Prof. dr. Rami Memushaj: Polemika Prifti–Pipa për problemin e gjuhës letrare të njësuar
1. Dija albanologjike është produkt i ndihmesave të dhjetëra e dhjetëra studiuesve shqiptarë dhe të huaj, që kanë vënë secili nga një tullë në ngrehinën e saj. Një ndër këta studiues është edhe Petër R. Prifti, i cili ka një veprimtari të pasur botuese, që përfshin libra dhe artikuj kushtuar Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Çka e dallon Petër Priftin nga pena të tjera shqiptare, është, së pari, se veprimtarinë botuese e zhvilloi në gjuhën angleze. Ndonëse për këtë arsye, po edhe të perdes së hekurt ka qenë pak i njohur në trevat shqiptare, krijimtaria e tij është shumë e çmuar, sepse çështje të kulturës dhe të historisë së Shqipërisë i bëri të njohura në botën perëndimore, gjë që shkenca jonë nuk mundi ta bënte dhe as po e bën edhe sot. Së dyti, ndryshe nga shumë pena të mërgatës politike, që i shihnin me syze të errëta arritjet e atdheut të vet, Petër Prifti i sheh me sy objektiv dhe i vlerëson këto arritje, por edhe mban qëndrime kritike për zhvillimet politike regresive në Shqipëri dhe në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi. Qëndrimi i tij në trajtimin e çështjeve historike e kulturore të botës shqiptare është qëndrimi tipik i një njeriu të rritur dhe të edukuar në Amerikë, të pandikuar nga politika dhe ideologjia. Për këto arsye, Petër Prifti mbetet një emër i respektuar i albanistikës, vepra e të cilit meriton të përkthehet dhe të bëhet e njohur për lexuesin shqiptar.
Ndër ndihmesat e P. Priftit bëjnë pjesë edhe vepra shkencore e didaktike për gjuhën shqipe. Ndër to spikat edhe një shkrim polemik i vitit 1992 me prof. Arshi Pipën për çështjen e gjuhës standarde, një shkrim i cili u parapriu diskutimeve për këtë çështje në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi dhe në dhjetëvjeçarin e shekullit të ri. Për vlerësimin objektiv të vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të 1992-së dhe për parashikimin e së ardhmes së gjuhës standarde, ky shkrim i ruan vlerat edhe sot, pas 35 vjetësh. Kjo është arsyeja pse këtë trajtesë tonën ia kemi kushtuar artikullit të Petër Priftit “Gjuha shqipe është organizëm i gjallë…”.
2. Jehona e Kongresit të Drejtshkrimit në botën shqiptare qe e madhe dhe vendimet e tij u pranuan njëzëri e u zbatuan me vullnet të lirë në të gjitha trevat shqipfolëse, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Madje, edhe mërgata politike e pasluftës e pranoi këtë fakt. Në Europë, ku zhvilluan veprimtarinë e tyre krijuese Ernest Koliqi, Martin Camaj, Karl Gurakuqi, Namik Resuli etj., nuk pati ndonjë kundërshtim ndaj gjuhës letrare të njësuar. Vetëm dy zëra të mërgatës dolën hapur: Tahir Kolgjini në Stamboll, me një shkrim të botuar më 1974 në revistën “Shêjzat” dhe Arshi Pipa, studiues dhe kritik i letërsisë, profesor në Universitetin Shtetëror të Minesotës, me veprën “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, të botuar më 1989 në Nju Jork.
Vetëm një vit pas botimit, libri i Arshi Pipës u bë objekt i një shkrimi kritik të Petër Priftit, lektor i shqipes në Universitetin e San Diegos në Kaliforni. Artikulli i Petrit “A commentary on prof. Pipa’s critique of unified literary Albanian” (Koment mbi kritikën e prof. Pipës kundër shqipes së njësuar letrare) u botua në numrin 3-4 të vjeshtë-dimrit 1990 të revistës “South Slav Journal” dhe në Shqipëri më 1992, në revistën “Albanica, Winter 1992, Number 3-4” dhe një vit më vonë shqip së pari në revistën “Arbëria”, me titullin “Gjuha letrare është organizëm i gjallë…”, e pastaj si libërth më 1995. Këtij artikulli Arshi Pipa i dha një përgjigje të shkurtër më 1992 në revistën “Albanica”, në të cilën nuk pranon asnjë nga kritikat e Petrit.
Pas një leximi shumë të vëmendshëm të librit të Arshi Pipës, Petri arrin të veçojë gjashtë argumente themelore të Pipës kundër shqipes letrare të njësuar (Unified literary language, shkurt ULA). Po i marrim me radhë këto argumente të Pipës dhe kundër argumentet e Petrit për to.
3. Në librin e tij Pipa e sheh gjuhën letrare të njësuar si diçka që u krijua nga nevoja për të nënshtruar gegët, një akt «kolonializmi gjuhësor vendor» (domestic linguistic colonialism), siç e quan ai. Pra, për të gjuha letrare e njësuar qe një gjë e panevojshme, sepse shqiptarët ishin mësuar ta shihnin gjuhën e tyre me dy dialekte ashtu siç shihnin shqiponjën me dy krerë në flamurin e tyre të kuq. Ky ishte argumenti i parë i Pipës.
Përkundër kësaj teze, Petri shpjegon shkurt se nevoja për një gjuhë letrare për tërë kombin qe artikuluar nga tre emra të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare: Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri e Faik Konica dhe se Komisia Letrare e Shkodrës shënon përpjekjen e parë në këtë drejtim. Punën e papërfunduar të Komisisë e përfundoi Kongresi i Drejtshkrimit, arritjet e të cilit, shkruan Petri, «përbëjnë një gur-nishan në historinë e gjuhës shqipe».
Argumenti i parë i Pipës është ai që Petri e quan argumenti evolucionar. Në librin e tij Pipa thotë se shqipja letrare e njësuar «as që i duhej dhe as që e deshi populli shqiptar». Sipas tij, të dy dialektet «duhet të liheshin të evoluonin në mënyrë të natyrshme». Pra, për të, gjuha letrare lindi para kohe, si pjellë e një revolucioni gjuhësor në frymën e linguistit rus Nikollai Marr.
“Argumenti evolucionar”, thotë Petri, provon të kundërtën. «Sepse, kur të dy dialektet nuk u afruan natyrisht, në mënyrë evolucionare, në njëqind vjet, atëherë me ç’arsye mund të supozojmë se ata do të afrohen pas njëqind a dyqind vjetëve». Dhe pyet: «Pse të mos kenë shqiptarët gjuhën e tyre letrare të njësuar, kur dihet se në botën moderne një gjuhë e tillë është shumë e dëshirueshme, në mos edhe e domosdoshme?» Forca vendimtare që çoi në krijimin e gjuhës letrare të njësuar, thotë ai, është «dëshira për të forcuar ndërgjegjen kombëtare, që shprehet bukur nga parulla “një komb – një gjuhë letrare”».
Arshi Pipa nuk pajtohet me tezën e Kostallarit se gjuha letrare «një koine letrare sui generis». Sipas tij, nuk mund të themi se gjuha e njësuar është rezultat i shkrirjes së barabartë të gegërishtes letrare dhe toskërishtes letrare. Për ta provuar këtë, ai i drejtohet atij që Petri e quan argumenti statistikor. Sipas Pipës, «fjalori i gjuhës letrare të njësuar është rritur duke gëlltitur gegërishten letrare». Pra, jo njësim, po «është asimilimi prej gjuhës letrare të njësuar i leksikut dhe i frazeologjisë gege», «imperializëm kolonial gjuhësor i brendshëm». Megjithëse «sistemi fonomorfologjik i gegërishtes është më i pasur se ai i toskërishtes, – vijon ai, – kontributi i tij në gjuhën letrare të njësuar është si piperi i hedhur në një pjatë».
Këtyre pohimeve Petri u kundërvihet me të dhëna nga studimet shqiptare, sipas të cilave të dy dialektet kontribuojnë pothuaj njëlloj në përbërjen e gjuhës letrare, duke u pajtuar me mendimin se gjuha letrare ka një shumicë elementesh të përbashkëta dhe një pakicë elementesh të veçanta nga dialektet, që janë në raportin 13:8 për toskërishten. Argumenti më i fortë që përdor Pipa kundër gjuhës letrare të njësuar, është argumenti politik. «Politika gjuhësore në shqyrtim, – shkruan ai, – mund të përkufizohet me formulën “cuius regio, huius idioma”» (një përshtatje prej tij e shprehjes latine “cuius regio, huius religio”), dmth. gjuha letrare e njësuar ka “vulë toske”, sepse ashtu e donte udhëheqja toske e vendit. Po ka edhe “vulë klasore”, që shfaqet në Fjalorin e 1980-s. Një fjalor, vijon ai, «ku një e treta e fjalëve është produkt i Shqipërisë së sotme komuniste, nuk mund të jetë tjetër veçse një fjalor klasor»!
Duke e parë gjuhën e njësuar jo si mjet kombëtar komunikimi, po si instrument pushteti, ai thotë se gjuha letrare e njësuar «është një zgjidhje aneksioniste e arritur me dhunë dhe me dredhi, që ka si rrjedhojë shpërbërjen e njërit prej dialekteve letrare. Vetëm një regjim stalinist i pamëshirshëm dhe brutal mund të vepronte në atë mënyrë.» Duke u marrë me këtë argument, Petri thotë se Pipa bën një analizë të gabuar të historisë duke e parë «motivin e vërtetë për krijimin e shqipes së njësuar në fushën e politikës». Ai harron se lëvizja për gjuhën e njësuar nisi nga shqiptarët e Jugosllavisë, fakt i vënë në dukje që më 1979 nga gjuhëtarja amerikane Xhenet Bajron (Janet Byron). Duke e shtrembëruar këtë të vërtetë historike, Pipa i fajëson ata se, «duke pranuar gjuhën zyrtare të Shqipërisë staliniste, e identifikuan veten me stalinizmin shqiptar».
Një argument tjetër i Pipës kundër gjuhës letrare është ai që Petri e quan argumenti kulturor. Pipa i fryn dallimet kulturore midis gegëve e toskëve. Sipas tij, «dallimet dialektore të toskërishtes mund të jenë rezultat i ndikimit të një gjuhe tjetër mbi protoshqipen, dmth. kemi një invazion të një pjese të Ilirisë jugore që kufizohet me Epirin dhe Maqedoninë nga një popull tjetër», duke lënë të nënkuptohet se këta ishin trakët. Duke vijuar arsyetimin e tij, ai arrin në përfundimin se toskët janë trakë, kurse gegët ilirë, se ortodoksët janë bizantinë, se nuk i duan katolikët, as gegët në përgjithësi dhe as kulturën perëndimore. Kurse grupin hartues të Fjalorit të 1980-s, me Kostallarin në krye, i sheh si shprehësit më të zëshëm të bizantinizmit.
Duke u marrë me këto argumente të Pipës kundër gjuhës letrare të njësuar, Petri shkruan: «Kultura e ortodoksëve toskë, ashtu si kultura e shqiptarëve myslimanë dhe e katolikëve gegë, është shuma e influencave që kanë ushtruar në Shqipëri kulturat pagane, ilire, bizante, islame, italike (të Perëndimit) dhe sllave. Ortodoksët toskë nuk janë antiilirë.» Ai e kundërshton Pipën që toskët i quan trakë, duke thënë se «ajo që i bashkon shqiptarët më tepër se çdo gjë tjetër, përveç gjuhës, është pikërisht trashëgimi ilir, që me të drejtë mund ta quajmë themelin granit të historisë së tyre me faktin historik». Dhe, duke iu drejtuar historisë, i kujton Pipës se «Iliria përfshinte jo vetëm atë që tani është Shqipëria Veriore, por edhe Shqipërinë Jugore».
Një tjetër argument i Pipës kundër gjuhës letrare të njësuar është ai që Petri e quan argumenti konspirativ. Pipa e quan gjuhën letrare të njësuar «një instrument pushteti», që u krijua për të siguruar hegjemoninë kulturore të toskëve dhe për të garantuar monopolin e tyre të fuqisë mbi gegët. Ai e denoncon atë si «gjuhë e gatuar me dinakëri», arritur «me dhunë dhe me dredhi», si «mashtrim kolosal» dhe si instrument stalinist.
Për Pipën, thotë Petri, fajtorët kryesorë për këtë “akt kriminal” ishin udhëheqësit komunistë, me Enver Hoxhën në krye, por jo më pak fajtorë edhe «dijetarët e rremë që gatuan gjuhën e njësuar (Më të “keqin” prej tyre, Androkli Kostallarin, e përmend 200 herë në 220 faqe tekst.)
Sipas tij, gjuha letrare do t’i margjinalizojë gegët, do t’i kthejë ata pak nga pak në qytetarë të dorës së dytë dhe kështu kombi do të ndahet «sipas vijave rajonale». Kjo do të ngjallë «fantazmën e separatizmit» dhe herët a vonë Shqipëria do të përjetojë atë që Jugosllavia e ka pësuar tashmë, një luftë midis gegëve e toskëve.
Duke iu vënë këtyre gjykimeve të Pipës, Petri pyet: «Pse duhet të kenë probleme gegët në mësimin e gjuhës kombëtare, kur nuk kanë asnjë vështirësi të tillë – nëse bëjnë përpjekje – në zotërimin e një gjuhe të huaj?» Sa për konsipracionin, Petri thotë se «gjuha letrare e kombit nuk është pjellë e komplotit të një grushti akademikësh dinakë në Tiranë për të “vrarë” dialektin gegë». Gjuha letrare nuk është produkt i revolucionit kulturor, vijon ai, po produkt i punës së disa brezave, që u intensifikua pas Luftës me krijimin e institucioneve gjuhësore. Ky argument i Pipës, shkruan Petri, «nuk mbështetet as nga faktet, as nga logjika.» Përgënjeshtrimin e tij e jep fakti që gegët e Jugosllavisë e «kanë pranuar gjuhën e njësuar pa asnjë mëdyshje». Gjuha standarde, thotë ai, do t’i zbutë dallimet midis dialekteve dhe do të ndihmojë në zhdukjen e paragjykimeve të gegëve dhe toskëve ndaj njëri-tjetrit për punë të gjuhës.
Krijimi i gjuhës letrare, – e mbyll polemikën e vet, – «nuk do të thotë vdekje e njërit dialekt dhe fitore e tjetrit, sikur të ishin në një luftë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin. Si një organizëm i gjallë, gjuha letrare po pëson dhe do të pësojë modifikime. Është një proces i vazhdueshëm evolucioni, përmirësimi dhe rafinimi që do të prekë jo vetëm njërin dialekt, gegërishten, po të dy, gegërishten dhe toskërishten, siç kontribuojnë të dy në rritjen dhe pasurimin e gjuhës së folur dhe të shkruar». Polemika e Petër Priftit me Arshi Pipën nuk u mbyll me këtë artikull. Në një replikë ndaj këtij shkrimi, të botuar revistën “Albanica” (numri 3-4 i dimrit 1992), Pipa mbron me këmbëngulje idetë e shprehura në librin e vet, duke e quajtur Petrin “stalinist”, “marrist”, “besnik të ortodoksisë shqiptare”.
4. Duke përfunduar, mund të themi se Petër Prifti i shihte me simpati hapat përpara që hidhte kombi i vet, po edhe i dhembte zemra kur vërente tatëpjetën që po merrte vendi nën udhëheqjen e Partisë së Punës, dhe, pas shembjes së sistemit komunist, rreziqet që e kërcënonin Shqipërinë e drobitur nga varfëria, që po niste udhën drejt një shoqërie pluraliste. Artikulli i tij në mbrojtje të arritjes më të madhe të gjuhësisë shqiptare, gjuhës letrare të njësuar, ishte si një digë për t’i prerë yryshin një kryqëzate që synonte ta zhbënte këtë arritje dhe t’i mbyllte shqiptarët brenda kafazeve krahinore.
Ndryshe prej tij, Arshi Pipa, siç shihet nga libri i tij, po edhe nga shkrimet e mëvonshme, kur sistemi komunist kishte rënë, si artikulli “Geopolitique de la langue albanaise: la fraude de l’ULA” (1992), letra e tij e 11 nëntorit 1992 drejtuar Akademisë së Shkencave dhe polemika e mësipërme ndaj shkrimit të Petrit, nuk arriti dot të kuptonte rolin e gjuhës si mjet për bashkimin e gjymtyrëve të kombit, të ndara nga historia dhe politika. Për më tepër, ai mbeti në pozita të ngushta krahinoriste, duke i fryrë dallimet kulturore ndërmjet dy pjesëve të kombit dhe duke profetizuar përçarjen e kombit dhe luftë midis gegëve e toskëve për shkak të gjuhës së njësuar. Pipa nuk luajti nga pozitat e tij si mohues i gjithçkaje pozitive të arritur nga historia dhe gjuhësia shqiptare. Duke mbetur kundërshtar intransigjent i gjuhës standarde, ai u vu në ballë të lëvizjes për rishikimin e gjuhës letrare të njësuar dhe për lejimin e dy gjuhëve standarde «sipas parimit të paralelizmës së formave gjuhësore».
Ajo që të çudit në këto shqiptime e qëndrime të Arshi Pipës, është se si mundet që një njeri me prejardhje toske nga babai dhe gege nga nëna të hedhë poshtë me përbuzje gjysmën toske të tij?!
*Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore akademike kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Petër R. Priftit, më 17 dhjetor 2025.