Albspirit

Media/News/Publishing

DR. MIGENA ARLLATI: MIDIS KOHËS, GURIT DHE NJERIUT

Vështrim në poezitë e vëllimit “Lutje në kohën e Sizifit” të poetit Jaho Margjeka

poezinë e Jaho Margjekës, risitë në artin letrar shfaqen përmes një minimalizmi të vetëdijshëm, ku fjala reduktohet në thelb dhe heshtja merr funksion estetik po aq të rëndësishëm sa shprehja. Në “Lutje në kohën e Sizifit” (me tetë kapituj poetikë), poezia nuk ndërtohet mbi rrëfim apo patetizëm, por mbi copëzime mendimi, imazhe të shkurtra dhe vargje të përmbajtura, ku domethënia lind nga e pathëna. Gjuha është e thjeshtë, shpesh e përditshme dhe me nuanca popullore, por e pastruar nga retorika, duke fituar forcë poetike përmes ngarkesës emocionale dhe simbolike. Dashuria çmitizohet dhe paraqitet si përvojë e brishtë, e përkohshme, shpesh e humbur nga hezitimi dhe frika, ndërsa koha dhe përkohshmëria shndërrohen në bosht tematik të poezisë. Simbolika mbështetet në elemente natyrore dhe arketipale si guri, bari, era, zogu apo dimri, të cilat nuk funksionojnë si zbukurim lirik, por si shenja ekzistenciale. Tradita folklorike dhe mitike shqiptare rimerret dhe rishkruhet në një këndvështrim modern, introspektiv, duke krijuar një dialog mes së vjetrës dhe së resë. Subjekti lirik është i zhveshur, vetëkritik dhe i përmbajtur, larg heroizmit dhe tonit deklarativ, ndërsa stili fragmentar dhe etika e heshtur e ndershmërisë emocionale përbëjnë thelbin e një zëri autorial të dallueshëm dhe bashkëkohor.

Kapitulli hapës, “Bota nën hënë” përbën një njësi poetike koherente, ku poezitë komunikojnë mes tyre jo thjesht tematikisht, por përmes një ontologjie të përbashkët të përmbysjes, kalimit dhe ndërmjetësisë. Që në tekstin hapës “Ditët e fundit”, realiteti shihet “pas vrimës së çelësit”, pra nga një perspektivë e kufizuar, e përmbysur, ku tavani bëhet dysheme dhe dyshemeja dritare. Kjo figurë themelore vendos boshtin e gjithë kapitullit: bota nuk është më e qëndrueshme, por një sistem i lëvizshëm shenjash, ku orientimi moral, kozmik dhe historik është i turbulluar.

Margjeka ndërton një poetikë të liminalitetit : bota nën ujë, bota nën hënë, hapësira midis fjalëve, pasqyra, heshtja, agimi, lindja. Këto janë të gjitha zona kalimtare, jo vende përfundimtare. Poeti nuk vendoset as në ditë, as në natë; as në tokë, as në qiell; as në heshtje, as në fjalë. Ai qëndron midis, dhe prej këtij “midisi” lind tensioni estetik dhe filozofik i kapitullit. Koncepti i liminalitetit si teori kulturore dhe antropologjike është zhvilluar nga Victor Turner, një antropolog britanik, duke e zgjeruar idenë fillestare të Arnold van Gennep-it. A. van Gennep, në librin e tij “Les Rites de Passage” (1909), prezantoi konceptin e “rites of passage” dhe e përshkroi fazën e ndërmjetme të një rite si një “liminal phase”, një gjendje ku individi është larg statusit të vjetër dhe ende nuk ka marrë statusin e ri. Victor Turner e mori këtë koncept dhe e zhvilloi më tej në studimet e tij mbi ritualet dhe shoqëritë, duke e përdorur liminalitetin për të përshkruar gjendje transformimi, pezullimi dhe mundësish të pafundme, jo vetëm në rituale, por edhe në kultura dhe përvoja njerëzore më të gjera.

Në poezinë e Jaho Margjekës, idetë e liminalitetit manifestohen qartë përmes temave të pragut, pezullimit dhe ndërmjetësisë mes gjendjeve të ndryshme. Poezitë e tij shpesh flasin për kohë që nuk janë e tashme e pastaj, për ndjenja që janë as këtu, as atje, për përjetime që janë përtej gjendjes së zakonshme njerëzore, si malli, dashuria që nuk përfundon, humbjet që nuk shuhen, apo takimet dhe ndarjet që lënë gjurmë të përhershme.

Në këtë kuptim, poetika e liminalitetit te Margjeka tregon se ai shkruan në hapësira të ndërmjetme: mes fëmijërisë dhe rriturisë, mes pranverës dhe dimrit, mes lumturisë dhe trishtimit, mes gjallërisë dhe humbjes. Gjuha e tij përdor simbole të pezulluara, si qiparisat që përqafojnë varrezat, ëndrrat që zgjasin tetë vjet, hapësira blu që hesht, duke krijuar një botë poetike ku nuk ka fund dhe fillim të prerë, por një rrjedhë përjetimesh që mbeten në kufijtë e shpirtit dhe kohës.

Pra, ai nuk shkruan thjesht për ndjenja ose ngjarje, por për përjetime që ekzistojnë në pragun e ndërgjegjes dhe realitetit, duke bërë që lexuesi të ndiejë pezullimin dhe transformimin e vazhdueshëm, kjo është vetë esenca e liminalitetit.

Në disa poezi (“Ditët e fundit”, “Peizazh nën ujë”, “Sizifi”, “Si struci”), shfaqet qartë një vetëdije absurde, e afërt me traditën ekzistencialiste, por e përpunuar në mënyrë ironike dhe alegorike. “Peizazh nën ujë” është një alegori e botës moderne: peshqit me “kokën majtas e bishtin djathtas”, trafiku i dendur, notarët e kalamendur që notojnë drejt një burimi të shterur. Këtu absurdi nuk është thjesht metafizik, por historik dhe shoqëror. Drejtimi është i gabuar, burimi është tharë, por lëvizja vazhdon – një kritikë e fortë ndaj automatizmit kolektiv. “Sizifi” rishkruan mitin klasik jo si tragjedi heroike, por si spektakël publik: amfiteatri brohorit, turmat përgëzojnë, pastaj përgojojnë “etninë e vet”. Këtu Sizifi nuk është më vetëm figura e njeriut absurd, por figura e intelektualit, e artistit, e individit në një shoqëri që duartroket dhe përbalt njëkohësisht. “Si struci” shfaq një ironi të hidhur politike dhe morale: fshehja si strategji mbijetese, por edhe si mekanizëm vetë-mashtrimi. Fundi ironik (“Prapanicat nuk i ha as dreqi…”) e zbret poezinë nga metafora morale në një realizëm brutal, gati grotesk. Titulli “Bota nën hënë” është metafora qendrore e kapitullit. Hëna, ndryshe nga dielli, nuk ndriçon vetë; ajo pasqyron, deformon, e bën dritën të dridhshme. Nën hënë, gjithçka është e përkohshme, e tejdukshme, pa peshë. Kjo botë nuk është iracionale, por pararacionale dhe pasracionale njëkohësisht. Në mes të këtij universi të trazuar, poezitë e dashurisë (“Intermexo”, “Dashurinë e kam në një ‘Oh’ të bardhë”, “Ëngjëlli im”) nuk janë strehë idilike, por forma të tjera të përkohshmërisë dhe mungesës.

Nga ana stilistike, Margjeka përdor një gjuhë të kthjellët, shpesh aforistike, me vargje të shkurtra dhe figura të pastra. Kjo thjeshtësi nuk është varfëri shprehjeje, por etikë poetike: refuzim i retorikës së zbukuruar në favor të një poezie menduese. Poezi si “Qetësi e rreme”, “Muzikantët e çmendur”, apo “Po lind dielli” funksionojnë si fragmente zen: pak fjalë, shumë hapësirë kuptimore. Sidomos “Po lind dielli” e lidh lindjen me dhimbjen, duke e zhveshur simbolin nga sentimentalizmi dhe duke e rikthyer në përvojë ekzistenciale.

Cikli i dytë, “Shtëpia në ndërtim”, përbën një poetikë të gjendjes së papërfunduar: të njeriut, të dashurisë, të gjuhës dhe të vetë qenies. Shtëpia, si figurë qendrore, nuk është hapësirë banimi e sigurt, por metaforë e identitetit në proces, e ndërtuar me materiale të forta (tjegulla, guri), por me orientim të gabuar: “Të gjitha dritaret s’vështrojnë dot nga dielli”. Këtu përmblidhet thelbi i ciklit: përpjekja për të ndërtuar kuptim në një botë ku drita ekziston, por nuk hyn. Këtu autori ndërton poetikën e ndershmërisë ekzistenciale. Në poezinë “Gjallë”, subjekti lirik refuzon heroizmin dhe vetëlavdërimin; ai pranon dobësinë si trashëgimi (“jam pjellë e tim eti”), pamundësinë për t’u përshtatur me “shkollën e qenërisë”, dhe sakrificën pa iluzion shpërblimi. Të qenët “gjallë” nuk është triumf, por detyrim moral për të mos u bërë hileqar, për të mbajtur kokën e vet edhe kur kjo të kushton. Kjo poezi përfaqëson boshtin etik të ciklit. Një dimension i rëndësishëm është kriza e fjalës dhe e metaforës. Në “Agu ilirik” dhe “Në pyllin e lirikave”, metaforat rriten si rrush, por mbeten pa u vjelë; lahuta ngrin, muziktarët lodhen. Tradita poetike përmendet jo si stoli, por si trashëgimi e rëndë, që kërkon frymë të re për të mos u shndërruar në muze. “I pandreqshmi” është poeti i vërtetë: ai që lagët në shi, që pret metaforat në pritje, por mbetet gjithmonë i munguar, i papërfshirë plotësisht në rendin e gjërave.

Dashuria nuk është strehë, por provë kohe dhe gjuhe. Poezi si “Trëndafilat”, “Dimri i gjatë”, “Pranverë–verë” dhe “Një dritare” ndërtojnë një erotikë të mungesës: heshtja lëndon më shumë se fjala, një fjalë e vetme sjell dimër të gjatë, praninë pa zotërim. Motivet e zogjve të bardhë, dritares dhe degës së blertë shënojnë brishtësinë e lidhjes njerëzore; ikja e tjetrit është mbyllje e një dritareje mendore, jo thjesht sentimentale.

Një linjë e fortë është kujtesa si hapësirë e pashmangshme. Në “Pse po dridhesh ti shelg i hollë” dhe “Nuk ka harrim”, natyra bëhet arkiv i përvojës njerëzore. Shelgu i vogël është njëkohësisht fëmijëria, dashuria dhe vetë poeti: i hollë, i rrezikuar, por i gjelbër. Kujtesa këtu nuk është nostalgji, por forcë ontologjike: midis stinëve, brengës e gëzimit, “nuk ka harrim”.

Cikli i tretë poetik, “A vdesin stinët”, është një meditim i qetë, por i thellë, mbi kohën, humbjen dhe vazhdimësinë, ku poezia lëviz mes përvojës intime dhe ligjësive universale. Pyetja titullore nuk kërkon përgjigje biologjike apo natyrore, por ontologjike : a vdes koha, apo vetëm ndërron maska? Kujtoj këtu poetë si Rainer Maria Rilke, për të cilin vdekja nuk është fund, por një formë e brendshme e jetës, si dhe me T. S. Eliot, ku koha qarkullon, përdridhet dhe humbet drejtimin linear. Poezia e Jaho Margjekës nuk flet thjesht për ndjenja të përkohshme, por për vetë qenien e njeriut dhe mënyrën sesi ai ekziston në botë. Ajo hap një hapësirë liminale, një vend mes realitetit dhe ëndrrës, mes së tashmes dhe së shkuarës, ku gjithçka është e pasigurt dhe e lëkundur. Kështu poezia e tij është ontologjike, sepse shqyrton natyrën e ekzistencës njerëzore, kufijtë e saj dhe përvojat që e formësojnë dhe sfi

dojnë qenien, duke e bërë çdo varg një reflektim mbi jetën dhe vetveten.

Në poezinë “Nëna”, humbja shfaqet përmes rendit të pandryshuar të sendeve. Gjithçka është “si më parë”, përveç mungesës thelbësore: nëna hesht, vëllai mungon. Ky kontrast midis rregullit material dhe zbrazëtisë shpirtërore e vendos poezinë në afërsi me elegjinë ku shtëpia bëhet arkiv i dhimbjes, jo strehë.

Motivi i gurit në “E shkruar në gurë” bart kujtesën kolektive dhe personale ku gjuha ngurtësohet për të mos u zhdukur. Margjeka e thyen këtë absolutizëm: dashuria nuk mund të gdhendet në gur, ajo duhet të mbillet në zemër. Kështu, poeti ruan një humanizëm lirik, larg errësirës hermetike celaniane.

Në poezi si “Akuarium” dhe “Perëndim”, koha shpërbëhet: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja bëhen vija paralele që grinden mes tyre. Ky relativizim i kohës na transmenton idenë se koha është më shumë një konstrukt i ndërgjegjes sesa një realitet i pandryshueshëm.

Figura e pëllumbit të bardhë përbën një kulm simbolik. Vrasja e tij është vrasje e pafajësisë, e paqes, e gjuhës së pastër. Pëllumbi i Margjekës është i çmitizuar: ai mbetet vetëm “i bardhë”, i zhveshur nga funksioni i tij shenjues. Kjo është një poezi e fortë për shndërrimin e simbolit në kufomë mediatike.

Në poezitë e natyrës (“E dua një fije bari”, “Miqësi drurësh”), poeti i kthehet një etike të thjeshtë: miqësia me barin, me drurët, me heshtjen. Këto tekste nuk janë idile, por forma rezistence ndaj harresës. “Nuk ka harrim” shndërrohet në aksiomë morale të ciklit.

Poezia përmbyllëse “A vdesin stinët” i bashkon natyrën dhe njeriun në të njëjtën pyetje. Baballarët bëhen plepa, plepat bëhen kujtesë, gjethet bien dhe sërish bien. Stinët nuk vdesin; janë njerëzit që plaken brenda tyre. Kjo poezi nuk shpall tragjedi, por pranon ritmin e jetës me një qartësi të heshtur. Në këtë pranim të matur qëndron forca e Jaho Margjekës: një poezi pa britma, por me jehonë të gjatë.

Cikli i katërt, “Guri i thinjur”, është një cikël i pjekur, ku poezia shqiptare flet me zë të ulët, por të lashtë. Ai përfaqëson një nga shtresëzimet më të thella të poetikës së këtij autori, Fjala, koha dhe identiteti ndërthuren në një mitologji personale me rrënjë arkaike. Margjeka nuk kërkon të shpikë botë të reja, por të dëgjojë zhurmën e kohës në gur, dhe ta shndërrojë atë në fjalë që nuk plaken lehtë.

Guri, si figurë qendrore, nuk është thjesht simbol i qëndrueshmërisë, por dëshmitar i plakjes së historisë. Pyetja e nënkuptuar e ciklit nuk është vetëm “a thinjet guri?”, por: çfarë ndodh me një kulturë kur edhe ajo që dukej e përjetshme nis të plaket? Ndryshe nga modernistët europianë që shpesh e shohin historinë si rrënojë, Margjeka e sheh si amanet: gurin, kur s’ke më frymë, duhet t’ia dorëzosh Dardanës.

Poezitë “Fjalët” dhe “Mileniu(m)” ndërtojnë një poetikë të gjuhës si trashëgimi gjaku. Fjalët nuk janë pronë individuale, por territor i mbrojtur, ku poeti është rojë, jo zot. Motivi i kthimit dhe i ëndrrës përsëritet si strukturë ekzistenciale. Në “Kthimi”, ikja lavdërohet dhe kthimi çmendet, një paradoks ku udhëtimi është më i rëndësishëm se mbërritja. Dashuria shfaqet si përvojë e shenjtë dhe e rrezikshme njëkohësisht. “Odé” dhe “Pesëmbëdhjetë e tridhjetë” bartin një erotikë të ngadalshme, ku çasti është i shenjtëruar nga koha e saktë, nga trokitja, nga hapi i njohur. Kjo kujtesë e ndjeshme e çastit bën që detaji i vogël të ruajë peshën e përjetësisë.

Në poezinë përmbyllëse “Guri i thinjur”, simboli arrin kulmin: guri plaket, merr frymë me vështirësi, ka nevojë për ngrohtësi njerëzore. Këtu poezia kalon nga mitike në etike: historia nuk mbahet gjallë nga vetja, por nga dorëzimi i përgjegjësisë brez pas brezi.

Cikli i pestë poetik, “Katarsis”, shënon një kulm të vetëdijes tragjike në poezinë e Jaho Margjekës, ku subjekti lirik përshkon një udhëtim të brendshëm pastrimi shpirtëror përmes kundërshtive, mitit, dashurisë, fajit dhe dhimbjes historike. Katarsisi këtu nuk është çlirim i menjëhershëm aristotelian, por një proces i ngadaltë, i dhembshëm, ku njeriu bëhet i vetëdijshëm për peshën e shumëfishtë të qenies së vet.

Poezia hapëse “Oh” vendos një ontologji të fragmentuar të vetvetes: subjekti është njëkohësisht i qetë dhe i shqetësuar, i ndershëm dhe i pandershëm, besnik dhe pabesë.

Në “Natën në legjendë”, poeti hyn drejtpërdrejt në mit, duke u vetëidentifikuar me Konstandinin. Ky akt nuk është imitues, por rimarrje morale e mitit: Margjeka nuk është mbajtës i besës si figurë epike, por njeri që ka bartur peshën e rrugës, lodhjen, pluhurin, kalimin e “nëntë maleve”. Kjo mënyrë e rishkrimit të mitit e afron me T. S. Eliot-in, ku tradita nuk përsëritet, por përjetohet në kohën e tashme si barrë dhe përgjegjësi.

Motivi i bardhësisë (re, zog, hënë, Rozafë, pëllumb) është i dykuptimtë: në “Frikë me ngjyrë”, bardhësia është aq absolute sa kthehet në frikë, një përvojë ku e bukura është “fillimi i së tmerrshmes”. Kjo bardhësi nuk qetëson; ajo verbon.

Bërthama e ciklit qëndron te poezitë “Katarsis” dhe “Gruaja e baladës”, ku miti i Rozafës zhvendoset nga sakrifica kolektive drejt një leximi intim dhe etik. Gruaja e baladës nuk është më vetëm trup i murosur për qëllime të mëdha, por figurë e ngurosur e harresës mashkullore. Thirrja “dil njëherë nga balada” është një nga momentet më të guximshme të poezisë së Margjekës: një akt çmitizimi ku gruaja kërkon të rikthehet në njerëzore.

Dashuria dhe urrejtja, si forca formuese, shfaqen si binom themelor në “Prej dashurisë dhe urrejtjes”. Margjeka nuk zgjedh anë; ai pranon se është “ky që jam” vetëm falë këtij tensioni.

Mbyllja vjen me poezi të forta ekzistenciale si “Sot” dhe “Luftëhumbur”, ku vdekja nuk është metaforë, por fakt i zhveshur. “I vrarë, por jo i mundur” përmbledh etikën e poetit: humbja morale nuk barazohet me dorëzim. Kjo qëndresë e heshtur e lidh Margjekën me traditën e Seamus Heaney-t, ku poezia bëhet akt dinjiteti njerëzor përballë dhunës dhe historisë.

Në tërësi, “Katarsis” është një cikël i rëndë, por i domosdoshëm, ku poezia shërben si rit pastrimi, jo nga faji, por nga iluzioni. Jaho Margjeka ndërton një poezi që nuk kërkon shpëtim, por qartësi morale, duke e kthyer mitin, dashurinë dhe dhimbjen në mjete për të mbijetuar si njeri.

Cikli pasues, “Baladë e vjetër”, ndërton një poezi të qetë, meditative dhe thellësisht lirike, ku koha, malli, natyra dhe dashuria e humbur përthithen në një frymë baladike moderne. “E vjetër” nuk është këtu shenjë e konsumimit, por e trashëgimisë emocionale: një mënyrë të ndjeri që vjen nga kujtesa kolektive dhe intime njëkohësisht. Në këtë pikë, Margjeka qëndron shumë pranë traditës së Lasgush Poradecit, veçanërisht poetikës së tij elegjiake, ku natyra dhe ndjenja njerëzore shkrihen në një heshtje kuptimplote. Te poezia “Dy qiparisa”, dy pemët e përqafuara në varreza janë figurë klasike romantike, por e trajtuar me thjeshtësi gati lasgushiane. Ashtu si te Poradeci, qiparisi nuk është vetëm element peizazhi, por metaforë e dashurisë që vazhdon përtej jetës, e shndërruar në hije, në kujtim, në heshtje. Pyetja “çfarë mund të kenë qenë tjetër” hap një hapësirë meditimi, jo rrëfimi, një teknikë që Lasgushi e përdor shpesh për të mos e shteruar misterin.

Në “Hesht hapësira blu” dhe “Pak kohë”, Margjeka ndërton një estetikë të ngjyrës dhe dritës që e afron drejtpërdrejt me Poradecin e liqenit dhe qiellit. “Hapësira blu” nuk flet me fjalë, por me ndjesi – një heshtje e mbushur, tipike për lirizmin e pastër. Ndryshe nga Lasgushi, i cili shpesh e idealizon bukurinë deri në sublimim, Margjeka ruan një mall të dhembshëm, një pasiguri të brendshme që e bën ëndrrën të paqëndrueshme.

Poezia “Baladë e vjetër” është zemra e ciklit. Përsëritja e numrit tetë krijon një rit kohor, pothuaj mitik, ku vitet rrokullisen pa zgjidhje. Kjo mënyrë e të folurit për pritjen dhe mungesën e kujton Lasgushin te poezitë e pritjes së dashurisë së paarritshme, por Margjeka e zhvendos theksin nga individualja drejt kohës së ngrirë, ku njeriu “as nuk flet, por as nuk hesht”. Kjo gjendje pezullimi është një nga tiparet më origjinale të këtij cikli.

Tek poezitë e mallit intim, si “Malli për nënën”, “Vajzat e fshatit” dhe “Bardha”, Margjeka largohet nga solemniteti dhe afrohet me një ndjeshmëri të thjeshtë, pothuaj rrëfimtare. Këtu ai ndryshon nga Poradeci: nuk kërkon figurë të lartë estetike, por emocion të drejtpërdrejtë, ku kujtimi fëminor dhe malli mashkullor bashkëjetojnë pa turp poetik.

Në tërësi, “Baladë e vjetër” është një cikël ku Jaho Margjeka dialogon qartë me traditën lirike shqiptare, veçanërisht me Lasgush Poradecin, por pa u shkrirë në të. Nëse Lasgushi është poeti i bukurisë së përjetshme, Margjeka është poeti i bukurisë që dhemb, i mallit që nuk kërkon zgjidhje, por pranim. Kjo e bën poezinë e tij një vazhdimësi të denjë dhe personale të lirizmit shqiptar.

Cikli “Asgjë nuk zgjat përgjithnjë”, përbën një nga bërthamat më të sinqerta dhe më të dhembshme të lirizmit të poetit Margjeka. Këtu ai nuk kërkon as madhështi figurative, as mitizim të ndjenjës: përkundrazi, ai zgjedh zhveshjen emocionale, duke e pranuar fundin si ligj themelor të ekzistencës. Titulli nuk është vetëm konstatim filozofik, por një aks i brendshëm që përshkon të gjitha poezitë: dashuria, shpresa, gëzimi, madje edhe dhimbja, janë të përkohshme.

Poezia hapëse “Qaj pa zë” e vendos menjëherë tonin: kemi një burrë që qan, por jo me klithmë, me heshtje. Kjo figurë është thellësisht moderne dhe shqiptare njëkohësisht: loti mashkullor, i përmbajtur, i ftohtë, që nuk kërkon keqardhje. Refreni “Asgjë nuk zgjat përgjithnjë” shndërrohet në një mantrë stoike, ku dhimbja nuk dramatizohet, por përballohet.

Te “Ca ditë të bukura”, Margjeka arrin një nga kulmet e ndjeshmërisë së tij. Këtu dashuria nuk dështon nga tradhtia apo drama e madhe, por nga mungesa e guximit për të thënë fjalën “të dua”. Ky është një motiv i përsëritur në cikël (sidomos te “Statujë memece”): fjala e pathënë bëhet më e rëndë se fjala e gabuar. Poeti e akuzon veten jo për mëkat, por për pasivitet – një tragjedi e heshtur, pa fajtor të qartë.

Në poezitë “Qiejve, një natë me vetëtima” dhe “Më erdhën të falat e tua”, dashuria zhvendoset në një hapësirë kozmike e simbolike. Reja, vetëtima, deti dhe yjet nuk janë zbukurime romantike, por kanale komunikimi të dështuara. Sinjali dërgohet, por përgjigjja nuk vjen. Kjo e bën universin e Margjekës të ftohtë, por jo armiqësor – thjesht indiferent.

Një nga poezitë më të forta të ciklit është “Statujë memece”, ku heshtja shndërrohet në figurë qendrore. Dashuria këtu është e ngurosur, e paralizuar nga frika e shkatërrimit. Fjala “Tungjatjeta” në fund është një lamtumirë e thënë vonë, kur gjithçka tashmë është kthyer në gur. Kjo poezi përmbledh thelbin e ciklit: ndjenjat që nuk jetohen në kohë, kthehen në relike.

Te “Qe sosur dashuria” dhe “Kur s’ka më buzë në gaz”, Margjeka nuk mallkon humbjen, por e pranon atë me një dinjitet të heshtur. Ai nuk kërkon hakmarrje emocionale, as ngushëllim të rremë. Dashuria, edhe kur mbaron, mbetet pasuri shpirtërore. Kjo e dallon poetin nga sentimentalizmi: ai nuk qan për dashurinë që iku, por për mundësinë që nuk u jetua plotësisht.

Cikli mbyllet me figura simbolike si “Planeti i borës” dhe “Vaji i nositit”, ku ftohtësia, ngrirja dhe largimi përforcojnë idenë se harmonia mes diellit dhe dëborës, mes dashurisë dhe përjetësisë, është e pamundur. Nositi që ikën mbi liqer është vetë poeti, por edhe çdo dashnor që e kupton se qëndrimi i tepërt në dhimbje është një formë vetë-shkatërrimi.

Cikli përmbyllës: “Një poezi e dëshpëruar dhe njëzet këngë dashurie”, shënon kulmin e minimalizmit lirik. Poezitë janë të shkurtra, thuajse aforizma poetike, ku dashuria nuk rrëfehet, por aludohet përmes mungesës. Heshtja, zhgënjimi, honi, kështjella e rrënuar dhe zjarri i shuajtur krijojnë një univers të thyer, ku ndjenja jeton vetëm si mbetje. Poeti flet me figura të përqendruara dhe të ftohta, duke e zhveshur dashurinë nga patetika. Çdo tekst është një goditje e vogël ekzistenciale, ku dhimbja nuk klith, por përmblidhet në një varg. Në këtë cikël, Margjeka dëshmon se një dashuri e humbur mund të thuhet më fort me pak fjalë, sesa me rrëfime të gjata.

Në fund të vështrimit tim letrar, pas gjithë këtij rrugëtimi në poezinë e tij, dua t’i uroj poetit Margjeka që zëri i tij të vazhdojë të prekë shpirtin e lexuesit, që mendimi dhe emocionet e tij të gjejnë gjithmonë hapësirë për të lulëzuar, që të mos shuhet kurrë kurajoja për të eksperimentuar me gjuhën dhe format, dhe që pasuria e brendshme dhe ndjeshmëria e tij të kthehen gjithmonë në krijime që prekin, sfidojnë dhe zgjojnë mendjen dhe zemrën e njerëzve. Të vazhdojë të jetë i lirë në kërkimin e bukurisë dhe të ndiejë gjithmonë kënaqësinë e poezisë së lindur nga përvoja, kujtesa dhe emocionet e tij.

Gjakovë, 10. 01. 2026.