Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Monumenti i munguar për Koliqin në Tiranë, Prishtinë, Shkodër dhe Prizren


ERNEST KOLIQI (20 maj 1903 – 15 JANAR 1975)
Duke kujtuar gjeniun e letrave shqipe të viteve ’30 në 51-vjetorin e vdekjes, me një nga poezitë e tij plot mall për qytetin e lindjes, të cilin nuk e pa për 30 vjet deri në vdekjen e tij…

Shkodra në mëngjese


Këndojnë bashkë në mëngjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllën kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.
Përhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.
E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:
skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.
Shkrimtar, përkthyes, mësues, minister i arsimit dhe patriot i madh që luajti një rol vendimtar në formësimin e prozës dhe arsimit modern shqip.
Pse u anatemua i madhi Koliqi?
“Krimi” i tij ishte misioni për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi ne vitet 1941-1942 kur ishte Ministër i Arsimit në Shqipëri.
Në vitin shkollor 1941 – 1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.
Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.
Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.
Koliqi me inisiativen e tij zgjoi ndërgjegjen shqiptare në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë “londineze”.
Nuk do kishte pavarësi të Kosovës pa shkollat shqipe të hapura me inisiativën e shkodranit të madh Ernest Koliqi.
Gjate viteve romane shpesh herë Ali Bej Kelcyra e provokonte Koliqin duke e pyetur përse bashkëpunoi me italianët.
Koliqi nuk pergjigjej…
Një ditë iu pergjigj me një thes me letra të dërguara nga nxënësit kosovarë që kishin mësuar shqipen fale inisiativës se tij, ku ata i shkruanin me dashuri dhe mirënjohje.
Ali Bej Kelcyra heshti dhe nuk e provokoi më…
Poliedriku i madh i kulturës shqiptare vdiq më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij romane, në Balduina, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij.
Ende eshtrat e tij nuk prehen në vendin e tij të dashur, për të cilin ai sakrifikoi “reputacionin e vet”…
Ai mbetet një figurë e nderuar për arsimin dhe letërsinë, edhe pse roli i tij politik e ka bërë përkujtimin e tij kompleks në aspektin politik dhe historik…
Pas viteve ’90 Koliqi është përkujtuar përmes veprave, ekspozitave dhe aktiviteteve akademike, por nuk ka asnjë monument në Shqiperi dhe Kosovë.
Nuk ka asnjë rrugë apo shesh me emrin e tij. Ka vetëm një shkolle private parauniversitare që mban emrin e tij… kur kemi emërtuar në shtrembërim dhe në injorim të historisë sonë kombëtare rrugë, shkolla, sheshe, institucione kulturore, shkencore me emra te papërfillshem dhe për më tepër në shumë raste edhe turpërues.
Kur do të kemi guximin për të ngritur një monument për të madhin Ernest Koliqi në Tiranë, Prishtinë, Shkodër apo Prizren?
Një monument i tillë nderon dhe emancipon Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar…