Albspirit

Media/News/Publishing

OPERACIONI I DËSHTUAR QË MORI JETËN E 300 DJEMVE SHQIPTARË

.

Mal Berisha

MISS BOTA 2003, BUKUROSHJA IRLANDEZE ROSANNA DAVISON “ZBULON” MËNYRËN SE SI U VRANË 300 DJEM SHQIPTARË NË “OPERACIONIN E (PA)VLEFSHËM”!?

Po ju sjell në vëmendje, në variantin videofilmik të rrëfimit, një ngjarje që mori jetën e rreth 300 djelmoshave shqiptarë. Unë po e vendos të gjithë tekstin e dialogjeve në film, këtu, fjalë për fjalë, në mënyrë që ata që e kanë të vështirë të kuptojnë pjesët në anglisht, të kenë mundësinë ta lexojnë dhe ta mësojnë të plotë këtë histori tragjike, të përkthyer me përpikmëri në shqip.

NJË HISTORI QË HARROHET, RREZIKON TË PËRSËRITET

RRËFIMTARI:– Rosanna Davison ishte vajza e parë irlandeze që u kurorëzua Miss Bota në vitin 2003. Që kur e fitoi këtë titulli, 25-vjeçarja ka ndërtuar një karrierë të suksesshme modelimi në Irlandë dhe jashtë saj. Si vajza e një këngëtari të famshëm, Rosanna është mësuar me dritat e skenës. Por tani ka vendosur t’i drejtojë ato tek paraardhësit e saj, për të zbuluar nëse fama dhe popullariteti janë një tipar familjar.

ROSANNA DAVISON – Aktualisht, unë di shumë pak përveç gjyshërve të mi. Shpresoj që këto ditë të zbuloj diçka që të më surprizojë.

RODERICK BEILEY – Më në fund, këtu në fund të kësaj faqeje të kësaj letre keni diçka që është shkruar nga gjyshja juaj.

ROSANNA DAVISON – Dhe shkrimi qenka kaq i bukur.

RODERICK BEILEY – Këtu thuhet se ai nuk është më i interesuar të marrë një Short Service Commission, pasi ka pranuar një detyrë tjetër dhe e ka lënë vendin. Nuk jam… nuk jam i sigurt… tingëllon mjaft intriguese, sepse këtu mbaron dosja.

ROSANNA DAVISON – Po!

RODERICK BEILEY – Dhe a do të ishte interesante të zbulohej se çfarë ishte ajo detyrë?

ROSANNA DAVISON – Tungjatjeta, gjyshe, si je?

GJYSHJA – Ohhh, po! Si je ti?

ROSANNA DAVISON – Ne sapo lexuam një letër të shkruar prej teje, dhe po pyesnim se përse ti nuk mund ta merrje atë detyrë, dhe se ku shkoi ai në vend që të shkonte në Malajë.

GJYSHJA – Eh! Atij i ofruan një post tjetër, në Maltë.

ROSANNA DAVISON – Dhe çfarë lloj posti do të ishte ai?

GJYSHJA – Eh, ishte punë zyrtare, ushtarake, por në fakt ishte punë spiunazhi. Ai i trajnonte agjentë që të zbarkonin në Shqipëri.

ROSANNA DAVISON – Uau, pra ishte një gjë shumë sekrete…?

GJYSHJA – Po, ai i mësonte se si të hidhnin objekte në erë, dhe përgjithësisht si të shkaktonin sa më shumë trazira.

ROSANNA DAVISON – Po ti, çfarë bëje në atë kohë?

GJYSHJA – Unë shkoja me të në atë bazë ku bëhej stërvitja. Unë e bëja gjithë shifrimin dhe deshifrimin kur agjentët hidheshin natën në Shqipëri. Më duhej të rrija zgjuar gjithë natën, gati për të marrë mesazhet dhe për t’i dërguar në Londër.

ROSANNA DAVISON – Gjyshe, ky është një aspekt i jetës tënde që unë nuk e kam ditur kurrë. Ti nuk ma ke treguar kurrë këtë. Si ka mundësi që shtiheshe sikur ishe ndonjë bareshë delesh apo mbarështruese kuajsh!? Nuk e kisha ditur këtë. Jam shumë, shumë e habitur.

GJYSHJA – Kam pasur shumë ngjarje emocionale në jetën time. Prandaj tani e shijoj kaq shumë këtë jetë të qetë.

ROSANNA DAVISON – Roderick, ju e dëgjuat bisedën?

RODERICK BEILEY – Po.

ROSANNA DAVISON – E çfarë mendon për këtë?

RODERICK BEILEY – Epo, mund të nënkuptojmë një gjë: Ai ishte një operacion tejet sekret dhe shumë i diskutueshëm. Ishte një nga përpjekjet e para të ndërmarra gjatë Luftës së Ftohtë për të destabilizuar një qeveri komuniste kudo në botë. Ajo u ndërmor bashkërisht nga MI6 dhe CIA. Operacioni konsistonte në hedhjen me parashutë dhe infiltrimin e emigrantëve shqiptarë në Shqipëri, me qëllim që ta rrëzonin qeverinë. Këto lloj operacionesh mbeten sekrete për një kohë shumë, shumë të gjatë.

RRËFIMTARI: – Pas Luftës së Dytë Botërore, ndikimi sovjetik filloi të përhapej në të gjithë Europën Lindore, duke shkaktuar shqetësim të madh në Perëndim. Shqipëria u bë një nga shtetet e reja komuniste më të egra nën diktaturën e Enver Hoxhës. Por Rosanna sapo ka mësuar se gjyshërit e saj u dërguan në Maltë si pjesë e Operacionit VALUABLE, një plan i përbashkët britanik dhe amerikan për të dobësuar dhe përmbysur regjimin komunist shqiptar. Rosanna ka fluturuar drejt Maltës, e bindur se ishte pikërisht në prag të një zbulimi të madh lidhur me emërimin në atë post sekret të gjyshit të saj në atë ishull. Historiani lokal Mario Felucia është përpjekur të zbulojë më shumë detaje për të.

ROSANNA DAVISON – A keni ndonjë kujtim tjetër rreth asaj që ata po bënin dhe pse ishin këtu?

MARIO FELUCIA – Sipas informacionit që kemi, ata janë trajnuar në Fort Bingemma. Megjithatë, mund të kenë qenë trajnuar edhe në Fort Manuel. Dhe kjo sepse këto janë të njëjtat baza të vjetra që u përdorën nga SOE gjatë Luftës së Dytë Botërore.

ROSANNA DAVISON – A është dikush tjetër që e ka këtë informacion?

MARIO FELUCIA – Jo, fatkeqësisht nuk kemi gjetur askënd. Madje kemi vendosur edhe një njoftim në gazeta dhe askush nuk është përgjigjur. Mendoj se ishte tepër sekret.

ROSANNA DAVISON – Po.

MARIO FELUCIA – Dhe kjo të jep njëfarë ideje të përgjithshme rreth asaj se çfarë përmbajnë këto operacione. Ajo që dimë me siguri është se gjithë aktiviteti, pra, aktiviteti i trajnimit, është zhvilluar rreth atyre zonave, në Fort Bingemma dhe ndoshta edhe në Fort Manuel. Çfarë përbën një veçanti, është se ai ishte një vend shumë i izoluar dhe ndodhet në veriperëndim të ishullit, që është një nga pikat më të largëta të tij. Dhe pastaj ndiqej një shteg!

ROSANNA DAVISON – Tani jam në një pikë ku kam mbledhur një sasi të caktuar informacioni dhe një vendndodhje se ku gjyshërit e mi ishin vendosur në fillim të viteve 1950. Dhe… por ndjej sikur jemi diku në prag të diçkaje. Kështu që është jashtëzakonisht emocionuese dhe e befasuese! Dhe për mua, të mendoj që kemi ardhur kaq larg dhe ende ka gjithë këto informacione për t’u zbuluar…! Mendoj se kjo mund të jetë juaja. Përshëndetje, a është… a është ky Fort Bingemma?

BANOR LOKAL – Po, ky është Fort Bingemma!

ROSANNA DAVISON – Atëherë jam në vendin e duhur. Unë quhem Rosanna.

BANOR LOKAL – Unë quhem Salzano.

ROSANNA DAVISON – Kënaqësi që u njohëm! Po t’ju pyesja, si e kujtoni këtë fortesë, le të themi, rreth kohës së Luftës së Ftohtë, që nga fundi i viteve 1940?

BANOR LOKAL – Ah, unë isha shumë i ri në atë kohë për të kuptuar se çfarë po ndodhte këtu.

ROSANNA DAVISON – Është kaq i bukur… Dua të them, do të më pëlqente të hyja brenda dhe të shikoja këtë vend!?

BANOR LOKAL – Po, hajdeni dhe hidhni një rreth e qark!

ROSANNA DAVISON – Faleminderit.

RRËFIMTARI: Gati 60 vjet më parë, këtu është vendi ku gjyshërit e Rosannës ndihmuan në stërvitjen e të rinjve shqiptarë për të përmbysur komunizmin.

ROSANNA DAVISON – Është e mahnitshme të mendosh që ky është vendi ku gjyshërit e mi me shumë gjasë do të kenë jetuar…

RRËFIMTARI: Operacioni VALUABLE ishte tepër sekret. Edhe sot, asnjë dokument zyrtar nuk u vihet në dispozicion historianëve. Por koloneli David Smiley, i cili mbikëqyri projektin në Maltë, ka shkruar shkurtimisht për operacionin në librin e tij The Albanian Assignment: “Fillimisht, duhej gjetur akomodimi për shqiptarët dhe më pas duhej shpikur maskimi i tyre. Fort Bingemma, i ndërtuar gjatë Luftërave Napoleonike, i plotësonte këto kushte. Aty mund të kaloje vetëm përmes një shtegu të vështirë”.

ROSANNA DAVISON – Kjo është shumë interesante. Ai shkruan: “Meqenëse të gjitha komunikimet e mia me Londrën duhej të ishin të koduara, më duhej një operator i kodeve. Kështu që gruaja ime, Moy, në Maltë, ishte përgjegjëse për gjithë punën e kodimit dhe dekodimit të forcës”. Dhe kjo tingëllon pikërisht njësoj si ajo që përshkroi gjyshja ime për atë që bënte atje.

ROSANNA DAVISON – Tani kjo është interesante. Mendoj se kam zbuluar një lloj anomalie historike.

ROSANNA DAVISON – Ai shkruan: “Pasi të gjitha grupet u hodhën matanë në brigjet tjera, stacioni në Maltë u mbyll dhe unë u transferova në Greqi”. Kjo është shumë e çuditshme, sepse gjyshi im në fakt e kishte pranuar këtë post, dhe ky vend nuk u mbyll fare. Ai vazhdoi të funksiononte. Kështu që, nuk jam e sigurt, por ky mund të përbëjë thjesht sekretin absolut të kësaj force. Gjyshja ime ka qenë një “kalë vërtetë i zi”, një surprizë e madhe. Unë gjithmonë e kam ditur se ajo ishte një grua jashtëzakonisht e zgjuar. Por nuk kisha asnjë ide se ajo ishte e përfshirë kaq thellë në gjë të tillë. E di, kam marrë një vendim tani që këtë verë të kaloj shumë kohë me të, thjesht… thjesht duke folur bashkë. Nuk dua të bëj të njëjtin gabim me të, siç bëra me gjyshin.

RRËFIMTARI: Përse Rosanna po e gjurmonte të shkuarën sekrete të gjyshërve të saj në Maltë?

Roderick Bailey ka zbuluar më shumë rreth Operacionit VALUABLE.

Duket se informacioni i dhënë nga gjyshja e Rosannës e ka rishkruar historinë.

Operacioni VALUABLE nuk përfundoi kur kolonel David Smiley u largua nga Malta.

Trajnimi sekret vazhdoi nën drejtimin e Charles Davison.

Ai mbërriti në Maltë pikërisht në kohën kur në përgjithësi mendohej se operacioni kishte marrë fund.

RODERICK BAILEY – Roli i gjyshit tuaj, siç e dini, ishte të trajnonte këta të rinj shqiptarë, dhe ai ishte perfekt për ta bërë atë punë.

Ai do t’u mësonte gjithashtu se si të përdornin radiot, si të vrisnin, si të vendosnin eksplozivë, e kështu me radhë.

Këto janë të gjitha gjërat që, sigurisht, ai i kishte mësuar gjatë luftës.

Kështu që ai kishte shumë përvojë në kësi lloj aktivitetesh.

Ai ishte shumë i aftë!

Roderick Beiley – Po, absolutisht.

Dhe kur trajnimi përfundoi, ata i merrnin agjentët nga Fort Bingemma dhe i dërgonin në Shqipëri në dy mënyra.

Njëra ishte tokësore, përmes Greqisë, ndërsa mënyra tjetër ishte me anije zbarkimi në det.

Ata merreshin me anije nga Malta, nga një prej këtyre porteve këtu, dhe çoheshin në bregdetin shqiptar. Aty zbarkonin në mes të natës.

Tani, ka edhe një gjë tjetër që duhet ta dini për gjithë këtë operacion:

Fakti që ai ishte një katastrofë e plotë, pothuajse nga fillimi deri në fund.

ROSANNA DAVISON – Vërtet?

RODERICK BEILEY – Po. Dhe shqiptarët vetë, të rinjtë shqiptarë që u trajnuan në Fort Bingemma, në atë vendin që e vizituat, shumë prej tyre u kapën, u torturuan dhe u ekzekutuan.

Disa arritën të shpëtonin.

Disa u rikthyen këtu, por…

Ata treguan histori të tmerrshme se si ishte gjendja në atë vend.

Që nuk kishte… kishte shumë pak mundësi për çfarëdo lloj suksesi.

Sigurimi komunist ishte jashtëzakonisht i egër.

Në fakt nuk ishte aspak faji i trajnerëve britanikë.

I gjithë operacioni ishte… ishte i mangët në vetvete.

ROSANNA DAVISON – A i dini pikat e vërteta të mangësive?

RODERICK BEILEY – Po. Ata e mbivlerësuan tepër aftësinë e popullatës shqiptare për t’u ngritur kundër qeverisë komuniste.

Po ashtu, përgjithësisht besohet se një agjent i dyfishtë britanik ishte aktiv. Ai quhej Kim Philby, i cili “shërbente” në Uashington në atë kohë.

Mendohet se ai i kaloi sekretet e këtij misioni tek komunistët.

RRËFIMTARI: Pavarësisht përpjekjeve më të mira të babait të Rosannës, gjithë puna e tij u hodh poshtë.

Sekreti absolut i Operacionit VALUABLE u minua nga ai spiun i brendshëm, gjë që do të thoshte se regjimi komunist në Shqipëri i dinte se kur dhe ku do të zbrisnin të trajnuarit.

Dështimi i Operacionit VALUABLE çoi në vdekjen e të paktën 300 djemve shqiptarë.

Edhe sot, është një nga operacionet më pak të njohura të kohës së Luftës së Ftohtë.

ROSANNA DAVISON – Kjo nuk e ndryshon domosdoshmërisht qëndrimin tim ndaj gjyshërve të mi dhe asaj që ata bënë.

Jam e zhgënjyer për ta, e di.

Në një farë mënyre po përpiqem të ruaj empatinë për ta, edhe pse në një mënyrë apo tjetër u përfshinë në fatin tragjik të kaq shumë njerëzve dhe u bënë deri diku përgjegjës për humbjen e kaq shumë jetëve shqiptare.

RODERICK BEILEY – Vështirë të flitet për këtë, sepse në fakt rezultoi një katastrofë.

ROSANNA DAVISON – Informacioni që kam dhe që e kam mbledhur në kokën time…

Pra, gjyshi im më thoshte se, çdo gjë që ai e dinte, e dija edhe unë.

Me besimin e tij të plotë dhe gjithë aftësinë e tij, çdo mision do të ishte i garantuar që do të kishte sukses.

E di, deri tani kam besuar në gjithçka që ai mund të bënte; çdo gjë që merrte përsipër, mund ta realizonte dhe të ishte i suksesshëm në të.

Kështu që është paksa si një tronditje për mua, në të vërtetë.

Besoj se po e ndiej edhe unë humbjen dhe zhgënjimin e tyre.

RRËFIMTARI: Kërkimi i pemës së saj familjare e ka çuar Rosannën larg e më larg,

por më në fund e rikthen në Irlandë, aty ku kërkimi i saj filloi, në shtëpinë e gjyshes së saj, në Wexford.

ROSANNA DAVISON – Po, a je ende e detyruar ta mbash këtë informacion sekret?

Apo thjesht je mësuar të mos flasësh për të?

Apo, a mund të kishe folur hapur me dikë tjetër?

GJYSHJA – Sigurisht që nuk mund të flisje për shumë vite, sepse e kisha nënshkruar Aktin e Sekreteve Zyrtare. Dhe ai të detyron të qëndrosh e heshtur.

ROSANNA DAVISON – Si e maskoje atë që po bëje atje?

GJYSHJA – Thjesht jetoja në një mënyrë shumë të zakonshme.

Nuk kisha pse të fshihesha. Fëmijët shkonin në një shkollë ushtarake, në një shkollë të vogël ushtarake.

Ne prisnim lajme që vinin nga…

ROSANNA DAVISON – A ishte më shumë punë nate?

GJYSHJA – Trajnimi zhvillohej gjatë ditës, ndërsa zbarkimet bëheshin natën. Po, trajnimi vazhdonte gjatë ditës.

ROSANNA DAVISON – Mirë, kur u larguat nga Malta, a ishe e interesuar të dije se si përfundoi operacioni?

GJYSHJA – Në të vërtetë neve nuk na tregonin. Ne dinim vetëm ato që merrnim me mend dhe që mund t’i kuptonim nga gjërat që ndodhnin përreth.

ROSANNA DAVISON – Sepse ne mësuam atje, që në fakt ishte një lloj katastrofe, se shumë nga shqiptarët vdiqën.

ROSANNA DAVISON – A u mërzite që operacioni në fakt nuk pati sukses?

GJYSHJA – Po, u mërzitëm, por ne nuk kishim çfarë të bënim, po.

Ishte e trishtueshme, sepse ishin djem të rinj shumë të mirë.

ROSANNA DAVISON – Dua të them, unë… unë nuk e kam ditur kurrë këtë.

Besoj se nuk të kam pyetur asnjëherë, për jetën tënde…!

GJYSHJA – Po, kam frikë se ata… nuk… ata vdiqën.

Është shumë e trishtë ta dëgjosh këtë.

ROSANNA DAVISON – Si u përballe ti me këtë fakt?

GJYSHJA – U zhgënjeva që gjithçka mori fund ashtu.

Por… më vjen keq… vërtet më vjen shumë keq që përfundoi ashtu siç përfundoi. Ti nuk më ke pyetur kurrë, e di.

Mendoj se gjithmonë merret me mend se njerëzit kanë lloj-lloj kujtimesh, nga më të habitshmet pothuajse gjithkush në këtë botë.

ROSANNA DAVISON – Mendoj se një nga burimet më të rëndësishme të këtij udhëtimi, të të gjithë këtij udhëtimi, të kuptimit të gjithë kësaj rruge zbulimi, do të mbetet pjesë e jetës sime përgjithmonë.

Ka qenë ajo, gjyshja ime, personi që gjithmonë e kam admiruar, dhe e di që gjithmonë kam pasur mendimin më të mirë për të.

Por ajo ka qenë këtu me gjithë këtë informacion… dhe mua… nuk më kishte shkuar kurrë mendja që ta pyesja.