Albspirit

Media/News/Publishing

Emra të mëdhenj të artit për romanin epistolar të Luan Ramës

Kanë shkruar për romanin-epistolar:

—–

“Një histori që të bën të drithërohesh, një afresk i gjallë, realist dhe i thellë”

Luc Vidal, botues dhe poet francez.

“Këtu mbaron epistolari i të burgosurit Frederik Çobaj”… Ja pra si mbaron libri yt i ndjeshëm dhe prekës në lidhje më të burgosurit politikë të ishullit të Zaratës. Një libër politik? A është e saktë kjo fjalë? Jo, nuk e besoj. Diktatura e tmerrshme shqiptare e Enver Hoxhës, e cilësuar si Republika Popullore Socialiste, ishte një nga më të izoluarat dhe më vrasëse. Që nga viti 1980, ndryshimet në bllokun e Lindjes u mundësuan nga Mihail Gorbaçov dhe Shqipëria ashtu-kështu ndiqte rrjedhën e saj. Kur një diktaturë dhe diktatori burgos burrat dhe gratë me shkaqe të rëndomta, atëherë pyesim veten se si në emër të ideve që duan të çlirojnë njeriun nga prangat, të cilët kërkojnë pak zemër dhe dashuri, arrijnë pa turp që ta skllavërojnë njeriun dhe të vrasin çdo arritje. Qëllimi i tyre është padyshim të përjetojnë një urrejtje të jashtëzakonshme për tjetrin dhe gjithçka ta bëjnë për të qenë në piedestal. Kështu është krijuar Narcisi në pjesën e tij të hijes… Poet, kineast, ti je ngjizur shpirt e trup në këtë dramë të jashtëzakonshme. “Epistolari i Zaratës” që sapo ke shkruar na shfaq kompleksitetin e kësaj historie të madhe, e historisë personale të njerëzve dhe të historisë së artit. Thashë se ke kompozuar, sepse për mua, në këtë rast kjo është më shumë se sa të shkruash. Dhe gjithçka tingëllon harmonike dhe tragjike në librin tënd. Ai bashkëbisedim që ti vendos në letrat e Çobës për Brunën, dashurinë e tij, është shumë e thellë, prekëse dhe vibruese. Ajo çka krijon lirizmin tënd dhe interesin e këtij libri është krijimi i asaj ehoje në greminën e dramës së ferrit të përjetuar nga Çoba dhe shokët e tij, si dhe forca e veprës së Dante Aligherit me citimet e zgjedhura që mbështesin zhvillimin e shkrimit tënd. Për më tepër që Çoba gjatë kohës që mbahet i burgosur përkthen këtë vepër të jashtëzakonshme. Duke lexuar tekstin tënd kemi ndjesinë se gjithçka vazhdon njëlloj dhe asgjë nuk ndryshon.

“Njerëzit kanë fytyrat e Neronit, Antigonës, Kasandrës, Çirçes, të Edipit, Herakliut dhe të Menelas… Të njëjta tragjedi, veç dekori ndryshon!” – thekson ti. Ishulli i Zaratës ka shijen bashkëkohore të një zhytjeje drejt ferrit ashtu siç imagjinohej në mitologjinë greke. Lundërtari, ashtu si Koron, pra Rrapushi, është aty për të na e kujtuar këtë figurë mitologjike. Ndoshta në zemrën e përkthyesit që dashuron Brunën, ashtu si Dante Beatriçen, ky ishull i Zaratës, kur gjithçka të përfundojë, do të bëhet ajo parajsë e thjeshtë për të cilën ti flet. Nuk po evokoj jetën e të burgosurve që aq shumë ti e ke ndjerë dhe e përcjell në librin tënd, po ashtu për praninë e Popit, priftit, që gati çmendet, apo atij gardiani kampi, roja mizor Cerbèr, duke vërtetuar ditë pas dite se idiotësia njerëzore dhe burokratike mund të sundojë si një zot… Komentet mbi Danten dhe Firencen të mpleksura me mbijetesën e të burgosurve dhe nevoja e ëndërrimit tek Çoba e bëjnë akoma më bindës artin tënd romanesk. “Por Dante nuk kishte mundur ta imagjinonte një apokalips të tillë”, shkruan ti me fjalët në gojën e Fredit. Beatriçe për Danten ishte ylli i mëngjesit. Ashtu dhe Bruna, ajo e heroit tënd gjer në fundin e tij të tmerrshëm dhe zhdukjen e tij, kohë kur ai sapo kishte mbaruar përkthimin e veprës, e që shënonte fundin e tij. Më së fundi, pikërisht atëherë Bruna kishte mundur të merrte një leje për të takuar të dashurin e saj. Por tepër vonë. Tregimi yt rrjedh bukur me një histori që të bën të drithërohesh. Eshtë një afresk i gjallë, realist dhe i thellë. Gjithçka është trallisës tek Dante, shkruan ti duke menduar botën e përkthyesit. Tregimi yt e tregon këtë trallisje që shpreh vepra e Botiçelit që i bashkëngjitet këtij libri. Kështu tregohet solidaritetit vëllazëror që lind mes njerëzve të kthyer në hije. “Miqësia e tyre nuk mund të thyhet nga ideologjia”, nënvizon ti. Ajo që përjeton Çoba dhe shokët e tij të pafat, është prova e gjallë e analogjive me botën që shkruan Dante. Eshtë një dashuri e madhe që nga “Komedia Hynore” shfaqet në veprën tënde. 13 letra shënuese kompozojnë veprën tënde. Trembëdhjetë letra të forta dhe transparente që përforcojnë idenë e mbrojtjes së lumturisë me gjithë tragjeditë e çastit dhe që akoma janë aktuale e të mundshme në kujtesën tonë të qartë dhe vëllazërore. Ne nuk i gëlltisim më bollat që i këndojnë një bote më të mirë, horizonti i të cilës është i prangosur nga mustaqet e babait të popujve, Stalinit. Ne kemi nevojë për “anijen e dehur” të poetit Rimbaud. Kemi nevojë për ëndrrën “uliksiane” të Frederik Çobës, vëllait tonë të harmonisë në poezi dhe të asaj fluture që ndalet dhe ulet në supin e tij, sikur të vendoset mbi supet tanë. Në pasthënien tënde ti tregon se si lindi në shpirtin tënd dhe në zemrën tënde “Epistolari i Zaratës”. I them vetes se tani që ti pëlqen aq shumë “Komedinë Hyjonore” mund të duam dhe këngët e Bitëllsave. Frederik Çoba është ulur aty buzë detit. E shoh ashtu të ulur duke medituar mbi trishtimin dhe gjendjen e tij, me pëshpërimat e një të ardhmeje më të mirë për dashurinë e tij Bruna, Beatriçen e rigjetur. Ky vizion më bën të mendoj për librin “Zero dhe Infinit” të Arthur Koesler dhe epilogun e hapësirave të lirisë ku deti blu i ofrohej atij që donin ta mbyllnin në sferën burokratike. “Njeri i lirë, ti do ta gëzosh gjithnjë detin”, këndonte Baudelaire..”.

Botuesi australian Nick Walker për romanin

«Jam shumë kureshtar ndaj shkrimit të këtij libri. Duket që është një letërsi e një cilësie të lartë dhe e punuar me shumë përkujdesje në të gjitha aspektet. Eshtë po aq tërheqëse për mua dhe mendoj ndërkohë se asnjë shkrimtar anglez apo australian do mund të shkruante në këtë mënyrë, duke bërë aluzion për një autor klasik dhe duke evokuar në mënyrë kaq të efekshme dhe padyshim në shijen e një shkrimtari si Koestler apo Kafka (Milton apo Blake veçanërisht para disa shekujsh), apo Craven dhe Philip Adams”.

Elisabeth Wade, kritike letrare, Melbourn, Australi

Endrra dhe zhgjëndra, drita dhe errësira, realiteti brutal dhe ireal, kujtesa dhe trallisja mendore, humbja graduale e shpresës dhe fluturimi i imagjinatës, e kanë damkosur jetën e këtij ishulli të humbur ku ai dhe shokët e tij të burgosur politikë shqiptarë ishin të dënuar. Dhe letrat ndoshta kurrë s’mund të shkonin në destinacion. Ky libër është një vështrim unikal, tronditës dhe prekës mbi jetën intime të një njeriu të pasionuar dhe të dashur, të një mësuesi, të cilit i mungon familja dhe që shqetësohet për nxënësit e tij e që njëkohësisht ai do tu lërë trashëgimi përkthimin e Dantes të gjithë atyre që e duan lirinë. Dhe këtë mund ta bënte vetëm me “Ferrin”, ku reflektohet gjendja e mjerueshme e këtyre njerëzve dhe shpresa se një ditë këto rrathë ferri do të kapërcehen.

Blerina Suta, autore e disa librave kritike

(Fragment)

“Pyetja e shtruar nga poeti italian E. Montale se “çfarë mund të përfaqësojë Dante për një shkrimtar të ditëve të sotme”, në një “ të sotme” pa hapësirë e kohë, duket se e ka përfshirë edhe shkrimtarin shqiptar Luan Rama,i cili ngjyen penën e tij në mirazhin e mrekullisë danteske në atë periudhë ‘mesjete’ komuniste të Shqipërisë, duke na njohur me një histori të rallë opozitare në një vend të lindjes që nuk pati shfaqje disidence, ndërkohë që atë e gjejmë në vende të tjera të kampit komunist të “shkrirjes së akujve”; (siç e quan Matvejeviç). Romani merr si zanafillë botimin e disa letrave që Mark Ndoja i dërgon gruas së tij, Milenës. Ai është një ndër përkthyesit e Dantes në shqipe, intelektual i vërtetë (shkrimtar, studjues letërsie, me formim klasik e përkthyes i letërsisë klasike në shqipe (Homeri, Horaci, Dante), i letërsisë romantike (Karduci, Hajne), i modernizmit ( D’Anuncio) si edhe i asaj nga shqipja në italisht, veprimtar antifashist e komunist, politikan shqiptar), i dënuar në Shqipërine komuniste, si shumë të tjerë, pas Luftës së Dytë Botërore, për arësye të parimeve ideologjike që ai shprehu lidhur me letërsinë. Historia e Mark Ndojës shpreh një nga rrugëtimet më të ndritshme në udhën e asaj historie të Shqipërisë që mbart shtypjen dhe heshtjen, nën atë trysni që diktatura ushtronte ndaj inteligjencës shqiptare. Autori Rama e ka riprodhuar kontestin me syrin e regjizorit, duke e përshkruar ishullin e Zaratës me po ato tipare parajse që ka ishulli i Zvërnecit, pranë bregdetit të Vlorës. Në ishull e vetmja ndërtesë e ngritur rreth shekullit XIV ishte shndrruar në burg e të burgosurit, veç rojeve, si shoqëri të vetme kishin shenjtorët e paraqitur në ikonat bizantine të pikturuara nëpër mure. Romani sfidon gjininë epistolare nëpërmjet alegorisë që i mvesh subjektit të trajtuar: përmbajtja e letrave që personazhi i dërgon së shoqes dhe na shfaq një mënyrë qëndrese ndriçimit të mendjeve duke iu kundërvënë errësirës që pjell heshtja e regjimit. Përmbajtja e letrave, që ngjyen penën tek Dante, jo vetëm lidhur me citimet në krye të çdo letre e gjetkë por edhe për sa i takon pranisë së një dimensioni më gjithpërfshirës e transfrastik, [kuptimi që ndonjëherë cek një dukuri ku kapërcehet kufiri i pranisë së një fraze apo shprehjeje duke përfshirë kështu mbase edhe një tekst të tërë] jepet si një material jetësor i aftë të trasformojë ndërgjegjen e vetë personazhit-përkthyes; një alegori për rrugën që ndjek zëri i qartë dhe i zhurmshëm i njohjes e i artit në aktin e tij shpëtimtar për jetët e shtypura nga një dhunë e heshtur… Letrat e personazhit “përkthyes” shfrytëzojnë në mënyrë të përsëritur analogjinë mes botës së objekteve dhe imazhin-objekt të universit dantesk: “ në heshtjen e plotë që mbretëron në ishull, dëgjohet një kambanë me tingull “të shurdhët”, simbol ky, i klimës së terrorit që merr kuptimësinë e vet në analogji me imazhin që na jep përshkrimi dantesk i rrethit të shtatë të Ferrit kur i referohet ‘Veshit të Dionisit’ të Sirakuzës – shpellë në trajtë veshi, ku tirani pati mbyllur kundershtarët e vet, viktimat që mbaheshin nën mbikqyrje vazhdimisht, nga frika se mund t’i thurrnin komplote. Trama e thurrur dallohet për mënyrën alegorike të të shprehurit: heshtje dhe tingull, fjalë me kuptime të kundërta (fig.retorike e oksimaronit ) që rrijnë pranë e pranë të vendosura në një skemë në formë kryqëzimi në modelin rrëfyes të epistolarit, duke bërë që zërat fizike dhe heshtja të ndërrojnë rolet. Të trajtuarit e ideologjisë komuniste si “një vend ku dielli hesht” (e nuk shkëlqen), lidhet me heshtjen që ndeshim në fragmentet ku gjejmë përshkrimin fizik të të burgosurve: që nga errësira që mbështjell mbërritjen e tyre në ishull ku ”dëgjohen vetëm splash-splashet e përplasjeve të lopatave të varkës që rrahin ujërat” e deri në përshkrimin e “qetësisë së madhe që nis të mbretërojë mbi ata trupa të mbuluar me rrecka”. Në këtë kontekst heshtjeje, ndjesia e personazhit-përkthyes të veprës së Dantes merr vlerën e “një drite hyjnore ripërtritëse”. Citimet nga Dante në krye të çdo letre bëhen simbol i zërit shurdhues të “dhimbjes që çpon” (Cap.V) tek (cit. autori) “populli dantesk që ka humbur buzeqeshjen duke qenë i mbyllur në vendin ku Stalini konsiderohet një hero”… Epilogu i romanit ku protagonisti tregon se ka ndryshuar, “Tani që mbarova së përkthyeri “Ferrin” e shoh jetën në mënyrë tjetër”, është shtjellimi i një përvoje nga më të shkëlqyerat, për shpëtimin e njeriut me anë të fjalës. Kur protagonisti shpall se “Dante nuk është më ai që pata lexuar dikur”, se “Dante është një tjetër”, mund të pohojmë se është vetë autori Rama që ka ndryshuar së bashku me personazhet: Dante që pati lexuar gjatë studimeve të tij nuk është më po ai, tanimë që njeh përkthimin e vargjeve të tij të përdorura lirshëm në roman…”

Shkrimtari Flurans Ilia në revistën “Haemus”, Bukuresht, ndër të tjera ka shkruar:

“…Mu në zgripcën e thepisur të këtij kaosi mendor, Epistolari i Zaratës më erdhi si melhem, si ilaçi i duhur për të më ringritur sërish në këmbë si njeri. Por edhe me një forcë estetike që vetëm veprat e vërteta mundet të japin në këto rrethana të absurdit të jetëve tona. Nuk do e teproja aspak po ta klasifikoja librin dhe stilin superb me të cilin është shkruar, si më të mirin që kam ndeshur së fundi nga letërsia jonë, si edhe nga ajo e përbotëshmja e çastit (2017-2020). Përqasja e asaj fryme po aq tokësore sa edhe universale me jehona nga Inferno i Dantes dhe shtjella dramatike e historisë së të ndjerit Frederik Coba, janë shkrirë aq natyrshëm dhe me mjeshtëri nga pena juaj, aq sa do thosha me zë të lartë “tepër i bukur për të qenë kaq i vërtetë”! Vetëm një mjeshtër mundet të të udhëheq drejt këtyre realiteteve të pavdekshme të letërsisë. Dhe ju ja keni dalë mbanë të mbërtheni lexuesin. Këtë po ua thotë një lexues nga ata më të devotshimt, murg i fjalës, rishtar i letërsisë, që kanë kapërcyer dhe vazhdojnë të kapërcejnë një jetë të tërë nën shoqërinë e Librit. E shoh të gjithë Epistolarin si një film në ekranin e madh të kinemasë. Qysh kur mbylla faqen e fundit dhe gjer tani që po të shkruaj. Nuk mundem ta heq nga kujtesa si imazh. Kaq i gjallë? Kaq i gjallë, aq sa gacmon aty ku dhimbja dhe ngazëllimi i njeriut tejkalon çdo kufi. Një metafizikë e tërë e cila gjallon brenda realitetit të qenies njerëzore, dhe jo vetëm!. Një mrekulli në kontekstin ndërtimor dhe përzgjedhjen me Fjalën…”.

Kliton Nesturi, shkrimtar

“… Meritë e autorit është se, sado të gatshëm që mund t’i ketë gjetur këta personazhe, ai ka ditur të hyjë deri në qelizë të tyre. Këtë shkrimtari ka ditur ta ndërtojë mjeshtërisht nëpërmjet rrëfimit. Në “Epistolarin e Zaratës”, letrat shkojnë vetëm në një drejtim, nga ishulli-përtej, ndërsa gjithë ngjajet që ndodhin matanë, autori na i jep të reflektuara tek Frederik Çoba, nga komunikimi që ai mban me Brunën, apo të burgosurit e tjerë mbajnë me të afërmit e tyre. Ka mjaft episode, të cilat të bëjnë të shohësh thellë historinë dhe të mendosh drejt së ardhmes.“A nuk e jetuam edhe ne banorët e shekullit XX këtë ferr luftrash me miliona të vrarë e të gjymtuar? Dy luftëra të mëdha nuk i mjaftuan botës për të kuptuar ferrin e vërtetë, dhe ja tani, një luftë e re duket në horizont…”. Vetë personazhi i Frederik Çobës, dikur, para lufte një mësues gjimnazi, është një prej atyre intelektualëve idealistë që shpresonin tek e ardhmja dhe rinia e atdheut. Ndonëse në qendër është figura e Mark Ndojës, përkthyesit të “Ferrit”, ai përfaqëson të gjithë ata intelektualë që u dënuan padrejtësisht nga regjimi komunist. Ndryshe nga shumë vepra që kanë në qendër persekutimin nga regjimi komunist, ku autorët shpesh bien nën trysninë e politizimit, “Epistolari i Zaratës” është një vepër letrare, ku ndihet spikat dashuria dhe humanizmi, dy kundërpeshat më të mëdha ndaj totalitarizmit dhe errësirës. Për nga mënyra e ndërtimit, vizoni që përcjell dhe stili, kjo vepër mbetet gjithnjë e gatshme për t’u ekranizuar apo për t’u vënë në skenë. “Epistolari i Zaratës” është një vepër që i vjen letërsisë shqipe në kohën e duhur, në këtë kohë kur të gjithë kanë nevojë të reflektojnë qartë e të shohin drejt së ardhmes. Është “Lux in tenebris”… “Drita mes errësirës”…”.