Ismet Hajrullahu: Kongresi i Manastirit në kujtesën e Fishtës
Kongresi i Manastirit, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, është një nga ngjarjet më kulmore të historisë shqiptare.
Ai u organizua në një kohë kur shqiptarët jetonin ende nën Perandorinë Osmane, të ndarë në katër vilajete, pa një shtet të tyre, por me një vetëdije kombëtare që po rritej.
Çështja e alfabetit, nga shumë intelektualë të kohës shikohej si një problem gjuhësor, politik, kulturor dhe identitar po ashtu.
Pa një alfabet të përbashkët, nuk mund të kishte arsim kombëtar, nuk mund të kishte shtyp të unifikuar dhe nuk mund të kishte një lëvizje të organizuar për çlirim.
Në Manastir u mblodhën rreth 50 delegatë nga 23 qytete shqiptare dhe përfaqësues nga diaspora, prej të cilëve 32 kishin të drejtë vote.
Ata përfaqësonin klube patriotike, shoqëri kulturore dhe qarqe intelektuale të kohës.
Kryesia e kongresit përfshinte figura të shquara si Mid’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda etj.
Debatet ishin të zjarrta, sepse secili grup përfaqësonte dhe mbronte alfabetin e vet, disa përdornin shkronjat greke, disa latine, disa arabe, disa turko‑arabe. Rreziku ishte që ky kongres të shpërndahej pa marrë vendim, duke lënë popullin shqiptar pa një zgjidhje.
Në këtë moment kritik, At Gjergj Fishta, i njohur si “Homeri i shqiptarëve”, u ngrit dhe mbajti një fjalë që tronditi të pranishmit.
Ai paralajmëroi se do të ishte turp dhe faqe e zezë përpara popullit dhe botës që delegatët të ktheheshin pa vendim.
Fjalimi i tij, i mbushur me pathos dhe thirrje për unitet, bëri që delegatët të ulen dhe të marrin vendim. Fishta nuk foli vetëm si klerik apo si poet, por si burrë shteti, duke theksuar se kompromisi ishte i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.
U pranua që përkohësisht të përdoren dy alfabetet, ai i Stambollit, i mbështetur nga Mit’hat Frashëri dhe alfabeti latin, që më vonë u konsolidua si standard.
Ky akt i tolerancës e shpëtoi kongresin nga dështimi dhe i dha shqiptarëve një bazë për të ecur përpara.
Vendimi i Kongresit të Manastirit pati pasoja të menjëhershme. Shkollat shqiptare filluan të përdorin alfabetin latin, librat u botuan në një gjuhë të kuptueshme për të gjithë dhe shtypi kombëtar mori hov.
Data 22 nëntor u shpall më vonë si “Dita e Alfabetit”, e cila sot përkujtohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë. Ky kongres u bë gurthemeli i Rilindjes Kombëtare dhe një hap i madh drejt pavarësisë së vitit 1912, duke treguar se shqiptarët mund të ulen së bashku, të debatojnë, të pajtohen dhe të marrin vendime për të ardhmen e tyre.
Fishta mbetet një figurë kyçe në këtë proces të rëndësishëm ku roli i tij ishte vendimtar për të ardhmen e përdorimit të alfabetit. Në kujtimet e tij ai shkruan se ky kompromis i kushtoi personalisht, sepse disa e akuzuan se kishte bërë lëshime, por me vizionin dhe largpamësinë e tij e kuptonte se, alfabeti ishte mjet për të ndërtuar kombin. Ky qëndrim na jep një shembull të vlefshëm edhe sot pasi kombi ndërtohet me tolerancë, me bashkëpunim dhe me vendime të guximshme.
Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve një mjet për të ndërtuar arsimin e tyre, për të botuar librat, për të krijuar një shtyp kombëtar. Ai i dha lëvizjes kombëtare një gjuhë të përbashkët, një alfabet që i bashkonte të gjithë.
Pa këtë vendim, rruga drejt pavarësisë do të ishte shumë më e vështirë.
Në kujtesën e Fishtës, Kongresi i Manastirit mbetet një moment i madh krenarie, por edhe një kujtesë e sakrificës. Ai e dinte se kompromisi i tij do t’i kushtonte, por e pranoi sepse e pa të ardhmen e Shqipërisë më të rëndësishme se reputacionin personal.
Sot, kur kujtojmë Kongresin e Manastirit, nuk kujtojmë vetëm vendimin për alfabetin, kujtojmë guximin e burrave që vendosën të mos kthehen duarbosh, kujtojmë fjalën e Fishtës që i bëri të ulen dhe të marrin vendim, kujtojmë kompromisin që shpëtoi një kauzë të madhe, kujtojmë se Shqipëria nuk mund të bëhej ndryshe. Kongresi i Manastirit është një shembull se si një komb i vogël, i ndarë dhe i shtypur, mund të gjejë forcën për t’u bashkuar rreth një ideje të madhe.