Albspirit

Media/News/Publishing

Elta Milori: Lamtumirë Kampion!


Ceremonia mortore e Fatos Nanos nuk ishte thjesht një homazh për një ish-kryeministër. Ajo ishte një moment reflektimi kombëtar për një figurë që la gjurmë të thella në politikën dhe kulturën demokratike shqiptare. Pjesëmarrja e gjerë nga qytetarë të thjeshtë, personalitete të majtë e të djathtë, deri tek përfaqësues institucionalë tregoi se përtej ndasive politike, Nano mbetet një emër që ngjall respekt, kujtesë dhe debat.
Motoja e tij e pashpallur, “të sakrifikojmë pushtetin për të bërë shtetin” përmbledh filozofinë e një politike që kërkon maturi dhe vetëpërmbajtje në një vend ku pushteti shpesh është parë si qëllim, jo si mjet. Nano nuk ishte i përsosur, ishte kompleks, shpesh kontradiktor, por me një vetëdije politike që i mungon shumë aktorëve sot: ai e kuptonte se ndërtimi i shtetit kërkon durim, jo hakmarrje; kërkon institucione, jo individë të fortë.
Në ceremoninë e sotme u ndje vërtet paqa sociale që ai kërkoi gjatë gjithë karrierës. Në heshtjen e njerëzve që i qëndruan pranë, kishte respekt për një njeri që, me gjithë polemikat, diti të reformojë të majtën, të krijojë urë komunikimi me të djathtën, dhe më pas të tërhiqet me dinjitet.
Toleranca e tij, shpesh e keqkuptuar si kompromis, ishte në fakt një akt i lartë politik. Ai besonte se demokracia mbijeton vetëm nëse kundërshtari politik shihet si pjesë e së njëjtës shoqëri, jo si armik.
Sot, në ndarjen e tij nga jeta, shqiptarët nderuan jo vetëm një njeri, por një mënyrë të të menduarit politik që po zhduket, atë të debatit, reflektimit dhe tolerancës. Dhe ndoshta, në këtë moment zie, u ringjall ideja se politika ka nevojë për njerëz që dinë të lënë pushtetin pas, për të bërë shtetin përpara.
Lamtumire Profesori im i Ekonomise Politike!
Lideri dhe frymëzuesi i së Majtës Shqiptare!
Lamtumirë Kampion!