VENDIMI I QEVERISË SË VLORËS PËR KRIJIMIN E POLICISË SË SHTETIT

(Qeverie e Përkohshme e Vlorës që drejtohej nga Ismail Qemal bej Vlora vetëm 40 ditë pak krijimit të saj ngriti një prej institucioneve bazë të sigurisësë brendshme, krijoi Policinë e Shtetit shqiptar. Sa herë përkujtohet historiku i krijimit të shtetit, përkujtihet edhe Policia, Xhandarmëria, Milicia, gjaku i dëshmorëve dhe të rënëve, jetët e humbura për të garantuar sigurinë publike shqiptare, për mbrojtjen e jetëve njerëzore me jetët e tyre. Rrugëtimi i Policisë së Shtetit është mbushur me sfida, arritje, por dhe dështime, shumë gjak, mund e djersë, shumë sakrifica ka pasur në rrugën misionare të Policisë: “për ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, parandalimin e luftën ndaj kriminalitetit, garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e jetës e të pronës, respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore në përputhje me ligjin e parë të shtetit, në përputhje me Kushtetutën”.
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Akademia e Sigurisë
Pavarësia shqiptare e 1912-tës u shoqërua me ngritjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, një përgjegjësi historike për barrën e madhe që morën përsipër ajka e intelektualizit shqiptar të kohës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u përzgjodhën nga të gjitha trevat shqiptare. Pavarësia ishte akti madhor e sublime, ngjarje kulmore në historinë e shqiptarëve, fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të gjithë shqiptarëve. Ndërkohë që qeveria nuk kishte mbushur as dyzetë ditë u mendua për rendin dhe sigurinë e brendshme.
Rendi dhe qetësia ishte një prej obligimeve themelore të qeverisë së Vlorës. Ndjenja patriotike ishte pishtari i ndezur i atdhetarisë për tu mbrojtur nga rreziqet e brendshme, por dhe të jashtme. Policia e Shtetit është struktura që e kërkon koha në të gjitha epokat. Krijimi i policisë së shtetit për herë të parë u bë bazuar në vizionin e themeluesit të shtetit, i cili në ditët e para të 1913-ës: “..siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”, porosiste Ismail Qemali prefekturat e bashkitë. Drejtor i parë ishte Halim bej Gostivari dhe për herë të parë një qeveri shqiptare kishte “Zyrë të Sigurimit Publik”, ose “Drejtoria e Policisë Shqiptare”, me detyra administrative dhe gjurmuese, ndërkohë që shkollimi ngeli thjeshtë një ide. Është fakt historik se më 13 janar 1913 Qeveria e Përkohshme e Vlorës mori vendimin për krijimin e Forcave të Rendit, të Policisë dhe Xhandarmerisë, (AQSH, Fondi nr.245/II, 1913, d.69, f,1 dhe 2; dokumenti në original është në gjuhën osmane, por ndodhet edhe i përkthyer në gjuhën shqipe në AQSH). Detyrat e Kryeministrit të parë dhe Kuvendit të Vlorës, “për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike do kryheshin nga xhandarmëria që kryente funksione të policimit dhe drejtohej nga Sali Vranishti, Alem Tragjasi, Hysni Toska, Hajredin Hekali. Katër muaj më vonë, më 4.5.1913 u krijua “Shtabi madhnuer”, nga varej xhandarmëria me batalionet e Vlorës, Beratit dhe Elbasanit. Më 3 qershor 1913 u miratua “Rregullorja e Milicisë shqiptare të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”, një dokument shumë i rëndësishëm për kohën. Më 20 dhjetor 1913, doli dekreti i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës “Mbi Formimin e Xhandarmerisë shqiptare në krahinat e jugut”, ku për organizimin e xhandarmërisë shqiptare një ndihmese të konsiderueshme ka dhënë edhe Misioni holandez i De Veer që erdhi në fund të tetorit 1913 në Shqipëri. Shqiptarët bazuar dhe te rekomandimet e xhandarmërisë hollandeze krijuan 4 reparte xhandarmërie me 300 xhandarë secili. Në një periudhë 113 vjeçare Policia e Shtetit ka historikun e zhvillimit, në përputhje me politikat shtetërore të disa rregjimeve republikane, monarkike, socialiste e demokratike, në periudha edhe nga më komplekset. Policia ka qenë domosdoshmëri jetike e shtetit, kërkesë e publikut, për misionin themelor në shërbim të rendit, qetësisë, sigurisë, komunitetit, zbatueshmërinë ligjore. Organizimi i parë i Policisë u bë në bazë drejtorie ishte me qendër në Vlorë. Drejtuesi i parë i policisë shqiptare në shtetin e Ismail Vlorës ishte Halim bej Gostivari nga Gjakova, që më tej u pasua nga Fehmi bej Mezhgorani. Identifikimi i mbiemrave të drejtorëve fillimisht flet për gjeografinë e hapësirës gjithëshqiptare nga vinin drejtuesit e institucioneve në fillim të shekullit të kaluar, edhe përtej hapësirës administrative të “Shqipërisë londineze”. Fakt është se, Policia Shqiptare është ngritur nga vetë shqiptarët dhe më vonë edhe është mbështetur e këshilluar nga ekspertë e specialistë hollandezë e më tej britanikë, edhe pse është ruajtur tiparet, identiteti i misionit civil të Policisë, formati i evropian, por dhe me norma juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin, mbrojtjen e të drejtave e të lirive të individit, ndalimet e hyrjeve me forcë në shtëpitë e qytetarëve si dhe grumbullimet pa armë.
*
Përvojat e policimit, xhandarmërisë dhe milicisë si dhe fryma e policimit shqiptar
Siguria e brendshme e shtetit ishte një prej detyrave emergjente, por edhe strukturimi mbi bazën e eksperiencave botërore të policimit që ishte parësore për kohën.Ndërkohë që bota kishte krijuar deri në atë kohë eksperiencën dhe përvojat e policimit, eksperiencat ishin domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë në një shtet të porsakrijuar. Tiparet e policimit në vendin tonë i përhapi për herë të parë grupi i xhandarmërisë hollandeze me general De Veerin në krye. Pas viteve ’20-të në maj 1923 u mendua dhe gjykua të thirrej për ndihmë kolonel Sterling që erdhi në Shqipëri. Më 29.9.1926, vendin e inspektorit të përgjithshëm, që mbante gjenerali anglez Frank Ë. Sterling e zuri gjenerali anglez Perssi, ndërsa në vitin 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, oficer i përgatitur dhe i arsimuar në kohën që kishte në dispozicion edhe këshillat e gjeneralit britanik në pension Perssi. Policimi në Shqipëri kishte kaluar nëpër shtigje të reja, edhe mbi bazën e eksperiencës së vendeve më të përparuara të kohës. Misionin e policimit e kryente Garda dhe Xhandarmëria shqiptare, si elemente të sigurisë së brendshme deri në prill 1939, kur pushoi funksionin me pushtimin e vendit. Misioni i policimit i Xhandarmërisë më 1936 kishte një kolonel, 4 nën/kolonelë, 8 majorë, 16 kapitena të I-rë, 32 kapitena të II-të, 40 togera, 43 nëntogera, 144 oficerë gjithësej me buxhet 3.250.000 franga ari, që për kohën ishte një shumë e madhe për kohën.
*
Ringritja e institucioneve të policimit të pasluftës së Parë Botërore
Viti 1920 ishte viti vendimtar i ardhmërisë së shtetit shqiptar, pas korespondon me Kongresin e Lushnjës (21 deri më 31.1.1920), Lufta e Vlorës (5.6.1020-3.9.1920) që lidhen fort me rëndësinë historike të shtetformimit dhe pavarësisë së dytë shqiptare. Ndërkohë 32 vende ishin mbledhur në Konferencën e Versajës pas LIB që krijuan Lidhjen e Kombeve dhe pesë traktatet e paqes me shtetet e mundura. Në vendin tonë në vitet 1919-1920, qeveria rivlerësoi rëndësinë e Policisë dhe organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botore dhe u dha kompetenca nënprefekturave e prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë. Strukturat e Policisë u shtrinë në 14 nënprefektura, me efektiv prej 5 komisarë, 8 nënkomisarë, 43 policë, që ishin emërtuar “komiseri”. Ishte hera e parë në historikun e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati buxhet financiar, që në Nëntor 1919, buxheti u rrit 30% më 1920. Paga e punonjësve të policisë shënoi rritje me argumentin e përmirësimit të gjendjes dhe rritjen ndërgjegjësimin e policëve të shtetit të rilindur shqiptar. Viti 1920-të ishte viti i riorganizimit të Policisë shqiptare me drejtori policie në prefektura dhe shtimin e limitit organik të saj. Drejtorë të rinj të policisë dhe komisarë policie të rinj ishin sikurse administratorët vendorë e drejtuesit në strukturat e xhandarmërisë, ushtrisë e milicisë. Më 1921 roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm i aftësimit për kryerjen e veprimeve proceduriale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz në një raport në çdo dy javë. Kontrolli i territorit ishte detyrë bazale. Në metodën e policimit u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve.
*
Policia e Xhandarmëria shqiptare nga vitet ’20-të të fillimshekullit të kaluar deri në pasluftën e Dytë Botërore në Shqipëri
Policimi shqiptar në gjysëm shekulli (1920-1990) eci në tre rregjime. Në vitet 1927, 1928 u bënë përpjekje për organizimin e Policisë Shqiptare sipas modelit italian, për zbatim të ligjit për Administratën Civile, duke synuar dhënien e të gjithë kompetencave prefektit për kontrollin e policisë. Në dhjetëvjeçarin 1928-1938 policia dhe xhandarmëria ka pasur zhvillime pozitive, ku futën elementë modernë perëndimor ne fushën e strukturave dhe legjislacionit te policisë e xhandarmerisë; krijohen për herë të parë, policia bashkiake më 1928, policia rurale më 1929, policia kufitare më 1930, policia e sigurimit publik më 1938, roja mbretërore e kufirit më 1939, xhandarmëria qytetase me atributet e policisë urbane, etj. Periudha e viteve 1939-1944 ishte në peshën e LIIB, ndërsa Policia në më të shumtën ishte strukturë e qetësisë e rendit në rrethana specifike të luftës. Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur e Policisë në Shqipëri, në varësi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë. Në strukturën organizatave spikatin Drejtoria Qendrore e Sigurimit Publik, zyrat e prefekturave, zyrat në nënprefektura dhe zyrat e kufirit dhe të post-porteve tokësore e detare. Gjatë LIIB strukturat e policisë e xhandarmërisë në pjesën me të madhe u asimiluan dhe u profilizuan sipas interesave të shteteve pushtuese. Gjatë pushtimeve italiane dhe gjermane, policia u integrua në strukturat ushtarake me emërtimin “Trupa e Armatosur e Policisë”. Për periudhën e pushtimit Italian policia ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të policisë italiane dhe shumë funksionarëve të tjerë italianë. Kjo periudhë pati fuqizim të policisë, rritje të përgjegjësive. Më 1943, në zonat e çliruara, u krijuan strukturat partizane për ruajtjen e rendit e qetësisë publike: Komandat e Qarkut, Komandat e Vendit dhe rojet vullnetare. Pas LANÇ-it organizimi e strukturimi i policisë është bërë sipas modeleve lindore. Çlirimi nga pushtimi nazifashit i vendit solli politika të reja në misionin dhe funksionin e policisë. Bërthamat e njësive policore të krijuara në zonat e çliruara gjatë luftës ishin të gatshme të merrnin përgjegjësinë e mbajtjes së qetësisë. Më 14.5.1945 u bë riorganizimi i policisë, për gjithë strukturat ushtarake të komandave të qarqeve dhe njihet si “krijimi i Policisë Popullore”, si strukturë e MPB, që varej nga Drejtoria e Policisë dhe në periudhën 1946-1948 limiti organik ka variuar nga 2286 deri në 3766 vetë. Deri më 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë i pandryshueshëm, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë. Më 1991 shifra e punonjësve të rendit u rrit mjaftë. Në fillimin e këtyre viteve kanë zanafillën krijimin e strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të sigurisë për VIP-at dhe rritja e numrit të policisë kufitare.
*
Arsimimi policor garant i ardhmërisë së rendit dhe sigurisë publike shqiptare
Arsimimi është fytyra e së ardhmes së një kombi, prandaj edhe për formimin policor shqiptar është menduar që në fillim të shekullit të shkuar. Përgatitja është bërë me kurse, ndërkohë që shkolla e lartë e MPB është ngritur më 20.12.1971 me VKM dhe që kishte tre degë, një prej të cilave ishte edhe “Dega e Policisë”. Vendosja e demokracisë në Shqipëri u shoqërua me reformim, ristrukturim për personelin, standartet e policimit dhe përmirësimin e infrastrukturës policore. Rrugëtimi përtej shekullor i Policisë Shqiptare, lidhet me obligimin moral e shpirtëror të përulemi në shenjë të thellë nderimi e respekti para punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës në emër të sakrificës sublime në përmbushje të misionit ligjor për të garantuar rendin e qetësinë publike në Shqipëri. Gjithë piramida shtetërore duhet të kuptojë dhe mirëkuptojë, por dhe nderojë gjithë ata që mbrojtën jetën e njerëzve me jetët e tyre. Prandaj mirënjohja për “gjakun e policisë që është gjak i shtetit” duhet të jetë në themelin e veprimtarisë zhvilluese në sigurinë publike në vend. Në një shekull e njëmbëdhjetë vite të ekzistencës së Policisë shqiptare vlen nderimi dhe vlerësimi i pjesëmarrësve të ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve, në kushte jo të favorshme pune e jetese por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit e të ardhmes së qetë e të sigurtë në Shqipëri. Policia Shqiptare është në krah të policive moderne evropiane, e barabartë në frontin kundër krimit. Policia sot ka potencialet intelektuale e profesionale që janë të nivelit dhe standarteve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, në përmbushje të kryerjes së detyrimeve ligjore e profesionale të përgjegjësive, si në fushën e krimit të organizuar ashtu edhe në atë të policimit në tërësi. Policia e Shtetit sot ka një bazë të sigurt të arsimimit modern, të kualifikimit dhe trajnimeve që është Akademia e Sigurisë tashmë edhe e akredituar zyrtarisht në pikëpamje institucionale dhe programore, për FSH dhe KPFP. AS-ja ka rreth 42 marrëveshje bashkëpunimi me jashtë dhe brenda vendit, ku së fundi është firmosur edhe marrëveshja e bashkëpunimit me Akademinë e Policisë së Moldavisë. Në ligjin për Policinë e Shtetit, nr. 82/2024, parashikohet që Policia e Shtetit të ketë institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ e menaxherial. “Akademia e Sigurisë” është institucion i lartë arsimor i profilizuar në fushën e sigurisë publike. VKM nr. 185 dt 25.2.2015 shënon datëkrijimi i Akademinë e Sigurisë, përgjegjëse për edukimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të tjera të sigurisë në vend. Akademia e Sigurisë është institucioni unik që punon fort për përmbushjen e misionit dhe të vizionit, ku veprimtaria në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor është vlerësuar në vijimësi nga publiku dhe autoritetet më të larta të ekzekutivit, MB-ja dhe DPPSH-së. Misioni i Akademisë së Sigurisë është zhvillimi dhe transmetimi i dijeve me anën e mësimdhënjes dhe kërkimit shkencor, në fushën e rendit dhe sigurisë për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Përgatitja dhe edukimi policor është përparësi e programit politik të qeverisë dhe MB-së dhe e PSH si aset i pazvendësueshëm për ardhmërinë në luftë ndaj krimit, rendit e sigurisë publike. Akademia e Sigurisë ka bërë hapa të sigurtë vitet e fundit për akreditim 5 vjeçar, akriditim të programeve, përthithjen e kontigjenteve për Bachelor direkt nga shkollat e mesme. AS-ja, me “Vendim të Bordit të akreditimit (IADLEST-USA) u certifikua me një rezultat prej 93,7 pikë, ku ndër 72 Akademitë policore, në kategorinë “Shkëlqyer”, një ndër katër Akademitë më të vlerësuara për periudhën 2024-2027, ndërkohë që po aplikohen në organizimet programore modelet e universiteteve më të përparuara në Evropë dhe Qendrave Federale të Trajnimeve për Zbatimin e Ligjit (FLETC) në ShBA. Rritja e standardeve akademike të mësimdhënies, përmirësimi i programeve mësimore që zhvillohen në AS-së janë reflektuar në trajnimin e mjaft specialistëve nga fusha të ndryshme pjesëmarrës në disa qindar trajnime. Në akademi administrohen aktualisht 110 programe, për specialist të hetimit të krimeve, funksione të veçanta, fitimin e gradave në rolet e mesme dhe të larta, për strukturat e tjera si AMP, BKH, zjarrfikësin, policinë ushtarake, policinë e burgjeve, për punonjësit me status “Nëpunës civilë” dhe “Punonjës administrativë”. Arsimimi policor është në përputhje me ligjin e arsimit të lartë dhe ligjit për Policinë e Shtetit, mirëkuptues e institucional, ku sfida vijon të ngelet ndryshimi. Rrugëtimi nga kursi i parë policor i 21.5.1938 i drejtuar nga Major Viktor Shantoja, vijon sot me Rektorin Prof. Mandro që është drejtuesi aktual i 19-të i AS-së. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, që janë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese dhe ka standarte e kapacitete për të realizuar metodat bashkëkohore të hetimit; kanë në dispozicion teknologjinë e informacionit e aplikon sistemet bashkëkohore në strukturat e policimit. Policia e Shtetit meriton nderim e mirënjohje në këtë përvjetor të rrugëtimit përmes pasi ka ecur zhvilluar e konsoliduar përmes sfidave
*
Drejtimi i Policisë nuk është funksion, por mision kushtetues
Policia e Shtetit nga drejtori i parë deri tek drejtimi i drejtorit aktual ka pësuar transformime të rëndësishme, ligjore strukturor dhe arsimor, që meriton respektimin e punonjësve që mbrojnë, ruajnë rendin e sigurisë, që përmbushin misionin ligjor garantues të qetësisë publike. Policia e Shtetit është profesionale, me vlera njerëzore që ka merituar dhe meriton mirënjohjen e publikut shqiptar. Policia përbëhet nga djem e vajza e popullit nga gjithë shtrirja gjeografike shqiptare. Ata janë mbrojtësit e jetëve njerëzore, në shërbim të qytetarit, të rendit e qetësisë publike në Shqipëri.
Drejtori i parë të Policisë së Shtetit shqiptar ka qenë Halim Bej Jakova – Gostivari i cili ishte lindur në qytetin e Gjakovës në vitin 1878, në vitin e themelimit të LSHP-së. Ai ka kryer arsimimin në vendlindje dhe më tej ka ndjekur studimet e larta në degën “Drejtësi”, në kolegjin amerikan “Robert Kolezh”, në Stamboll. Është kthyer në Vlorë me kërkesë të Ismail Qemalit dhe më 13 janar 1913 deri më 24 maj 1913, kur ka qenë në moshën 35 vjeçare. Ai ka qenë drejtori i parë i Policisë për ruajtjen e rendit e qetësisë në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Këtë detyrë e ka kryer edhe nga 28 gusht 1919-1 shkurt 1920; 1 shkurt 1920-17 dhjetor 1920; 22 prill 1922-1921, në gusht 1922 (3 vjet e një muaj). Ka kryer edhe funksione të tjera si: deputet (1922-1923); në funksione si drejtor më 1921 – 1922; prefekt (1923-1924). Ka qenë njohës shumë i mirë i gjuhëve të huaja: osmanisht, serbisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhën e nënës, shqipen. Ai emigroi i përndjekur si mbështetës i lëvizjes së qershorit të vitit 1924 me Fan Nolin; u pensionua vetëm 40 ditë para vdekjes kur ishte “braktisur” nga shteti i parë republikan. Është shuar më 1.8.1927, në moshën 49 vjeçare. Vlerësimi i tij, si drejtori i parë i Policisë Shqiptare është bërë pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, tre dekada e gjysëm më parë.
Drejtorit aktual të Policisë së Shtetit shqiptar është Drejtues Madhor Ilir Proda, që në radhën kronologjike është Drejtori i 45-të i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i lindur në qytetin e Sarandës. Ilir Proda është oficer karriere i Policisë së Shtetit, i mirëshkolluar dhe i mirëtrajnuar me standardet më të përparuara të arsimit policor. Ai është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me VKM nr.608, datë 2.10.2024 (Fletore Zyrtare e RSH-së nr. 168, Datë. 03/10/2024, faqe 19736), dhe ka marrë gradën policore Drejtues Madhor. Ka kryer studimet në Akademinë e Policisë në vitet 2002-2005, në Sauk të Tiranës duke e përfunduar Akademinë me rrezultate të shkëlqyera dhe më pas, ka kryer studimet e larta edhe në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollën e Avokatisë në Tiranë. Ilir Proda ka kryer trajnime, kualifikime e specializime të shumta në fusha të ndryshme të edukimit policor, brenda dhe jashtë vendit. Në gusht vitin 2005, ka nisur karrierën si specialist i Policisë Kriminale; në gusht 2005-nëntor 2011 në Komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë; nga nëntori 2011 deri në mars 2012 në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranë; në mars 2012 deri në qershor 2013 në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së shtetit, seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit; në qershor 2013 deri në tetor 2013 në Policinë e Lezhës; në tetor 2013 deri në dhjetor 2014 Shef Komisariati nr.2 në Tiranë; nga dhjetori 2014 deri në shkurt 2016 Shef Komisariati në Bulqizë, nga shkurt 2016 deri në maj 2017 në Seksionin për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga maji 2017 deri në korrik 2019 në Drejtorinë e Përgjithshme, Njësia për hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë, nga korriku i vitit 2019 deri në tetor 2021 Zv/drejtor për hetimin e krimit në Korçë; nga tetori 2021 deri në mars 2023 Zv/drejtor për hetimin e krimeve në Elbasan; nga muaji mars 2023 deri më 2.10.2024 Drejtor i Drejtorisë Vendore i Policisë së Elbasanit; ndërsa aktualisht përmes një konkurimi të hapur për Drejtor të Përgjithshëm të PSH është emëruar me VKM të datës 2 tetor 2024. Ilir Proda e fitoi detyrën e lartë të Drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit përmes një gare të hapur me konkurtentë të tjerë potencialë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, është zgjedhur më datën 14 dhjetor 2024 president i SEPCA-s (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore). Cilët janë 46 drejtuesit e Policisë së Shtetit në mënyrë kronologjike në 113 vite? Duke hulumtuar në arkiva, biblioteka, dokumente shtetërore gjejmë të përmbledhur gjithë ata që kanë udhëhequr dhe drejtuar Policinë e Shtetit Shqiptar që janë shqiptarë por edhe të huaj që janë thirrur për ngritjen organizimin dhe konsolidimin e Policisë dhe më konkretisht: (1).Halim bej Gostivari (Gjakova) janar–maj 1913; gusht 1919–dhjetor 1920; prill–gusht 1922; (2).Fehim bej Mezhgorani (Tepelena) maj 1913 – 22 janar 1914; (3). Baroni Franc Biegeleben (në qeverinë e Vilhelm Vidit).7.3.1914 deri më 3.9.1914; (4). Veli Vasjari – prill – qershor 1914, janar – prill 1922; (5). Sulejman Kërçiku – 2 tetor 1914 – 27 janar 1916; (6). Ahmet Sinani – dhjetor 1920 – janar 1922; (7). Musa Çepelia – gusht – dhjetor 1922; (8). Hamza Isaraj – dhjetor 1924; (9). Qazim Bodinaku – shkurt – korrik 1926; (10). Rustem Ymeri – dhjetor 1926 – 1927; (11). Hilë Mosi – shtator 1928 – 1929; (12). Zef Kadarja – gusht 1940 – mars 1922; (13). Theodhor Stamati – mars – nëntor 1942; (14). Shyqyri Borshi – nëntor 1942 – qershor 1943; (15). Gjush Deda – qershor – gusht 1943; (16). Kolë Radovani – shtator – tetor 1943; (17). Skënder Selmanaj – tetor 1943 – janar 1944; (18). Tahir Kolgjini – 10 janar 1944 – 24 nëntor 1944; (19). Namik Xhafa – nëntor 1944 – 20 mars 1947; (20). Lako Polena (Devolli) – 24 mars 1947- 2 shkurt 1948; (21). Sali Ormëni – 16 shkurt 1948 – 2 mars 1951; (22). Maqo Çomo – mars 1951 – mars 1952; (23).Delo Balili – mars 1952-maj 1956; (24). Xhule Çiraku – 1 maj 1956- shkurt 1968; (25). Kasëm Servet Kaso (Kaçi) – shkurt 1968- janar 1980; gusht 1982-31 dhjetor 1984; (26). Agron Vasil Tafa – janar 1980 – gusht 1982; (27). Dilaver Bengasi – 1 janar 1987 – 17 korrik 1990; (28). Fadil Cani (Canaj) – 17 korrik 1990 – 1 maj 1992; (29). Astrit Mehaj – 1 maj 1992-22 qershor 1993; (30). Sabri Jaçaj – 22 qershor 1993-15 qershor 1995; (31). Agim Shehu – 15 qershor 1995-30 qershor 1997; (32). Sokol Baraj – 3 korrik 1997 – 16 maj 1998; (33). Besnik Bregu – 16 maj 1998-4 shtator 1998; (34). Hasan Ahmetaj – 4 shtator 1998 – 9 nëntor 1998; (35). Veton Gjoliku – 9 nëntor 1998 – 20 janar 1999; (36). Veli Myftari – 20 janar 1999 – 22 nëntor 2000; (37). Bilbil Mema – 23 nëntor 2000 – 19 gusht 2002; (38). Bajram Ymer Ibraj – 12 shtator 2002 – 30 mars 2007; (39). Ahmet Prençi – 30 mars 2007 – 28 tetor 2009; (40). Hysni Burgaj – 28 tetor 2009-tetor 2013; (41). Artan Didi – Tetor 2013-Prill 2015; (42). Haki Çako – Prill 2015 – 5.2.2018; (43). Drejtues Madhor Ardi Veliu – 18.2.2018 – 6.10.2021); (44). Drejtues Madhor Gledis Nano 6.10.2021 -7.9.2022); (45). Drejtues Madhor Mahamet Rrumbullaku (7.9.2022 deri më 30.8.2024); (46). Drejtues Madhor Ilir Proda nga 2.10.2024 e në vijimësi. Mbarësi dhe prosperitet organizatës së madhe të Policisë së Shtetit shqiptar!