Kliton Nesturi: NË THELLËSITË E ARTUR REMBOSË
Veprën më të mire për Uilliam Shekspirin e ka shkruar francezi Viktor Hygo, për francezin Zhozef Fushe dhe për Katerinën e Madhe të Rusisë – austriaku Stefan Cvajk, veprën më të mire për Rasputinin e ka shkruar anglezi Dagllas Smith. Dhe kështu shembujt janë të bollshëm. Historia e publicitikës na dëshmon se nuk është e thenë që veprën më të mire biografike, apo analizën studimore më të mire ta bëjë një autor i cili ka të njëtën kombësi me personalitetin drejt së cilit ai vendos vëmendjen dhe kontributin e tij. Nga sa kam mundur të njoh dhe të lexoj, mendoj se një nga veprat më të mira për francezin Artur Rembo e ka shkruar një shqiptar – Luan Rama.
Vepra e tij “Udhëtimi i mbramë i Artur Rembosë” është një vepër e plotë, e cila merr përsipër të na rrëfejë gjeniun e poezisë në dimensionin më të madh, atë njerëzor, kodin e vetëm i cili na bën të mundur kuptimin dhe orientimin drejt botës dhe filozofisë së tij.
“Vet francezëve, kritikëve dhe historianëve të letërsisë, u është dashur pothuaj një shekull për të dëshifruar poezinë e tij, pasi të kuptosh vargjet e tij, duket se duhet një kulturë e veçantë pasi edhe pse i ri, Rembo kishte një kulturë të jashtëzakonshme jo vetëm letrare, por edhe biblike apo linguistike, çka i bën të vështira dhe neologjizmat e tij. Ja pse kur nuk e njeh siç duhet jetën e poetit, ngjarjet e ndryshme, historinë biblike dhe mitologjinë, poezia duket hermetike dhe e padëshifrueshme.” Nëpërmjet këtij përcaktimi Luan Rama na bën të qartë shtratin mbi të cilin do të vendoset këndvështrimi i tij për Artur Rembonë, si të vetmen udhë për të gjetur të vërtetën e këtij gjeniu të letërsisë.
“Udhëtimi i mbramë i Artur Rembosë”, është një vepër shteruese. Me mprehtësinë e një pubilicistit dhe shkrimtarit dhe me syrin e kineastit, Luan Rama depërton në thellësinë e jetës së Rembosë, duke hyrë edhe në skutat më të errëta të shpirtit të tij, prej nga burojnë ritmet e jetës, pasionet, veset, arratisjet, dashuritë, urrejtjet, dëshirat, pengjet dhe gjithçka që jeton, shpërthen dhe vuan brenda universit në të cilin përendet zemra, shpirti dhe mendja e tij. Këtë Luan Rama e bën nëpërmjet një pune të thellë hulumtuese, nëpër arkiva dhe dokumente të ndryshme. Veç narracionit kronologjik të jetës, autori i kësaj vepre na sjell të ndërthurur edhe letërkëmbimin e Rembosë si dhe rrëfimet e lëna nga ata që e njohën nga afër, çka zbërthen më së miri personalitetin e tij njerëzor dhe artistik, i cili ndonëse shkruajti shumë pak brenda jetës së tij të shkurtër doli mbi kohën gri ku pështillej njerëzimi. “Gjeniu – shprehet Viktor Hygo,- është një etnitet si natyra dhe dëshiron të pranohet e pa kushte si vet ajo. Mali, o pranohet krejt siç është, o lihet mënjanë”. Të njëjtën gjë bëri edhe Artur Rembo, duke tejkaluar gjithçka, bashkëkohësit dhe epokat. Ky është dimensioni mbi të cilin shtrihet kjo vepër.
Duke hyrë në këtë spektër të gjerë, Luan Rama na bën që ta adhurojmë edhe më shumë Artur Rembonë, pavarësisht nëse e pëlqejmë ose jo, dhe ta shohim atë ashtu siç duhet dhe i takon me të vërtetë.
Tiranë, 17 dhjetor 2025