Albspirit

Media/News/Publishing

MARRËDHËNIET E ENVER HOXHËS ME HYSNI KAPON, “BESNIKU I PARTISË”

Ahmet Xhavit Delvina

Hysni Kapos, Enveri shumë shpesh i jepte vlerën e dyshit, dmth zëvendësi i tij, ky vlerësim ishte nga më të gjeturit. Daja im Esati më thoshte se Hysni Kapon ia rekomanduan me porosi të veçantë Jugosllavët, sepse ai e kishte në traditën familjare bashkëpunimin me shërbimet e tyre sekrete që nga i ati i tij me Konsullatën – Jugosllave në Vlorë. Hysniu ishte nga njerzit më të paskrupullt që e rrethonin Enverin gjatë gjithë kohës, ai gjithnjë u karakterizua nga dy gjëra kryesore: – e para ishte dëshira për të jetuar në qetësi dhe lumturi të plotë, si ai edhe familja e tij në të gjithë dinamikën e jetës, dhe – e dyta, atë e karakterizonte një lakmi e pakufizuar për të siguruar një bazë ekonomike të nivelit të lartë i krahasuar gjithnjë me vëndet perëndimore, për të gjithë tashmë “Dinastin Kapo”.
Këto dëshira të tij të shprehura në rrethe të ngushta familjare, e kishin bazën gjithnjë në mosbesimin e suksesit komunist si sistem sepse ai e dinte dhe e thoshte në familje se historikisht çdo sistem ka periudhën e lindjes, zhvillimit dhe rënjes (materialist hesapi). Kështu që për të arritur këto objektiva ai bënte çdo gjë dhe nga natyra ai ishte njeri “deliquent a sangue fredo“ dhe i zhveshur nga çdo virtyt njerzor.
Mizoritë që ai kreu gjatë kohës që ishte në pushtet, do të mbeten në kujtimet e asaj periudhe si vepra nga më monstruozet. Enver Hoxha këtë tip dhe me këto cilësi që i dalloheshin pa shumë vështirësi, e priti shumë mirë dhe me kënaqësi të veçantë. Ky ishte rekomandimi më i goditur që i ofruan Enverit, Jugosllavët! Kështu lindi dueti Enver – Hysni, kjo ishte një lidhje e veçantë dhe shumë speciale e cila shumë shpejt këtë dyshe e shndërroi në një Kupolë Padrinosh Mafioze e cila pati jetëgjatësinë më të madhe, por gjithmonë mbetën të fiksuara pozitat e këtyre “dy Padrinove”.
Enveri – njëshi dhe Hysniu – dyshi. Që pas vitit 1945 këta “dy udhëheqësa” duke qenë se vendi ynë ishte në një zonë kufitare ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, e panë të arsyeshme dhe e stimuluan me prioritet të madh e të shpejtë zhvillimin e “kontrabandës shtetërore” dhe menduan gjithashtu që në perspektivë ky aktivitet në një farë mënyre të institucionalizohej me një organizim mafioz të sofistikuar dhe të ishte mbështetja kryesore e zhvillimit ekonomik shqiptar. Lloji i kontrabandave që u përcaktuan si më me leverdi qenë trafiku i të gjitha llojeve të drogave, cigareve, armëve dhe pastrimi i parave të pista.
Natyra e zhvillimit të këtyre “degëve të pista” të kontrabandës, vuri në krye Hysni Kapon me klanin e tij lab, të cilët zunë vende kryesore në nomenklaturën shtetërore dhe qendra kryesore e këtij aktiviteti u bë “Vlora heroike”. Menjëherë u krijuan lidhje të rregullta “pune” me organizatat mafjoze të njohura si: “Cosa Nostra”, “Santa Corona Unita”, etj.

Droga përveç se mbillej edhe këtu, vinte edhe nga Libani, Afganistani, Turqia, etj. Në vendin tonë mbillej në zona të mëdha të izoluara me mbrojtje ushtarake me pretendimin se ishin zona ushtarake shumë të rëndësishme për mbrojtjen e vendit. Aty kultivohej hashash, kanabis – sativa, etj. me emërtesën “bimë medicinale”, këto pastaj përpunoheshin nëpër laboratore sekrete së bashku me drogat e forta të importit. Po kështu edhe kontrabanda e cigareve zuri vend të rëndësishëm duke mos lënë pas edhe trafikun e armëve, fillimisht trafikohej armatimi rus, bullgar, rumun dhe më vonë ai kinez, duke ju shtuar në periudhat e mëpastajme edhe armët tona, prodhim shqiptar me teknologji puro kineze pas ndërtimit të uzinave dhe të komplekseve ushtarake në vendin tonë. Në këtë “eksport të zi” nuk përjashtoheshin edhe llojet e predhave të veçanta, barut dhe eksploziv të tipeve të ndryshme.
Ky aktivitet mafioz 50-vjeçar, në mënyrë të veçantë pasuroi dy familjet e “Padrinove”, atë të Enver Hoxhës dhe të Hysni Kapos, të cilët u shndërruan, i pari në miliarder dollarësh, ndërsa i dyti në multimilioner, duke gëzuar pasaporta diplomatike apo statuse të veçanta për ato kohra, që u mundësonin psh qëndrime pa afate të caktuara në shtetet perëndimore duke mos përjashtuar edhe nënshtetësin e huaj. Këto kapitale apo shuma parash, (për kapitale kihen parasysh gjërat me vlerë që buronin nga sekuestrimet, grabitjet që ju bënë klasave që përmbysën), këto vlera ata i nxorën në mënyrë të rafinuar jashtë shtetit por kurrë nëpërmjet Bankave, por krejtësisht privatisht dhe në mënyrë shumë konspirative.
Këto vlera i siguruan nëpër shtete dhe pika të ndryshme të botës, që ruhen nga garda e tyre besnike duke shmangur edhe kompromentimin e emrit të tyre të “nderuar”. Ata blenë vila nëpër vende të ndryshme të botës që nga Amerika e Jugut e deri këtu në Europë, ku me mënyrat e tyre depozituan kapitalet dhe mbrojtja e këtyre vlerave realizohet nëpërmjet Sulo Gradecit, njeriu më i besuar i Enver Hoxhës. Ndër këta njerëz besnik kishte edhe prej atyre që në periudhat e mëparshme kishin luajtur edhe rolin e tregtarëve sekser në veprimet mafioze të kontrabandës, si psh Qazim Myftiu, por kishte ndër ta në këto periudha të mëparshme, që kishin qenë punonjës të diplomacisë, të cilët pas përfundimit të afatit të detyrës diplomatike, për të kaluar një periudhë të “qetë private”, preferuan të rrijnë aty ku ishin duke mundësuar edhe fëmijët e tyre për tu marrë me tregti aq sa për të jetuar në mënyrë “të ndershme” mjafton që të ishin larg “halleve të njohura ballkanike”. Pikërisht në këtë periudhë pune të qetë, ndodhi një gjë pak si e çuditshme. Mekanizmi “auto-vrasës” i Partisë vuri dorë edhe tek “Besniku i Partisë” duke e asgjesuar në kondita lluksi në Paris, me një helmim shumë të sofistikuar për të mbrojtur koefiçientin e sigurisë. Paratë e vëna me “djersën dhe punën e tij” t’i gëzojë familja por pa të. Nuk ma merr mendja që Hysniu të ketë dyshuar ndonjëherë se edhe ai do të ishte kontigjent për sakrificë.
Meqënëse po flasim për pasuritë e këtyre dy familjeve, po bëj një kalim kohor nga “Komunizmi” në “Pluralizëm” për të parë se si ato kapitale mbrohen edhe sot, po me fanatizmin e vjetër si në atë kohë. Kjo “meritë” iu takon politikanëve të sotëm të kamufluar si demokratë, socialistë, republikan etj. që nuk janë gjë tjetër veçse Neo-Komunist♪ të Kamufluar. Shumë komik po aq edhe i turpshëm ishte zhvillimi i një gjyqi me reklamë e pompozitet të madh kundër shoqes Nexhmije, tani në kohën e tranzicionit të pafund ose të pluralizmit neo – komunist. Ajo u “gjykua” për të dhënë llogari se kishte shpërdoruar fondet shtetërore për “orgjitë” e vdekjes së shokut Enver Hoxha. Ajo u shpjegua gjoja me nervozitet se masiviteti popullor për ngushëllim ishte aq i madh sa i kalonte mundësitë ekonomike “modeste” të familjes së tyre sepse si ajo, fëmijët e saj, apo nuset e djemve merrnin rroga modeste si i gjithë populli. Ato të ardhura kullandriseshin për të përballuar jetesën e përditshme dhe nuk mund të mendoj njeri se po me ato para rrogash, të paguhej edhe shpenzimi mortor aq masiv sepse u pa dhe u vërtetua plotsisht se u “shkul” e gjithë Shqipëria me lot në sy për të marr pjesë në këtë “hata” kombëtare. Vallë a nuk e meritonte shoku Enver së paku kafenë mortore “t’ia paguante shteti”? Qëllimi i vërtetë i këtij gjyqi “fars” ishte për t’i mbushur mëndjen popullit se si ai qeverisi për gjysëm shekulli dhe familja e tij ekonomikisht është “si të gjithë” ju. Çfarë hipokrizie paska patur si “Gandi i Indis”! Qëllimi i vërtetë i kësaj loje banale ishte që të harrohej në një far mënyre apo të mos mendonte më njeri se Enveri mund të dispononte para mënjanë, siç thonë gjirokastritët së paku nga brezat e rinjë e në të ardhmen. Për të ilustruar “fukarallëkun” e këtyre dy familjeve të “Demonëve të kuq”, ata vijnë dhe jetojnë në Shqipëri në periudha të caktuara të vitit, kur t’ju pëlqej dhe bëjnë jetë modeste si të gjithë, apo bëjnë edhe ndonjë “aktivitet të vogël tregtar” si psh merren me ndërtime apartamentesh banimi, janë aksioner në disa kompani, si psh tek “Deka” dhe lloje të tjera punësh të këtyre natyrave, por e tërë kjo është Mbulesë e Turpshme e së Vërtetës. Po me këto forma vepron edhe familja Kapo.
Diçka më dobët se këto dy familje, është dhe ekonomia e Ramiz Alis sepse koha e pasurimit të tij ishte më e shkurtër, edhe kushtet ishin të ndryshme, megjithatë edhe ai nuk doli keq, sidomos pas vdekjes së Enverit që e zëvendësoi. Për ç’ka përshkrova më sipër duhet patjetër të bëhen publike dhe të hetohen zyrtarisht këto probleme brenda të gjitha rregullave të drejtësisë. Por për fat të keq kjo është e pamundur edhe sot, sepse edhe pas 7 – 8 vitesh që zyrtarisht thuhej se kish rënë komunizmi, realiteti nuk ishte i tillë sepse akoma në vazhdim e udhëhoqi dhe e drejtoi vendin në hije: Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Xhelil Gjoni etj., ndërsa zyrtarisht në jetën politike dhe ekonomike të vendit, e drejtonin me fanatizëm bijtë e tyre si: Gramoz Josif Pashko, Ilir Xhelil Gjoni, Skënder Et’hem Gjinushi, Spartak Dilaver Poçi, Fatos Thanas Nano, Maqo Lefter Lakrori, etj. Do Zoti të vijë një ditë që të bëhet drejtësi.
Shumë interesante ishte edhe një bisedë e rradhës me Esatin, bisedë e cila sa më çuditi aq edhe më tronditi, ndërmjet të tjerave ai më thotë: se ti ore “viç” nuku di shumë gjëra për ndërgjegjen e madhe, sakrificën dhe vetmohimin që i karakterizon komunistët dhe ç’bëjnë ata për të arritur qëllimin që i kanë vënë vetes. Ai kur fliste dhe qeshte apo nënqeshte me veten edhe me mua, në fund të fundit thoshte se për të arritur qëllimin që të thash më parë, nuk llogaritet fare çmimi që duhet paguar. Unë e ndërpres Esatin dhe i them, ma merr mendja që do të më tregosh ndonjë ndodhi kriminale e të llahtarshme të tipit komunist me të cilat është mbushur plot jeta e Partisë, por që opinioni njerzor nuk i miraton këto ndodhi, përkundrazi i dënon si barbare dhe të patolerueshme. Kjo llojë jetese që i është imponuar këtij populli, nuk lejon asnjë inisiativë të lirë, por vetëm gjithnjë e në vazhdimësi të ndrydhur, sepse ne e shohim përditë se si shtihet ky popull plot indiferentizëm e plogështi. Kjo që po të them është vetëm njëra anë e së keqes së këtij sistemi, pa folur se ç’ka më. Ky popull është ç’personalizuar në atë masë sa fatkeqsisht është i gatshëm të pranojë gjithçka në mënyrë pasive kundër dëshirës së tij. Ky lloj njeriu që është sot, po shkon gjithnjë e më keq në një rrugë turpi të paimagjinueshëm kundër vetvetes, kështu që me këto që të thashë nuk besoj të më bëjë përshtypje tregimi yt.
Esati revoltohet e më qorton duke më thënë, mbylle atë gojë të qelbur e mjaft më dërdëllise e më dëgjo, po të tregoj për dy njerëz të njohur nga të gjithë apo për dy palo burra, vlersoi ti si të duash, që hynë në rrugën e njohur për tu vetasgjesuar, me apo pa dëshirë këtë nuku di ta them, e kam fjalën për kundëradmiralin e flotës sonë Teme Sejkon dhe për Gjeneralin e Ministrisë së Brendshme Hilmi Seitin. Në vitin 1960 duhej demaskuar me fakte konkrete politika “tradhëtare” e Bashkimit Sovjetik, si në planin ushtarak dhe në atë të mbrojtjes, njëkohsisht për ta bërë edhe më të besueshme tradhtinë Ruse duhej që ajo të ndërthurej edhe me spiunazhin grek, italian dhe deri me atë amerikan. Kjo manovër duhej bërë jo vetëm për të konkretizuar me fakte “tradhtinë” Ruse, por njëkohësisht duhej bërë një tabllo e situatës që vinte nga “tradhëtia” Ruse dhe manovrimet delikate që duhet të bënte Partia jonë për të zgjedhur miq dhe aleat të rinjë. Në këtë zgjedhje duhej të kihej parasysh që të gjenim edhe mbështetjen për të mbijetuar me çdo kusht, sepse shenjat e para të falimentimit të sistemit ishin mëse të dukshme dhe të sigurta. Jo pak e rëndësishme ishte se si do të kamuflohej realiteti apo e vërteta në popull, shkaqet që na imponuan ndërrimin e kursit, sepse nuk ishte shaka po ju kundërviheshim “Aleatëve Prindër”. Problem i madh apo shkaku kryesor i prishjes me BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) ishte Goditja e “kultit të individit” atje në Rusi, sepse ne e kuptuam se me goditjen e shokut Stalin, ata filluan “rrugën e tradhtisë” ose rrugën për tu larguar nga “Politika e vjetër”. Ata prisnin edhe nga ne si satelitë tradicionalë të tyre, të reagonim ose të reflektonim. Kjo kërkesë e tyre donte të thoshte se edhe këtu në vendin tonë duhej të bëhej “Rokada”, dmth tu rijepej pozitë atyre njerzve që dikur i kishim denigruar dhe burgosur për “liberalizëm revisionist” dhe të dënoheshin konservatorët Stalinist që realisht ishin në pozitë e në pushtet. Këtë gjë e kishin bërë demokracitë popullore të lindjes, psh në Poloni me Gomulkën, në Hungari me Janosh Kadarrin etj, por vetëm këtu nuk duhet të ndodhte kjo, sepse ne ishim ndryshe dhe kurrën e kurrës te ne kjo nuk do të bënte vaki. Pra për të përballuar me sukses këtë problematikë shumë serioze dhe për të dalë edhe këtë rradhë si me Jugosllavinë pa lagur, duhej të ndërtohej një përrallë a novelë (e la rima come prima), sigurisht jo pa gjak “heronjsh”, por këtë radhë me një skenar shumë më modern se me Jugosllavinë.
Një mendim shumë i rafinuar u përdor këtë rradhë dhe si protagonist kryesor në këtë përrallë të re u caktua elementi “Çam”. Kjo gjetje kishte avantazhin sepse ekzistonte në popull një mendim që çamët janë të pabesë nga natyra. Në të vërtetë ky motivim shpifës, që në fakt ekzistonte në opinionin tonë, ishte një propagandë e vjetër greke e përhapur për qëllime shoviniste nga ata “atdheu i hileve dhe i pabesisë” kundër vendit tonë, dhe u pa e dobishme për tu mbështetur edhe nga Partia jonë në këtë pallavër. Fillimisht roli udhëheqës në këtë përrallë ju propozua Gjeneralit Çam të Ministrisë së Brendshme, shokut Hilmi Seiti, me mendimin se ky do të ishte “aktor “i përkryer sepse ishte i po atij zanati, ai kishte eksperiencë për kësi punësh, sepse kishte qënë disa herë organizator i shumë grupeve me “komunistë tradhëtarë” dhe për mendimin e Partisë, puna e tij kishte patur sukses. Por e keqja me Hilmi Seitin qëndronte se ai kishte parë se si kishin përfunduar këta “heronjë komunist” dhe se sa e kishte mbajtur fjalën Partia “mëmë” për t’ju a shpërblyer sakrificën, pas këtyre lojrave, prandaj ai “burrë” refuzoi të hyjë në këtë lojë apo në këtë valle shumë të rrezikshme për kokën e tij dhe të familjes, me pretendimin se nuk mund të gjente forca për të luajtur një rol kundër Partis së tij, panvarsisht se ajo ishte detyrë e vënë nga Partia për të. Ai këtë rreng ja u kishte punuar sa e sa të tjerve dhe prandaj e refuzoi kategorikisht. Por për fat të keq zgjuarsia çame këtë rradhë nuk funksionoi, sepse shumë shpejt atij i bënë një helmim të butë dhe u varros pa asnjë ceremoni siç i kishte hije një krimineli komunist, i cili u harrua shumë shpejt, ndërkohë vdekja e tij u quajt “natyrale”. Atëherë iu drejtuan çamit tjetër kundëradmiralit Teme Sejko, duke ja kënduar edhe atij këngën e sakrificave që duheshin bërë për Partinë dhe premtimin standart për rikuperimin e nderit të tij në të ardhmen, si edhe pozitën shtetërore, gjithashtu ju bë thirrje që të mos e humbiste asnjëherë besimin tek Partia sepse kjo ishte dëshira e armikut për të na dobësuar. Ai sigurisht sipas zakonit komunist ju përgjigj menjëherë kësaj thirrjeje, pa një, pa dy e “flakë për flakë” duke qenë i gatshëm të jepte edhe jetën për interesat e Partisë. Ai si bir i asaj Partie, apo si pjesë e trupit të saj, kurrë nuk arriti të besojë apo të mendojë se “Partia e tij” këtë rradhë veç kokës së tij kërkonte edhe kokat e gruas dhe të djalit, pa folur pastaj për persekucionin e të gjithë sojit të Sejkove.
Pavarsisht se ai e kishte eksperiencën për kësi punësh sepse ishte marrë edhe vet me këto gjëra kundër shokëve të tij, mesa duket mënyra se si iu shtrua ky problem partiak, ai u bind se ky ishte një rast special dhe që kishte të bënte me B. R. S. S. prandaj ai do të ishte “Hero i vërtetë”. Sot çdo kush mund të mendoj se si qe e mundur që një oficer madhor si Teme Sejko të bjerë në grackën e auto – vrasjes së Partisë së tij, që kishte vite që funksiononte pa ndërprerje kundër bijve të saj. Për më tepër që ky ishte edhe çam që dallohen edhe për “zgjuarsi”. Që të mos zgjatemi, për këto “vepra monumentale të Partisë”, siç qe edhe Teme Sejko, të cilët siç thamë edhe më lart, u përgatitën për një kohë fare të shkurtër, u ngritën në pozita të larta, u shquan për mungesë karakteri dhe përdoreshin si “t’ju a donte qefi” kriminelëve të tjerë!