Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Trimëreshat e Mirditës

Histori e grave dëshmore

Mirdita, me traditat e saj të thella, me besën, nderin dhe shpirtin luftarak që e kanë shoqëruar brez pas brezi, ka nxjerrë nga gjiri i vet shumë burra të shquar të pushkës, por edhe gra të forta, që në momentet më vendimtare të historisë së vendit qëndruan përkrah burrave, duke dëshmuar se atdheu mbrohet njësoj nga duart e një nëne, një motre apo një vajze e re. Në këtë krahinë të ashpër malore, ku jeta shpeshherë ka qenë një betejë më vete, u farkëtuan karaktere prej çeliku, gra që nuk e pranuan kurrë nënshtrimin përballë padrejtësisë, pushtuesit apo armiqve të brendshëm. Shekulli XX solli për Mirditën sfida të njëpasnjëshme: luftën për çlirimin e vendit, përpjekjet për rend dhe siguri, dhe betejën e përditshme kundër bandave të armatosura që synonin të mbillnin frikë. Në këtë vorbull ngjarjesh, gratë mirditore nuk mbetën dëshmitare të heshtura. Ato morën pjesë në luftëra, strehuan luftëtarë, dhanë informacione, ruajtën komunikime, bartën armatime, u ngritën në kryengritje, përballuan tortura dhe, në raste të shumta, ranë dëshmorë, duke u bërë pjesë e pavdekshme e kujtesës sonë kombëtare.

Figura të tilla si Gjelë Frok Karaçi, Prena Ndo Uka, Ruta Mark Lugja dhe shumë të tjera, sot ndoshta më pak të njohura, por me të njëjtën madhështi, përfaqësojnë shpirtin e një gruaje të thjeshtë që u bë heroinë pa e kërkuar kurrë këtë titull. Ato mbartin simbolikën e sakrificës së heshtur, të guximit natyror që buron nga dashuria për tokën, shtëpinë dhe njerëzit e vet.

Historia e grave dëshmore të Mirditës është historia e një brezi që e deshi lirinë më shumë se jetën. Ajo është pjesë e identitetit të kësaj krahine – një monument i gjallë që flet për rolin vendimtar të gruas shqiptare në çastet më të vështira të historisë sonë.

Ajo dha frymë të re atdhetarie

Gjela Frok Karaçi lindi në vitin 1925, në Spaç të Mirditës, në një familje të thjeshtë, ku jeta rridhte mes mundimeve dhe përpjekjeve të përditshme. Që e vogël u rrit duke njohur skamjen, mjerimin dhe hallet e shumta të kohës, por brenda saj rritej një shpirt i fortë, i drejtë dhe i pathyeshëm. Kur erdhi koha e martesës, Gjelën e dhanë në Thirrë të Mirditës, në familjen Karaçi. Edhe atje e pritën po ato kushte të rënda, ajo varfëri e thellë, zakonet e vjetra dhe sprovat e një jete të vështirë. Por asgjë nuk e mposhti vullnetin e saj. Ajo dallohej për ndershmëri, punë, besnikëri dhe dashuri për njerëzit.

Rrethuar nga një frymë e re atdhetarie dhe me një besim të palëkundur tek Partia dhe populli, Gjela u bë mbështetëse aktive e organeve të rendit dhe e forcave të ndjekjes në luftën kundër bandave kriminale që sillnin terror në zonat e Mirditës. Me kurajon, zgjuarsinë dhe vendosmërinë e saj, ajo fitoi respektin e shoqeve, shokëve dhe të gjithë bashkëfshatarëve, duke u kthyer në një figurë të dashur dhe të admiruar. Ndërkohë, kreu i një bande të rrezikshme, i strukur në një shpellë me bashkëpunëtorët e tij, kishte marrë vesh se Gjela bashkëpunonte me forcat e rendit. I trembur nga guximi i saj, ai ishte shprehur: “Të keqen, më duket se po na e sjell ajo Gjela”. Në një ditë të acartë dhjetori të vitit 1951, pasi vranë në Xhuxhë një patriot, diversantët zbritën me shpejtësi drejt Thirrës dhe, fshehurazi, hyrën në shtëpinë e Gjelës. Ajo gjendej vetëm. Sapo i pa armiqtë, u hodh me vendosmëri për të rrëmbyer sëpatën, por njëri prej tyre i vuri pushkën në gjoks. U dëgjua një breshëri e beftë… dhe Gjela Karaçi ra si një trimëreshë e vërtetë, pa u përkulur për asnjë çast, duke e dhënë jetën me dinjitet në mbrojtje të idealeve të lirisë dhe të popullit të vet.

Me vendimin nr. 104, datë 13 nëntor 1969, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Mirditë, Gjelë Frok Karaçi u shpall Dëshmore e Atdheut. Jeta dhe heroizmi i saj janë pasqyruar edhe në librin “Heronj të heshtur”, botim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku përjetësohet sakrifica e saj dhe e shumë grave të tjera që dhanë gjithçka për atdheun.

Mësuesja e parë mirditore

Prena Ndo Uka lindi më 16 tetor 1922 në Orosh të Mirditës, në një familje të thjeshtë malësore, ku ndershmëria dhe dashuria për vendin trashëgoheshin brez pas brezi. Babai i saj, Ndou, ishte një burrë i ditur dhe i mençur, i cili në verën e vitit 1944, kur bjeshkët e Mirditës ushtonin nga krismat e pushkëve partizane, u gjend mes luftës dhe jetës së re që po lindte. Kontakti i tij me kushëririn, Bardhok Bibën, do të kishte ndikim të madh në aktivizimin e tij antifashist. Ndou nisi t’i jepte informacion për lëvizjet e armikut dhe për forcat partizane që vepronin nga Guri i Kuq deri në Valmur të Selitës. Pas çlirimit, ai u inkuadrua në Brigadën VIII Sulmuese, duke marrë pjesë në luftime deri në Vishegrad të Jugosllavisë.

Në këtë mjedis të ndezur nga ideali i lirisë u rrit edhe Prena – si një “lule bjeshke,” e brishtë në pamje, por e fortë në karakter. Takimet e saj të shpeshta me Bardhok Bibën u bënë shkolla e parë e formimit të saj atdhetar. Bardhoku e donte, e çmonte dhe e mbante pranë, sepse shihte tek ajo një vajzë me shpirt luftëtare dhe me ndjenjë të thellë përgjegjësie. Mirdita kishte nevojë që vajzat e saj të ngriheshin, të flisnin, të udhëhiqnin – dhe Prena ishte shembulli i tyre.

Në ditët e para të çlirimit, Shpali ishte qendra e rrethit të Mirditës dhe Prena qëndronte në shtëpinë e Bardhok Bibës. Ishte vajza e parë mirditore e veshur me rroba qytetare, me një bluzë të bardhë me jakë, që i jepte pamjen e një gjimnazisteje të kohës. Po aq e veçantë ishte edhe rruga e saj profesionale: në dhjetor të vitit 1944, ajo u emërua mësuesja e parë mirditore, një hap i madh për arsimimin dhe emancimin e vajzave të zonës.

Edhe pse një aksident i kishte lënë një sy të plagosur, kjo nuk ia zbehu forcën e karakterit. Prena fliste pak, por fjala e saj pritej “si shpatë”. Ajo ishte ndër vajzat më të vendosura dhe më të guximshme të Mirditës. Në vitin 1947 shtegtuan maleve nga Oroshi në Fan e deri në Gojan, për të nxjerrë vullnetare për ndërtimin e hekurudhës. Zëri i saj gjeti jehonë në zemrat e malësorëve, sepse vinte nga një zemër e sinqertë dhe e pastër. Prena u martua me Baftjar Ukën – të dy luftëtarë të së njëjtës rini të sakrificës. Por jeta e saj e ndritur u ndërpre padrejtësisht.

4 korrik 1950… Muzgu po binte mbi Orosh. Në ndërtesën e Këshillit Popullor mbledhja vazhdonte ende, ndërsa Prena, me djalin e vogël në krah, u nis drejt godinës. Kur mësoi se mbledhja do të zgjaste, u kthye sërish në shtëpi. Lëvizjet e saj po ndiqeshin. Kriminelët prisnin vetëm errësirën. Në mesnatë, ata rrethuan shtëpinë dhe shpërthyen brenda, duke përmbysur gjithçka. Breshëria e automatikëve shpoi dërrasat e djepit ku Prena përkundte fëmijën e saj. Aty, në atë natë të zezë të vitit 1950, pushuan rrahjet e zemrës së një gruaje të fortë, nënë, luftëtare dhe mësuese e Mirditës së re.

Me vendimin nr. 30, datë 2 nëntor 1968, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Mirditë, Prena Ndo Uka u shpall Dëshmore e Atdheut. Jeta dhe heroizmi i saj janë pasqyruar edhe në librin “Heronj të heshtur”, botim i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prena Uka mbetet një nga figurat më të ndritura femërore të Mirditës – simbol i guximit, arsimit dhe sakrificës për Atdheun.

Ra që buzëqeshja jonë të mos shuhej kurrë…

Figura e grave mirditore që u përfshinë në luftën e heshtur kundër krimit dhe tradhtisë përbën një kapitull të veçantë të historisë sonë kombëtare. Ato nuk mbajtën armë në male si burrat, por mbajtën në zemër guximin, ndërgjegjen dhe besnikërinë ndaj idealeve të lirisë dhe pushtetit popullor. Në radhën e këtyre heroinave të heshtura që i dhanë Atdheut gjithçka, qëndron e pavdekshme edhe Ruta Mark Lugja, vajza e re nga Malaj i Mirditës, e cila jetoi pak, por u shua me madhështi të vërtetë morale.

Lindi në vitin 1933 në një familje të thjeshtë mirditore, të edukuar në respekt të punës, ndershmërisë dhe dashurisë ndaj pushtetit popullor. Ishte e bija e Mark Lugjes, burrë i njohur për qëndrimet e tij të drejta dhe përkushtimin ndaj kauzës së popullit. Ende e re, Ruta hyri nuse në një shtëpi ku mendësitë e vjetra, ftohtësia e bashkëshortit dhe zakoni patriarkal e mbanin të heshtur. Por heshtja e saj nuk ishte frikë; ishte thjesht përulësia që tradita i kërkonte një nuseje të re. Megjithatë, mjaftoi një natë e vetme që ta zgjonte në të gjithë fuqinë e karakterit të saj.

Trokitjet e rënda në derën e kullës e shqetësuan. Ishte bashkëshorti ai që zbriti me ngut shkallët e vjetra të drurit, e pas tij hynë shtatë burra të armatosur, me fytyra të egra dhe duar të përgjakura nga krimet që rëndonin mbi ta. Ata ishin banditët famëkeq të zonës. Dhe ajo çka e tronditi më shumë, ishte fjala e të shoqit: “Janë miqtë e mi…”. Ato fjalë i rrëzuan iluzionet e fundit. Ajo e kuptoi: burri i saj ishte bërë pjesë e tradhtisë. Banditët vëzhguan fytyrën e nuses së re dhe tek panë se nuk mund ta mashtronin e as ta frikësonin, e kuptuan rrezikun që u kanosej prej saj. Pasi mendoi gjatë, e vendosur dhe e qetë, Ruta mori rrugën drejt Degës së Punëve të Brendshme. Vendimi i saj ishte i prerë: “Më mirë grua e ndarë se bashkëshorte e një tradhtari”.

Kryetari i Degës e priti me respekt: “Të lumtë, Rutë! Je trimëresha e vërtetë”. Ajo dha dëshminë, tregoi gjithçka kishte parë dhe dëgjuar, më pas u kthye në shtëpinë e babait, e çliruar nga barra e rëndë që i rëndonte shpirtin. Por kjo trimëri kishte çuar në çarjen e maskës së armiqve. Tani, ata kërkonin vetëm një gjë: ta zhduknin.

Më 10 prill 1950, teksa ecte pranë përroit në Malaj, dy prej kriminelëve e pritën në befasi. E mbërthyen, i mbyllën gojën me një shami të vjetër dhe e tërhoqën drejt pyllit. Një klithmë e mprehtë çau heshtjen e mbrëmjes, pastaj trupi i saj i brishtë ra në ujin e ftohtë të përroit. Pushkët nuk qëlluan atë natë, por krimi qëndronte në duart dhe shpirtrat e atyre që nuk duruan dot guximin e një gruaje të re.

Me vendimin nr. 37, datë 27 shtator 1968, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Mirditë, Ruta Mark Lugja u shpall Dëshmore e Atdheut. Jeta dhe heroizmi i saj janë përjetësuar në librin “Heronj të heshtur”, botim i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kanë kaluar dekada, por emri i saj mbetet i gjallë në kujtesën e Mirditës dhe të gjithë atyre që nderojnë sakrificën. Ruta ishte një grua e re që nuk pranoi të heshtte përballë tradhtisë, një zemër e pastër që u flijua për të vërtetën dhe për pushtetin e popullit. Ajo ra, që buzëqeshja dhe liria jonë të mos shuheshin kurrë.