Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Bardhosh Gaçe: LIRIKË FILOZOFIKE NË KËRKIM TË KUPTIMËSISË SË JETËS

Mbi vëllimin “Trup e shpirt” të Timo Fllokos

Poeti Timo Flloko ende thur vargje poetike, si një udhëtim nëpër kohë e nëpër botë, për të përcjellë mesazhet e tij. Me vëllimin “Trup e shpirt” krijon universin e fjalës së tij poetike, si një poet që shpalos një botë ndjesish dhe mendimesh me një temp vërshimesh plot imazhe dhe me një fjalësi të modernitetit poetik: “I përzura komplekset nga vetja/inferioritetin e nisa të parin”, thotë ai në poezinë “Rob i manive” që është edhe poezia e parë paraqitëse e këtij libri.

Në vëllimin e tij, përzënia e kompleksit (druajtjes) është çelësi për të hapur kodet e fjalës e për t’i sjellë ato sa më pranë kuptimit. Në këtë kuptim ai bën mjaft përpjekje për ta çliruar poezinë nga druajtja e të shprehurit të fjalës e për ta sjellë atë sa më afër dhe aq sa është e mundur në natyralitetin e të shprehurit, larg çdo paragjykimi apo pengese. Po. Timo Flloko është një poet i shpenguar, por jo i padisiplinuar, kur është fjala për të njohur dhe zbatuar teknikat e vjershërimit.

Karakteri vërshues i vargut të tij ka të bëjë me një botëndijim të shpenguar e kulturalisht shprehës. Vargu i tij elegant dhe fjala poetike e përzgjedhur, të ftojnë gjithnjë që poezinë e tij ta lexosh duke e shijuar atë po në këto parametra. Poeti e nxjerr nga vetja këtë botë për të na treguar se hijeshia e shpirtit dhe ngacmimi i mendimit të tij prej saj derdhet në vargje dhe merr trajtë përmes tyre po në këtë sintoni, ashtu siç ajo është derdhur edhe në rolet e filmave të tij artistikë.

Poezia e Timo Fllokos përcjell një frymë të fuqishme intelektuale dhe prej saj përftohet atmosfera e gjithë poezisë, prandaj, kur e merr në dorë këtë libër, ende pa e lexuar mirë ndjen ritmin e një mendimi të shqetësuar që kërkon të zhbirojë e të të sjellë në pah raporte të qenies me një univers sa jetësor aq edhe kulturor. Poeti nuk është rob i manive edhe pse ka një poezi me këtë titull, përkundrazi ai: “ritualet i vara në kremastarë/dalë nga preferenca prej kohësh”, ku kërkon të sjellë poezinë të çliruar nga konvencionet dhe ndonjë mani, ta sjellë atë sa më të lirë e të lirshme, ashtu siç vërtetë e meriton poezia e mirë, që thyen dhe zhvendos mendimin e njëtrajtshëm, duke ngjizur një reliev pamjeje sa më të pëlqyeshme dhe duke të befasuar me konceptime të llollojshme.

Në poezinë e Timo Fllokos objekti poetik zhvendoset e merr trajtë të luhatshme, sepse poeti është kërkues dhe synon ta shohë atë nga të gjitha anët. Dhe, këtë objekt poetik, ai e vesh me figura të ndryshme artistike, sjell dhe konfirmon në përshtatje me logjikën e idesë emra të ndryshëm të njohur e të panjohur, nga miti, kultura, feja, nga bota e artit etj.

Këto janë disa tipare të poezisë së tij vetëm në një vështrim të parë, kurse poezia e Timo Fllokos fton gjithnjë për të ecur ngadalë nëpër shtigjet e saj të kuptimit dhe për të ndjerë pahitjen e një mendimi dhe ndjesie të bukur. Janë disa poezi që të tërheqin vëmendjen, ku akti leximor i tyre sjell vetiu atë perceptim për të mos i lexuar si për herë të parë, por ta vijosh këtë lexim për të kuptuar sa shtrihet thellësia e imazhit dhe sa vlen forca e mishërimit përmes fjalës artistike. Poezi të tilla, si: “Sytë”, “Ekuinoks” ‘83”, “Rusalkat”, “Xhelozi e detit”, “Mësimi i profesor Kokinos”, “Kthim nga Afrika” etj, shpalosin një botëndjerje të gjerë, ku poeti e shëtit mendimin dhe e percepton hapësirën e tij në një rrafsh të gjerë.

Shpesh përmes përsëritjes ose anaforizmit të fjalës, (poezia “Sytë”) po edhe përmes shkallëzimit apo rimarrjes së imazheve, duke i zgjeruar ato shkallë-shkallë (poezia “Sokaku i të marrëve”), poeti ndërton një diskurs të larmishëm, ku arrin një gjithëpërfshirje të kuptimit të së mundshmes vetëm me pak fjalë dhe njëkohësisht përcjellë nënshtresa kuptimore, të cilat vijnë njëra pas tjetrës e të ftojnë t’u zgjosh thellësitë të panjohurave.

Poeti jeton në një botë ankthi dhe vetmie, e përjeton atë nga kundrimi që u bën sendeve, nga vëzhgimet e tij në një botë udhëtuese në metropolet e Perëndimit. Dhe kjo i jep shkas të shkruajë vargje, të cilat shpalosin me një ritëm të përshpejtuar këtë ankthi, vetmi e trille të ndryshme të përftuara përmes këtij kondicioni: “Drithërimë, frymë e shpirt/zjarr që djeg, por kurrë s’na ngroh/marrëzi e lumtur, një enigmë/s’dimë pse duam, kush na do”, janë këto disa vargje të shkëputura nga poezia e tij “Mbi Urën e Bruklinit”.

Në ankthin dhe vetminë e poetit sqimatar përfshihet edhe dashuria. Edhe ajo fiton një dimension të mistertë, nganjëherë të pakuptueshëm, megjithatë ajo ekziston, dhe të përndjek gjithnjë mendimi për të: “Çudi, si mund të kem dashur/kur kësaj jete s’u pamë kurrë me sy/si mund të ndodhë e pandodhshmja/ç’mister qiellor fsheh një dashuri”. Dhe ky rrugëtim ndiesor është i mbushur edhe me pengje, teksa poeti shprehet: “Një fjalë e pathënë më mbet në fyt/si kafshim i Mollës së Adamit”. Shpesh në poezinë e Timo Fllokos duket se diçka nuk realizohet, diçka si përjetim në lëvizje, sepse përmasa e lëvizjes formon në poezinë e tij gjithnjë një imazh që i përshpejton ndjesitë në turravrapin e tyre. Përmasa e lëvizjes vjen si një rrjedhë e rrëmbyer, e cila formalisht matet nga caku i rrokjezimit të vargut, kurse në perceptim del jashtë këtij kufiri. Poeti e sjell këtë edhe në aspektin sintaksor edhe në figura të tingëllimit poetik, siç është aliteracioni: “Flatra fatash fërfërijnë/fantomë frymësh, frymëzim/fllad i ftohtë fryn e fryn/fat fatal, fati im”. Ndihet në këto vargje fërfëllima, e cila vjen prej një ndjesie drithëruese që vetiu të preokupon ta ndjekësh imazhin si një fundësirë që kërkon shpëtim.

Duke ndjekur më tutje aspektin e kuptimësisë së vargjeve të Timo Fllokos, kupton më së miri se poezia e tij nuk e shikon lëvizjen brenda një kaosi, përkundrazi, poeti është mjaft i qartë dhe i kuptueshëm për ato që thotë e shpreh e për ato që duhen kuptuar. Poezia e tij është e qartë, e brishtë dhe me një intonim lirik të kulluar që të tërheq. Por, brenda kaosit poeti kërkon të shohë e të evidentojë qetësinë e dëshiruar: “Ti kthehesh përsëri tek unë/ka kohë që të pres/një Adam i mashtruar jam/si të gjithë të dobëtit në botë”-kuptohet, këto vargje vijnë pas një ravgimi të gjatë ku, poeti është gjithmonë i detyruar të pohojë e të bjerë në dilema por, më në fund vendos.

Poeti ka provuar edhe trevargëshin, ku vizaton në miniaturë gjendje dhe të papritura të tyre: “Kur u bë terr/dolën yjtë të tërë/dhe i panë të dy” (poezia “Hëna dhe një yll”). Për poetin “dritë e dashurisë/qiellit shkretan/mbetet si oaz”, vargje të cilat përcaktojnë atë thelb shpirtëror dhe atë qëndrim ideoemocional të poezisë së Timo Fllokos, ku poeti gjithmonë e kërkon dashurinë në këtë botë në lëvizje, në këtë botë që kërkon veten e saj të humbur, që mundohet t’i vërë gjërat në rend, por ato fitojnë shpesh vlera të tjetërsuara.

Poezia e tij është një lirikë meditative mbi kërkimin e thelbit njerëzor, mbi dashurinë, e cila nuk ka një kuptim të thjeshtë e konkret, por kuptimi i saj kalon përmes dilemave që vijnë prej trishtimit, brengës, prej ndarjeve apo pamundësisë për të gjetur veten në këtë botë qetësihumbur. Poeti mediton e reflekton, ndërton imazhe dhe qetësohet, niset sërish i shqetësuar, ndalet e mrekullohet nga arti, nga e bukura, niset sërish në këtë rrugëtim të gjatë estetik e gdhend fjalën poetike hijshëm, duke e sjellë atë drejt një perceptimi sa më të mundshëm.

Shpesh poeti pohon dhe mohon, më shumë pohon, në një reliev kontrastesh, ku zotëron më shumë ngjyra gri, e cila përvidhet e zë vend pa e thirrur poeti, por ajo domosdoshëm është aty. Drita dhe mirësia në poezinë e Timos shfaqet nga ajo çka poeti lë të nënkuptuar. Dhe mund të zbërthehen qindra lexime midis rreshtash në poezinë e tij, çka flet për një meditim të thellë dhe për një shqetësim të një artisti intelektual me botë të gjerë shpirtërore.

Herë-herë, poezia e tij ndërtohet mbi një etyd, siç është, për shembull, poezia “Në Hotelin e Gjuetisë” apo nga një tërësi etydesh të cilat nuk largohen shumë nga boshti qëndror i idesë dhe prej konceptimit tërësor të poezisë. Aftësia poetike për të spikatur etyde dhe për t’i sjellë ato përmes vargjesh të çliruara prej metrit të njëjtë, është një tjetër tipar i krijimtarisë poetike të Timo Fllokos në vëllimin “Trup e shpirt”.

Në vëllimin poetik “Trup e shpirt” renditen edhe pesë poema, përkatësisht: “Pandehmë në Nju-Jork”, “Trumcaku”, “Natë në Monparnasse”, “Përtej jetës” dhe “Takim me të dashurën Mari në vitin 9000”.

Siç shihet edhe nga titujt, por edhe nga brendia e këtyre poemave, ato janë krijuar mbi një koncept të caktuar filozofik, që shprehin raportet e qenies me qytetërimin, me botën, me jetën dhe vdekjen, me ëndrrën dhe përjetësinë. Ndërtimi i tyre nuk bazohet mbi ndonjë narrativë të caktuar, por mbi ide, duke përcjellë mesazhe dhe hove të dëlira të shpirtit njerëzor, që kërkon kuptimësinë në jetë.

Përshkrimi dhe dhënia e detajeve në poemën “Pandehmë në Nju-Jork” bëhet në mënyrë realiste, me një vizatim urban-konkret e përmes këtij realizmi poeti zbulon një qytet surreal. Ajo që kërkon poeti befas zhduket dhe përfshihet nga vorbulla e një qyteti që zapton ajrin dhe gjithmonë sikur bie të panjohurën dhe e bluan në çast, duke të afruar një të panjohur të re. Enumeracioni dhe vargu i shkurtër, në gjatësi rrokjesh, ia dalin ta formëzojnë këtë përmbajtje delirante.

Të njëjtën teknikë të thyerjes së vargut, duke ndjekur një ritëm përshpejtues, përdor poeti edhe në poemthin “Trumcaku”, i cili është një baladë e ngritur në një detaj. Paralelizmat që ngre poeti dhe hovet drithëruese që ai i shpërndan në hapësirën e këtij poemthi, janë të qëlluara dhe të mbresojnë.

Në poemën “Natë në Montparnase” poeti shpalos aspekte të bukurive marramendëse të Parisit, të historisë, të njerëzve të artit dhe të mrekullive arkitekturore. Aty ku poeti “zemrën lë peng/dhe ikën nga vetja”, ku ndihet adhurimi, trishtimi dhe një habi si mrekulli e artit që shpalos ky qytet. Montparnasi nuk është më ai Montparnas i Balzakut ku Rastinjaku ngjitet në kodër dhe i betohet Parisit, por një vend ku të dashuruarit lidhin besimin dhe njerëzit gjejnë qetësinë. Ndërsa në të vërtetë në Montparnas nuk mund të mos i bësh një betim vetes për të arritur të mundurën. Në këtë poemë, deliri i bukurisë duket sikur i kthen edhe vargjet në një afër ekstazim.

Në poemën tjetër “Përtej jetës” poeti mediton mbi raportin qenie-vdekje-përjetësi-dhe nuk mungojnë në të figura të Biblës apo terma të caktuara fetare, megjithëse kjo nuk është qëllim. Është një poemë, e cila sa ç’e shtjellon mendimin mbi trupin dhe shpirtin, aq edhe përcillet në fiksacione kozmike. Këto mendime poeti i vijon edhe në poemën tjetër “Takim me të dashurën Mari në vitin 9000”, ku e shtyn vizionin e tij poetik më larg dhe përsiat mbi ato këndvështrime ideore që kanë të bëjnë me shpirtin.

Përgjithësisht, poemat e Timo Fllokos kanë një frymë shpenguese, lirshmërie. Ato të afrojnë konceptime të gjera dhe të thella mbi qytetërimet dhe mbi jetën, mbi historinë, artin, fenë etj. Janë poema të shkruara me nerv dhe tregojnë edhe për njohuritë e autorit në shumë fusha të dijes, megjithëse, në poezi, dija nuk është qëllim, por burim frymëzimi për ta shpalosur atë përmes mendimit e ndjesive poetike.

Vëllimi poetik “Trup e shpirt” i Timo Fllokos lexohet me endje dhe përjetohet për hapësirën e gjerë tematike e motivore, për kulturimin e vargut të latuar e mbresat që përçon. Lirika e tij moderne-meditative e dallon veçmas këtë poet, duke sjell një zë të spikatur në lirikën e sotme moderne shqipe.

Tiranë-Vlorë, prill 2025.