Sejmen Gjokoli: VLORA NËPËR FESTIVALE
Sot polifonia shqiptare bën 20 vjet “Kryevepër Botërore”

Një botim me vlera nga Kozma Billa
Ka vetëm pak ditë që nga shtëpia botuese “Lena Grafik”, Prishtinë, ka mbritur në Vlorë libri më i ri i poetit dhe studiuesit vlonjat Kozma Billa, titulluar “Vlora nëpër festivale”.
Është një botim serioz i cili në 320 faqe përmbledh “gjeografinë” e Vlorës në “hartën” kombëtare të Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës prej të parit edicion, atë të vitit 1968 e deri në të fundit, atë të vitit 2023.
Plot 55 vite ndajnë këto vite, një det të tërë këngësh ka shpurë Vlora në Kalanë e madhe të këngës, aty në qytetin e gurtë të jugut të vendit, një histori e tërë që përfshin kontribute të mëdha njerëzore në përgatitje e interpretim, në prurje folklorike që jo pak herë do të befasonin edhe studiuesit më të mëdhenj të kësaj fushe.
Përmes këtij botime, me një skrupulozitet të admirueshëm e një pasioni të rrallë Kozma Billa ka ditur të na bjerë në mënyrën më autentike “shifra dhe fakte”, të dhëna të patjetërsueshme nga të gjitha këto edicione, nga e gjithë përfaqësia vlonjate e folkut tradicional, shpalosur në kalanë e madhe të këngës.
Filluar prej vitit 1968 kur Gjirokastra do çelte siparin e Festivalit Folklorik Kombëtar, studiuesi Billa na sjell programe, këngë, interpretë, komisjone pune, tekste, çmime, vlerësime, jehonë festivalesh.
Kozma Billa si një punëtor i madh i kulturës ka ditur ti qëmtojë me kujdes e ti bëjë pjesë të librit edhe ato festivale në të cilat nuk ka pjesë por që përmes teksteve të këngëve dhe grupeve pjesëmarrëse e bie të plotë edhe atë kohë të largët.
Dhe na i bie ashtu siç ka qenë, me orgjinalitet e autenticitet, pa retushe e droje për shkak të tendencës propagandistike të kohës.
Po ndonse deri në festivalin e vitit 2009 informacioni na vjen i përmbledhur e disi i kufizuar, për të tjerët, nisur nga ai i vitit 2009 e në vazhdim çdo e dhënë vjen e detajuar, e plotë dhe në të gjitha etapat e zhvillimit, prej ngritjes së komisjoneve të punës e deri në ditën e konkurimit në Kala.
E çfleton e përpara sysh të dalin me qindra emra këngëtarësh, me dhjetra grupe pjesëmarje, dhjetra tekste këngësh, rapsodë e drejtues grupesh, mjeshtra të këndimit polifonik e instumentistë popullorë nga të gjitha fshatrat pjesëmarrëse.
Plot dhjetë festivale, të gjitha në Gjirokastër, veçmas ai i vitit 1995 në Kalanë e Beratit.
Na i bie të gjitha ashtu siç kanë qenë, prej monofonisë së famshme të Zeqo Hoxhës, treshes unikale të Dukatit e deri te formacioni madhështor i Pilurit të Lefter Çipës.
Në libër na vijnë gjithashtu të dhëna e konsiderata, informacione e profile të mjaft njerëzve të mëdhenj vlonjatë që kanë bërë shumë për këngën polifonike, këngën labe të Labërisë e Bregut të Detit filluar prej Themistokli Mones, Haxhi Dalipit, Neço Mukos, Dhimitër Vatrfit, Lefter Çipës, Muhamet Tartarit, Dule Havarit e shumë të tjerë.
Botimi “Vlora nëpër festivale” është pa dyshim një kontribut me shumë vlerë e studiuesit dhe folkloristit të mirënjohur Kozma Billa për kulturën vlonjate në veçanti dhe atë kombëtare në përgjithësi.
Duke qenë se vet autori për më shumë se çerek shekulli ka qenë edhe vetë pjesë e këtyre zhvillimeve folklorike gjithëçka e shkruar, veç të tjerash, mban vulën e autenticitetit e të vërtetës të pa mohueshme.
Një botim i denjë jo thjesht për t’ju referuar njerëzit dhe institucionet e kulturës por edhe për tu trajtuar në institucionet arsimore ku nxënësit dhe të rinjtë duhet të mësojnë rrugën nga kanë kaluar dhe vlerat e krijuara për shumë nga perlat e polifonisë shqiptare.
Botimi më i fundit i Kozma Billës na vjen edhe si një simbolikë e bukur sot kur kënga jonë me iso kremton 20 vjetorin e shpalljes nga UNESCO “Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit”.
Të paktën le të jenë këto radhë edhe si një urim e bekim për të gjithë bartësit dhe interpretët e kësaj dukurie muzikore shpirtërore kudo ku ata rrojnë e punojnë, brenda dhe përtej kufijve fizike të Atdheut.
Shumë urime, mjeshtër!