Albspirit

Media/News/Publishing

Letërsia e dëshmisë dhe humanizmi i njeriut në kufijtë e mbijetesës

Dr. Migena ARLLATI

Recensë për veprën “Dëshmia e një nëne” të autores Shpresa Raça Hoxha

“Dëshmia e një nëne” është një rrëfim personal dhe historik që ndërthur përvojën individuale me tragjedinë kolektive të popullit shqiptar në Kosovë gjatë viteve ’90. Ajo përbën një dokument emocional, shoqëror dhe moral mbi rezistencën e një nëne, intelektualeje dhe profesoreje, përballë dhunës sistematike të regjimit serb.

Autoria Shpresa Raça Hoxha e cila flet në vetën e parë, dëshmon mbi përjashtimin e dhunshëm nga puna, shtypjen e arsimit shqip dhe përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë. Nëpërmjet tonit të sinqertë dhe gjuhës së qartë, ajo sjell dëshminë e një kohe kur jeta akademike, familjare dhe kombëtare u ndërthurën në një luftë për mbijetesë dhe dinjitet.

Në themel të këtij rrëfimi qëndron një përmasë e trefishtë: letërsia si dëshmi, si kujtesë dhe si akt qëndrese morale. Kjo vepër nuk është thjesht një autobiografi personale e një gruaje që përjeton dhimbjen e luftës por një dokument i ndërgjegjes kolektive, një kronikë e një kohe të përgjakshme, e shkruar me sinqeritet, dhimbje dhe vetëdije historike.

Temat kryesore të trajtuara në mënyrë të gërshetuar janë: dhuna institucionale dhe represioni politik ndaj shqiptarëve në Kosovë; roli i arsimit dhe kulturës si mjet qëndrese kombëtare; qëndrueshmëria e gruas dhe nënës shqiptare në kohë krize; solidariteti dhe guximi qytetar përballë pushtetit barbar.

Përmes kujtimeve konkrete, duke nisur që prej përjashtimit nga Fakulteti Ekonomik, protestat e studentëve, rrahjet dhe përballjet me policinë, burgosja e djalit, proza merr vlerën e një dëshmie historike të drejtpërdrejtë, ku fjala shndërrohet në akt rezistence.

Titulli “Dëshmia e një nëne” është thelbësor. Ai përmbledh dramën e një gruaje që, ndonëse e goditur si profesore dhe qytetare, ruan forcën për të qenë nënë, dhë nënë do të thotë simbol i qëndresës dhe dashurisë për jetën. Kjo figurë ngrihet mbi dimensionin personal dhe bëhet simbol i gjeneratës së grave shqiptare të viteve ’90, që u bënë mësuese, organizatore, mbrojtëse dhe bartëse të identitetit kombëtar në kushte shtypjeje.

Autorja, përmes zërit të saj të qetë, por të pathyeshëm, ndërton një poetikë të qëndresës. Ajo e vendos individin shqiptar përballë dhunës sistematike serbe, jo si viktimë pasive, por si njeri që ruan dinjitetin përmes dijes, arsimimit, solidaritetit dhe dashurisë.

Pjesa e pare që rrëfen protestat e Universitetit të Prishtinës, përbën një manifest letrar për lirinë e mendimit dhe të arsimit në gjuhën shqipe. Aty, fjala dhe dija shndërrohen në armë, ndërsa universiteti, i dëbuar nga hapësirat publike, ringjallet në shtëpi private, si metaforë e qëndresës së kulturës shqiptare.

Në këtë kontekst, Hoxha shkruan me një ton të matur, dokumentar, por të ngarkuar me emocion të brendshëm. Rrëfimi i saj është i përmbajtur, pa retorikë politike, por me një patos të qetë human që e bën tekstin universal. Në një kohë kur regjimi synonte zhdukjen e arsimit shqip, populli i Kosovës u përgjigj duke e kthyer çdo shtëpi në tempull të dijes. Kështu, arsimi nuk ishte më thjesht proces mësimor, por akt lirie dhe mbijetese kombëtare. Teksa nxënësit dhe mësimdhënësit u nxorrën jashtë shkollave, pati me dhjetëra raste kur banorët i ofruan shtëpinë për shkolla, dhe kështu arsimi u bë forma më e lartë e rezistencës. Kjo do të thotë se në rrethana shtypjeje, njerëzit e zakonshëm bëhen heronj përmes solidaritetit dhe dashurisë.

Duke nisur nga përshkrimi i gjendjes tejet të rëndë gjatë viteve ’90 e deri te arrestimi dhe burgosja e Ilirit, rrëfimtarja Shpresa Hoxha na sjell një dëshmi autentike të qëndresës njerëzore dhe kombëtare gjatë periudhës së pushtimit serb në Kosovë. Autorja, duke rrëfyer historinë e familjes së saj, shndërron përvojën personale në metaforë të qëndresës së një populli të tërë.

Në fillim, rrëfimi sjell atmosferën e mësimit paralel nën dhunë: profesorë të rrahur, studentë të përndjekur, indekse të shqyer, e megjithatë një popull që nuk dorëzohet. Autorja e përshkruan këtë me një gjuhë të përmbajtur, por tronditëse: “Megjithatë mësimi vazhdonte të zhvillohej normalisht, pa mungesa… për të arritur ‘qëllimin superior’.” Këtu “qëllimi superior” bëhet simbol i qëndresës intelektuale, ku arsimi merr funksionin e misionit kombëtar dhe jo vetëm të procesit shkollor. Figura e nënës-dëshmitare kalon nga mësuese e përndjekur në nënë të një dëshmori të gjallë. Emocioni më i fortë përqendrohet në momentin kur ajo lexon letrën e të birit: “Mamë, unë shkova te dajat, nëse nuk kthehem ma bëj hallall.” Ky është kulmi emocional dhe moral i rrëfimit, kur dashuria e nënës për birin ndërthuret me dashurinë për atdheun.

Dhuna dhe terrori policor sjellin tronditje të brendshme që kulmojnë në skenën e arrestimit të djemve: bastisjet, prangat, fyerjet, tmerrin dhe pafuqinë. Kësisoj, rrëfehet me saktësi atmosfera e terrorit që ushtronin forcat paramilitare dhe policore serbe ndaj familjeve shqiptare.

Në përshkrimin e përjetimeve përgjatë luftës, figura e autores përshkohet nga një metamorfozë morale: nga nënë e plagosur, e cila kërkon të shpëtojë fëmijët, në një zë i përbashkët i të gjitha nënave kosovare që mbajtën gjallë jetën në kohë errësire. Rruga nga frika te guximi, e lartëson femrën shqiptare si simbol të lirisë.

Struktura ndjek linjën kronologjike të ngjarjeve, duke krijuar tension gradual: nga vështirësitë në arsim në vendimin e Ilirit për t’u bashkuar me UÇK-në, për të kaluiar më tej në momentin dramatik të arrestimit e deri te përpjekjet e nënës për ta gjetur e vizituar në burg. Ky rritëm i përshkallëzuar i ngjarjes e bën tekstin të ngjajë me një rrëfim letrar dhe një dokument historik njëherësh.

Në nivel stilistik, përdorimi i dialogëve të shkurtër, letrave dhe frazave origjinale serbe (“Ispadajte vani”, “Ajde more snaći ćeš se ti”) i jep tekstit autenticitet të plotë dhe e bën lexuesin të ndjejë tensionin e kohës.

Vepra kalon nëpër një sërë simbolesh të fuqishme: Letra e Ilirit si simbol i lamtumirës dhe i besës; Prangat dhe bastisja si simbol i pushtimit dhe i nëpërkëmbjes së dinjitetit; Vizita në burg si simbol i shpresës dhe i lidhjes shpirtërore që as dhuna nuk mund ta thyejë; Fjalët e babait të autores dhe përvoja e brezave të mëhershëm si krijues të urës midis brezave të qëndresës shqiptare, nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore deri te lufta e fundit për liri.

Lexuesi hyn natyrshëm në atmosferën e dëshpërimit: “Shpresat për lirimin e Ilirit ishin të gënjeshtërta. Na thoshin se akuzohet për terrorizëm kundër shtetit e popullit dhe pritej dënimi.”

Ky rrëfim, i ngarkuar me pashpresë, përfaqëson dramatikën e një gjykimi të montuar politik, ku fjala “terrorizëm” bëhet instrument i pushtuesit për të shtypur çdo akt human dhe patriotik. Iliri, që kishte shkuar në UÇK “në cilësi të mjekut, për të ndihmuar të plagosurit”, dënohet si terrorist, një kontrast që thekson absurditetin e dhunës shtetërore.

Një pjesë e rëndësishme përshkruan eksodin shqiptar drejt Maqedonisë, ku mijëra njerëz përjetuan urinë, të ftohtin dhe poshtërimin: “Kolona ishte e gjatë, vetura, traktorë, qerre kuajsh, këmbësorë të lodhur e të shkallmuar… kishte edhe vdekje dhe varret hapeshin aty për aty.” Ky përshkrim është një tablo e gjallë e eksodit të popullit shqiptar, ku jeta dhe vdekja ecin krah për krah. Në një moment prekës, autorja tregon se si ndau një bukë me një nënë tjetër: “Një grua mu lut dhe ma kërkoi një bukë për fëmijët e saj… më tha më vonë: ‘m’i ke shpëtuar fëmijët nga uria.’” Ky veprim njerëzor përmbledh solidaritetin dhe humanizmin që lind në mes të katastrofës, duke e kthyer aktin e thjeshtë të ndarjes së bukës në simbol të shpëtimit.

Përmes përshkrimeve të hollësive apo të përgjithësimeve, lexuesi ndjen peshën e frikës kolektive, ku çdo hap, çdo ndalesë në rrugë, mund të kthehet në kërcënim për jetën. “Erë e luftës ndjehej në të gjitha anët, reagimet e pushtetit serb ndaj bombardimeve rezultonin me hakmarrje ndaj shqiptarëve të pafajshëm…”

Në skenën kur policia ushtarake serbe ndalon dy gratë, shpërfaqet brutaliteti i pushtuesit dhe trimëria e heshtur e nënës, që përpiqet të mbrojë motrën: “Ec përpara dhe nëse shtinë me armë, le të më vrasin mua e jo ty.” Kjo fjali është një varg poetik i dhimbjes dhe heroizmit njerëzor.

Ajo që e veçon këtë tekst nga shumë dëshmi të tjera të luftës është dimensioni i femrës si bartëse e kujtesës dhe si urë e mbijetesës. Në rrëfimin për vizitën e djalit në burg, për shembull, përvijohet një dashuri që kalon çdo kufi racional, një përkushtim që përfaqëson mëmësinë si akt qëndrese, jo si dobësi.

Kur autorja shkruan: “Edhe po të më grinin ose bluanin me makinë mishi, nuk do ndalesha për ta vizituar djalin,” ajo e tejkalon kufirin e rrëfimit personal, duke e ngritur nënën shqiptare në një simbol mitik të durimit dhe guximit njerëzor. Gjuha është rrëfimtare, dokumentare dhe e ngarkuar emocionalisht, me tone të forta ndjeshmërie dhe reflektimi. Fjalitë janë të qarta, shpesh të gjata, me strukturë më tepër kronikale sesa letrare, gjë që i jep veprës një karakter realist dhe dëshmimtar.

Shprehje të tilla, si: “dolëm përjashta për të mos pasur të drejtë të hynim më aty” apo “nuk e di as vetë se ku e mora gjithë atë guxim” shpalosin ndjenjën e dhimbjes dhe krenarisë, pa artificë stilistike, por me fuqinë e së vërtetës jetësore.

Në aspektin estetik, teksti përzien elemente të rrëfimit realist, autobiografik dhe dokumentar. Struktura është lineare, por nën sipërfaqe ndjehet një ritëm emocional që i jep veprës peshë letrare. Nuk kemi figura të ndërlikuara metaforike, por kemi imazhe të fuqishme dhe të sakta, që për nga intensiteti emocional arrijnë nivelin e letërsisë artistike.

Përshkrimet e burgut të Dubravës dhe të masakrës që ndodh atje janë shembuj të realizmit të pastër etik, një stil që nuk kërkon të manipulojë ndjenjat, por t’i japë lexuesit faktin e zhveshur, për ta tronditur përmes së vërtetës, jo përmes patetikës. Ky realizëm moral është, në thelb, forma më e lartë e publicistikës letrare ku fjala shndërrohet në dëshmi, ndërsa dëshmia në akt human.

Përshkrimi i lirimit të të burgosurve nga burgjet serbe dhe kthimi në Gjakovë, është pika kulmore e rrëfimit dhe momenti i katarsisit kombëtar. Gëzimi kolektiv, i përzier me lot e hidhërim, paraqet për herë të parë mundësinë e ringjalljes pas shkatërrimit.

Autorja e ndërton këtë pjesë me një kontrast të mrekullueshëm: rrugët që gumëzhijnë nga njerëzit përkundër Çarshisë së Vjetër të djegur, që ngjall memorien e dhimbjes. Kjo përplasje mes jetës dhe traumës është thelbi i pasluftës kosovare: një popull që mëson të buzëqeshë, ndërkohë që ende mban zi.

Iliri si personazh funksionon si syri dhe zëri i lexuesit brenda tekstit, përmes të cilit transmetohen emocionet, ngjarjet dhe tensionet historike. Ai bashkon dimensionin personal me atë kolektiv, duke reflektuar se gëzimi për lirimin e të burgosurve nuk mund të jetë i ndarë nga dhimbjet dhe humbjet e luftës. Roli i tij narrativ është të udhëheqë lexuesin përmes historisë së përjetuar, duke e bërë rrëfimin të prekshëm dhe njerëzor.

Vepra ka disa personazhe të rëndësishëm, secili me rol të veçantë brenda ngjarjeve historike dhe emocionale. Armondi, djali i dajës Adem, i burgosur në Pozharevc, përfaqëson vuajtjet e të burgosurve politikë shqiptarë. I prekur nga humbjet e shokëve gjatë luftës dhe burgimit, por gjithashtu i gëzuar për rikthimin tek familja, ai mban mbi vete plagë fizike dhe shpirtërore, duke treguar rëndësinë e përjetimeve traumatike të burgut. Përmes Armondit, lexuesi ndjen peshën emocionale të burgut, dhimbjen dhe humbjen e shokëve, por edhe gëzimin e lirimit. Ai është simbol i vuajtjeve të popullit kosovar dhe rezistencës së tyre. Armondi mund të klasifikohet si një personazh heroik realist, i bazuar në ngjarje historike, i cili përfaqëson mbijetuesin dhe dëshmitarin e vuajtjeve kolektive, duke i dhënë rrëfimit intensitet emocional dhe rëndësi dokumentare. Ai është personazhi që lidh dimensionin personal me atë historik, duke e bërë tekstin një dëshmi të gjallë dhe të prekshme të kohës së luftës. Në tërësi, këta personazhe ndërthuren për të krijuar një mozaik emocional dhe historik, ku gëzimi, dhimbja dhe shpresa bashkëjetojnë. Ata nuk janë thjesht figura narrative, por dëshmitarë të përjetimeve reale të komunitetit kosovar gjatë dhe pas luftës.

Lidhja e historisë personale me pavarësinë e Kosovës më 17 Shkurt 2008, është një akt i vetëdijshëm politik e letrar. Autorja Hoxha nuk mbyll një histori, por i jep asaj përmasën e një testamentit moral ku kujtesa është pjesë e lirisë dhe liria nuk ka kuptim pa kujtesë.

Në planin publicistik, vepra mund të lexohet si një mozaik reportazhesh që ndërtojnë një tablo të plotë të jetës në Kosovë gjatë viteve ’90 e pasluftës. Rrëfyesja, njëkohësisht dëshmitare okulare, përdor gjuhë të matur por të dendur në përmbajtje emocionale, duke krijuar një diskurs të ndërgjegjes qytetare.

Ajo flet me gjuhën e dëshmitarit, por mendon si intelektuale, ndaj çdo episod personal kthehet në reflektim për shoqërinë, për politikën, për moralin e popullit të saj.

Në këtë aspekt, shkrimi i Shpresa Hoxhës qëndron në traditën e publicistikës etike shqiptare, ashtu siç e gjejmë tek Musine Kokalari, Nexhmije Pagarusha në kujtime, apo shkrimtarët e diasporës që dokumentuan eksodin e 1999-ës.

Në tërësinë e saj, kjo vepër ndërthur kujtimin personal me fatin kolektiv të popullit të Kosovës dhe e shndërron dhimbjen në reflektim, ankthin në qëndresë, heshtjen në fjalë.

Në një kohë kur historia shpesh shkruhet nga fitimtarët, kjo vepër e vogël, por e thellë, na kujton se e vërteta e njeriut të zakonshëm është themeli më i pastër i historisë.

Nëpërmjet zërit të saj të përulur, por të pathyeshëm, Shpresa Hoxha na jep një mësim të madh letrar e njerëzor: Kujtesa është fryma që na mban gjallë si komb.