Luan Rama: Ku është fustani i kuq i Lida Cangonjit?
Sapo jam kthyer nga shtëpia e Solange d’Angely në Rue Didot. Një whisky dhe një bisedë për Lidën, miken tonë të shtrenjtë. Flasim për jetën, dashuritë njerëzore, bisedojmë rreth qenies dhe përkufizimit se çështë krijesa njerëzore, por asgjë nuk arrin t’i gjejë përgjigjen pyetjeve tona të mëdha. Atëherë unë i flas për Lidën, s’dihet pse, ndoshta pse ndërkohë m’u shfaq ajo fushë e madhe me trëndelinë tutje shtëpisë së Lida Cangonjit në Marsanne, në jug të Francës, jo larg Lyon-it. Një fushë ngjyrë vjollcë, me erë trëndeline dhe ajo e dehur apo e çmendur mes tyre, me dëshirën për të ndaluar kohën. Por a mund ta ndalësh atë, kur gjithçka është e lidhur me atë botë kozmike e të panjohur ende?
Marr frymë thellë dhe ndjej ende erën e trendelinës ndërkohë që lë Solange dhe nisem drejt shtëpisë time, dy hapa më tutje. Kujtoj ndërkohë atë rrap të vogël përballë portës së tyre në Marsanne kur uleshim dhe pinim një çaj me Peter Haubro, i cili tashmë si një artist i vërtetë ishte njësuar me natyrën dhe nuk shqitej më nga ajo.
Ecja dhe Lida më shfaqej rrugës me të qeshurën e saj, energjinë dhe dashurinë që çlironte ngado, si gjithnjë. Papritur, një çast Solange më kishte thënë: “E di, Lida kishte qef të kishte një fustan të kuq dhe kur isha tek ta për pushime, ne shëtitëm në fshatrat përreth dhe kur ndaluam diku, unë pashë një dyqan ku kishte një fustan të kuq. Atëherë i thashë Lidës: “Provoje këtë fustan, kam qef të ta bëj peshqesh!” Dhe ajo e provoi… Lida shkëlqente me atë fustan… U gëzua shumë. Pastaj ata erdhën në Paris tek unë. Peter përkujdesej për ekspozitën e tij në Denfert Rochereau. Në mëngjes pinim çajin dhe pastaj ata shkonin, të lumtur, nëpër rrugët e Parisit…”.
Atë çast pashë sytë e lagësht të Solange. Por edhe në sytë e mi, tashmë binte një shi i hollë!
Ishim njohur që me filmin, në kohën kur luante filmin “Rrugë të bardha”… pastaj në Paris, kur erdhi të marrë çmimin për gruan në shkencë të akorduar nga kryeministri Lionel Jospin, pasi Lida kishte krijuar një qendër trajtimi për handikapët mendorë dhe kryesisht fëmijët. Përkushtim i gjithkohshëm i saj. Pastaj miqësia bëri udhë, ndër vite.
Lida sapo kishte shkuar, për mos tu kthyer më, ashtu papritmas, brenda një jave, kur unë mendoja të shkoja tek ajo, në Marsanne… Ishte një lajm i papritur, i kobshëm, i pabesueshëm, sikur një dorë qiellore ta kishte rrëmbyer fshehurazi nga kjo botë.
U ktheva. Ecja rrugës dhe imagjinoja Lidën me fustanin e kuq që shkonte nëpër rrugë dhe sfidonte dimrin, të ftohtit, botën që shkiste nën këmbët e saj, botën që shket, gjithnjë…
Ku është tani fustani i kuq i Lida Cangonjit?
Kam dëshirë ta thërras Lidën dhe t’i them ta veshë dhe njëherë për mua, pasi e kuqja i shkonte shumë, ajo ishte në çdo qelizë të saj…
Të nesërmen, tek kaloja në krah të kishës Saint-Severin, ngrita kokën lart dhe pikasa sërrish ata garguj aq të dashur për Peter dhe Lida… ishin ngargujt që kishte vizatuar Peter, figurat fantazmogorike që kishte hedhur në pikturë apo në kolazhet e mrekullueshme të tij, dhe kjo më kujtoi shtëpinë e tyre në Marsanne, atje buzë fushës, shtëpia e fundit e Marsanne-s, një shtëpi e ngrohtë që kur hyje, të dukej se po hyje në një galeri arti. Dhe Lida, me atë dashurinë dhe entusiazmin e zakonshëm të saj të tregonte krijimet e Peter që i shikoje ngado, nëpër dhoma, në sallon, në të gjitha faqet e mureve, madje dhe kur ngjiteshe lart nëpër shkallë, për të shkuar në dhomën e miqve: përsëri gravura, tablo, vizatime, krijime në bojë vaji. Lida kështu jetonte me artin dhe njëkohësisht me librat e psikiatrisë për fëmijë që shkruante, pasi Lida nuk mund ta linte pas shkencën e psikiatrisë. Gjithnjë mes librave. Një botë plot ritëm dhe plot dashuri. Një jetë që u ndërpre nga një rrufe që ra në qiell të hapët.
Lida shkoi me nxitim, duke mbajtur kokën pas, drejt bijve të saj, Peter, njerëzve të afërt, miqve…
3 janar 2017.