Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Anashkalimi i rolit të Koliqit në formimin e Martin Camajt

Viti 2025 shënoi 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit e poetit Martin Camaj. Gjatë vitit dhe në mbyllje të këtij përvjetori, në Shqipëri u zhvilluan disa aktivitete kushtuar jetës dhe veprimtarisë së këtij përfaqësuesi të njohur e të denjë të letrave shqipe.

Një ndër këto organizime, në këtë përvjetor kohët e fundit, ishte ai i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë – në bashkpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.  Ditët e fundit, këto dy ente të larta akademike zhvilluan në Tiranë konferencën shkencore kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt me titull, “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes”. Një përkujtim shumë me vend për veprën dhe kontributet e Martin Camaj nga Akademia, në 100-vjetorin e lindjes. Për çka Martin Camaj, me burrërinë e tij prej malësori dukagjinas, do përshëndeste me mesazhin e tij drejtuar intelektualëve dhe mbarë popullit shqiptar në vitin 1991, pas shembjes së Murit të Berlinit duke falënderuar Akademinë për nderimin që iu bë në 100-vjetorin e lindjes dhe për vlerësimin e veprës së tij: “Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë. Martin Camaj”. Frank Shkreli: Martin Camaj, malësori bujar dhe europiani erudit | Gazeta Telegraf

Sipas portalit të Akademisë Shqiptare, konferencën e hapi Akad. Gëzim Hoxha, Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASHSH), duke përshëndetur tubimin në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Sipas të dhënave nga konferenca ai është “ndalur në kompleksitetin e vlerave të veprës së Martin Camajt, që reflektohen në krijimtarinë letrare, në kontributet qenësore në fushë të gjurmimeve albanologjike, në ndihmesat në fushë të gramatologjisë dhe të filologjisë së tekstit. Ai u shpreh se ky përvjetor nuk është vetëm një përkujtim, por një rikthim i domosdoshëm te burimet e mendimit, të gjuhës dhe të estetikës që Camaj i la kulturës sonë si një trashëgimi e pashtershme.” Duke shtuar se “Camaj mbetet një figurë që ende kërkon, madje kërkon me ngulm, një rivlerësim të vazhdueshëm kritik. Gëzim Hoxha e vlerësoi konferencën, jo vetëm si një homazh, por edhe si një nxitje për të thelluar kërkimin shkencor mbi veprën e tij, për ta vendosur Camajn në qendër të debatit bashkëkohor letrar, gjuhësor dhe kulturor, aty ku ai realisht e meriton të qëndrojë”. U mbajt konferenca shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes” – Akad

Nëqoftëse i marrim seroizisht fjalët e Akademikut Gëzim Hoxha, thirrja e tij për një rivlerësim të veprës së Martin Camajt është një fillim i mirë drejt rivlerësimit të jetës dhe veprimtarisë së Camaj. Këtij “Shkrimtari të lartësive”, siç e ka cilësuar Ismail Kadare, të përjashtuar dhe të anashkaluar, qëllimisht dhe zyrtarisht, për dekada tani, qoftë nga entet politike, qoftë nga ato akademike e letrare të regjimit komunist të Shqipërisë, por që fatkeqësisht, disa elementë të botës aktuale akademike dhe politike shqiptare; gjithnjë të influencuar nga edukata e ish-regjimit komunist të 1970-ave-1980-ave që  vazhdojnë ende ta distancojnë dhe ta trajtojnë shkrimtarin e poetin malësor si të “huaj”, së bashku me shkrimtarin tjetër të përjashtuar Ernest Koliqin, edhe si “tradhtarë të atdheut, poliagjentë dhe armiq të kombit” që, sipas tyre, kanë punuar për interesa të të huajve.

Thirrjen për një “rivlerësim” të veprës së Camajt e shikova si një fillim të mirë, ndoshta si një hap që hap përpara. Megjithëse të flitet për meritat e Martin Camajt, veçanërisht në një organizim të lartë akademik siç është Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pa folur për lidhjet e tij të ngushta me Ernest Koliqin ose influencën e Koliqit në formimin e shkrimtarit e poetit Camaj, është një lloj sakrilegji kulturor dhe kombëtar, sipas mendimit tim.

Megjithë këtë, në frymën e pozitivitetit dhe të së VËRTETËS akademike e historike, një thirrje e tillë, megjithse e vonuar, në konferencën e fundit në Tiranë, kushtuar Martin Camajt në 100-vjetorin e lindjes së poetit dhe shkrimtarit Camaj, duhet mirëpritur dhe inkurajuar, në shikimin e parë. Por njëkohësisht, uroj dhe shpresoj që ky “rivlerësim”, nëse ndodh, të jetë serioz dhe pa paragjykime politike, bazuar në vlerat dhe kontributet e të tija jetësore.  Duke besuar se jeta dhe vepra e Martin Camajt është e lidhur ngushtë me shkrimtarin tjetër të njollosur nga ish-regjimi komunist dhe bashkpuntorin e tij të ngushtë, Ernest Koliqin, gjithnjë i përjashtuar, zyrtarisht, nga nostalgjikët e atij regjimi sllavo-aziatik-komunist, gjithnjë në detyra të larta vendimarrëse të vendit – pas 35-vjet tranzicion politik. Një vlerësim i tillë i Camajt duhet të përfshijë edhe Koliqin, për ndryshe nuk është i plotë as i besueshëm. Prandaj, megjithë vullnetin e mirë që mund të jetë shprehur për rivlerësimin e Camajt në atë konferencë “rivlersimi” i Martin Camajt nuk mund të ndodh pa një rivlersim të thellë, vërtetë akademik dhe pa njolla politike edhe të jetës dhe veprimtarisë letrare, gjuhësore e të tjera, të Ernest Koliqi, por edhe bashkpunimit të tyre të ngushtë në mërgim.

Prandaj, nëse do ta merrnim, seriozisht, deklaratën e Akademikut Gëzim Hoxha në konferencën e Tiranës kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Camajt, “rivlerësimi” i veprës dhe jetës së tij duhet patjetër të bëhej me një vlerësim bashkërendues me figurën, me veprat dhe jetën e Koliqit, për të qenë i besueshëm. Siç dihet, kritikët e tyre, Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf  Përfshirë regjimin komunist të Enver Hoxhës gjatë dekadave, i kanë trajtuar të dy, Koliqin dhe Camajn, së bashku, si “tradhëtarë e poliagajentë”, në shërbim të të huajve. Për këtë arsye them, se të dy këta burra të Kombit me shumë vlera dhe merita historike, meritojnë të vendosën, më në fund, së bashku dhe pa paragjykime politike, gjuhësore ose krahinore, “në qendër të debatit bashkëkohor letrar, gjuhësor dhe kulturor”, aty ku realisht, e meritojnë dhe qëndrojnë, si qirinjë drite dhe vlerash në historinë e Kombit shqiptar.

Këtë “boshllëk”, në 100-vjetorin e lindjes së Martinn Camajt, si të thuash e “plotësojë” disi megjithëse në një nivel tjetër, jo zyrtar. Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook me një veprimtari  përmbyllëse për vitin 2025, në muzeun  “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Sipas portalit, atje u ekspozuan botime shkencore dhe letrare të Martin Camajt gjatë periudhës së emigrimit politik, larg Shqipërisë të shkruara nga Camaj gjatë viteve të qëndrimit të tij në Prishtinë, Romë dhe Mynih, si autor i letërsisë shqipe dhe si studiues i albanologjisë në fusha si gjuhësia, filologjia dhe studimet arbëreshe. Por portali ve në dukje se ekspozita në Shkodër përmbante një të “veçant”: librat me dedikime të Martin Camajt për shkrimtarin Ernest Koliqi, që, sipas portalit “dëshmojnë marrëdhënien e tyre intelektuale dhe bashkëpunimin e hershëm në revistën shkencore albanologjike “Shêjzat”, ku Camaj ishte kryeredaktor. Por marrëdhëniet midis tyre ishin më të thella se kaq…”, thekson njoftimi. Një hap i duhur, por nuk mjafton. Një gjë të tillë do duhej të bëhej nga zyrtarë, si Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ndoshta në bashkpunim me Akademinë e Republikës së Kosovës dhe e universiteteve shqiptare… ashtu që këto figura të mëdha të Kombit të pastrohen njëherë e mirë nga balta që ka hedhur mbi regjimin sllavo-komunist i Enver Hoxhës.

Për ndryshe aktivitetet gjysmake kushtuar Martin Camajt në 100-vjetorin e lindjes së tij, duken më shumë si ajo fraza që përdoret nga populli, “më ka çua baba sa me lajë gojën”. Sepse, “Çdo përpjekje për të minimizuar rolin e Ernest Koliqit në formimin letrar të Martin Camajt nuk është akt kritik i ndershëm, por një reduktim ideologjik dhe anakronik i historisë së letërsisë shqipe. Pa Koliqin, Camaj nuk do të kishte as horizontin kulturor, as platformën intelektuale, as mbështetjen vendimtare që e nxori nga izolimi provincial dhe e vendosi në dialog të drejtpërdrejtë me Europën letrare”. (Një citim pa autor në AI.)

Si rrjedhim, asnjë njeri serioz, e lere më një studiues dhe historian ose letrar serioz, nuk mund t’i marrë seriozisht deklarata të tilla për rivlerësimin e Martin Camajt, pa marrë parasysh influencën që ka patur në zhvillimin e formimin e tij, Ernest Koliqi, por mohohet roli i Koliqit në formimin e Camajt dhe për derisa këta  dy shkrimtarë të mëdhej nuk vlerësohen pa paragjykime politike për meritat e tyre historike. Përpjekje të tilla si konferenca e fundit e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë do të konsiderohet më shumë si një përpjekje për të minimizuar ose për të neutralizuar veprën dhe kontributet e Ernest Koliqit në historinë e Kombit dhe jo aq shumë sa një zhvillim akademik për të lartësuar figurën e Martin Camajt. Kjo për fat të keq, ndodh se Ernest Koliqin e kanë ferrë në sy, edhe sot e kësaj dite, apologjetët e komunizmit të shkolluar në frymën e ish regjimit enverist. Atyre edhe sot 35-vjet tranzicion u prish balancat dhe narrativat zyrtare të komunizmit sllavo-aziatik për Ernest Koliqin po se po, por edhe për Martin Camajn si dhe shumë të tjerë si këta. Por doni, s’doni, kjo është punë e juaj, por Ernest Koliqi dhe Martin Camaj me ose pa rivlerësimin tuaj, ata mbeten dy figura kyçe të pandara në historinë dhe letërsinë e Kombit Shqiptar!

Martin CAMAJ për Ernest KOLIQIN:

“E randë dhe e vështirë asht edhe për mue barra që po më bie të shkruej për këtë humbje shi në këtë vend ku Ernest Koliqi shtjelloi për tetëmbëdhjetë vjet tema gjithfarësh shoqnore, frymëdhanëse të artit dhe përtrijse të kulturës shqiptare. Kjo peshë lehtësohet kur me bindje thom: zemra s’e mban, por as arsyeja s’duron të flasim për vdekje: vetja e Koliqit e paisun me vlera të nalta njerëzore, si poet e dijetar, i gjithanshëm, i hapun kah jeta me krahë gjiganti, gjallnon; vepra e Tij e madhe flet gjithnji, si bazë komplekse e nji testamenti shpirtnor, fillue në vjetët tridhetë dhe e pandërpreme deri në ditët e fundit”.

Me rastin e kalimit në amshim të Ernest Koliqit — Revista “Shêjzat” (Le Pleiadi),Vjeti XIX/1978. f. 7-10

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-nuk-mund-te-anashkalohet-roli-i-ernest-koliqit-ne-formimin-e-martin-camajt