Blerina Shalari: Metoda “Grönholm” apo koha që jetojmë
Në teatrin Eksperimental në Tiranë u shfaq “Metoda Grönholm”, një “kuartet teatror” i kryesuar nga mjeshtri i aktrimit Dritan Boriçi, i pasuar nga Luli Bitri, Artan Islami dhe Klajdi Marku, një bashkëpunim mes trupave të tre rretheve, Tiranë, Fier dhe Vlorë.
Sigurisht që çdo vepër ka nevojë të etshme për zell bashkëpunëtorësh ndaj duket se edhe në këtë premierë ka mbizotëruar një harmoni fjale, mendimi dhe aktrimi.
Vepra trajton një intervistë pune ku të intervistuarit bëhen skanues të vetëvehtes dhe të kolegut konkurues, dhe luajnë një “ballo me maska” në sy të njëri-tjetrit dhe të kameras së supozuar që i vëzhgon.
Duket si një Bigbrother i skenifikuar, kuptohet sipas ligjeve profesioniste të teatrit modern.
Kjo metodë pune dhe intervistimi vjen nga Suedia, dhe më tepër se intervistë, është një test psikologjik që kandidatët i bëjnë në rradhë të parë moralit të tyre e më tej ambicjes së fshehur që ka secili për të ecur përpara, kuptohet, shpesh nën predikimin e maskës nënfytyrore.
Aktorët e harrojnë që kanë ardhur për të interpretuar, zhvishen nga çdo lloj klisheje skenike, dhe futen shpejt në lëkurën e personazhit, ashtu siç e kërkon në fakt vepra bashkëkohore, të mbërrijë tek spektatori përmes realizmit të prekshëm por ky, me do e mos duhet të jetë një realizëm artistik, pse jo, edhe magjik.
Skena nuk është një vend i çfarëdoshëm, dhe këtë aktorët e kishin mjaft në vëmendje, kur sheh secilin që t’i predikojë tjetrit “judaizmin” pa fre që e karakterizon njeriun e sotëm, të etur për gjithshka, përveçse për dinjitet.
Loja ishte reale, pa filtra, aqsa shumë fjalë ende të pa pranueshme për shoqërinë tonë u bënë të mundshme për ta skanuar kohën ashtu siç është, me cenet e moralit dhe të vyrtytit, të cilat po shndërrohen në ndjenja luksi.
Përkthimi i Viktor Zhustit përbën një garanci për tekstin, gjithashtu edhe bashkëpunimi regjizorial me Dritan Boriçin i jep veprës mundësinë të përfitojë shumë nga eksperienca e dy brezave aktorësh të cilët sa herë shfaqen me emrin e tyre, dihet se ç’ka shumë do të ndodhë në skenë, dhe që nuk largohet lehtë prej saj.
Këtë rradhë më mbresuan aktorët Klajdi Marku dhe Artan Islami. Nuk kam pasur rastin t’i ndjek nga afër, por mu duk se eksperienca e tyre ishte e mjaftueshme për t’i qëndruar veprës me dinjitet, me personalitet, dhe pa shumë pretendime të kota, nga ato që zakonisht i shoqërojnë artistët që duan të lenë diçka me artin e tyre.
Personazhet e tyre ishin njerëz të zakonshëm, por që maska që mbanin i bënte, edhe teatralë, edhe pak mistikë, edhe intrigues, kjo fal edhe brumit tematik të servirur.
Luli Bitri përfaqëson një emër të konsoliduar mirë në teatrin shqiptar. Ende e ruaj kujtimin e bukur që më ka lënë nga shfaqja “Ivanof”, ku spikati me talentin dhe përkushtimin e saj.
Këtu vura re një vajzë katalizante, një maskë femërore, larg atyre që njohim, klishe “shtrige” si tek përralla e Borëbardhës. Këtu aktorja u përmbajt në emocione, edhe pse e pati një kulm në një dialog therës me aktorin Dritan Boriçi i cili, siç e tha në skenë, kishte misionin metodik që ta bënte për të qarë maskën që kishte përpara.
Me sa duket ia arriti bukur dhe me realizëm.
Dritan Boriçi tashmë përfaqëson për mendimin tim një pikë referimi në artin skenik teatror dhe pak më tej.
Vetë eksperienca që pata me të në teatrin muzikor e bën atë një artist shumëplanësh.
Në këtë shfaqje që mban brenda një manual psikologjik, ai shfaqet si personazhet e Stefan Zëeig-ut, me të vërtetën dhe fantazmën e vetë.
Boriçi është një aktor që në të gjitha shfaqjet ku luan e kërkon ngultas dhe e gjen dhe e ndërton, dhe e vdes aty për aty fantazmën e vetë.
Në këtë rast ndodhi e njëjta gjë, fantazma u zgjua dhe vdiq brenda tij.
Edhe me emocione të kursyera, edhe me batuta të nënzëshme, fantazma dhe maska e mjeshtrit ngre krye.
Do të doja një udhë të gjatë për shfaqjen e Jordi Galceran. Le të shtegëtojë ky manual psikologjik kudo ku ka skena teatrore, që publiku ta njohë maskën, dhe të dijë të mbrohet prej saj.
Pyetja:
Sistem vlerash, apo paradë maskash?
Merr përgjigjen e merituar në veprën teatrore “Metoda Grönholm”.
Do të doja të dëgjoja edhe një maskë të krijuar nga tingujt e muzikës gjatë kulminacioneve të batutave dhe dialogëve, megjithëse muzika u shfaq disa herë, por do ta doja të shndërrohej edhe ajo në një personazh që endet mes metodizmit dhe pacifizmit sakral, pjesë e genit tingullor të pagjendshëm askund.
Suksese dhe arritje të tjera veprës së Jordi Galceran, e cila sot tingëllon më aktuale se kurrë.
Suksese dhe arritje të tjera aktorëve që e interpretuan, duke krijuar një kuartet fjale, sa psikologjik, po aq edhe harmonik.
Le të shpërndahet vepra kudo, sepse kemi nevojë të ngutshme që aktualitetin që jetojmë ta kthejmë në një katharsis skenik.