Kadare, një profil i epërm në letërsinë dhe kulturën moderne shqiptare…
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Ismail Kadare është shkrimtari, poeti, estetologu dhe polemisti më i njohur shqiptar, për të cilin zor se gjendet studiues, kritik, hulumtues dhe estetolog që të mos shkruajë për të, dhe kjo për shkakun e peshës që zë krijimtaria e tij, mendimi dhe shqisa inteligjente për të reflektuar dukuritë dhe fenomenet sociale përmes syrit të një shkrimtari. Historia është parë dhe shihet përmes qasjeve të ndryshme, ku padyshim ndryshe e sheh historiani, ndryshe sociologu, ndryshe një shkrimtar apo poet, duke qenë se lidhjet e tyre me fenomenet historike e shoqërore janë të shumta dhe të nevojshme.
Ismail Kadare është ndoshta poeti, shkrimtari dhe eseisti që e ka shfrytëzuar më mirë se kushdo trashëgiminë shqiptare dhe atë të huaj në krijimtari, në prozë, në ese dhe në komunikimet e natyrave të ndryshme, duke krijuar një profil të papërsëritshëm jo vetëm në letërsi, por edhe në fusha të tjera të dijes kulturologjike dhe historike. Ismail Kadare praninë e tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare e ka bërë të pranishme në tri nyja të rëndësishme të kësaj kulture dhe letërsie, veças:
1.
Ai është njëri ndër poetët më të shquar bashkëkohor shqiptarë. Edhe pse në një moshë të re, u bë emri dhe profili më i spikatur i brezit të poetëve të viteve ’60, me krijimtarinë e të cilit fillon periudha më e rëndësishme e poezisë moderne shqiptare.
Ismail Kadare është shfaqur në letërsinë shqiptare më së pari si poet. Libri i parë i tij poetik është botuar kur ai ishte në një moshë fare të re, por që dha shenjat e para të një poeti të shquar, me një talent të spikatur dhe stil të veçantë, me një profil, të cilin do ta diferenconte çdo herë, sa më shumë të kalonte koha, qoftë dhe në pikën më të lartë të censurës. Në vitin 1954 poeti botoi librin e parë poetik “Frymëzimet djaloshare“, ndërsa në vitin 1957, kur ishte student në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë, botoi librin tjetër poetik “Ëndërrimet“, dy libra, të cilët e vunë poetin në një vëmendje të jashtëzakonshme të lexuesit të letërsisë.
Studiuesit shqiptarë dhe ata të huaj, e quajnë të rëndësishme ardhjen e poetit Ismail Kadare në poezinë shqiptare për arsye fondamentale, që ai i shërbeu kësaj letërsie, që nga qëmtimet tematike, mënyrën e pasqyrimit të rrethanave sociale dhe individuale, të profilit të tij poetik, të mjeteve shprehëse, por ajo që është më e rëndësishme në këtë rast lidhet me daljen e tij në skenën e poezisë dhe letërsisë shqiptare, kryesisht në vitet ’60 të shekullit XX.
Deri në fillimin e viteve ’60, letërsia artistike shqiptare trashëgonte një brez poetësh dhe krijuesish të cilët lëvronin temën e luftës, por në një trajtesë patetike dhe jo të lidhur me kohën dhe realitetin shqiptar. Pikërisht ishte brezi i viteve ’60, njëri prej protagonistëve të mëdhenj ishte Kadare, të cilët kërkuan ta çlironin poezinë dhe krijimtarinë artistike nga një lloj ngurtësie tematike, subjektesh, tipash dhe karakteresh. Shqipëria kishte ndryshuar nga vitet 1945 dhe letërsia duhej t’i përgjigjej këtij realiteti social, kulturor dhe mental.
Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi, Vehbi Skënderi, dhe krijues të tjerë kërkuan dhe ishin të parët që i dhanë horizont, frymë dhe tematikën e ditës poezisë dhe letërsisë shqipe, të cilën e vunë atë në rrugën e një letërsie moderne bashkëkohore. Poezia, proza, drama, artet, shtypi dhe mjetet e tjera të komunikimit letrar u përfshinë në temën e ditës, pa nënvleftësuar dhe atë historike dhe kujtimet e luftës, të cilat ishin aktive dhe kontribuese. Poezia u çlirua nga patetika, ndërsa në horizontin e saj u shfaq një perceptim universal, pasi krijimtaria tradicionale nuk i përgjigjej ritmeve të zhvillimeve të kohës.
Ismail Kadare krahas poezisë botoi romanin e tij të njohur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili edhe pse lidhej me kujtimin dhe Luftën e Dytë Botërore, metafora e tij ishte bashkëkohore. Kjo frymë emancipuese, ku Ismail Kadare ka emrin dhe veprën e tij, mbetën themelet e letërsisë moderne shqipe, ndikimet e së cilës vazhdojnë dhe në ditët tona, ku zhvillimet dhe prurjet e pas-vitit 1990 janë të mëdha dhe në gjithë strukturën e komunikimit dhe metodës krijuese.
Por, pse Kadare luajti rol të veçantë gjatë kësaj kohe, veçmas si poet? Ismail Kadare vinte nga një shtresë historikisht qytetare, me një edukim të mirë qytetar, për të cilën kishte nevojë kultura shqiptare në përgjithësi, po ashtu dhe poezia. Ky element i rëndësishëm është i dukshëm në poezinë e autorit, që në një farë mase i kundërvihej një realiteti populist në të cilin po e çonte tradicionalizmi poezinë, por Kadare nuk iu anësua aspak formimit të tij, përkundrazi, ai gërshetoi mjaft mirë traditën e mirë të poezisë shqiptare me atë të huaj, pavarësisht se një pjesë e poezive të tij kishin temën e ndërtimit socialist të vendit dhe ndonjë qasje patriotike, të cilën e kërkonte koha.
Që në krye të herës, në një nga poezitë e vëllimit poetik “Ëndërrimet“, botuar në vitin 1957, (poezia “Vjeshtë tiranase”), Kadare ka një varg emblematik, që përveçse është një metaforë sureale, duket edhe si një mendim i shtrirë në përmasat dhe kushtet e paaftësisë së njeriut për të ndryshuar gjë, në përmasat qiellore, një qiell që i mbulon njerëzit me përmasën dhe pabindshmërinë e tij. Poeti shkruan: “Pa formë është qielli,/ si tru idioti…“, ç’ka më së shumti tregon shqisën poetike të poetit në një realitet njerëzor, të cilin ai e vizaton në një mënyrë krejt sureale. Qielli është një “totalitet” i pashmangshëm dhe i pasundueshëm nga njerëzit e tokës. Ne nuk dimë qartë të themi sot atë që ka dashur të thotë poeti me vargun e kësaj forme, por vargu është njëfarë strukturë komunikuese e hapur dhe mënyrat e ndryshme të leximit të poezisë na lejojnë të themi dhe gjëra të kësaj natyre.
Në fund të fundit kjo shenjë surealiteti, ky lloj “shtegtimi” fantazmagorik është një sinjal për kohën, kur u shkrua dhe për tendencën poetike gjeniale të poetit. Në të vërtetë paradigma e vargut “Pa formë është qielli…”, kishte parathënë një të vërtetë të mëvonshme, jo vetëm për poezinë, por edhe vendin ku ishte shkruar dhe do të shkruhej poezia, por nuk përbën thelbin e sjelljes së poetit as me kohën dhe as me tematikën e poezisë së tij, e cila përgjithësisht ishte në kompleksin tematik-social dhe propagandistik të kohës.
Kadare dhe një plejadë e tërë e poetëve të kohës do të kërkonin një frymë tjetër, një raport tjetër të poezisë me kohën. Janë vitet ’60 të shekullit XX, ndërsa poeti dhe shkrimtari Ismail Kadare do të ishte në kërkimin e një fryme moderne dhe bashkëkohore të letërsisë shqiptare.
2.
Kadare, gjatë gjithë periudhës së mëvonshme, pra pas viteve ’60, është profili i poetit, shkrimtarit, romancierit, eseistit dhe tregimtarit që krijoi imazhin, tonalitetin dhe problematikën e njohur të kësaj letërsie dhe kulture me karakter kombëtar. Gjatë tridhjetë e ca viteve, para vitit 1990, Ismail Kadare botoi disa vëllime poetike, romane, prozë, drama, studime dhe ese, të cilat përveçse përmbushën profilin e tij, i erdhën në ndihmë kulturës sonë kombëtare dhe rrugëtimit të letërsisë moderne shqiptare.
Nën titujt simbolik të tillë si “Frymëzime djaloshare” (1954), ku duket se poeti i ri kërkonte të komunikonte drejt me lexuesin e tij, pastaj “Ëndërrimet” (1957), vëllimet e tjera “Shekulli im” (1961), “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976) dhe vëllimet me poezi dhe poema të titulluara “Vjersha dhe poema” (1966), “Poezia shqipe” (1976), “Poezi” (1979) dhe “Vepra letrare” (1981-1989), tregojnë se poeti ka një prodhim të madh poetik në kohën e zhvillimeve të mëdha social-politike të Shqipërisë, të cilat nxënë dy dhjetëvjeçarët ’60 dhe ’70, ku pati edhe zhvillime social-shoqërore të rëndësishme brenda vendit dhe jashtë vendit.
Gjatë kësaj kohe, që nga mes-vitet ’60, Kadare u bë një emër i rëndësishëm në prozën shqiptare. Veçmas romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” përbënte një periudhë apo epokë tjetër për romanin shqiptar, ku forma moderne e romanit përcillte ide universale të jetës njerëzore, përmes të cilave ai kishte qëllimin për të parë kohët dhe njerëzimin. Në kontekstet ballkanike, shkrimtari Ismail Kadare hodhi sytë në hulumtimin e kulturës popullore, siç ishte monografia artistike “Autobiografi e popullit në vargje”, një testament i rëndësishëm për kulturën origjinale dhe të vërtetë shqiptare, e cila vinte nga shekujt e errët, një kulturë e cila mbartte brenda saj historinë e këtij populli, derdhur përmes krijimtarisë, në këngë, poezi dhe lloje të tjera.
Po ashtu, Kadare u mor me subjekte brilante, që komunikonin me të shkuarën dhe aktualitetin që nga “Kush e solli Doruntinën”, “Prilli i Thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tri harqe”, “Kështjella” dhe vepra të tjera të natyrës së komunikimit të kohëve siç janë kryesisht esetë, të cilat mbartnin metaforat e kohës.
Duke kuptuar klimën izolacioniste të vendit, poeti shfaqi një tendencë të metaforës urbane përtej Shqipërisë, dhe në poezinë e tij bëhen të pranishëm emra të tillë si: Nju-York, Paris, Amsterdami, Elsinor, Helsinki, Pekin, Romë, Athinë, Jerusalem, Frankfurt, Prishtinë, por edhe perceptime ndërtekste si: Troja, tragjedi antike, kali i Trojës, Laokoonti, Akullnaja, Saharaja, Fushat mongole, Hamleti, Makbethi, Ferri, Parajsa, Purgatori, ndërsa në kontekstin bashkëkohor: tokë kufitare, qytet industrial, ekzorcizëm. Në trajta titulluese të tilla si: “Baltiku i ftohtë”, “Mbërritja e dekretit perandorak”, “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, “Statuja pa krahë”, “Ikja e Moisi Golemit”, “Piramida e Keopsit”, “Kënga e ushtarëve të vjetër”, “Te kështjella e Hamletit në Danimarkë”, “Dalja e vizitorëve nga Luvri”, “Alpet në dhjetor”, kushihet një metaforizëm literal gati universal, të cilën Kadare është përpjekur ta shtrijë në një hapësirë të gjerë kohore.
Në këtë hapësirë, por edhe atë të pas-viteve ’90, me veprën e Kadaresë letërsia shqiptare në përgjithësi krijoi fytyrën e saj të një letërsie moderne, e cila përmbushi mjaft mirë mesazhin që një letërsi i përcjell kohës dhe njerëzve. Ismail Kadare është një profil i epërm, i formuar mirë dhe që zë vendin e vet të rëndësishëm në mozaikun historik të kulturës dhe letërsisë shqiptare.
3.
Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar që e bëri të njohur dhe të rëndësishme kulturën dhe letërsinë shqiptare në botë. Ai i ka bërë një shërbim të çmuar kulturës shqiptare, por edhe vetë Shqipërisë, duke na kujtuar Motin e Madh të shekullit XVI e në vazhdim lidhur me fenomenin e njohjes së Shqipërisë përmes figurës së Skënderbeut. Popujt njihen në botë përmes kulturës, luftërave, por edhe përmes figurave e personaliteteve që ata nxjerrin. Kadare që në mes-vitet ’60, natyrisht duke qenë mjaft i talentuar, i ditur dhe një njohës i mirë i kulturës perëndimore, shkroi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një libër që nyjëtonte në ndërgjegjen e njerëzve metaforën e përjetshme dhe universale të lirisë, një libër, i cili përveç peshës së njohjes dhe kuptimësisë që përcillte, qe shkruar mjaft mirë. Një grotesk i mrekullueshëm, ku koncepti i lirisë dhe triumfit sendërtohet në gjithçka që ka një tokë si ajo shqiptare, përbënte një vlerë të re në kujtesën e perëndimit. Kështu realiteti historiko-social shqiptar përmes penës së Kadaresë, ndoshta u bë më i njohur në Perëndim se ajo e shumë popujve e kulturave të Ballkanit.
Ismail Kadare në një formë apo tjetër, në një lloj letrar apo tjetër e ka rrokur në të gjithë njohjen bazike realitetin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë, shqiptarëve dhe kombit shqiptar. Tashmë vepra e Kadaresë në vendet më të mëdha të Europës Perëndimore është përkthyer e plotë, ajo nis me përkthimin në frëngjisht me romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur përkthyer nga Jusuf Vrioni, e në vazhdim e gjithë vepra e tij nga shtëpia më prestigjioze e botimeve “Fajard”. Në italisht Kadare u përkthye nga Kudret Kokoshi, në anglisht është përkthye nga Arshi Pipa, i cili përktheu Kronikë në gur në Shtetet e Bashkuara, është përkthyer në Angli. Në gjuhën kineze është përkthyer Gjenerali i ushtrisë së vdekur nga Zheng Enbo prej gjuhës shqipe. Ndërsa Prilli i thyer dhe Pallati i ëndrrave nga Gao Xing, Darka e gabuar nga Yu Zhongxian, Kronikë në gur nga Li Yumin, dhe Kush e solli Doruntinën? janë përkthyer nga gjuha frënge, në rumanisht, ku rreth 20 nga veprat e shkrimtarit, përpos atyre eseistike, janë përkthyer nga ish-studenti i tij, Marius Dobresku.
Ndërsa në gjermanisht, greqisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera të kulturës së rëndësishme botërore, përkthimi i veprës së tij letrare shpërfaqi realitetin shqiptar dhe atë botëror përmes një autori shqiptar, i cili ishte lindur dhe rritur në këtë vend të vogël. Kadare mbetet një ambasador ndër më të suksesshmit e kulturës dhe letërsisë shqiptare me botën. Ai, përveçse poet dhe shkrimtar, njihet edhe si një personalitet i mendimit dhe historisë shqiptare.
Po aq sa vlen dhe është e rëndësishme krijimtaria e tij letrare, ku në subjektet dhe qasjet e saj mjeshtërisht është plazmuar historia, momentet e rëndësishme të vendit, thelbi etnik dhe tabani kombëtar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, kjo krijimtari vlen po kaq shumë për të krijuar një dritare të rëndësishme për t’i parë shqiptarët në botë. Përmes krijimtarisë së Kadaresë dhe mendimit të tij elitar e bashkëkohor, njohja për Shqipërinë dhe shqiptarët është më e plotë, ashtu siç janë historitë dhe konstitucionet shpirtërore të popujve përmes profileve të shkrimtarëve të njohur dhe të përkthyer të këtyre vendeve dhe popujve.
Tiranë-Vlorë, janar 2026.