Albspirit

Media/News/Publishing

Edlira Birko: “PËR LUFTËN, DASHURINË DHE MENDIMIN”

Disa fjalë mbi romanin e LUAN RAMËS “Murgu i Malit të Shenjtë”.

(Botimet “ALBAS”), mbajtur me rastin e prezantimit të romanit së fundi në Tiranë.

—-

Lektori i lëndës “Midis traditës dhe modernitetit” në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris, ambasadori dhe shkrimtari Luan Rama, sapo përuroi romanin e tij të fundit “Murgu i Malit të Shenjtë” (Shtëpia Botuese “ALBAS”). Një roman mbi modernitetin në pikëtakimet e tij në trajtën e një palimsesti: fati i Odisesë së kohërave moderne i mbishkruar mbi fatin e Odisesë së Homerit. Një romam për luftën dhe dashurinë, një roman me tingëllim aktual. Si për të na sjellë ndërmend se lufta po na tringëllin në derë, rrëfimtari diku thotë: “ …kur po kthehej në vendlindje, duke kapërcyer Gramozin, Odise Mihalis tha: “Lufta vazhdon… [Në të vërtetë] ato nuk kanë përfunduar asnjëherë, pasi mjerisht tek secili nga ne është fara e egërsisë dhe aroma e gjakut.”

Romani “Murgu i Malit të Shenjtë” është një palimsest apo një sprovë shkodimi e ADN-së së kujtesës kolektive të njerëzimit? Të dyja bashkë, pasi kujtesa njerëzore është, po ashtu, një palimsest, trajta më e thellë e më organike e tij. Odise Mihalis-i i Luan Ramës, mbijetues i Luftës së Dytë Botërore, duket se në çdo çap të vetin ‘rijeton’ në thelb synimin e peripecitë e Odiseut homerik, ndonëse, natyrisht, me ndryshime kontekstesh, ngjarjesh, njerëzish, kufijsh, hapësirash, kohësh e vendesh. Përveç një ndryshimi radikal: Në fund të rrugëtimit, fatet e dy Odiseve duket se ndahen, pikërisht aty ku takojnë dashurinë, atë dashuri që i mbajti gjallë nga tmerret e luftës. Kësaj pike do t’i rikthehemi dhe njëherë në fund.

“Murgu i Malit të Shenjtë” shfaqet si një vepër emancipuese dhe bartëse e një aktualiteti të jashtëzakonshëm për kohën në të cilën jetojmë. Në të vërtetë, cilat janë dy gjendjet themelore që përjeton sot njeriu, shoqëritë njerëzore dhe njerëzimi në tërësi, gjendje që përcaktojnë krizën e përgjithshme që ka kapluar botën? Gjendja e parë është ajo e Njeriut-Turmë, e individit dhe e bashkësive njerëzore që i nënshtrohen pushteteve e fuqive sunduese, që e kanë dorëzuar aftësinë e mendimit dhe të veprimit të pavarur. Gjendja e dytë është ajo e Njeriut të Vetmuar, të cilin e kaplon ndjesia e braktisjes, e pafuqisë, e harrimit nga të tjerët, nga shoqëria dhe bota. Kjo është gjendja që psikologjia e shenjon me konceptin e anomisë, e këputjes së lidhjeve ndërnjerëzore, e atyre lidhjeve që e bëjnë një tërësi individësh të jetë një bashkësi organike, të gjallë e të shëndoshë. Pothuajse ka shteruar gjendja e tretë, themelore, ushqyese e çdo akti qytetërues, që e bën njeriun t’u largohet gjithnjë e më shumë instinkteve të luftës, që e bën ta shohë tjetrin si një përmasë të vetes, dhe botën si shtëpi të të gjithëve. Kjo është gjendja e njeriut të rebeluar. E njeriut që nuk pranon të jetë as pjesë e turmës, as qenie që ka zgjedhur vetminë. Por, nga fillon aftësia e njeriut për t’u rebeluar? Fillon nga vendimi i tij për të mos e braktisur mendimin. Nga ana tjetër, aftësia për të menduar, nuk mund të lindë as në kushtet e turmës, as në kushtet e vetmisë. Aftësia për të menduar, e pastaj për t’u rebeluar, mund të lindë, paradoksalisht, veçse në gjendjen e vetmimit (solitude), me çka kuptohet gjendja e zgjedhur dhe e ndërmarrë vullnetarisht e qëndrimit vetëm, si akt përqendrimi në vetvete, si akt thellimi shpirtëror, si akt i afirmimit të autonomisë dhe lirisë, çka e dallon rrënjësisht nga vetmia (loneliness) si gjendje e pësuar ose e mungesës. Njeriu dhe Njerëzimi i sotëm e kanë braktisur në një gradë të lartë këtë përmasë a gjendje themelore të Qytetërimit.

Romani më i ri i Luan Ramës, me zgjedhjen që bën kryepersonazhi, Odisea, për t’u tërhequr si Murg në Malin Athos, dhe me vetë titullin e veprës “Murgu…”, nuk shenjon vetmi, por të kundërtën e thellë të saj, vetmimin, duke bërë kështu simbolikisht thirrje që njeriu e njerëzimi t’i kthehen gjendjes së vetme që mund të përballë e, pse jo, edhe të asgjësojë mallkimin e luftës e të shkatërrimit. Po i rikthehemi tani dhe njëherë epilogut të veprës. Odisea i Homerit mbërrin në Itakë e ribashkohet me dashurinë e jetës së vet, Penelopën, ndërsa Odise Mihalis e “humb” dashurinë e tij , Lean, pasi ajo, në ndërkohën e luftës, pas lajmeve mbi ‘vrasjen’ e bashkëshortit, qe martuar me dikë tjetër dhe ishte bërë me fëmijë. Pas një nate plot pasion, Odisea e lë të lirë në fatin e saj Lean dhe vetë niset drejt Malit të Shenjtë.

Në pamje të parë, dallimi me epilogun e epit humerik është i thellë. Në të vërtetë ky është triumfi i dashurisë së vërtetë. Mes dashurisë sublime për dikë dhe lirisë e realitetit të ri në të cilin ndodhet personi i dashur, të zgjedhësh të dytën: Akti më i lartë i dashurisë për tjetrin. Veçse ka dhe diçka më shumë këtu, po të mbajmë parasysh çka thamë për tri gjendjet themelore të njeriut e të njerëzimit. Nga kjo perspektivë, “ Murgu i malit të shenjtë” më shumë se një romam për luftën dhe dashurinë, është një për roman për mendimin”, pikërisht sot kur bota duket se e ka braktisuar atë. Një vepër që të fton drejt një reflektimi të madh. Romani mbyllet me pyetjen: “Përse vallë ai ( gjyshi Pakomé) ma vuri emrin Odise?” Latinët e moçëm thoshin: ‘Nomen est omen’ (Emri që njeriut i vënë, i parathotë atij fatin e jetës). Në të vërtëtë, ‘Odise’nuk është veç fati i dy personazheve. Fati i mbarë Njerëzimit ka emrin ‘Odise’.