Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Bardhosh Gaçe: DIONIS QIRZIDHI – POETI I NDJESIVE TË NGROHTA E TË FRESKËTA

Poeti Dionis Qirzidhi ishte një zë i veçantë poetik në brezin e tij të viteve ’70 të shek. XX, i cili e shfaqi talentin letrar qysh në gjimnazin “Ali Demi”, si dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT, dega e Fizikës, 1963, ku nisi t’i botonte poezitë e para në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe “Drita”. Miku i tij, poeti Fatos Arapi, me botimin e vëllimit poetik “Buronjat” 1971 dhe promovimin e tij u shpreh: “Xixëllimet poetike të Dionis Qirixidhit, mbartin një botë të gjerë emocionale, ku Vlora dhe Labëria me peizazhet e tyre natyrore dhe shpirtërore, i sjellin poezisë shqipe një zë lirik të spikatur, të kulturuar e sqimatar…”.

Një cikël më vete në tërë krijimtarinë poetike të Dionis Qirzidhit zënë edhe motivet e Vlorës dhe të detit, një pjesë të botuara në shtypin letrar të kohës, ndërsa një pjesë tjetër, e përfshirë në vëllimin e tij poetik “Agavi” 1975, u ndaluan nga censura dhe shtëpia botuese “Naim Frashëri” për shkak të hermetizmit të tyre.

Libri poetik “Buronjat” i Dionis Qirzidhit, ndonëse i shkruar dhe botuar herët, në vitin 1971, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” ende e mbart magjinë e fjalës së freskët dhe çiltërsinë e ndjenjës. Me një varg të shtrirë dhe të gjatë (herë-herë të shkurtër për nga numri i rrokjeve), poezia e tij të përfshin me gjerësinë e vështrimit poetik dhe ligjëratën e pasosur të dashurisë për njerëzit dhe për natyrën. Vetë titulli “Buronjat” është domethënës dhe i gjetur teksa na duhet të kuptojmë dhe perceptojmë se poezia e tij “pi ujë” në burimin e jetës, por edhe në burimet e kohës (kuptohet këtu ajo mendësi sociale e përgjithshme, e cila nuk mund të mos ndikonte tek asnjë poet qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi). Duke qenë mësues në fshatin Brataj e pastaj në Kuç të Kurveleshit, Dionis Qirzidhi, njohu nga afër shpirtin artistik dhe humoristik të banorëve të kësaj krahine zëmadhe, zërin e tyre të lirisë dhe atdhedashurisë, por edhe motive intime dashurore, me çka poeti frymëzohej çdo ditë.

Temat e entuziazmit të jetës, të njerëzve gazmorë e të lumtur, motiveve të punës e të rendjes ndaj së mirës, janë disa shtysa nxitëse kryesore në fillim të poezive të Dionis Qirzidhit, të cilat paraqiten me natyrshmërinë e tyre, larg deklaratave të thata patetike apo shprehjeve të ndryshme, që synojnë një përshkrim të thatë, jashtë poetikës së hollë. Thamë që vargu i këtij poeti është i shtrirë dhe i gjatë, ai mëton të rrokë mjaft pamje nga jeta, të shpërfaqë ndjesi e mendime, është një varg i ligjëratës së lirë, me enumeracione të shumta, të cilat tregojnë se Dionisi e merr motivin dhe e lëshon ngadalë në krahët e një frymëzimi me frymëmarrje të gjerë dhe kurrë të shpejtuar.

Në këtë pikëpamje, ky poet mbetet i veçantë nga të tjerët në atë kohë, ndryshe nga poetët e Jugut, të cilët shkruanin në varg të rregullt, ndaj duhet thënë se poezia e viteve ’70 filloi ta demokratizonte vargun, ta afronte me një gjuhë të të shprehurit më modern, filloi të bëhej më intime e të përdorte teknika të reja. Një traditë të mirë paraardhëse, nga poezia e viteve ’60, poezia e viteve ’70 e kishte, u mundua ta çonte përpara dhe pati edhe poetë interesantë, të cilët i dhanë liri mendimit, për rrjedhojë edhe teknikave, që me këtë rast, vijnë vetiu, por ajo, siç dihet, u godit nga censura letrare e kohës.

Poezia e Dionisit u këndon njerëzve, të cilët mbartin në tiparet e tyre mirësinë, duke u shërbyer të tjerëve dhe duke sjellë përmes kësaj pune, vlerën e kësaj mirësie që nuk harrohet. Kjo duket te poezia “Mirëmëngjes Zahari”, ku një burrë me këtë emër hyn në dyqan “me trupin prej arkave hepuar” dhe kur në rrugë dëgjohet zëri i tij, të gjithë e dinë se asgjë nuk mungon. Është një poezi ku shprehet ndjenja e mirënjohjes ndaj këtij tip-njeriu, që me të vërtetë ekzistonte në atë kohë. Përmes këtij këngëtimi zbërthehen edhe poezi të tjera në krijimtarinë e Qirzidhit me motive të punës e të kohës, jashtë çdo skeme të lavdërimit të sforcuar, por të natyrshëm e me sinqeritet ndjenje të thellë.

Motivi i punës dhe i gëzimit për vlerat që jep ajo, bëhet gati një lajtmotiv qendërzues në këtë vëllim, ku poeti shikon përmes tij njeriun e mirë, njeriun e përkushtuar dhe që krijon vlera e përmes tyre poeti shpreh dinjitetin e tij. Poeti, dinjitetin e njeriut nuk mund ta shikojë më mirë sesa përmes punës: “Baraka të thjeshta/me krevate dyshe të hekurta/Baraka që mbini çdo ditë dhe rritni/fëmijë të hekurt, korpuse industriale”. Dhe poezia përmbyllet me vargjet domethënëse: “Ju gjithmonë jeni nëna të qyteteve të reja”.

Ky ngazëllim shprehet edhe në poezi të tjera, si: “Për hidrocentralin e ardhshëm”, “Feneristi”, “Së shpejti nisin korrjet”, “Valdeti”, një poezi për mësuesin, nga më të thjeshtat e nga më të bukurat, ku portretizohet mësuesi i asaj kohe, një arketip i mësuesit përkushtues dhe që vë në radhë të parë misionin e tij fisnik, “Qyteza e naftëtarëve”: “kjo qytezës ka dy vjet që ka lindur/dhe gjymtyrët i janë rritur shpejt si të fëmijëve”, etj., etj. poezi me motivin e punës-dinjitetit, që autori e shikon si rritje të atdheut, si zgjerim të përmasës shoqërore, si dëshmi e kolektivitetit dhe përmes tij të humanizmit përbashkues, jashtë çdo skeme, por gjithnjë me një konceptim të natyrshëm e prirje meditative.

Krahas lirikës sociale në të cilën dallohen intonacionet e kohës me një vështrim përgjithësues, dhe konkret njëherësh, përmes detajeve, autori, ndërton dhe sendërton edhe motivin e njeriut-njeri human, ku ai së pari gjen mirësinë dhe dashurinë, gjen virtytet dhe vlerat. Përmes kësaj paradigme poetike vijnë portrete njerëzish të afërt “Babait”: “kënga ime për ty – e vogël, baba/rrugët e tua të gjata”, nxënësit: “nxënës/ju me sy pyetës më shikoni/sytë -dritare të lënë hapët për të hyrë dielli”, apo çasteve të ndryshme që për njeriun, përbëjnë një prag, një pikë kthese, një hap tjetër për ta hedhur në jetë, këtë hap me siguri brenda vizionit të kohës.

Poezia e tij shpërfaqet e qartë dhe njëherit e mugulluar nga ndjenja, si ato mbrëmjet e ngrohta apo agimet e bukura të qiellit mbi detin e Jugut, është një nxitje dhe një rritje e afinitetit të ndjenjës për ta parë gjithçka ngrohtësisht në komunikim të përhershëm me njerëzit, me sendet, me kohën dhe dashurinë për të bukurën. Pikërisht për këtë qartësi dhe mugullirë të ndjenjës ajo të tërheq dhe të bën për vete, kur uni lirik i autorit rri gati i shkrirë me trajtimin poetik që ai i bën objektit tematik, që e merr në fokus shtjellimi nëpërmjet një vargu të çlirët.

Jo vetëm gjërat që shikon, njerëzit që njeh, por edhe kur u këndon dëshmorëve, Dionis Qirzidhi i bën ata si të gjallë, sikur bisedon me ta, po ashtu ndodh edhe kur u këndon objekteve dhe figurave të njohura historike. Duke qenë poet i ndjeshëm me një varg të thjeshtë e të kultivuar, ai do gjithçka që është njerëzore, e bukur dhe e vlertë. Ja çfarë imazhi krijon për plakun Ismail Qemali: “Pëllumbat e bardhë fluturojnë/ nga pishat dhe nga mjekra e tij/kur ngrihet flamuri çdo 28 Nëntor”.

Përdorimi i shprehjeve perifrazuese me një nënkuptim fjalësh të caktuara, që marrin vlerë simbolike, është një nga tiparet e stilit të tij, tipare që do t’i ndeshim pothuajse në të gjitha poezitë, e që ngjallin emocion, duke treguar se autori e sjell fantazinë në imazhe që përafrojnë me vërtetësinë e ideve dhe të detajeve, që e mbartin hijshëm këtë të vërtetë të universit të tij poetik. Po kështu, në këtë vëllim, nderimi për traditat ndihet dhe jepet me një sinqeritet motivues në mjaft poezi, për traditat e Labërisë, për artistët e polifonisë, siç është poezia për rapsodin e famshëm, Selim Hasani. Në poezinë “Këngët labe”, në pak vargje, autori bën një vizatim të saktë: “Male, male në gjithë horizontin/Labëria: konture malesh dhe kulme trimërie të lidhura me këngë”. Adhurimi për të shkuarën, për lashtësinë, historinë, ndihet në këtë vëllim edhe në poezitë për Butrintin dhe Apolloninë: “Që prej Ilirisë shekujt, vitet/na lanë dy-tri qytete me pak statuja/dhe emrin shqiptar me gjuhën shqipe”.

Motivi i dashurisë në poezinë e Dionis Qirzidhit, kuptueshëm jepet në përshkrimin e bukurisë fizike të vajzës, ashtu siç ndodh në poezinë e gjithë poetëve. Por dashuria, në zgjerim koncepti, shihet edhe më shumë, edhe nëpërmjet një hapësire më të madhe ndiesore dhe meditative, kur poeti shprehet: “emrin tënd një pemë bregdetare më kujton/unë e mbolla/në sy, buzë, zemër, gjak e kudo”. Dhe patjetër, dashuria kërkon klimën e saj, sepse poeti shprehet: “Në një tjetër klimë do ishte zverdhur e tharë/gjelbërim i kësaj peme bregdetare”. Poeti kërkon prej dashurisë e për motin e saj, klimën e shëndetit moral dhe të kohës, dhe kështu ai zbërthen përmes një nënteksti domosdonë e dashurisë vetëm përmes këtyre kushteve, duke e parë atë gjithnjë brenda shqiptimit të forcës së ndjenjës dhe shëndetit moral.

Peizazhi zë një vend të veçantë në poezinë e Dionis Qirzidhit, një peizazh që nuk vjen nga përshkrimi i drejtpërdrejtë si qëllim në vetvete, por nga përshkrimi që infiltrohet përmes një mendimi të hollë e të zgjuar. Ky peizazh është njerëzor, (xha Jaupi ka dy duar me damarët kërcyer /si dy degë qershie), por edhe thjesht natyror. Ndërsa në të parin ai i shfrytëzon detajet në ndihmë të portretizimit të njerëzve për të nxjerrë mesazhe dhe për të manifestuar përmes reflekseve ndiesore botën e tyre, në të dytën, përmes peizazhit ai jep bukuritë e atdheut dhe vlerat estetike të kësaj bukurie që ka natyra në vetvete: “Shtigjet me degëzimet në Alpe dhe në Dragobi/si pemë me rrënjë të thara e të trishtuara”. Shpesh në frymëzimin e tij shfaqen edhe peizazhet industriale, duke i dhënë poezisë së Dionis Qirzidhit një element futurizmi.

Poezia e Dionis Qirzidhit ka një lirshmëri në të artikuluar, një retorikë të zbritur në nivelin e shprehjes së zakonshme, po aq edhe atë artistike. Siç edhe kuptohet, poezia e tij është një ligjërim i lirë, plot finesë dhe ndjesi të hollë, ngjan si bashkëbisedim herë-herë, ku autori i afron gjërat natyrshëm, pa sforco, me zgjuarsi dhe di t’i inkuadrojë e përçojë në qenësinë e tyre. Kjo poezi sa ç’ka elementin tregimtar aq edhe atë përshkrues-lirik, ajo nuk ka një fabul të mirëfilltë, por gjatë rrugës ndërton fabulën e zakonshme të dimensionimit të jetës.

Trilli artistik në muzën poetike të D. Qirzidhit, thuret thjesht përmes shprehjeve perifrazore dhe metonimike dhe shfrimi i ndjenjave është i përmbajtur, larg të dukurit, larg pozaizmit e prozaizmit, e kjo nuk do të thotë se poeti nuk e shfaq unin e tij lirik (ja unë jam poeti)- përkundrazi, ky un është i fortë, plot ndjesi e plot ngjyra, gjë që tregon e flet për një poet të vetvetishëm me rrëfim e përshkrim, monolog, e sinqeritet, dhe të frymëzuar nga jeta, nga ajo që njeh dhe di, nga ajo që ai vërtet e përjeton e pastaj e mendon dhe mediton, ku përpiqet ta justifikojë si përjetim, pa krijuar kështu pozën e thatë të vetëmburrjes.

Eksperimentimi dhe teknika e një vargu të tillë të derdhur lirshëm dhe që zgjatet sipas ecjes së hapit të mendimit e bën poezinë e tij që gjithçka të thuhet e të kuptohet në leximin e parë të saj, por kur vë re me kujdes, përmes detajesh, duke i vendosur ato në kontekst me kohën apo të paralelizmave që krijojnë me gjendjet shpirtërore, kupton se poezia e Qirzidhit jep me finesë edhe mendime që strukturohen përmes nënkuptimeve apo qasjeve që kërkojnë të mendohesh, duke krijuar kështu një thellësi të natyrshme të detajit dhe të vargut, ku detaji është filigrami që e zbukuron këtë të fundit..

Kjo tregon se kemi një poet të kultivuar që e njeh mirë teknikën e ndërtimit të vargut, po kështu masën e të shprehurit të tij, që nuk krijon dilema në mendim, por përmes meditimit e metaforës poetike krijon thellësi dhe larmi figurash të perceptueshme. Poezia e tij komunikon drejtpërdrejt me një regjistër fjalësh të zakonshme, të natyrshme për kohën, gjithashtu krijon një atmosferë të ngrohtë, humane (çka është natyrë e poezisë së vërtetë te çdo poet dhe jo vetëm për autorin në fjalë), e herë-herë midis strofave kemi edhe vargje që vijnë si përforcim mendimi, kur poetit i duhet ta lidhë mirë nyjen kompozicionale të mendimit në poezi.

Edhe pse i shkruar vite të shkuara përveç ndonjë konceptimi që ngushtohet nga horizonti i kohës dhe mendësia e saj, libri poetik “Buronjat” i autorit Dionis Qirzidhi, lexohet me endje jo vetëm prej tipareve të tij që cekëm më lart, por se ai na rrëfen se poezia e mirë është jetëgjatë në kohë, sidomos ai art që mbështetet dhe frymëzohet nga jeta, i udhëhequr nga dashuria për njeriun, por edhe nga talenti i poetit apo artistit.

Pas viteve ’90 të shek. XX, Dionis Qirzidhi emigroi në Greqi, në Athinë, ku la në dorëshkrim edhe vëllimin poetik: “Nën qiellin e Mesdheut”, por ai shkroi e botoi edhe publicistikë, studime letrare e historike si: “Pasqyrat e Afërditës” (studime 2008), “Këngëtari i Lirisë” (eseistikë) kushtuar Lord Bajronit, 2009, “Dokumente të reja kushtuar Ismail Qemalit” 2010, si dhe një varg studimesh për poetët grekë: Elitis, Seferis, Pallamas, të cilat përbëjnë një mendim të gjerë intelektual, por edhe një shpirt të dëlirë poetik.

Vlorë, 25 shtator 2014