Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: BE-ja me dy fytyra

Diskriminimi i shqiptarëve në Preshevë dhe butësia ndaj terrorizmit serb

Bashkimi Evropian po përgatit raportet e radhës për Ballkanin. Kontrasti mes trajtimit të shqiptarëve në Luginë dhe butësisë ndaj Serbisë mbetet krejtësisht i dukshëm. Ngjarjet e fundit në Kosovë dhe heshtja e Brukselit ndaj diskriminimit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc tregojnë se standardet e BE-së janë të dyfishta.

Mjerisht, duhet thënë e vërteta: ky është realiteti i sotëm.

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc jetojnë prej dekadash nën një realitet të vështirë, ku diskriminimi është i institucionalizuar dhe i maskuar si procedurë administrative. Pasivizimi i adresave nuk është thjesht një veprim burokratik, por një mekanizëm i instrumentalizuar për t’i zhdukur shqiptarët nga regjistrat zyrtarë dhe për t’i privuar nga të drejtat e tyre themelore. Përmes këtij procesi, ata detyrohen të largohen nga trojet stërgjyshore, duke e shndërruar spastrimin etnik në një proces të heshtur.

Ky diskriminim ka prekur çdo brez: nxënësit përballen me mungesën e teksteve në gjuhën amtare, të rinjtë me pabarazi në punësim, ndërsa të moshuarit me mungesë shërbimesh. Realiteti është edhe më i hidhur, pasi shqiptarët atje përjetojnë një pasiguri të përditshme.

Në të kundërt, serbët në Kosovë trajtohen me një ndjeshmëri krejt tjetër. Ata gëzojnë të drejta kushtetuese të garantuara: vende të rezervuara në Kuvend, gjuhën serbe si gjuhë zyrtare, si dhe arsim e shërbime publike në gjuhën e tyre.

Raportet e BE-së i përshkruajnë shqiptarët si një komunitet të pambrojtur, duke përdorur gjuhë të kujdesshme dhe duke i vendosur në periferi të diskursit politik ndërkombëtar. Ky ton i butë nuk është shprehje e vlerave evropiane, por rezultat i një presioni të vazhdueshëm politik nga Beogradi, i cili ka ditur ta përdorë diplomacinë si mjet për të fituar privilegje të veçanta për komunitetin serb.

Ky standard i dyfishtë nuk shihet vetëm në raportet e progresit, por edhe në reagimet ndaj ngjarjeve konkrete. Kur ndodhi akti terrorist në Banjska, ku një polic i Kosovës u vra dhe u sekuestrua një arsenal i madh armësh, BE-ja nuk reagoi me forcën që pritej. Deklaratat e saj ishin të vakëta, duke folur për “qetësi” dhe “hetim”, pa e cilësuar qartë sulmin si akt terrorist dhe pa kërkuar përgjegjësi të drejtpërdrejtë nga Serbia. Po aq shqetësues ishte edhe akti terrorist i minimit të digës, një veprim që mund të kishte pasoja katastrofike për sigurinë e qytetarëve dhe infrastrukturën kritike. Edhe në këtë rast, Brukseli shmangu gjuhën e prerë që do të përdorte në situata të tjera.

Duhet thënë me zë të lartë: shteti serb ishte dhe mbetet një shtet i dhunës dhe terrorizmit. Rasti i vrasjes së Franc Ferdinandit në Sarajevë më 1914, i kryer nga terroristë serbë, u bë shkak për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Ky akt tregon se terrorizmi serb ka qenë pjesë e një tradite politike që ka sjellë pasoja të rënda për rajonin dhe Evropën. Luftërat e viteve ’90 në Kroaci, Bosnje e Kosovë, deri te aktet e fundit terroriste, dëshmojnë se dhuna e organizuar ka qenë mjet i vazhdueshëm i politikës serbe. Megjithatë, edhe sot, kur aktet e tilla përsëriten në Kosovë, BE-ja zgjedh të flasë me gjuhë të butë, duke e trajtuar dhunën si incident lokal dhe jo si kërcënim serioz për stabilitetin rajonal.

Ky kontrast e bën të qartë se Bashkimi Evropian është me dy fytyra: një fytyrë të ndjeshme për serbët dhe një fytyrë për shqiptarët. Pabarazia në mes të dy gjuhësive është diskriminuese, sepse legjitimon padrejtësinë dhe e bën të duket sikur dhuna ndaj shqiptarëve është më pak e rëndësishme. Kjo gjuhë e dyfishtë jo vetëm që dëmton shqiptarët, por minon edhe besueshmërinë e vetë BE-së si projekt politik që pretendon të mbrojë barazinë dhe të drejtat e njeriut.

Nëse BE-ja synon të jetë e besueshme, ajo duhet të flasë me një gjuhë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Nuk mund të ketë një standard për serbët dhe një tjetër për shqiptarët. Përndryshe, ajo do të mbetet një institucion që hesht për diskriminimin dhe justifikon dhunën.

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kërkojnë vetëm barazi reciproke, ashtu siç gëzojnë serbët në Kosovë. Derisa kjo të ndodhë, BE-ja do të shihet si një aktor që legjitimon padrejtësinë.