Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Valbona Kolaveri

KALI I NDËRGJEGJES

Udhëheq kalin tim të ndërgjegjes,
Në shtigje ku fundet nuk kanë udhë

Akullnaja mendimesh bien thikë mbi krye
Si pështjellime të verbëra,
Dhe hetojnë me cinizëm gjithë unin tim

Ndërsa ai, kali i ndërgjegjes ecën pa pushim,
Me një botë mbi vete

E me një silurë të shpejtë,
Depërton tuneleve të errëta,
Ku fantazmat e hijeve
E ndjekin ta tërheqin pas

Por drita e koridoreve të së panjohurës,
E tërheqin ta përpin
Në një shteg tē ri,
Ku sytë të mos i falen më harrimit,
E brengat,
Të mos e shqyejnë
Si korbat të vdekurin e sapo gjetur.

GJYKATA E FATIT

Frikërat e mia
U dënuan nga gjykata e fatit

Dhe u burgosën tutje larg
Mes prangave të durimit

Si të pandehura që poseidojnë
Kallëzime të fshehta të vetvetes

Ku mbi supet e kohëve
U rëndonin pafajësitë e ndërgjegjes.

MURET E HESHTJES

Nën algoritme ndjenjash të fshehura,
Rishtas kodoj muret e heshtjes

Ku gurët e së cilës,
Kanë lidhjet ritmike
Tē rrahjeve të zemrës

Rakorduar enkas
Mes heshtjesh,
Vetëm të presin

Stoike të vetes
Destinuar deri në vdekje.

APOKALIPS

Apokalipsi i tjetërsimit ka mbërritur,
Po presin shëmbjet dëndurive
Të egove,
Të gjithë ata që luajtën mbrapsht
Metaforën,
Po po, të gjithë ata që nuk gjetën saktë
Simbolikën

Dhe bashkë me ta, dhe të paudhët
Që klubesh shkëmbyen politikën

Ta degdisin në asfaltin e shpirtit të ngratë
Atje jashtë,
Djegur krenarive boshe
Verës së nxehtë të manifestimeve

Bashkë me gjithçka shkretën udhëve,
Le të këmbehen me çakërqejfet e netëve të tyre triumfatore,
Me dopiot radhazi eks
Ndotur akustikës.

SI S’MË ZURE

Si s’më zure dot nën shpirt
Ti shpirt i bukur që të zë nën fjalë,
As me veten tënde, ti nuk lidhe besë
Të më zësh nën sy
Duke mē dashtë.

Ma zure shpirtin nën dënesë,
Me mall që djeg
Si shpuzë e zjarr,
Më thuaj,
Si mundet të jesh ashik?
Kur djerrë le kujtimet
Harruar larg.

VDEKJA

Vdekja,
I ka duart e gjata,
E sytë të errët
Si nata

Fytyrën e ka të bardhë
Mermer të ftohtë,
Që të grish pa fjalë
Dhe frikën ta vë nën këmbë

Veshjen e ka prej zjarri,
Që të djeg së largu
Dhembjesh

Der të shkosh
Mes lotësh të ngrohtë,
Rrjedhur faqesh
Përmes amanetesh,
Udhës së gjatë
Mbuluar qetësisë së plotë.

FATE TË MARRA

Ulërijnë fate të marra
Të shkēlqejnë, papandehur

Kryelartë qëndrojnë mbivendosjesh
Pa target,
Pa vulë,
Pa gjurmë

Me simbolin e vetëm
Të stisjes

Aty ku humnerat thërrasin,
Atje ato gjënden
Të veshur me kostumin
E fitores plot zhurmë

Ulërijnë fate të marra
Tejmbushur me romuze,
Është mbidoza e vetme
E kohëve nën turmë.

DASHURIA IME

Dashuria ime është dy sy
Tē qelqtë
Thjerra dritash që verbojnë,
E rropasin sa andej kendej
Tu pa pa ja nda,
E këmbët mi ngatrron pa drojë
Rrokopujë ma sjell zemrën mbrapsht
Ani ndashtë duroj

Eshtë,
Dy buzë që përcjellin gaz
E më joshin në maraz,
Dy veshë që dëgjojne zërin tim,
Dhe emrin t’ma ndajë veçmas nè kumbim
Nê qiej të hapun
Kur zotat bëjnë lutjet,
Dhe pse hëna krimbave
Gërryen unshëm shpirt

Eshte një kupë që derdhet veç për mu,
Ashiqare le t’më trëmbë kur se kam
Ti jap shpirtit hov e vrull me e gjëmu

T’më plaçkisë
Çdo derë të trupit të plagum,
Të lengoj për të nën mall kur jam larg,
E ti them je veç për mu.

MOS GJYKONI

Mos më gjykoni për të huaj,
Ju, që tunelet e mosnjohjes
Nuk i shembët kurrë
Të shihni

Më pranoni,
Dhe më lejoni që të jem ajo,
Që vetes i kam lejuar
Të jem çdo ditë në dritë

Cungimet, i presin pritshmëritë
E dashurisë
Mos gjykoni,
Dhe kurrë nuk do të jeni të gjykuar.

HAPE ZEMRËN

Zemra e saj
Hapej ndaj zërit të tij,
Ashtu siç lulet
Hapen ndaj puthjeve të agimit

Zemra ime
Hapet ndaj zërit tënd,
Ashtu si fjollat e reve ndër qiej
Si hapet drita ndër sy,
E dielli që puth ethshëm shpirtin