Galit Peleg: Anila Bega Cohen dhe romani “Treni i fundit për në Berlin”

Galit Peleg, ambasadore e Izraelit në Shqipëri
Në marrëdhënien e veçantë mes Shqipërisë dhe Izraelit, dhe me popullin hebre në përgjithësi, historia e Holokaustit është një faktor i rëndësishëm. Është një histori mbi njerëzimin, mbi zgjedhjen e popullit shqiptar për t’iu përmbajtur vlerave të veta edhe përballë një rreziku të vërtetë. Është një histori që duhet të tregohet brez pas brezi.
Që brezat e ardhshëm në Shqipëri të kuptojnë madhështinë e veprave fisnike të kryera nga të parët e tyre, duhet të tregohet historia e Holokaustit. Është e rëndësishme që fëmijët dhe nipërit tanë, si hebrenjtë ashtu edhe shqiptarët, të kujtojnë se ç’ndodhi në Europë vetëm 80 vite më parë me njerëz të zakonshëm, njerëz që mund të ishim ne. Ata duhet të kujtojnë rënien e tmerrshme morale të qenieve njerëzore të zakonshme në vepra mizorie, që të kuptojnë, në dritën e errësirës së madhe që pllakosi Europën, se sa ndritshëm shkëlqeu drita e Shqipërisë në atë kohë.
“Treni i fundit për në Berlin” paraqet një anë tjetër të historisë që të gjithë e njohim, anën njerëzore, pasqyruar tek dy personazhe që na kujtojnë se, në atë luftë të tmerrshme, kishte njerëz. Këta njerëz u detyruan të përballen me situatat dhe dilemat e krijuara nga lufta, si fizikisht edhe shpirtërisht.
Historia e Annës dhe Hansit mund të kishte ndodhur lehtësisht në të vërtetë. Pas luftës, miliona njerëz vijuan të jetojnë me traumën, pasojat, humbjet personale dhe me efektet afatgjata të luftës.
(Përshëndetja e ambasadores së Izraelit në Shqipëri gjatë promovimit të romanit “Treni i fundit për në Berlin” të Anila Bega Cohen).