Haris Vongli: Absurdi i dhimbshëm me dosjet e diktaturës
Dje dëgjova me vëmendje të madhe, si dhe keqardhje, rrëfimet e Ilir Demalias dhe Milaim Zekës, mbi shpifjet, përndjekjet, dhe poshtërimet që u kishte bërë Sigurimi i Shtetit gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Ata gjithashtu rrëfyen edhe mbi dosjet e disa individëve të tjerë me emër asokohe, intelektualë e antikomunstë, të cilët u internuan, torturuan e masakruan në format nga më çnjerëzoret, vetëm se nuk i shkonin pas fijes makabritetit dhe sundimit absolut të diktatorit dhe ideologjisë së tij majtiste-komuniste.
Së pari, nuk e di se si ende sot ka njerëz që flasin me nostalgji për atë sistem (dhe nuk janë pak), apo zbusin veprat çnjerëzore të tij, të cilat nuk kanë dalë ende në dritë, të plota. Por, ka një nevojë absolute që ato dosje të hapen, dhe fajtorët, spiunët, urdhëruesit, ekzekutorët – shumë prej të cilëve të lirë dhe me pushtete të mëdha ende sot (në mos ata pasardhësit e tyre) – të nxirren para drejtësisë.
Së dyti, dosjet duhet të hapen me patjetër sepse memoria kolektive e këtij vendi është e verbër, e errët, është e sherbetosur në raport me krimet e komunizmit. Që të vlerësohet e tashmja, duhet të njohim të shkuarën, ta pranojmë e ta dënojmë atë. Dënimi është zero relativizim, zero amnistim, zero mëshirë.
Së treti, është e paprecedentë që viktima të lehtësojë peshën e fajit dhe krimit të ekzekutorëve, ose pasardhësve të tyre, dhe të mbrojë një pushtet të ngjashëm me atë që ia ka nxirë jetën, sikurse bën Demalia me pushtetin absolut, korruptiv, patronazhist (spiun) të Edi Ramës. Nuk do ta kisha besuar kurrë, gjer dje që ndoqa ‘Top Stpry-n’, se një idhtar i Ramës, sikurse Demalia, që zhurmon, ulëret e ofendon studiove televizive shqiptare në mbrojtje të qeverisë, do të ishte një viktime e diktaturës, me dosje qindra faqëshe nga Sigurimi i Shtetit që i ka përdhosur shpirtin, dinjitetin, por mbi të gjitha memorien dhe raportin me të vërtetën.
Absurdi është i dhimbshëm. Aq i dhimbshëm saqë kam frikë se shqiptari nuk do ngrihet e reagojë edhe nëse hapen gjithë dosjet e komunizmit. Ende sot majtistët marksistë e sorosianët propagandojnë ferrin si parajsë dhe për rrjedhojë komunizmin brenda tyre si liri e demokraci. Janë fatkeqësisht të pavdekshëm!