Albspirit

Media/News/Publishing

Çështjet Veliaj dhe Balluku: Një fillim i ri apo një taktikë e vjetër?


Gjelok Marko


Gjykata KUSHTETUESE I JEP TË DREJTË VELIAJT, RRËZON QEVERINË DHE PRESIDENTIN. NUK DO TË KETË ZGJEDHJE TË REJA NË TIRANË! -trumbetohej mbrëmë në lajmet e transmetuar në Tv Klan. Por edhe Top Channel nuk binte më poshtë. Edhe aty trumbetohej me të madhe: GJYKATA KUSHTETUESE I DHA TË DREJTË ERION VELIAJT…!
Po ashtu në mënyrë bombastike po na trumbetohet: SPAK MERR TË PANDEHUR ZV. KRYEMINISTREN BALLUKU …!
Vërshojnë analistët dhe analizat që na thonë se këto fakte vërtetojnë se institucionet tona janë të pavarura, madje shkojnë deri aty sa të na thonë se këto janë shënjat e para se Edi Ramës po i vjen fundi dhe më në fund po vendoset në Shqipëri drejtësia e vërtetë!
Nuk duam të zgjatemi me komente, analiza e përzgjatje pasi ka shumë që po e bëjnë këtë gjë sot disa me qëllime konstruktive e të tjerë me qëllime manipulative ashtu si kanë bërë gjithmonë, ashtu si ja u kërkon interesi. Vetëm duam të rikujtojmë disa fakte të së djeshmes të cilat mund të mbulohen nga lumi i fjalëve sot.
Tv Klan, kur raportonte për Raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet tha vetëm se në raport thuhej se klima ishte e polarizuar dhe situata e tensionuar. Asnjë fjalë nuk u tha për faktin se në raport ish shkruar shprehimisht se institucionet qeveritare ishin pëdorur për të influencuar zgjedhjet, etj. Edhe më pak u tha për këtë gjë në Top Channel, kurse sot pikërisht po këto stacione televizive dalin dhe transmetojnë si lajm të parë në mënyrë bombastike: Gjykata KUSHTETUESE I JEP TË DREJTË VELIAJT, RRËZON QEVERINË DHE PRESIDENTIN. NUK DO TË KETË ZGJEDHJE TË REJA NË TIRANË! dhe menjëherë angazhojnë komentatorët e analistët e tyre në debate e analiza. Prandaj nuk është pa baza pyetja që ngrehin disa:
A mos gjithë kjo fushatë rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, madje a mos edhe vetë ky vendim u mor në këtë kohë kryesisht jo për t’i dhënë Erion Veliajt një të drejtë që faktikisht i takonte, por gjithçka ka një mision më të “lartë”: Të hedhe poshtë akuzat që ngrihen në raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet?!
Nuk kemi synimin të mbështesim argumentet e asnjërës palë. Në fakt jo argumentet e debatet por zhvillimi konkret i ngjarjeve do të vërtetojë se cila është e vërteta.
Ah, le të mos harrojmë të pandehurën e SPAK, Zv Kryeminstren Balluku. Na thuhet se prokurori Dritan Prençi po bën një punë të ndryshme cilësore dhe për këtë është kërcënuar… Vetë Sali Berisha po na e thotë këtë gjë. Do të deshim ta besonim megjithë zemër këtë gjë, po na kujtohet fakti se po ky prokuror pati në dorë edhe dosjen për Incerenatorët. Deri sot rezutatet nuk janë shumë domethënëse. Shumë, madje dhe nga opozita duan të na mbushin mëndjen se tani gjërat janë krejt ndryshe. Ashtu qoftë, por ne duan të presim, të shikojmë dhe vetëm pasi të shohim faktet do të besojmë.
Pas përmbysjes zyrtare të Diktaturës Komuniste elementet diktatorialë kurë nuk janë larguar nga cilado qeveri që ka ardhur në pushtet. Sa e sa herë na është premtuar një fillim i ri dhe pastaj koha na ka vërtetuar se gjthçka që na propagandohej si një fillim i ri ish të fakt një përsëritje e taktikave të vjetra të huazuara nga Ramiz Alia, Enver Hoxha, etj. Prandaj kësaj në qoftë se nuk duam të zhgënjehemi përsëri, le të presim dhe të analizojmë me kujdes faktet. Dëshirojmë megjithë zemër që vërtet të jetë një fillim i ri, por më parë duhet të presim dhe të sigurohemi se mos edhe kësaj radhe kemi të bëjmë me përsëritjen e një taktike të vjetër, tepër të vjetër, tepër shkatërruese.