FATO BERBERI, HEROINA DHE DËSHMORJA E ATDHEUT QË U EKZEKUTUA NË SELANIK
Kushtuar heroinës dhe Dëshmores së Atdhut Fato (Fatime) Sako Berberi/(Dudumi) (6.3.1927-7.8.1944) në kuadrin e 99 vjetorit të lindjes; dëshmores 17 vjeçare, e varur në litar dhe e ekzekutuar në burgun e Selanikut në kazermën dhe burgun më të madh të nazistëve gjermanë në Ballkan me emrin “Pavllo Melas”. Fato Berberi është shpallur me titullin e lartë “Heroinë e Popullit” në vitin 1969, ndërsa dy vite më vonë është shpallur me titullin e lartë “Dëshmore e Atdheut” me vendim nr. 65, datë 2.10.1971, të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Gjirokastrës. Fakt është se midis mijëra Yjeve tё Pashuar nё qiellin e Lirisё ndrijnё edhe 251 yje që janë gra e vajza, qё bashkuan gjakun me vёllezёrit e tyre partizanë në mbrojtje të truallit shqiptar.
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Gratë dhe vajzat shqiptare që shkruan faqe lavdie në luftë kundër pushtuesve
Më shumë se një dekadë më parë duke hulumtuar arkivave në AQSH, AQFA-së dhe në 12 arkivat e Prefekturave të Republikës, gjetëm fakte interesante që zunë vend në librin “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, më 2012-ën nga Ministria e Mbrojtjes (varjant zyrtar). Ndër figurat luftëtare e patriotike që kanë luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e truallit amëtar dhe që kanë spikatur për trimëri, mençuri e atdhedashuri janë një armatë e tërë e ndeshur më së shumti në këngët e popullit, në vargjet e shumta të kënduara në të katër anët e Shqipërisë, në gjithë vilajetet shqiptare, por edhe në dokumente arkivore, libra e trashigimi gojore. Sipas dokumenteve tërhiqte vëmëndjen edhe dhjetra gra e vajza të trupëzuara me lirinë deri në vdekje. Akte të tilla në historinë shqiptare dhe në gjurmët e kombit tonë janë të shumta sikurse janë me dhjetra gratë shqiptare heroina që na bëjnë krenarë përgjatë historisë së shekujve me “pasaportën kombëtare të përjetësisë” si dëshmore që dallojmë: Maro Kondi legjenda reale e trimërisë dhe mençurisë labe në luftën kundërosmane, Shote Galica, Sado Koshena, Margarita Tutulani, Mine Peza, Zonja Çurre, Fato Berberi, Persefoni Kokëdhima, Ganimet Tërbeshi, Liri Gero, Hibe Palikuqi, Latife Nora, Pesare Xhezo Kërroçaj, Këze Shahin Sulçaj, Zoga Jaku, Perihane Çela, dhe shumë gra dhe vajza shqiptare. Nga të gjithë trevat shqiptare vërshoi orteku partizan, sikurse ishte edhe dalja në frontin ifashist çlirimtar të 68 vajzave fierake më 14 shtator 1943 dhe mjaft raste të tjera në të gjithë Shqipërinë. Më 17 mars 1943 gratë e Shqipërisë organizuan për herë të parë në historinë e vendit tonë, Konferencën e parë të tyre që realisht formuan një bashkim luftarak për kontribut kundër nazifashizmit. Orteku shqiptar antifashist arriti kulmin në vitin 1944, në vitin kur gra e burra rrëmbyen armët për të çliruar vatrat e tyre.
Heroina e Ballkanit, dëshmorja që sfidoi vdekjen në katër burgje fashiste
Fama heroinës labe dhe dëshmores së Atdheut të Luftës së Dytë Botërore Fato Berberi i kapërceu kufijtë e Shqipërisë, prandaj quhet “Heroina e Ballkanit”, sepse ajo është një ndër 5 heroinat shqiptare që është lindur më 6 mars 1927 dhe është varur në Burgun e Selanikut më 7 gusht 1944. Emri “Fato Berberi” u bë sinonim i qytetit të Gjirokastrës në fillim të LANÇ-it në Gjirokastër. Në vitin 1942 ishte pioniere e njësiteve guerile. Një vit më vonë, më 1943 u bashkua me radhët e çetës së “Rinisë” së qytetit të Gjirokastrës dhe fshatrave përreth saj, në çetën “Çeçiz Topulli”, luftëtare e batalionit “Baba Abaz” dhe më tej edhe në BrVIS në batalionin e 3-të partizan. Ishte luftëtare mjaft serioze që në moshën 14 vjeçare. Pjesëmarrëse në disa operacione luftarake antifashiste si në Kurvelesh, Sarandë, Tepelenë, dhe në rrethinat e Gjirokastrës. Plagoset rëndë në kokë në betejë nga copëz predhe artilerie në fshatin Bënçë të Tepelenës, por ajo me forcën e karakterin e saj të papërkulur u mbijeton plagëve. Në kushte tepër të rënduara luftarake dhe të një ofensive të gjerë të nazistëve gjermanë, Fato Berberi arrestohet më datën 13 qershor 1944 (Historiku i BrVIS, Tiranë, 1989, faqe 374-375), nga forcat ushtarake gjermane. Burgoset në burgun e Tepelenës, dhe më tej edhe në në burgun e kalasë ose sikurse e thërriste poppulli në burgun “7 dritaret” e Gjirokastrës. Ajo nuk përkulet dhe nuk pranon nënshkrimin për dorëheqje nga lufta çlirimtare dhe përpara gjermanëve dhe bashkëpuntorëve të tyre deklaron haptazi: “shtëpia ime është në mal me partizanët që luftojnë për lirinë e Shqipërisë”. Për këtë arsye transferohet jashtë kufijve administrativë shqiptarë në burgun e Janinës. Nga Janina gjermanët e çojnë në Selanik më 14.6.1944, në rrugëkalimin Vithkuq-Korçë-Follorinë-Selanik në burgun famëkeq të komandës gjermane të Selanikut, që ishte edhe burgu më i madh i gjermanëve në Ballkan me emrin “Pavllo Melas”.
Në këtë burg ndodheshin mbi njëmijë robër lufte të kapur nga gjermanët në Ballkanin Jugor. Në këtë burg ishin edhe Fatmira Sala nga Leskoviku, Petrina Shaho (Nase), Sofika Lako, Vangjeli Mushi, Eleni Qiriazi dhe Kristavgji Apostoli, Sofie Noti nga Erindi, Liri Xhunga (Çako) nga Përmeti, Dhoksi Prifti nga Hotova e Përmetit. Pa mbushur 17 vjeç, me qëndrim rebel dhe krenar pa u përkulur përpara gjermanëve dhe duke u bërë mburojë edhe të katër shoqeve shqiptare si dhe dhjetra gra e vajzave nga Ballkani, varet me litar si shembull për 338 të burgosurit e parë të burgut të Selanikut nga vandet e Evropës Juglindore. Mjaftë gra e vajza partizane në gjithë vendin, në radhët e trimërisë gjirokastrite janë skalitur dhjetra gra e vajza që me heroizmin e tyre në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ngritën lart emrin e luftëtareve me forcë burri, 24 prej tyre ranë në lulen e rinisë duke luftuar heroikisht në formacionet partizane në luftë për çlirimin e Atdheut. Një fakt që është mjaft i dokumentuar nga dëshmimtarëokularë është se nuk mjaftoi varja në litar por edhe është ekzekutuar me plumb në ballë për të ngelur përjetësisht në altarin e kombit shqiptar. Fato Berberi është një ndër katër vajzat shqiptare që është varur në litar; ndërkohë që gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore historia njeh vetëm në Europë faktin që nazi-fashistët varën shumë vajza e gra antifashiste në litar.
Pas 82 vitesh nga varja në litar të Fato Berberit, eshtrat e saj gjenden ende në Selanik, edhe pas përpjekjesh të shumta të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve, megjithëse shqiptarët kanë një maksimë: “amanetin nuk e tret as dheu”, ndërkohë që Ligji për statusin e Dëshmorëve të Atdheut, parashikon që: “Dëshmorët prehen në Varrezat e Dëshmorëve” (neni 13 vendprehja e dëshmorëve të Atdheut, ku në pikën tre të tij shkruhet: “Çdo dëshmor ka një varr në varrezat e dëshmorëve të atdheut, të ngritur në territorin e qarkut ku ka rënë ose ka pasur vendbanimin, me përjashtim të atyre që prehen në varrezën e dëshmorëve të atdheut “Nëna Shqipëri’, në kryeqytet”).
Femrat shqiptare të rreshtuara në radhë të parë të rreshtave partizane i alarmonte pushtuesit. Nuk kishte ngjarjeje me të jashtëzakonshme dhe kushtrim më të fuqishëm për luftë se sa ky akt madhështor i vajzave të reja, që vinin nga fshatra e qytete nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Studente e nxënëse, punëtore e më shumë shtëpiake, bija familjesh të varfra, e të kamura, të frymëzuara nga ideali i shenjtë i lirisë, u ngritën mbi pengesat, rreziqet, mentalitetin dhe zakonet konservatore dhe niseshin në luftë për çlirimin e atdheut. Atdhetarizëm, vetëdije, guxim dhe besim të paparë. Faktikisht ishte madhështia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shqiptare, kjo lëvizje masive popullore e pangjarë ndonjëherë, atdhedashuria e zjarrtë e shqiptarëve, thirrja e ndërgjegjes së lartë, tek ndjenja e fuqishme e vetësakrifikimit, që zgjonte ëndrra e madhe e lirisë. Pjesë e kësaj mrekullie kombëtare ishte dhe akti sublim i Fato Berberit dhe vajzave shqiptare partizane. Burgu i Selanikut për vajzat shqiptare u kthye burgu i miqësisë shqiptaro-greke, ku vajza të tjera si Anastasia Mazaraki/ Tasulla, Eftiqi Princi, etj., ofronin miqësi dhe njerëzillëk në ditët e vështira të robërisë fashiste, ku dallgët e jetës i kishin hedhur bashkë në një front antifashist. Kampi famëkeq jetët e “falura”, i përcolli me tren në kampet e Gjermanisë, që të burgosurit i quanin “trenat e vdekjes”, sepse pasi mbrinin në Ravezbryk nuk ishte më jetë por një skëterrë tmerresh të pafund. Vajza gjirokastrite nuk u tremb edhe kur atë mëngjes gushti dëgjoi oficerin gjerman që bërtiti me zemërim: “Auf hängen! (“në litar!”). Për vajzën e hekurt labe nuk mjaftonte litari që e varën por pasi u var edhe u pushkatua, se nuk besonin se ishte shuar.
Jeta e heroinës dhe dëshmores Fato Berberi nuk shuhet kurrë, pasi ajo është një ndër 25 gra e vajza shqiptare të shpallura “Heroina të Popullit”, një ndër 158 titujt “Hero i Popullit” që janë akorduar në Shqipëri në vitin 1969 në prag të 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut. Ky titull është akorduar në periudhën e RPSH, që në fakt ishte një titull i krijuar më 1945 dhe Kuvendi Popullort e riformatoi me ligjin nr. 6133 datë 12.2.1980 (pas vitit 1990 u zëvendësua me titullin “Urdhëri i Shqiponjës”. Qendra Kulturore e Fëmijëve në Bashkinë e Gjirokastrës mban emrin “Fato Berberi”. Fato Berberi është shpallur gjithashtu dëshmore e Atdheut me vendim nr. 65, datë 2.10.1971, të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Gjirokastrës, por eshtrat e saj kanë ngelur në Selanik që prej mbi tetë dekadash, ku është stacioni i përjetësisë së Dëshmores së Atdheut Fato Berberi, të trupëzuar njësh me lirinë e popujve të Ballkanit. Fato Berberi ishte njё meteor i ndritshёm nё qiejt e lirisё, ishte njё prej 251 grave dhe vajzave shqiptare, qё bashkuan gjakun me vёllezёrit e tyre partizanë dhe ngelёn pёrjetёsisht yje nё “Yjet e Pashuar” nё qiellin e Lirisё, nё panteonin e njerёzve tё ndritur tё kombit shqiptar.
Idealet e lirisë së Fato Berberit i vijuan partizanët e partizanet e BrVIS.
Në historikun e BrVIS (182) shkruhet: “Batalioni i tretë partizan pasi grumbulloi të gjitha forcat në Shurin e Kuçit, manovraoi miodis formacioneve armike në drejtim të maleve të Gusmarit dhe Rexhinit. Në qafën e Luvadhit batalioni u nda në dy drejtime. Një pjesë kaloi në drejtim të malit të Tartarit, Qafa e Shkallës, u ndesh në befasi me forcat gjermane dhe pas një luftimi të shkurtër kaloi në drejtim të Lopësit. Në çarjen e rrethimit u vra partizanja e vogël Fete Gjini dhe partizani Zeqir Muho, që sulmuan të parët me bomba dore. Pjesa tjetër e batalionit mori drejtimin e Nivicës të malit Tresenik (Trushnicë), gjatë të cilit u ndeshën në befasi në verilindje të malit të Tresenik, ku u plagos rëndë dhe mbeti pa ndjenja dhe u kap partizanja Fato (Fatime) Berberi (Dudumi)..”. Në të njëjtën faqe shkruhet se, “Fato Berberi u kap nga gjermanët, u torturua, por nuk u thye. E çuan në kampin e Selanikut, ku u dënua me varje në litar. Edhe para litarit qëndrimi i saj ishte heroik (Togeri gjerman që bëri ekzekutimin nuk besoi se vdiq, dhe nxorri pistoletën dhe qëlloi 17 vjeçaren në ballë, për tu garantuar në vdekjen e saj)”. Idealin e lirisë së Shqipërisë e vijuan bindshëm edhe më me vrull dhe energji formacionet partizane, 24 brigadat partizane, gjashtë divizionet dhe tre korparmatat, një forcë vitale prej 70 mijë partizanësh dhe vullnetarësh popullorë antifashistë. Në dokumentet e LANÇ-it Brigada e VI-të Sulmuese “Heroinë e Popullit”, brigada e Fato Berberit numëronte që në ditën e parë të krijimit (BrVIS u formua më 26.1.1944 në Përmet) me 912 partizanë, nga të cilët 120 vajza e gra, 60 fëmijë, ndërkohë që efektivi i saj u rrit në 1700 luftëtarë. Brigada komandohej nga Tahir Kadare dhe komisar Mustafa Matohiti. Lufta e partizanëve të BrVIS çliroi 8 qytete e 32 krahina, që përmes luftimesh të përgjakshme të 5 batalioneve të saj në një rrugëtim historik luftimesh prej 3700 km ndoqi nazistët deri në Vishegrad, por la në fushën e nderit 220 “Dëshmorë të Atdheut”, 10 “Heronj të Popullit” që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë, 540 partizanë të plagosur disa nga të cilët ndërruan jetë nga plagët e marra në luftë dhe që në bazë të ligjit meritojnë titullin e lartë “Dëshmor”. BrVIS ishte një nga formacionet më të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që u shndërrua në simbolin e rezistencën antifashiste të shqiptarëve. Me betejat e zhvilluara kjo brigadë shkroi me gërma të arta historinë e saj. BrVIS shkroi epope lavdie gjatë LANÇ-it, që luftoi gjithësej 679 ditë lufte, nga të cilat 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi. Historia është çimentuar me gjakun e dëshmorëve, ndërsa lapidarët, memorialët, organizatat, shoqatat që mbrojnë luftën antifashiste, kanë qenë dhe mbeten një vlerë e kombit në kohë lufte e rreziku, në kohët kur Europën e çlironin të tjerët, ndërsa shqiptarët vetçliroheshin nga pushtimi i bishës nazifashiste. Është kjo arsyeja që nderohet Fato Berberi dhe gjithë armata partizane shqiptare, për luftën çlirimtare që zhvilluan, për krenarinë që i shtuan kombit, pasi edhe sot oshëtin kënga e partizanëve të Brigadës së VI-të Sulmuese: “Dil nëno të shikosh jashtë, si lufton brigad’ e gjashtë!..”, dhe më tej: “Në malet e Shqipërisë,/ valon gjaku i djalërisë!”. Në betejat e LIIB shkruhej historia e një prej luftrave më të organizuara të shqiptarëve, që shkroi shqiptarët në anën e duhur të historisë, edhe në librat e europianëve dhe euroatlantikasve si lufta e përbashkët antifashiste. Fato Berberi nuk mundi ta shihte dritën e lirisë së Shqipërisë por idealin e saj e mbajtën lartë në përleshje me fashistët luftëtarët e shquar të Brigadës së saj, formacion që shkoi lavdi me shkronja të arta në lavdinë shqiptare.
Burimet e studimit:
Historiku i BrVIS, Tiranë, 1989, faqe 374-375; (nr.70 në renditjen kronologjike të dëshmorëve të BrVIS); Zejnepe Dibra, Fjalor Enciklopedik i gruas shqiptare, Shkodër, Camaj, Pipa, 2009, faqe 60; Dokumentetë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH., Vëll. 1, Tiranë, 1976, faqe 247, 262; Dosja historike e BrVIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, AQSH, dosja 283, f.153; Materiale të muzeut të FARSH në Bërzhitë, Tiranë; Grushtçelik Brigad’ e Gjashtë, Tiranë, 1973, f. 272.; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vëllimi II, Tiranë, 1976, faqe 130.; AIU, dugj, T. 314/664, datë 11.9.1944.; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Gjashtë Sulmuese, viti 1944, dosja nr.6. ; AQSH, Fondi i BrVIS, kutia nr.1. dosja 6 viti 1944; Hysni Kapo vepra të zgjedhura vëllimi 1, Tiranë, 1980, Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91; Të dhëna të marra nga bashkëluftëtarë ish-partizanë të BrVIS, të shkruar në gjysëm shekulli si Xhule Çiraku, Esat Golemi, Resul Bedo, Janul Dango, Jaup Dabulla, Xhemil Frashëri, Kapo Kapaj, Maliq Hashorva, Lame Çekani, Avni Gjoni, Zagoll Skëndaj, Petrit Mamaj, Arif Bizhga, Jaho Gjoliku, Refik Kucaj, Xhelal Gjeçovi, Sevo Tarifa, Islam Poçi, Iljaz Peçi; Prof.Asoc. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, portali Balkanweb, Albspirit.; Një histori e zgjeruar e BrVIS, viti 1961;Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, e postuar më 7.10.2018 sipas artikullit me titull origjinal “Berberi Fato” marrë nga Shqipopedia; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012.