Sami S. Shatri: UNË JAM MIRË, KUR ËSHTË MIRË SHQIPNIA
Më 15 janar 1864, lindi Gjenerali i Maleve, Kryetrimi ISA BOLETINI!
UNË JAM MIRË, KUR ËSHTË MIRË SHQIPNIA
Me sytë e përmallur, thellë vështron Atdheun
Një jetë në luftë, pak dritë e shumë terr
Nga deti ec, drejt Vlorës hyjnore shkon
Plisi i bardhë mbi kokë, shtatin i h’jeshon!
Pas la Kosovën, nën tymin e zi
Me sytë e përlotur, nën vetullën e tij
Matë Atdheun e ndarë, nga jugu në veri
Pëllëmb e dorës shtrihet, në brezin mbi allti!
Rrudhat e shkalluara, nga pesha e kohës
Të kujtojnë koburet, Qemailin edhe Londrën
Në pallat të ëndrrave, me tirqë galana
Hyn me plis të bardh, pritet nga shumë lorda!
Sa krenar ishte, soji i këti trimi
Bimë e Boletinit, farë e Dukagjinit
Me shtatin e drejtë, si shtiza e flamurit
Si mali e shkëmbi, gjithmonë i patundur!
Një cigare ndezur, në dorën e hekurt
Pështillet ai tym, si gjarpër i përdredhur
Ngjitet lartë kah f’tyra, m’shifet nën mustaqe
Si mjegull e dendur që humbë nëpër male!
Xhamadan i hapur, sikur ndalë rrufetë
Qindra vjet shkrepën, mbi t’shenjtin Atdhe
Ja këputën degët, një e nga një
Nga plagët e rënda, gjaku shkoi rrëke!
S’të joshën sarajet, atje larg n’Stamboll
Tokë e huaj ishte, mbeti përgjithmonë
Erdhe n’Mitrovicë, n’shkrepa t’Boletinit
Në kullën me gurë, n’trollin e Bab’gjyshit!
Kur dikush të pyeste, si je baca Isë
Unë jam mirë, kur Shqipnia është mirë
Përgjigje epike, e thënë nga një trim
Do mbetet e përjetshme, ndër brezat që vinë!
Në tokën Iliriane, atje n’Podgoricë
Me lajka e tradhëti të vunë në pusi
Si dragua qëndrove, luftove me trimëri
I pavdekshëm mbete, n’faqe t’historisë!
Lavdi e respekt përjetësorë!