Cikël poetik nga Bardha Mançe
Botë kafazesh
Kafaze të vjetra
Kafaze të rinj
Që hapen e mbyllen
Hap të vjetrin
Futesh tek një i ri
Botë pa kafaze shpirtrash
Ku Unë mbetem Unë
Dhe Ti je Ti
Ne universin e paqes
Kjo a nuk duhet të jetë
Bota tënde njeri?
Protagonistë në tragjedi
Të thashë, më the
Dhe sot dhe dje
I njëjti refren e njëjta
tragjedi
Protagonistë unë dhe ti
Të tjetërsohet Uni
Të bëhet Ti
Robërim i përhershëm
I shpirtit
Dhe Uni vdes
Dhe bota përmbytet në
monotoni
Dhe sot dhe dje
Paqe këtu dhe atje,
Fundi dhe fillimi i jetës
Njeri
Jetë me devocion
Thuhet që i mbyturi të mbyt
Por unë dua ta ndryshoj
Dua që atij që është duke u mbytur
T’i jap jetë, ta shpëtoj
Treni i jetës
Në trenin e jetës dhe unë
dhe ti
Ngarkuar vargmal nostalgji
Të dy në një stacion ku
pritje isha unë
Ardhje duhej të ishe
patjetër ti.
Papritur treni niset me furi
Unë brenda në tren
Dhe jashtë mbete ti
Imazhin tënd e mbolla në
mendje
Ta kultivoj në largësi
Kërkoj të ndaloj trenin
Por ai nuk më bindet
Veç largohet me shpejtësi
Dy petale ka jeta për
një dashuri.
Të dyDy rrugë, të gjata,
të shkurta, nuk e di.
Në njërën ecja unë,
në tjetrën ti
Dhe ecnim të dy
Na zuri nata diku, në
kryqëzim
Ti nuk me vërejte mua
Dhe unë nuk të pashë ty
Dikur zbardhi dita
Ne ishim larg, shumë larg
Dhe dielli na shihte në sy
E njëjta rreze ishte herë te unë
Herë të hidhej ty.
Mes rebeshesh
Rrugë pa fund më joshin
Shtërngatash, rrebeshesh që i ndjej
Diku një kthesë e qetë përulet
Rrugicë plot dritë pak më tej
Si pasthirrmë e largët ndjesore
Çfarë duhet të bëj në zenit dileme?
Të vazhdoj rrugën si vals i përhitur
Mes rrebeshit në shtrojerë afshi
Apo të përqafoj rrezet e diellit
Që më buzëqeshin ëmbelsisht
Ligësi
Çfare forme
Çfarë trupi
Çfarë ecje e dredhje ka
ligësia
Si e gjen rrugën
E futet të bëj viktimë
Dhe ëndrrat e mia?
Tinzare, e hollë
Apo e trashë dhe ziliqare?
Cila dorë e mbolli atë farë
Në ca trupa qenjesh
Aq të shëmtuara vallë?
Përbindësha pa kokë
Me duar grabitqarë
Instikti i bishës
I sjell ata vërdallë
Ca të shkurtër si të
shtypur
E ca të trashë
Ca si skile e ca si djaj
Do kenë jetë
Ata akoma vallë?!
Melodi jete
Do ta desha jetën poezi
Ku unë dhe ti të luanim hareshëm me vargun
Me rimë, pa rimë, veç në harmoni
Bukuri shpirtrash ta udhëheqin atë
T’i japin melodinë e jetës
Kënduar nga ne të dy
Pa falsitet dhe sforcime
Në pentagram notash
Dridhje plot ëmbëlsi
Befas një stonim
Të ikën melodia nga dora
Më kot shpreson të rigjesh
Pak frymezim…
Botë hijesh
Sa shumë hije në këtë botë
Silueta të trishta që tundojnë shpirtra
Të vijnë vërdallë me valle të shfrenuara
Aty ku gjejnë portë dlirësie hapur
Hedhin hapin e çmendur dhe vallen e egër
Deri në paradhomat e zemrave ulërijnë
Mbështjellin pabesisht çdo gjë me vello ironie
Dhe nënqeshen me të mirën
Shkelmojnë ankthshëm
Çdo ind dhe neuron mendor
Me instikte përbindshash
Pa formë e përmbajtje
Të duket gjithçka si marrëzi
Paralojë e stërkequr
Lëshojnë jehona ogurzeza
Më kot mundohesh t’i prekësh
Pak mirësi t’ua ndalë shfrenimin
Ato janë hije
Që nuk kanë përmasë tjetër
Vetëm një shtrirje zie
A thua hijet do të bëhen
banorë të botës?!
Post Scriptum
Bardha Mance ka lindur dhe është rritur në Tiranë ku edhe ka studiuar Filozofi në Fakultetin e Shkencave Politike Juridite të Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku ka kryer sudimet me rezultate të shkëlqyera. Për 15 vjet ka dhënë mësim si Lektore e Historisë së Filozofisë në këtë universitet. Mbas një specializimi të gjatë pasuniversitar në Univeristetin e Filozofisë në Athinë, lidhur me Filozofinë dhe Kulturën në Greqinë e lashtë në vitin 1993, ka vazhduar të jetojë dhe punojë në Athinë si gazetare dhe drejtuese e Programit në Gjuhën Shqipe në Radion publike “Athina984″. Në gjithë punën e saj është mbështetur në vlerat më të mira të kulturës shqiptarë të krijuara nga bashkëatdhetarët tanë në trojet shqiptare dhe në mbarë diasporën shqiptare, duke i promovuar ato dhe duke punuar për të rritur rolin e programit në gjuhën shqipe për te mbajtur gjallë dhe zhvilluar, gjuhën, kulturën dhe traditat tona kombëtare. Njëkohësisht ka drejtuar Lidhjen e Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe ka qenë mjaft aktive në mësimëdhënien vullnetare të Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare tek studentët shqiptarë që studiojnë në Universitetet e Greqisë. Jep mësime të gjuhës angleze njëkohësisht për bashkëatdhetarët tanë në Qendrën Kulturor Shqiptare në Greqi ”Porta Shqiptare”. Zotëron mirë gjuhët ruse, angleze, greke dhe italiane.