Prof. Emil Lafe: FJALË KUJTIMI E NDERIMI PËR PROF. PETER PRIFTIN
(NË 15-VJETORIN E NDARJES NGA JETA)
Kam pasur fatin dhe kënaqësinë të hyj në lidhje dhe më pas ta njoh nga afër këtë burrë të shquar të kulturës e të shkencës, veprimtar i fortë i jetës shoqërore të mërgatës shqiptare në SHBA. Kur revista “Gjuha jonë” (e themeluar më 1981, e mbyllur më 2009 nga kundërshtarët e misionit të saj dhe e shpërfillur nga Akademia e Shkencave sot, që me këtë mënyrë u jep të drejtë atyre që e mbyllën) hapi rubrikën “Gjuha shqipe në botë”, iu drejtova Peter Priftit të na shkruante për mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E pranoi me kënaqësi ftesën dhe dërgoi një studim të plotë për këtë, që u botua në dy pjesë (1997 dhe 1998) dhe u ribotua edhe te revista “Atdheu” (Bronx, New York, 2000, nr. 2–3). Në pjesën e parë të studimit flitet për mësimin e gjuhës shqipe brenda mjedisit shqiptar, ndërsa në pjesën e dytë shtjellohet mësimi i shqipes në botën akademike amerikane si edhe në qendra të organizuara nga qeveria për nevoja shtetërore. Vlen të përmendet paragrafi i parë nga hyrja e këtij studimi: “Për shqiptarët gjuha është pasqyra ku ata shohin veten e tyre më së miri si pjesëtarë të një kombi. Në dhe të huaj ajo është karta kryesore e identitetit të tyre si njerëz të familjes shqiptare, me tiparet e saj të veçanta. Është mekanizmi më i fuqishëm për transmetimin e trashëgimit kulturor nga prindët te fëmijët.” Autori ka sjellë të dhëna të plota për mësimin e gjuhës shqipe në një varg qytetesh, nga Bostoni në Teksas, duke përmendur edhe organizatorët, mësimdhënësit dhe librat e mësimit. Nga ai parashtrim del se shkollat kanë qenë të lidhura me institutet fetare dhe mësimet janë zhvilluar pranë tyre, duke u kombinuar mësimi i gjuhës me mësimin e fesë (së krishterë ose myslimane); mësimet janë zhvilluar kryesisht në fundjavë (e shtunë, e diel); lënda e mësimeve, përveç gjuhës, përfshinte edhe njohuri nga fusha të tjera, si histori, gjeografi, mësim vjershash e këngësh popullore; në periudhën e pasluftës (pas vitit 1945) mësuesit kanë qenë të formuar si arsimtarë; programi i mësimeve shtrihej nga një vit deri në tre vjet; ndjekja e mësimeve nuk ka qenë e rregullt dhe për këtë përgjegjësia bie mbi familjet e nxënësve.
Pjesa e dytë e studimit, siç e përmendëm, bën fjalë për mësimin e gjuhës shqipe në universitetet amerikane, si Universiteti i Kolumbias në Nju-Jork, Universiteti i Kalifornisë në San-Diego, Universiteti Kameron në Oklahoma. Me interes është njoftimi se edhe universitete të tjera kanë qenë të gatshme për të hapur mësimin e shqipes, por nuk kanë pasur studentë të regjistruar, p.sh. Universiteti i Çikagos (falë prof. Gary Bevington, autor i librit “Albanian Phonology”, 1974), po kështu universiteti i Nju-Jorkut dhe universitete të tjera në shtetet Uiskonsin, Kansas. “Shkolla të tilla, – shkruan P. Prifti, –meritojnë respekt dhe mirëkuptim për qëllimet fisnike që kanë ndaj gjuhës dhe popullit shqiptar edhe kur ato nuk ia arrijnë qëllimit të tyre, ose ia arrijnë pjesërisht dhe përkohësisht.”
Më tej autori flet për programet e mësimit të shqipes të financuara nga qeveria federale në përputhje me interesat shtetërorë të vendit. Shkolla e parë shqipe e këtij lloji u organizua në Institutin Gjuhësor të Mbrojtjes në Monterei (Defense Language Institute, Monterey, California) më 1948. Përgjegjës për organizimin e saj ka qenë Nelo Drizari dhe pas tij Xhosef Gera. Këtu kanë dhënë mësim Rushdi Daca, Zef Logoreci, Zef Nekaj, Gasper Kici, Hysni Aliko, Adelbert Fekeçi. Për të plotësuar kërkesat e shkollës që sa vinte zhvillohej e perfeksionohej, ata përpiluan vazhdimisht tekste të reja, gjithsej 17 tekste. Kjo shkollë vijoi punën për 41 vjet rresht (u mbyll më 1989) dhe mban rekordin për jetëgjatësi ndër të gjitha shkollat amerikane ku mësohet ose është mësuar shqip. Një tjetër shkollë e këtij lloji ka qenë në Blumington (Indiana), që veproi në vitet 1951–1957, ku kanë dhënë mësim Ismail Haznedari (nga Berati) dhe gjuhëtari amerikan Leonard Newmark. Ndryshe nga shkolla në Monterei, ku mësohej gjuha shqipe sipas dialektit të Elbasanit, këtu mësimet jepeshin sipas toskërishtes. Një tjetër shkollë e këtij lloji ka qenë Instituti për Shërbim jashtë Vendit (Foreign Service Institute) në Arlington (shteti Virxhinia), ku përgatitet personel për shërbim diplomatik.
Në mbyllje të këtij punimi me vlerë të madhe dokumentare, prof. P. Prifti flet për gjendjen e gjuhës shqipe në Amerikë në fund të shekullit të shkuar. Përmend pikëpamjen pesimiste se mërgata shqiptare në SHBA rrezikohet nga asimilimi dhe humbja e identitetit etnik. Mendimi se gjuha shqipe po vdes ngadalë te brezi i ri i shqiptarëve në SHBA është i vjetër, thotë P. Prifti. Kështu p.sh. thoshin shqiptarët e moshuar në Boston nga fundi i viteve ’30, por koha nuk e ka vërtetuar këtë parashikim të zymtë, që ka shqetësuar përherë brezin e vjetër”. Me një humor të hollë ai shkruan se këto profeci i kujtojnë raportin e “vdekjes” së shkrimtarit Mark Twain, që e bëri këtë humorist të madh të shprehet me ironi se lajmi i vdekjes së tij ishte ”paksa i tepruar”; kështu edhe me gjuhën shqipe, mund të themi se raporte të tilla janë paksa të parakohshme. Sot pas një çerek shekulli nga koha kur P. Prifti shkroi këtë punim, mërgata shqiptare (nga të gjitha trojet shqiptare) në SHBA ndoshta është më shumë se trefishi i asaj që ka qenë. Me programet që kanë qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës për diasporën dhe me organizimet e vetë shqiptarëve të mërguar, janë të gjitha mundësitë që gjuha shqipe në SHBA jo vetëm të mbijetojë, por të jetë pjesë e procesit të përgjithshëm të zhvillimit të gjuhës shqipe në tërësi. Bibliografia e pasur që përmbyll këtë punim, përmban edhe vepra pak të njohura ose të panjohura. Veprat që nuk gjenden në bibliotekat tona, është e nevojshme të sigurohen të skanuara a të fotokopjuara me interesimin e Bibliotekës Kombëtare.
Në verën e vitit 2003 prof. P. Prifti kishte ardhur në Shqipëri së bashku me të vëllanë, shkrimtarin e njohur Naum Prifti dhe të dy bënë një vizitë në Akademinë e Shkencave. Thjeshtësia dhe dituria ishin dy tipare që e dallonin menjëherë. Atëherë punoja për fjalorin enciklopedik shqiptar, që u botua më 2008–2009 në tre vëllime nga Akademia e Shkencave). Doja që mërgata shqiptare në SHBA, jeta dhe veprimtaria e saj, shoqëritë e ndryshme, njerëzit e shquar të saj të pasqyroheshin në mënyrë sa më të plotë e të saktë në fjalorin tonë enciklopedik dhe kërkova bashkëpunimin e tyre. Përveç kësaj, duke përfituar nga rasti, iu luta të më dërgonte kasetën me dy fjalime të incizuara të Fan Nolit: fjalimi në 50-vjetorin e gazetës “Dielli” (1959) dhe fjalimi në 50-vjetorin e themelimit të Federatës “Vatra” (1962) – shembuj të shkëlqyer të oratorisë së Fan Nolit. Këto dy fjalime ishin botuar te vëllimi i gjashtë i “Veprave” të Fan Nolit (Akademia e Shkencave, 1996, f. 201–208 dhe 215-224), por me gabime të rënda, të pabesueshme për një botim akademik (sot këto fjalime mund të dëgjohen lirisht duke i kërkuar në internet). Duke dëgjuar e ridëgjuar zërin e Nolit nga këto kaseta bashkë me një koleg të ri nga Instituti i Gjuhësisë, për fat të keq jetëshkurtër (Dr. Vladimir Dervishi, 1958–2010) përgatitëm variantin e saktë të tekstit të fjalimeve dhe me shënime të reja sqaruese për lexuesin. Për të gjitha dyshimet e pasiguritë tona ndihma e Peter Priftit ishte e menjëhershme. Por revista “Studime filologjike” e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë nuk e pa të nevojshme ta botojë tekstin tonë. Uroj që në rastin e një ribotimi të këtyre fjalimeve, Akademia e Shkencave të mos përsëritë tekstin e botimit të vitit 1996.
Peter Prifti kishte shkuar në Amerikë 16 vjeç, më 1940, por, kur e takova, dukej sikur po vinte nga fshati i tij i lindjes, Rehova e Kolonjës rrëzë Gramozit. Në këtë fshat e në rrethin e tij familjar ai kishte thithur ajrin shpirtëror të idealeve të Rilindjes Kombëtare, qe ushqyer me to dhe mërgimi veç do t’ia forconte edhe më tej. Angazhimi i tij për Kosovën në vitet më të vështira të historisë së saj është mbresëlënës (nuk e di nëse ka marrë ndonjë mirënjohje të veçantë për këtë). Pas studimeve të larta në Universitetin e Pensilvanisë P. Prifti u vendos në Boston, ku u njoh nga afër dhe bashkëpunoi me Fan Nolin, duke punuar si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe si redaktor në gazetën “Dielli”. Dy libra të prof. Eleni Karamitrit “Peter R. Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë (Shkodër, 1997) dhe “Shqiptarë në liri. Diaspora shqiptare në Amerikë (studime letrare, dëshmi, bibliografi” (Shkodër, 2017) na japin një pasqyrë të gjerë të veprimtarisë së dendur shkencore e kombëtare të kësaj figure emblematike të shqiptarëve të Amerikës. Uroj që autorja të arrijë t’u shtojë këtyre librave dhe një të tretë me plotësime e vështrime të reja.
Peter Prifti ende nuk e ka vendin e merituar në Panteonin shqiptar. Vepra e tij pak njihet. Ajo ka vlera jo vetëm historike, po edhe për kohën e sotme. Siç e përcaktonte bukur studiuesi Melsen Kafilaj në një shkrim të vjetshëm, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, për Peter Priftin vlen shprehja latine Silens loquor! (Ndonëse i heshtur, ende flas). Le ta dëgjojmë me vëmendje fjalën dhe zërin e tij. Le të mësojmë nga dija dhe përkushtimi atdhetar i tij.