Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Pajtim Sejdinaj


Atdheu!


Tokë e bekuar!
Truall i premtuar
Na i ka falur Perëndia!
e bukur, e mirë!
e shtrenjtë, Shqipëria!

Atdheu
s’është ëndërr, as zhgjëndërr
as kukull ta mbajmë ndër duar!
Është kristal, gur i çmuar!
Është dhimbje larë me gjak!
Është stuhi, zjarr e flakë!

Gdhendur në ballin tim!
Gdhendur në ballin tënd!
E lexojmë:
“Kudo ku shkojmë në çdo vend”!

E kemi mbi supe
Kur ikim botës tutje.
Është nostalgji!
Flamurin Kuq e Zi
mbajmë në gji!
Ai na bën krenar!
Ne i japim bukuri
Globit anë e mbanë!
“O sa mirë! O sa mirë!
Me kenë shqiptar”!

Atdheu është
trëndafil me fletë!
ta gëzojmë përjetë!

At e bir
Kushtuar Hajredin dhe Rauf Fratarit

Burra nga i njëjti gen!
Luftuan për mëmëdhenë!
Burra që bënë histori!
Dhe luftuan për liri!

Burra ishin si çakmaku!
Për atdhe u vlonte gjaku!
E lanë si trazhgimëni.
Të luftojmë për liri!

Atë e bir të njëjtin ëndërr.
Për atdhe luftuan me zemër.
Luftuan për truallin mëmë.
Ku ka lindur babë e nënë.

Ku janë varret e të parve.
Amaneti i legjendarve.
I ati e la Stamboll.
Shtëpinë e ktheu në shkollë.

I biri u rrit jetim.
Në djep mësoi historinë.
Nëna i mësoi Dashurinë.
Edhe etjen për Lirinë.

Historianë mos lozni zare!
E vërteta është në kamare!
Ata dhanë jetën për Lirinë!
Mbeten Diell për Shqipërinë!

Udhëtim drejt udhëve të Ferrit për të takuar Dragonjtë e lirisë
Kushtuar Ganimet Gjilani Fratari

Ku po shkon Zonja Mëmë?
E ke marrë rrugën në kembë!
Ç të djegë vallë ty në zemër?
Kush të doli mbrëmë në ëndërr?

Ti moj Zonjë ke një maraz!
Lulet të ndjekin nga pas!
Ku po shkon moj Dritë Hyjnore?
E bukur si Engjëllore!

Ballsh, Zejmen e Qafë-Bari
Në endërr s’i kish parë
Vazhdon rrugën në këmbë
Ti je Dritë e ti je Nënë.

Te Ferri plot me vrerë
Të paudhët mbollën skëterrë!
Po jo! S’vdes fisnikëria!
E ka bekuar atë Perëndia!

Vetëm dielli të shikon!
Kur tët bir përqafon!
Kur tët bir e shtrëngon!
Edhe loti nuk shteron!

Lotët e tu ujëvarë!
Si flori derdhur në ar!
Yt bir legjendar!
Për ty Zonjë është krenar!

Çekani
Baladë
“Besim për vete dhe të tjerët. Adhurim për Shpresën”!

Të dy jemi nga i njëjti “Stan”!
Flemë në të njëjtin “Han”!
Hedhim të njëjtin “Jorgan”.
Kemi një “grimcë Dhe”
E quajmë At-mëmëdhe
Ombrellë kemi një “Flamur”!
Për të vdesim si burrë!
Truallin Arbënor të trashguar.
“Çekani” na i ka copëtuar!
Na i ka dërrmuar!
Ai s’na bie në një mend!
Aty ku “plaga” të dyve na dhemb!

***

U ndamë!
U shamë!
Kurr s’u pajtuam!
S’di!
Pse u bëmë “armiq”?!…
Armiq të njëri-tjetrit vite me radhë!
Harruam bukën e vjetër!
“Mizat na i futi një tjetër”!
Ne si të xhindosur!
U vramë u sakatuam!

Kush nga ne mori rrugën e djallit?!…
Kush nga ne eci pas gjurmëve të kalit?!…
“Çekiçi” vazhdon të bjerë mbi kokë.
Si zogjët e korbit shpërndar nëpër botë.
Dhimbjen s’peshojmë dot
S’ ecim dot ball lart!
“Gomari na ngeci në baltë”!
“Gomarin nga balta i Zoti e nxjerr”!
Sehirxhinj janë të tjerë.

***

Kemi ecur nëpër mjegullën e historisë!
Mjegullën, s’e çajmë dot.
“Çekani” na ra në kokë!
Të dy me kokë mënjanë!
Njëri nga “mushka”!
Tjetri nga “krushka”!
Edhe vllam me vllam
U ndamë
U vramë!
S’u pajtuam!

“Armiq” të betuar!
Në një grimcë “Dheu” jetuar!
Të trashëguar!

***

Një shekull të tërë!
Të dërrmuar!
Të shkatërruar!
Si zogjët e qyqes të larguar!
At-mëmdheu i copëtuar!

Shekulli i ri.
I Drejtësisë së shqiptarëve.
I Drejtësisë së madhe!
“Vareja” duhet të na bierë në kokë!
Të bëhemi të gjithë tok!
“Vareja ” të na bjerë në një mend!
Tek bashkimi i truallit Mëmë!
Ku në zemër “Plaga” të gjithëve na dhemb!

***

Jeta
Vdiq në kohë!
E vdiq në çast!

S’u varros!
E lanë jashtë!

Kufomën e shqyen qentë.
Qenëve u ranë dhembët.

Kufoma kockë e lëkurë!
Sëmundje që s’u shërua kurrë!

Nëpër terr e nëpër natë.
“Jeta” mbeti fillikat.

Endërra mbeti vetëm ëndërr!
Ajo s’mbërriti kurrë në zemër!

Edhe shpresa mbeti shpresë!
Por u vra nga “të pabesë”!

Meditim për dashurinë

Zënkat e tua i kam “fshehur në varr”
Kur të vemi atje do të jemi të pandarë
Do të kujtojmë dashurinë e parë
Zënkat që na mbajtën gjallë
Ujët që pimë në krua
Buzëqeshjet e ëmbla të tua
Letrat e dashurisë i vendosnim nën gur
Qëndisnim në to lule dhe flamur
Në udhën e gjatë 14 shkurtin s’e takuam
Po me njëri-tjetrin u përqafuam
Në muzgun e natës e
filluam dashurinë
Mëngjesi na gjeti,
përqafuar në lëndinë
Gjithë “rininë e dogjëm” si
shami për dashurinë
Hiri i saj na mbeti tani për pleqërinë
Gojat e liga na ndoqën në çdo hap
S’u trembëm, ecëm me të njëjtën çap
Dashuria s’u shua, ajo u ndez flakë
Dashuria në atë kohë kishte vlagë!

Kush e vrau Besën!?

E prenë Besën, e bënë copë-copë.
Si hise mishi kur therët një lopë.
E shtrydhën Besën në voza rrushi.
S’e bënë dot raki u prish mushti.
E shitën si hise, Besën e “blerë me flori”!
Atdheut i nxorën “ujë të zi” !
U ngrit Kostandini nga varri me shpat në dorë!
-“O biri i shqipes!
Qenke kthyer në horr!
-Ku e keni Besën, Besën e lënë traahëgimni?
Besën e shqiptarit, të madhen pasuri”!
Kostandini hoqi në zemër!
Ju kujtuan fjalët e Nënës.
-“Shqiptari pa Besën s’rron dot!
-A e ka shqiptari mendjen në kokë”?!

Për vrasjen e Besës janë thinjur zemrat.
Qajnë çdo ditë nënat.
I dhemb shpirti historisë.
Dhe maleve të Shqipërisë

Kush e vrau Besën, brezat duan ta dinë?
Ata që si parëe kanë “tradhtinë”!
Ata që njollosin historinë!

Mullinj ka, po s’ka drithë!

Fillova punë mullixhi.
Bluaj drith në mulli.
Një zanat i paparë.
Lum ai që e ka “ngarë”.

Në fillim më vajti mbarë.
E bluaja yshyrin rradhë.
Ç’kish mbetur në hambar
Kokërr të njomë e të tharë.

Më vonë mori tatëpjetë
U mbarua s’kish bereqet
S’u shterua ujë i mulliriit.
Shteruan kokrrat e drithit.

Drithin që mblodha në rini
S’e blova dot në pleqëri.
Sytë e mi ç’kanë parë
S’vinin njerëz në rradhë!

E mbylla me kyç mullirin.
Bëra poshtë nga qyteti!
Pyeta rron a s’rron mileti?
“Si ushqehet i shkreti”?!

E ka zënë robin qameti!
Ai do ta vuaj i shkreti!
Robi mori arratinë!
Mbeti mulliri lëndinë!

Kam hall e zanatit tim!
Mbeti i shkretë në mjerim!
Mullinj ka plot plot!
Po iku “drithi” nëpër botë!

S’më vjen keq “Pse qaj”!
Po kë të ngarkoj me faj!.
Po me mullirin ç’patën?
Pse hambarin s’e hapën?

E more miq ç’më gjeti!
Të më rrojë marifeti!
S’bluaj më bereqet
Bluaj “kafe për pleq”!

E ktheva në Bujtinë!
Nga të gjitha anët vijnë!
E ktheva në “muze”!
“S’ka më drith te ne”!

Meraku i nënës

Meraku i nënës, gjumi më i ëmbël!
Gjumi që të shoqëron në ëndrrën!

Vitet fluturojnë në pleqëri
Nëna fort të shtrëgon në gji!
“Fli o biri nënës fli”!
Në djep më përkund dhe tani!
“Fli gjumi të bënë mirë!
O shpirti i Nënës si xhevair”!

E vë dorën në zemër!
Në dritaren e dhomës shikoj nënën!
Me xhevzen e filxhan në dorë.
Eja bir! Të pijë kafe u bë vonë!
“Bir! Mos harro ta pimë kafen bashkë!
Për ty “fle në dyshekun me kashtë”!
Eh!… sa netë kam gdhirë jashtë!
Meraku si brejtës më bren!
Po birin e saj nëna s’ka ku e gjen”!

Me dorë kokën më ledhaton
Sëmundjet e zemrës m’i shëron!
Në pleqëri vjen e më viziton!
Buzëqeshjen e bukur më dhuron!

Nënat ka vite, e “vdekur”…
Në sy, buzë e shpirtin tim
ende e patretur!
Cila është ajo që s’vdes kurrë?
Nëna, meraku për bijtë e lë pa gjumë.

Unë e takova Evën

Unë e takova Evën!
Kërkonte Adamin.
Atë që i hapi namin!

Unë e takova Evën!
Ngarkuar thasë në gomar.
Vetë hipur në kalë.
Çonte të” vdekurit” në mal.
U kthye.
Mbi supe një sqepar.
Do shkonte të zbulonte varr!
Të shinte: Të gjallët a janë të “gjallë”?!

Ajo e palosi fletën.
S’ gjeti emra.
Rrjedhur nga zemra!
Defteri i zhburosur!
Mendja e marrosur!
Lapësi s’i shkruan më!
E vetme qan me zë!
Në defter emra s’ka më!
Unë e takova Evën
Kish “prangosur” brengën!

U barazua gjinia

Pse ma mban kokën mënjanë?
S’ta kam hedhur më sevdanë?
E të dua s’do “kandari”!
“Ai s’është më i pari”!

Më ka gjetur kiameti
Është paralizuar i shkreti!
Ai s’vete më në krua!
Më ka gjetur belaja mua!

Ah! moj burrëri, burrëri!
U ç'”burrërore” edhe ti!
Ikën vitet që i kisha pranë.
Ikën,humbën pa nishan!

Hall me “kandar”, e pa “kandar”!
Tani asnjëra s’ ta “var”!
Unë “Ylberin” e kalova
Nga kusuret shpëtova!

Po hallet s’paskanë të mbaruar.
Paskam lindur për të vuar!
Më ka ikur “bukuria”!
E më mori ment e mia!

Mbeta me “gisht në gojë”!
Femrat s’kanë më nevojë.
Ndaj dhe unë s’e hedh sevdanë!
Se kam humbur pa nishan!

U barazua gjinia.
Hallin zgjidhi Shqipëria
Është hall i bërë mal!
S’peshohet më në “kandar”!

Për nuse mora drogën

Kam vite në dritare
Sytë m’u errësuar fare
Hedh sytë lart në qiell
Një emër shndërrin si diell.

Të pash mbrëmë në ëndërr
Me dikë veshur dhëndër
Me dorë më ledhatove
Në krah më pushtuve

Kam mbetur fillikat
Muret duken si lugat.
Po të pres o zemër
Në shpirt ai emër.

Nënë unë jam fajtor
Ika s’e putha atë dorë
O nënë, o nëna ime
Ti më rrite me thërrime

Vërtet më pe në ëndërr
Më dikë veshur dhëndër
Po për nuse mora drogën
Ajo që më hëngri kokën

Kungull jashtë e pjepër brenda!

Kolopuç të keqen nëna!
Kungull jashtë!
E pjepër brenda!
Dukesh “si iriq me gjemba”!
O”iriq” t’u bëftë nëna!
I paske b*let të rënda!

O-birooo…!

Ti ke ngjarë nga Ai
Kur hynte Ai në shtëpi
Dridhej derë e penxhere!
Bëhej shtëpia kallame*!

O-birooo…!

Kur fliste Kapedani!
Iknin “dhentë nga stani”!
Të më rritesh për së mbari!
Të ngjash nga gjysh Hasani!

O-birooo…!

I sertë si teli me gjëmba!
Kështu e kishte rritur nëna!

O- birooo…!

Si kalli s’kish të sharë!
I bukur e goxha djalë!
Ishte pak qejfëlli!
Edhe pinte shumë raki!

O-birooo…!

Ja hodhën sevdanë gratë.
Me to flinte natë për natë.
Unë, korba s’bëja zë!
Se s’ rrija dot pa Të!

O-birooo…!

Ah!… ai, paguri i Hasanit
Si paguri i gomarit!
Kumbarë në dasma!
Pa martuar s’la vajza!

O-birooo…!

Ah! T’u bëftë gjyshja kurban!
Ti s’e njohe gjysh Hasan!
Po të thotë gjyshja e shkret!
Ishte burrë i vërtet!

O-birooo…!

Të më rritesh për së mbari!
Të bëhesh si gjysh Hasani!

O-birooo…!

Kallame: rrëmujë, shamatë

Mos u çudit
Po qe i verbuar
Merr një fener dritë
Të shikosh ku shpresa u godit
U bë çik e thërrime.
Mbeti jetime.
Kalit i hodhën “trutë e gomarit”.
Ia hoqën patkonjtë kalit.

Hygo: yaaa… yaaa… yaaa!
Në lëmë me kamzhik kalin qëllon.
Kamxhiku si gjarpër e kafshon.
Liria e shumë pritur loton!
Paqa e plagosur lëngon
Strumbullari në lëmë me kalin “lojën” vazhdon!
Strumbullari është po ai,
Litari rretullohej rreth tij.

Hygo: yaa… yaa… vazhdon.
Me kamzhik kalin qëllon.
Kamzhiku si gjarpër e kafshon.

Kjo është epoka jonë!
Kali më nuk shin më grurë!
Por një popull të “sëmurë”!