Saimir Kadiu: 27 janar… dita ndërkombëtare e kujtesës për Holokaustin
Kolë Bibë Mirakaj vs Oscar Schindler
E kemi ndjekur me shumë dhimbje dhe emocion filmin e madh “Lista e Schindlerit” të regjizorit të njohur amerikan me origjinë hebreje Steven Spillberg që evokon ndihmën e një industrialist gjerman, anëtar i partisë naziste për shpëtimin e 1200 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore…
Pas viteve 90’ është shkruar më në fund edhe për mbrojtjen që populli shqiptar u dha hebrenjve rezidentë në Shqipëri po edhe atyre që hynë transit në Shqipëri duke e bërë vendin tonë një nga vendet e pakta që ndihmoi popullin hebre.
Por për aresye të tjera më së shumti ideologjike por edhe një verbërie ndaj dokumentave historike nuk përmenden edhe funksionarët e atëhershëm shqiptarë që kontribuan për shpëtimin e mijra hebrenjve në territorin shqiptar.
Dhe ndoshta më i rëndësishmi midis tyre është Kolë Bibë Mirakaj, Minister i Brendshëm gjatë okupacionit italian (për 4 muaj deri në ardhjen e gjermanëve në shtator 1943), i cili nxorri urdhërin për të pajisur me pasaportë shqiptare hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri në vitin 1943.
Një urdhër i tij i datës 31 gusht të vitit 1943, detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e vendit tonë në atë kohë. Përmes pasaportave shqiptare ata mund të udhëtonin jashtë Shqipërisë.
Për më tepër ai refuzoi edhe shumën e parave që hebrenjtë kishin vendosur t’i jepnin atij si shpërblim, për kohën kur shpëtoi 2000 prej tyre nga nazistët gjermanë.
Pas disa javësh përjashtohet nga gjermanët nga çdo funksion i lartë civil ose ushtarak, i fajësuar si bashkëpuntor me okupatorin fashist.
Kush ishte Kolë Bibë Mirakaj?
U lind më 5 dhjetor 1899 në Iballë të Pukës. Mbaroi filloren në Shkodër pranë shkollës françeskane dhe më pas normalen e Elbasanit.
Më 1917 – 1924 punoi si mësues. Më 1924, gjatë qeverisjes së Fan Nolit, kreu detyrën e kryetarit të komunës së Nikaj Mërturit. Në nëntor-dhjetor 1926 merr pjesë në kryengritjen e Dukagjinit, si toger i forcave rebele, qe u shtyp nga ushtria kombëtare. Më 19 shkurt 1927 Gjykata Politike e ngritur për të dënuar pjesëmarrësit në kryengritje, së bashku me të tjerët e përfshirë, e dënoi me vdekje në mungesë. Ikën në Jugosllavi ku qëndroi si emigrant politik. Në qershor të 1932 kthehet në Shqipëri pas një amnistie, e vazhdon punën në arsim si mësues.
Bashkohet me pushtuesit fashistë në vitin 1939… duke e parë si një mundësi për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Në një letër drejtuar Abaz Ermenjit në vitin 1967 ai shkruan:
“Fjala fashist sot, asht krejt pa krypë e, kot mendohet se damton kush kënd, me at fjalë! Fashizmi ka kenë nji fenomen historik i kohës së tij e, që mbas mendimit tim, nuk duhet të kthehet mâ. Kët e përfitoi nji ish-socialist që quhej Benito Mussolini, për të shpëtue Atdheun e Tij, pa ra ndër kthetrat e anarkisë e të tiranisë bolshevike e që me kët lëvizje, e me ndihmën që i dha nacionalizmit spanjol, shpëtoi Europën!
Ishte nji fenomen i lindun nga nevojat e kohës. Në Shqipni, nuk ka pasë as fashizëm e as antifashizëm në kuptimin e fjalës; ka pasë vetëm korrente të ndryshme mendimesh, që të gjitha synonin me i shërbye Atdheut.
Na, nën hijen e fashizmit përpiqeshim të ruejmë e të forcojmë nacionalizmin shqiptar, dhe me atë veprimtari e lealitet nxorëm mjaft koncesione në dobi të çeshtjes kombëtare, dhe patme vu bazat për Shqipninë Etnike e sovrane për t’ardhmen”.
Largohet nga Shqipëria në prag të Çlirimit. Më 1946 është ndër emrat kryesorë të Bllokut Kombëtar Indipendent në Romë. Në rezistencën e bërë në atdhe qëndruan vëllezërit Pal dhe Pashuk Bib Mirakaj dhe i biri, Ndoci. Vetëm Pali mundi të dalë në mërgim, të tjerët u vranë. Gjatë kohës së banimit në Itali, Mirakaj ka përkrahur emigrantët shqiptarë duke bashkëpunuar me Robert McKiever dhe me Kombet e Bashkuara (Dr. Avokat Lapenna) për të mundësuar strehiminin e tyre në vendet e Europës Perëndimore dhe në SHBA.
Por kombi hebre shquhet për një kujtesë të fortë…
Në kohën që Kolë Bibë Miraka ishte në mërgim në Romë, hebrenjtë që jetonin në Romë e njohën ministrin që iu kishte shpëtuar jetën dhe vazhduan këmbënguljen për ta ndihmuar atë si shenjë mirënjohje për ndihmën që u kishte dhënë. Ishte koha, kur Kolë Biba kishte tre vjet që po jetonte me ndihmë bamirëse të një kuvendi françeskan. Megjithatë, ai e refuzoi sërish shumën e parave që i ofruan hebrenjtë e Italisë.
“Hebrenjtë në Romë i dhuruan dy shkopinj me pjesë qelibari si shenjë kujtimi të mirënjohjes së tyre të paharrueshme. Një shkop ishte i zi e tjetri bojë kafe”.
Sepse Kolë Bibë Mirakaj që nga viti 1941 çalonte nga njëra këmbë dhe ecte vetëm me shkop, që e mbajti gjatë gjithë jetës së tij për shkak të plagosjes së rëndë në luftë kundër ushtrive jugosllave në vitin 1941, luftë të cilës edhe i printe ai vetë: Kol Biba.
Për qëndresën në “Grykën e Drinit” u krijuan edhe këngë:
“Lufton Shllaku e Dushmani,
Lufton Gushta e Temali,
Na u ka pri Kolë Bibë Miraka,
Ushtrinë serbe e mbloi flaka,
E mbloi flaka e u dorzue,
Por Kol Biba asht varrue”!
Por Oscar Shindler, “Kolë Bibë Mirakaj” gjerman, pati një fat tjetër…
Ai ka vdekur më 9 tetor 1974 dhe është varrosur në Jeruzalem në Malin Zion. Ai është i vetmi anëtar i partisë naziste që ështe nderuar në mënyrë të tillë.
Por për fisnikun shqiptar, qe ka vdekur më 17 maj 1968 në New York dhe ka shpëtuar 2000 hebrenj, nuk është shkruar asnjë fjalë dhe ende ai nuk ka marrë asnjë dekoratë apo mirënjohje zyrtare.
Kontributi i qeverive shqiptare pas 1944 për këtë aspekt ka qenë qartësisht negativ dhe injorues.
Për më tepër familja dhe të afërmit e “kuislingut” pro hebre vuajtën formën më të nxehtë të kalvarit komunist.
Mburremi që kemi shpëtuar hebrenjtë por injorojmë dirigjentin e këtij shpëtimi… thjesht sepse e kemi përkufizuar “kuisling” dhe na shqetësohen… veteranët.
KM shqiptar Edi Rama më 27 janar në Ditën Ndërkombëtare e Kujtëses për Holokaustin do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalim, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.
Sepse përfaqëson një komb që i mbrojti hebrejtë si askush tjetër në orën e tyre më të vështirë…
Dhe një nga njerëzit që në Shqipëri duhet të përkujtohet dhe nderohet për këtë vepër duhet të jetë patjetër KOLë BIBë MIRAKAJ që shpëtoi më shumë hebrej se Oscar Schnidler…