Sonila Meço: Akti i fundit
“Je në shtëpi të të sjell një dhuratë”? më pyet një mikeshë në celular.
“Rrofsh për kujdesin, por jam larg tani. Flasim pas vitit të ri”, i përgjigjem me keqardhje.
Ndrojtje e heshtje nga ana tjetër, si një keqardhje më e madhe, a qejfmbetje.
“Lere tek roja”, shtoj me ngut, si për të mos i frenuar kënaqësinë e bërjes së dhuratës dhe mos i ngjaja mosmirënjohëse.
“Është gjeldeti, i rritur vetë nga ne, me shumë kujdes e përkushtim”, dëgjova zërin e ëmbël të mikeshës.
Shtanga, sepse nuk e prisja prej saj. Jam mësuar ta shoh mam të përkushtuar të dy vajzave, stomatologe, me bashkëshortin të ngarkuar në biznes, gjithnjë e më vështirë në tregun e çartur shqiptar.
Dhe e qeshura u shkartis nëpër habi, por edhe kënaqësi.
Këta njerëz të ngarkuar me plot sfida jete, në këto kohë të sikletosura kanë kohë e dëshirë të rrisin pula e gjela deti?
Nuk m’u duk as metaforë romantike, as nostalgji rurale. Jo, jo, më shijoi si një provë konkrete se ekziston edhe një logjikë tjetër jete. Ajo e procesit, përkujdesit, e përgjegjësisë.
Në Shqipëri pothuajse nuk prodhohet më asgjë. Akti i të rriturit diçka nga e para me durim dhe procesin e vet ka marrë fund. Jo sepse jemi bërë më teknologjikë e digjitalë, por sepse është kriminalizuar i gjithë sistemi funksional i shtetit. Grabitet e shtrydhet egër çdo burim, territor, kohë, durim njerëzor. Toka nuk funksionon më si cikël, por si sipërfaqe ndërtimi dhe rritja ekonomike matet me “kate” betoni. Gdhihesh investitor strategjik duke pastruar para, ngrysesh profesionist duke aplikuar për azil. Start up nuk është një aplikacion që lidh fermerët direkt me konsumatorët, por një mesazh në Signal për tender të sigurt.
Pronar të madh të bën grabitja e tokave, ish pronar të bëjnë tapitë e gjyshërve. Pushteti jep llogari tek mafia, populli “sponsorizon” pushtetin.
Fatkeqësia e vërtetë për shqiptarët nuk është çfarë kemi humbur, por çfarë nuk dimë e duam më të prodhojmë. Përfshi edhe një gjel deti të rritur vetë.
Po po, hiç mos u bë cinik e hokatar! Sepse janë këto akte të thjeshta, kontradikta ndaj (anti)sistemit të krijuar, si një kujtesë e padëshiruar se jeta ka cikle. Sado “Diella” të lindin me një pulitje sysh, sado inteligjente të jetë artifica.
Ato do të mbeten mjeti e kurrë qëllimi. Ndaj po qe ky i fundit diabolik, do ndryshkë edhe më të mirat mjete.
E di ç’ke, a ulesh pak minuta?
Të flasim për ndjesinë që po shmang.
Sepse këtë fundvit, pavarësisht shtëpisë ku ndodhesh, nuk po ndihesh fort i pranishëm. Shumica janë diku tjetër, në kalkulime, plane rezervë, në skenarë mbijetese. Po ulin pritshmëritë për të mos u zhgënjyer, po ngushtojnë horizontin për të mos u friguar.
Sado vezullues rrjeti e propaganda, ky fundvit ka një kujdes, një lloj tërheqjeje të përbashkët drejt gjërave të sigurta, njerëzve të provuar, entuziazmit të kursyer.
Disa e quajnë lodhje, të tjerë realizëm, pak më cinikët ulje pritshmërish, opozitarët nga natyra e cilësojnë kthjellim mendor. Nuk ka rëndësi emërtimi, në përgjithësi është psiqika që kërkon tokë të fortë.
E di, zhgëjimi qendron si re e zezë mbi krye. Sepse nuk vjen nga puna, por nga tensioni konstant mes normalitetit që meritojmë dhe atij që na imponohet.
Nga nevoja për t’u përshtatur vazhdimisht, për të rishpikur veten. Për t’u ringritur sa herë i teket sistemit të na fshikullojë. Lodhet njeriu duke u rrekur të funksionojë edhe pse është i mjaftueshëm, lodhet të shpjegojë pse nuk ia del dot, pse do të ikë, pse hesht, pse flet, pse bën edhe aksh punë të dytë, pse vijon pa punë.
Pasiguri kronike, që kur zgjatet zhbën rebelimin. E bën secilin të mendojë më ngushtë, të ndiejë më pak, të investojë vetëm aty ku ka kontroll minimal, t’i nënshtrohet (anti)sistemit. Është ajo ndjenja se jeta po jeton në modalitet provizor.
Sikur çdo gjë e rëndësishme të jetë shtyrë “për më vonë”.
E ndërkohë, sot feston njeriu si një mënyrë elegante për t’i thënë vetes a tjetrit: “mos e hap këtë temë tani, më qafsh”! Por ja që mendja e di, trupi e di dhe mbërrin pashmangshëm një pikë ku gjërat ndryshojnë.
Sepse (anti)shteti po lëkundet, (anti)rregullat që e mbanin në këmbë po humbasin parashikueshmërinë.
Shumkush është i zënë me shpëtimin e vetes, familjes dhe mendja përqendrohet tek ajo çka mund të kontrollojë.
Ndaj më shumë se nga jashtë, ndryshimi e do një dorë sidomos nga brenda. Kur pushon së pyeturi kronikisht “si ta shpëtoj veten” dhe guxon më në fund të kthjellohesh “pse dreqin po jetoj kaq poshtë mundësive të mia”!
Dhe ndoshta mu bash këtu mund të zërë rrënjë shpresa si një akt rezistence ndaj spektaklit e vanitetit të imponuar edhe nga filozofia e një kryeministri, që shkëlqeu si artist veç kur u bë i gjithpushtetshëm.
Shpresë jo si emocion naiv, por si refuzim për t’u zvogëluar në mbijetesë a thua se një pushtet është fatkeqësi natyrore.
Ne na kanë administruar edhe me frikë e shantazh, por sidomos me lodhje. E për këtë u është dashur edhe spektakël bajat.
Një popull i argëtuar është një popull, që administrohet kollaj.
Sistemi fiton kur nuk ka më nevojë të mbrohet.
Mirëpo tavolina ka nisur përmbysjen…
Në konferencën e fundit për shtyp, kryeministri i gjithpushtetshëm vetëm u mbrojt. Edhe kur sulmonte, vetmbrohej. Kjo është shenja e rënies, që dallohet më mirë e shfaqet më dukshëm sa më shumë e pranojmë zëlartas se ky nuk është normalitet, sa më shpejt i japim fund durimit e pranimit dhe nisim të kërkojmë e pretendojmë.
Ky fundvit nuk është i trishtë, përkundrazi. Ky kapërcyell motesh qëlloi demaskues.
E dëgjojmë fare mirë krismën, edhe pse “muzika” është e fortë (në fakt ahengu për të mbuluar varfërinë morale të shtetit).
Se nuk mban më as shprehja kalitur furrnaltave të propagandës: “po të paktën sot jo politikë, na lini një natë të festojmë e harrojmë”.
Jo pra jo!
Rilindja nuk e shkatërroi Shqipërinë me një goditje.
E bëri ngadalë, estetikisht, me batuta, me drita, me ngjyra, me slogane.
Siç nis çdo shkatërrim i rrezikshëm, me spektakël.
Kjo i bën xixat e urdhëruara të rrjeteve dhe spektaklin mediatik të duken aq patetikë e gjynahqarë karshi gjërave të thjeshta që buçasin si radikale. Madje edhe si ky gjeldeti rritur me durim, përkushtim, bio e duke marrë gjithë kohën e vet.
Kur gjërat e rritura me durim duken të jashtëzakonshme, ndërsa spektakli i grabitjes duket i zakonshëm kemi një provë historike përpara. Dhe historia, herët a vonë, i kërkon gjithmonë llogari tradhëtisë së normalitetit.
Në këtë kapërcyell motesh,
ndoshta urimi më i saktë nuk është “gëzuar” si refleks, si buton automatik, si klikim mbi terma përdorimi, por diçka pak më e vështirë:
“Mos harrofshim si duket një jetë normale dhe mos pranofshim asgjë më pak se kaq”!