i shoqërisë shqiptare mbetet reformimi i gruas nga një simbol i jetës, së bukurës, dashurisë, paqtimit në “zbuluese thesaresh” për t’u pasuruar me çdo kosto e rrugë, herë-herë deri në shkatërrim të besimit, moralit qytetar dhe ardhmërisë së familjes shqiptare ndjekur nga motoja se paraja zgjidh të gjitha hallet… Po vërtet, hallet e tyre, por jo ato të grave që i besuan e zgjodhën dikur! Të gënjejnë njëjtë në çdo fushatë me fytyra ndryshe a thua po vjen dikush me mendësi të re! Në fakt po të vjen e njëjta mendësi me fytyrë me botoks! A na japin dot një model konkret të së shkuarës së tyre si idealiste t’ju besoj për të nesërmen pasi fjalët boshe na kanë lodhur? Tek i sheh në fushata sipas parametrave evropianë në dukje e shifra, në vend të paqes, të futin frikën brenda gjinisë pasi historia e 34 viteve me to e ka mjeruar besimin tonë.
Kemi frikë edhe nga fillestaret pasi udha ku hedhin hapat është e shtruar më parë nga ky sekt i ndotur, kemi frikë sepse na tremb fukarai që i zë dhëmbi bukë, por jo shpirti, thotë populli ynë i urtë! Femrës i rrinë mirë idealet, i shkon t’i japë aromë rigjenerimi të pushtetit, pa shkelur besimin e gjinisë së saj për përfitime personale i shkon të mos plaçkitë gjininë e saj në besim në shpresë në mjete monetare. Gruaja është themeli i familjes, që ka barazinë për frymë, shpirti i një shoqërie të drejtë dhe e ardhmja e një kombi të ndershëm, është reaksion zinxhir. Askush nuk ka mbetur gjatë në histori nga mënyrat e pasurimit por nga të jetuarit me ideale!

https://www.panorama.com.al/standardet-e-gruas-shqiptare-ne-politike